Një zjarr i madh që po përhapet me shpejtësi, i nxitur nga erërat e forta, e ka detyruar aeroportin e Marsejës të anulojë të gjitha fluturimet dhe po i afrohet qytetit të dytë më të madh të Francës, thanë zyrtarët, ndërsa zjarrfikësit përreth Mesdheut luftojnë me flakët e shkaktuara nga një valë e fortë nxehtësie.
Prefektura e rajonit Provence-Alpes-Côtes d’Azur lëshoi një alarm të martën duke u bërë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda, të mbyllin dyert dhe qepenat dhe të varin rrobat e lagura rreth hapjeve për të shmangur rrezikun e thithjes së tymit.
Rrugët duhet të mbahen të lira për shërbimet e emergjencës, tha prefektura.
Bashkia e Marsejës tha se zjarri po përhapet, duke shtuar: “Shmangni të gjitha aktivitetet në natyrë dhe mos bllokoni rrugët e aksesit në rast emergjence. Ndiqni udhëzimet dhe mesazhet e alarmit”.
Aeroporti i Marsejës tha se kishte pezulluar të gjitha fluturimet rreth mesditës, menjëherë pasi flakët shpërthyen jashtë qytetit të afërt Les Pennes-Mirabeau.
Mediat lokale raportuan se shkaku duket se ka qenë një automjet që u përfshi nga flakët në autostradën A552.
Nisjet për në Bruksel, Mynih dhe Napoli u anuluan, ndërsa fluturimet hyrëse u devijuan në aeroportet e afërta, duke përfshirë Nicën dhe Nimen. Marseja është aeroporti i dytë më i madh rajonal i Francës, duke trajtuar gati 11 milionë pasagjerë vitin e kaluar.
Bashkia e qytetit të Marsejës tha se 720 zjarrfikës po luftonin me flakët me 220 automjete emergjence, të ndihmuara nga helikopterë dhe aeroplanë me bomba uji. Rreth 350 hektarë tokë ishin djegur deri në fund të pasdites.
Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima, por kryebashkiaku i Les Pennes-Mirabeau tha se dy lagje banimi ishin evakuuar dhe zjarrfikësit po përgatiteshin për të luftuar flakët që po afronin pranë një azili pleqsh.
Një zëdhënës në zyrën e kryetarit të bashkisë për arondisementet e 15-të dhe të 16-të të Marsejës, më afër zjarrit, tha se kufijtë e jashtëm të qytetit ishin qartësisht të kërcënuar dhe të mbuluar nga tymi i dendur. Autoritetet po prisnin udhëzime të mundshme për evakuim.
“Është shumë e habitshme – madje apokaliptike”, tha për Reuters Monique Baillard, një banore e Les Pennes-Mirabeau, duke shtuar se shumë nga fqinjët e saj ishin larguar.
I nxitur nga një erë 70 km/orë, zjarri mund të nuhatej në qendër të Marsejës dhe videoja tregoi re të mëdha tymi që valëviteshin mbi periferi të qytetit. Tre departamente jugore franceze, Bouches-du-Rhône, Var dhe Vaucluse, janë në alarm të kuq për zjarr.
Shumë nga pyjet e rajonit janë mbyllur dhe barbekytë dhe cigaret janë ndaluar pranë zonave të pyllëzuara. Rreth 4 mijë zjarre shpërthejnë çdo vit në Francë, rreth 90% e të cilave shkaktohen nga aktiviteti njerëzor. Shkaktimi i një zjarri nga pakujdesia mbart një dënim me burg deri në 10 vjet.
Rreth 250 km në perëndim të Marsejës, një zjarr i madh që filloi pranë qytetit të Narbonne ishte ende aktiv të martën pasi dogji rreth 2 mijë hektarë pyll, duke detyruar mbylljen e pjesshme të autostradës A9 dhe dhjetëra evakuime.
I nxitur nga erërat me shpejtësi 60 km/orë, flakët “ende nuk ishin nën kontroll. Është një zjarr që është përhapur shumë shpejt”, tha prefekti i departamentit Aude, Christian Pouget. Më shumë se 1,000 zjarrfikës ishin vendosur, pesë prej të cilëve ishin plagosur lehtë.
“E dimë që do të kemi një pasdite të vështirë, me zjarrfikës të rraskapitur” pasi punuan gjatë gjithë natës, tha të martën pasdite Christophe Magny, shefi i zjarrfikësve të departamentit Aude, duke shtuar se ende ekzistonte një “rrezik i lartë përhapjeje”.
Në Spanjë, zjarrfikësit në verilindje të vendit vazhduan të luftonin një zjarr të madh në provincën katalanase të Tarragonës që ka djegur më shumë se 3 mijë e 100 hektarë tokë pyjore, bujqësore dhe urbane, dhe ka mbyllur brenda 18 mijë njerëz.
Erërat deri në 90 km/orë po i ndërlikonin përpjekjet e rreth 100 trupave nga njësia e emergjencave ushtarake të Spanjës dhe 300 zjarrfikësve rajonalë për të luftuar zjarrin, i cili shpërtheu në komunë të dielën.
Ekspertët kanë paralajmëruar për një rrezik të lartë zjarresh në pyje këtë vit, pasi shirat e rrëmbyeshëm të pranverës shkaktuan një rritje të shpejtë të bimësisë. Temperaturat e larta tani e kanë bërë bimësinë të thatë dhe të brishtë: muajin e kaluar provinca andaluziane e Huelvës regjistroi një temperaturë rekord prej 46 gradë Celsius.
Siria të martën kërkoi ndihmë nga BE-ja në luftimin e zjarreve që kanë qenë në flakë për gjashtë ditë, duke përfshirë një sipërfaqe të madhe… pyll. Jordania, Libani dhe Turqia fqinje kanë dërguar tashmë ekipe zjarrfikëse për të ndihmuar.
Zyra e OKB-së për koordinimin e çështjeve humanitare në Siri tha se zjarret kishin prekur rreth 5 mijë njerëz dhe 60 komunitete, duke shkatërruar 100 km katrorë pyje dhe tokë bujqësore – më shumë se 3% të mbulesës pyjore të Sirisë.
Terreni i thyer, mungesa e zonave të zjarrit, erërat e forta dhe prania e minave dhe municioneve të pashpërthyera po e bënin të vështirë luftimin efektiv të zjarrit, tha ministri për emergjencat dhe menaxhimin e fatkeqësive, Raed al-Saleh.
The Guardian
Lini një Përgjigje