Nuk është thënë rastësisht se reportazhi është disiplina mbretërore e gazetarisë. Në këtë reportazh korrespondenti i gazetës “Tages Anzeiger” nga Parisi e ka shoqëruar nëpër rrugët e kryeqytetit francez dhe ka biseduar me Ali Akbarin, shitësin e fundit të gazetave në Paris.
Që nga viti 1973 Ali Akbar, i lindur në Ravalpindi të Pakistanit, bredh nëpër kafet e Parisit, përherë i ngarkuar me një grumbull gazetash dhe gjithmonë me shpresë se vizitorët e lokaleve do t’ia blejnë një ekzemplar, një “Le Monde” apo ndonjë tjetër të përditshme.
Kur filloi të shesë gazeta, për shembull, në të famshmen Café de Flore, në katin e parë pinin kafe, filozofonin dhe takonin miq Simone de Beauvoir dhe Jean-Paul Sartre.
Ali Akbar kalon nëpër kafe duke thirrur si tellall: “Monica Lewinsky është shtatzënë - nga Trumpi”, “Ja ku jemi, ja ku jemi. Putini po tërhiqet dhe po kërkon falje”, “ “Ja ku jemi, ja ku jemi - tani vjen pensioni në moshën 35-vjeçare”. Natyrisht këta tituj nuk gjenden në gazetë, por me këtë ironi Akbar tërheq vëmendjen e vizitorëve të kafeve.
Pas disa javësh Ali Akbar do të pritet Palais de l’Élysée, në selinë e presidentit francez, i cili do ta dekorojë atë me mirënjohjen më të lartë shtetërore: tellalli simpatik i gazetave do të pranohet në Legjionin e Nderit. Natyrisht edhe presidenti Emmanuel Macron e njeh qëmoti Ali Akbarin. Si student Macron shpesh blinte gazeta nga Ali Akbari. Njëherë e ftoi atë madje për drekë, herave të tjera për një gotë verë. Studenti i dikurshëm u bë president i Francës, ndërsa Ali Akbari tellalli i parë i gazetave me medalje të Legjionit të Nderit. (E.Robelli)
Lini një Përgjigje