Rritja galopante e diferencës mes Mesatares dhe Mesores së të ardhurave gjatë qeverisjeve të Berishës e të Ramës

20 Qershor 2022, 10:40Blog Nga Eduard Zaloshnja

Rritja galopante e diferencës mes Mesatares dhe Mesores së të

Kur gjysmën e trupit e ke në frigorifer dhe gjysmën tjetër në furrën e sobës, tempratura MESATARE e trupit është 36.5 gradë Celsius. Normale si tempraturë, por gjendja e trupit është tejet anormale. Kjo është një metaforë, enkas e ekzagjeruar në ekstrem, që përdoret nga ekonomistët për të stigmatizuar shoqëri me kontraste të forta mes të pasurve e të varfërve.

Po të bazohesh vetëm në treguesit MESATARË të ekonomisë shqiptare në periudhën 2007-2021 (gjatë së cilës vendi është qeverisur nga Berisha e Rama), krijohet përshtypja (e gabuar) se gjendja është përmirësuar ndjeshëm për shoqërinë në përgjithësi. Kështu, Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) për frymë dhe të ardhurat e disponueshme për frymë (bazuar në të dhënat e Bankës Botërore) janë rritur rreth 54% në periudhën 2007-2021. Por këtu bëhet fjalë për shifra MESATARE për frymë. Dhe MESATARJA, si tregues, ka problemin e ilustruar nga metafora e mësipërme…

Kështu për shembull, PBB për frymë (pas zhveshjes nga tatimet e taksat që grumbullon shteti) ishte rreth 2600 dollarë më 2007, dhe u ngjit në 4000 dollarë më 2021. Po pyetja është nëse kjo rritje u shpërnda në mënyrë proporcionale në shtresat e ndryshme të popullsisë.

Sipas INSTAT-it, gjysma e familjeve shqiptare kanë aktualisht të ardhura mujore nga 50 deri në 510 dollarë në muaj (që përkthehet në 160-1600 dollarë për frymë në vit). Ndërkohë, disa shqiptarë të pasur mund të shpenzojnë 1600 dollarë vetëm për një darkë luksoze (ndër të shumtat darka luksoze të tyre).

Në vendet e zhvilluara nuk preferohet si tregues MESATARJA e të ardhurave për frymë, por MESORJA. MESORJA është pika që ndan përgjysëm popullsinë – gjysma me të ardhura më të larta dhe gjysma tjetër me të ardhura më të ulta. Dhe sa më poshtë MESATARES të jetë MESORJA, aq më josimetrike është shpërndarja e të ardhurave në një shoqëri (shihni një shembull hipotetik në tabelën e mëposhtme).

Rritja galopante e diferencës mes Mesatares dhe Mesores së të

SHËNIM: Po të bazohemi vetëm tek MESATRJA e të ardhurave për frymë, krijohet përshtypja se kjo popullsi hipotetike ka një nivel të mirë të ardhurash vjetore për frymë (10.5 mijë dollarë). Por MESORJA na tregon se gjysma e kësaj popullsie ka të ardhura më pak se 1825 dollarë në vit (5 dollarë në ditë). Ndërsa 10-përqindëshi më i varfër jeton vetëm me 1 dollar në ditë…

Siç u përmend më sipër, MESATARJA e të ardhurave në Shqipëri ishte vjet rreth 4000 dollarë për frymë në vit, ndërkohë që MESORJA ishte 1600 dollarë. Por në qoftë se faktorizohet inflacioni i 14 vjetëve të fundit, rezulton se MESORJA reale ishte më e lartë para 14 vjetësh. Nga ana tjetër, MESATARJA është sot ndjeshëm më e lartë se para 14 vjetësh, sepse të pasurit kanë përfituar në mënyrë eksponenciale, ndërkohë që të ardhurat e të varfërve janë ulur (po të faktorizohet inflacioni). Gjë që tregon se pabarazia mes të pasurve dhe të varfërve është rritur ndjeshëm në 14 vjetët e fundit.

Në qoftë se 1000 familjet tejet të pasura shqiptare kanë sot të ardhura disafish më të mëdha se para 15 vjetësh (ndërkohë që familjet e tjera kanë një rritje më të vogël se inflacioni), rezulton se kemi një rritje të MESATRES së të ardhurave për frymë, por ulje të MESORES. Aktualisht, diferenca mes MESATARES dhe MESORES së të ardhurave personale në Shqipëri është ndër më të mëdhatë në botë.

Dhe kjo diferencë gjigande mes MESATARES dhe MESORES na tregon se Shqipëria ka nevojë për një revolucion politik. Jo të natyrës marksiste apo fashiste, por një revolucion që do të nxirrte në krye një forcë të re politike, e cila do të krijonte kushte vërtet të barabarta në treg për të gjithë qytetarët – e jo vetëm për biznesmenët korruptivë dhe kriminelët që janë pasuruar gjatë pushtetit të PD-së e PS-së.

Rrotacionet politike të 2005-ës dhe të 2013-ës ishin të mirëpritura nga pikpamja e normalitetit demokratik, sepse shteti shqiptar kishte njohur vetëm rrotacione pushteti traumatike në 90 vitet e para të ekzistencës së tij. Por një rrotacion tjetër në vitin 2025 (si dy të mëparshmit) nuk do ta shëronte sëmundjen e MESORES. Fatkeqsisht, bizneset korruptive dhe grupet kriminale që çelën në kohën e Nanos e Metës, dhe që u fuqizuan në kohën e Berishës dhe Ramës, ka shumë gjasa të vazhdojnë të fuqizohen, nëse nuk ndodh një ndryshim drastik në skenën politike.

Me fjalë të tjera, gjysma e familjeve shqiptare do të kenë më pak të ardhura reale se sa sot, ndërsa gjysma tjetër do të ketë edhe më shumë se sa sot. Për të mos folur për 1-përqindëshin e familjeve super të pasura, të cilat mund të shpenzojnë shumë më tepër për qenin apo macen e tyre më shumë se sa shpenzon një familje e varfër për fëmijët e saj…

Duke u kthyer te forca e re e fuqishme politike e përmendur më sipër, është shumë e lehtë të shkruash në letër për të, por shumë e vështirë për t’u materializuar në një shoqëri të prapambetur si jona. Mund të duhen 200-300 njerëz të përndritur e të guximshëm (për ta ngjizur atë), por është e vështirë që ata të bëhen bashkë.  Sidoqoftë, në qoftë se bëhen bashkë dhe kanë sukses, PS-ja, PD-ja, LSI-ja etj. mund të mbeten thjesht relike në muzeun e tranzicionit…

10 Komente

  1. O
    Opinion

    Zaloshnja mos i trego gjërat në shkrim gazete si profesionist që pretendon se je! Të sugjeroi të tregosh, për të kuptuar një lexues gazete i interesuar çfarë është mesatare dhe çfarë është mesore dhe si llogaritet.Nga tabela që ke marrë shembull. Nuk janë të gjithë staticien siç je zotrote. #Vërejtje miqësore,në grupe=10%,mesatarja është mesore.

    1. B
      Bujar Kanapari

      Eshte e qarte; Ne vendet ne zhvillim, sic eshte Shqiperia, te ardhurat per fryme nuk merren per baze si tregues i rritjes se mireqenies, pasi shperndarja e tyre nuk eshte e drejte. Te ardhurat perqendrohen ne duart e nje grupi te vogel, nderkohe, shumica e popullsise ndodhet ne krize financiare. Thellohet hendeku ndermjet te pasurve dhe te varferve. Ne vendet e zhvilluara, si Gjermania, Franca etj, te ardhurat mesatare jane tregues i mireqenies, pasi shperndarja eshte me e drejte; shtresat jane afer. Kete fakt, nuk e ka parasysh kryeministri Rama, ku para ca kohesh u shpreh; nuk i rrisim rrogat, bankat jane plot. Ca leke edhe une i kam ne banke, por i mbaj per dite te keqe.

      1. O
        Opinion

        Mesore ndryshe quhet quhet dhe mesatare e kolauduar ose ponderim.Kjo bazuar në tregues/grupi dhe ku thelbësor është përqindja e grupit të cilit i referohesh.Pra si shembull 10%-700,8%- 1200€ ë kështu me radhë.Besoj se jemi dakort mister Z!!!!

        1. I
          Ilirikum

          Faleminderit Zaloshnja. Nje analize reacionale. Shifrat tregojne semundjen e pushteteve pa llogjike e siperfaqesor, qe me shume flasine se sa mendojne!! Edhe kur mendojne primare kane interesat e grupit se sa te shoqerise. Dhe me qarte duken keto interesa ne transport e bujqesi. Ne keto dege te veprimtarise operone 100% e njerzeve. Sikur vetem keto te ishin 30% te kontrolluara besoj gjendja do te ishte ndryshe ne shperndarjen e te ardhurave. Zaloshnja gjej sa eshte shuma qe qarkullojne keto 2 dege, qe te dali sa eshte shuma qe u futet duar ne xhep dhe i merret shqiptareve. Edhe njehere faleminderit

          1. d
            doktori

            Analize e percipte dhe siperfaqesore, zoti Zaloshnja duhet te jete me i pergjegjshem dhe mos te flasi si politikan populist qe ben thirrje per revolucion duke i treguar familjeve ne veshtiresi se te pasurit paguajne per qente me shume se sa femijet e tyre..... Ekonomia eshte shume komplekse dhe dinamike dhe duhen analizuar shume faktore, por te thuash qe sot shtresat e varfra te shoqerise jane me keq se ne 2007 eshte thjesht populizem politik

            1. 1
              1 Ide

              O Doktor merru me mire me mjekesine (apo e kishe ne sensin qe ke titullin dhe ke mbrojtur doktorature, gjithsesi...) Nuk besoj qe do e lexonim nese do futej me thelle se do na dukej leksion Micro/Makro Ekonomie dhe statistike dhe ne qe na eshte dashur ti bejme edhe ne shkolle nuk duam tiu kthehemi leksioneve. Besoj qe nje pjese e mire e atyre qe kane studiuar Ekonomi

            2. M
              Math

              Bravo Zaloshnja! Materiali eshte i kosumueshem nga nje person qe ka te pakten 10 klase shkolle. Shoqeria jone eshte e perbere , ne shumice dermuese, nga analfabete funksionale.

              1. P
                Poli

                Ne kemi qeveri socialiste qe mendon per te varferit.....cna thua o Zaloshnja

                1. k
                  kashi

                  o zaloshnja keto i sqaron thomas piketty para teje

                  1. L
                    Llogjika

                    Edhe mesorja nuk eshte tregues per me fukarenjte ka kufizimet e saj.Zaloshnja e kuptoi kete qe thashe...po ju analfabetet funksionale e kuptuat?...apo karin

                    Lini një Përgjigje