Vlerësim, jo mospërfillje ndaj diplomatëve të karrierës

3 Qershor 2026, 17:20Blog Nga Leonidha Mërtiri


 Vlerësim, jo mospërfillje ndaj diplomatëve të karrierës
Temë e njohur kjo, në të cilën po ndalemi, por fakti që jo gjithnjë vlerësohet roli i diplomatëve të karrierës dhe herë-herë duke ia lënë atë spontaneitetit, qëndrimet mospërfillëse bëhen të udhës dhe fitojnë të drejtën e qytetarisë. Shqetësimi që krijohet pas këtyre qëndrimeve është i drejtë. Edhe pse ato janë vënë dhe vihen në dukje, çuditërisht mbeten po aty, gjejnë shtigje e truall të jenë sërish të pranishme. Ato, dashur, pa dashur, e zbehin këtë rol dhe çojnë në një trupë të dobët diplomatike.
Ka ndodhur kështu sepse përpjekjet e politikës në periudha të ndryshme kanë dashur t’i marrin frymën diplomacisë, duke lënë në hije diplomatë të njohur karriere dhe sjellë militantë partie. Diplomacia, dihet tashmë, është profesion, por kurrsesi një profesion partiak. Për fat të keq, në raste ndryshme, ardhja në krye të Ministrisë së Europës  dhe Punëve të Jashtme e atyre ministrave nga politika, pa lidhje me diplomacinë, pa e mbajtur dot shpina e tyre, nuk mund të mos kishte ndikimin e vetë negativ. Me miratim të tij pranoheshin në MEPJ, sikurse edhe sot, militantë apo të ardhur përmes njohjeve dhe nepotizmit. Ose, shpërblimi me detyrën e ambasadorit i politikanëve, emërime politike këto, që shihen si qoka. Ritheksojmë se shërbimi diplomatik nuk mund të lihet i varur në çengelin e politikës. Dhe, pavarësisht ndërrimit të “kuajve”, diplomatët e karrierës vazhdojnë punën dhe nuk nëpërkëmbet profesionalizmi i tyre i njohur dhe i suksesshëm sipas midesë së iksit apo ypsilonit.
Sepse ka ndodhur dhe kështu: Ambasadorë me disa mandate në vende të ndryshme, me arritje të njohura në zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe, pas kthimit nga vende ku ishin akredituar, përfundonin në specialistë të thjeshtë, pa folur për diplomatw të rangjeve më të ulta. Madje, nuk mundnin as të takoheshin me ministrin e jashtëm(!). Ambasadori i ndjerë, Petrit Bushati, diplomat par excellence, që kishte drejtuar ambasadat e Shqipërisë në Washington, Stokholm, Beograd dhe gjetkë, sapo u kthye nga ky i fundit, u la specialist i thjeshtë të mbulonte ambasadën e Serbisë(?!). Ish ambasadorit i duhej të komunikonte me atasheun përkatës të ambasadës që mbulonte, që është rangu më i ulët në sistemin e gradave diplomatike… Por, i ndjeri, ambasador Bushati, e donte me shpirt profesionin e tij, duke duruar sjelljen, padrejtësinë me të cilat përballej. Kjo ishte e qëllimshme, për ta mërzitur atë e për t’u larguar “vetë” nga shërbimi diplomatik. Të mos harrojmë: Diplomatët e karrierës janë pasuri kombëtare, ku shteti ka bërë jo pak për përgatitjen e tyre. Flasim për diplomatë, përvoja e të cilëve, të vjetër dhe të rinj të apasionuar, dëshmon për rezultate të admirueshme. Kështu diplomacia rrit forcën e shtetit të vetë dhe ndërkohë u ngushton frymëmarrjen shfaqjeve të diletantizmit në këtë fushë. Këtë lloj diplomacie diletante kritikon George F. Kennan, tepër i njohur, me karrierë të gjatë në diplomacinë amerikane dhe me rol të veçantë në hartimin e politikës së jashtme amerikane. Prandaj për të shihet i nevojshëm “përdorimi më mirë i parimeve të profesionalizmit dhe se duhet krijuar një trupë profesionistësh superiorë ndaj gjithçkaje që ekziston ose që ka ekzistuar ndonjëherë në këtë fushë”.
Ligji i Shërbimit të Jashtëm e përcakton qartë këtë Shërbim, si i tillë, që vepron në bazë të parimeve të profesionalizmit, meritës, integritetit, paanësisë politike, transparencës… Orekset politike bëjnë që ai të ndryshojë jo rrallë dhe kur nuk është nevoja për të ndryshuar nene të tij, por është “nevoja” e interesave të parcelave partiake, e lidhjeve të padukshme. Ky oreks bën që ai edhe të mos përfillet. Ndryshe nuk mund të shpjegohet, përshembull, qëndrimi i zgjatur në krye të ambasadave i disa titullarëve “të harruar”, ku Ligji e përcakton qartë mandatin e tyre. Për disa respektohet, për të tjerë jo, sikurse ndodh dhe me diplomatë të tjerë që “duhet të ngujohen” në zyrat e MEPJ-së, duke i demobilizuar ata.
Pavarësisht minimizimit të shfaqjes së këtyre fenomeneve sot, i përmendëm shëmbujt e mësipërm jo më kot; që këto dukuri të mos rrinë në gatishmëri për t’u kthyer sërish e në forma të stërholluara për ta dekurajuar diplomacinë. Arritjet nuk mund të sfumohen. Mbi 30 vjetë, kurrkujt nga politika nuk i shkonte në mendje që Ministrinë e Europës dhe Punëve të Jashtme ta drejtonte një diplomat karriere. Ata këtu ishin. Këtu ishte 35 vjetë dhe Ferit Hoxha, kryediplomati i porsaemëruar, përkrah diplomatëve të tjerë të karrierës. Nga këto radhë erdhën ditët e fundit dhe pesë dekretet e miratuara nga Presidenti i Republikës për ambasadorë të Shqipërisë në vende të ndryshme. Shënjë e mirë, e pritur kjo. Diplomacia e karrierës ka më shumë nevojë për inkurajim.
 

1 Komente

  1. K
    Konica

    Amon boni nje vleresim te vecante per ambasadorin Gimi i puros se ai eshte komshi ne amerike me shoferin e Rubios.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje