Armëpushimi SHBA–Iran: Dritare drejt marrëveshjes apo iluzion diplomatik?

8 Prill 2026, 18:41Bota Nga Vilant Xhori

Armëpushimi SHBA–Iran: Dritare drejt marrëveshjes apo iluzion

Armëpushimi dyjavor midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, i arritur pas një ndërmjetësimi intensiv diplomatik ku spikati roli i Pakistanit dhe aktorëve të tjerë rajonalë, përfaqëson një moment pauze në një marrëdhënie të ndërtuar nga dekada armiqësie dhe mosbesimi. Në pamje të parë, marrëveshja e përkohshme sugjeron një avantazh relativ për Teheranin. Plani i tij me dhjetë pika është pranuar si bazë diskutimi, duke i dhënë Iranit një rol të dukshëm në formësimin e axhendës negociuese. Megjithatë, një vështrim më i kujdesshëm zbulon një ekuilibër më të ndërlikuar përfitimesh dhe kufizimesh për të dyja palët.

Ndryshimi më domethënës qëndron në rikalibrimin e qasjes amerikane. Retorika e mëparshme për “ndryshim regjimi” është zëvendësuar nga një qasje më e kufizuar për të ushtruar presion mbi regjimin iranian. Kjo zhvendosje reflekton jo vetëm mësimet e nxjerra nga ndërhyrjet e kushtueshme në Lindjen e Mesme, por edhe një kalkulim më të ftohtë strategjik në Washington. Objektivat ushtarake të arritura deri tani i japin Shteteve të Bashkuara hapësirë për të pretenduar sukses operacional, pa u përfshirë në një konflikt të gjatë dhe potencialisht të paqëndrueshëm.

Në këtë kontekst, interesi i administratës së Donald Trump për një marrëveshje bëhet më i kuptueshëm. Pas arritjes së objektivave ushtarake, një zgjidhje diplomatike konsolidon narrativën e suksesit me kosto të kufizuar. Në të njëjtën kohë, presionet ekonomike afatshkurtra, veçanërisht luhatjet e forta të tregjeve, dhe kalkulimet politike afatmesme, përfshirë zgjedhjet e mes-mandatit në nëntor, e shtyjnë administratën drejt shmangies së përshkallëzimit. Brenda elektoratit republikan, skepticizmi ndaj luftërave të gjata jashtë vendit mbetet një faktor i rëndësishëm kufizues.

Paradoksi i situatës është se Irani hyn në këtë armëpushim i dobësuar ndjeshëm në planin ushtarak, por duke shtuar në axhendë cështjen e Ngushtices se Hormuzit. Pavarsisht se cfarë do të arrihet në bisedimet dypalëshe, Ngushtica e Hormuzit nuk ekzistonte si problematike negociuse para fillimit të bombardimeve. Pra, Irani ka arritur që të instrumentalizoje Ngushticen e Hormuzit duke e perdorur si armë strategjike.

Nga ana tjetër, pranimi i planit iranian për diskutim mbetet më shumë një koncesion procedural sesa një angazhim për përmbajtjen e tij. Ai i jep Teheranit një platformë për të artikuluar kërkesat, por nuk garanton pranimin e tyre. Për më tepër, Irani hyn në këto negociata me një vetëdije të re. Përballë ka një administratë amerikane me një stil të pazakontë vendimmarrjeje, të lidhur ngushtë me personalitetin e Donald Trump, e cila shpesh anashkalon kanalet tradicionale diplomatike dhe institucionale. Kjo e bën procesin negociues më pak të parashikueshëm dhe më të ndërlikuar për Teheranin.

Një variabël potencialisht vendimtar është mundësia e përfshirjes së J. D. Vance në drejtimin e negociatave. Me një profil politik që anon drejt kufizimit të ndërhyrjeve ushtarake dhe me ambicjet për kandidim në zgjedhjet e ardhëshme, ai mund të favorizojë një marrëveshje që shmang përshkallëzimin dhe prodhon rezultate konkrete. Kjo përputhet edhe me një tendencë më të gjerë brenda Partisë Republikane për të reduktuar angazhimet ushtarake jashtë vendit.

Pozicioni i Izraelit shton një dimension të rëndësishëm në këtë ekuilibër të brishtë. Përpjekjet e Benjamin Netanyahut për të nxitur përfshirjen e Donald Trump në një ndërhyrje ushtarake më të gjerë kundër Iranit duket se kanë dhënë rezultat në fazën fillestare të përshkallëzimit. Megjithatë, në fazën aktuale diplomatike, interesat e Izraelit nuk përputhen plotësisht me ato të Washingtonit. Ndërsa Izraeli mbetet i interesuar për vazhdimin e presionit ushtarak, veçanërisht në drejtim të Libanit, Irani kërkon de-përshkallëzim dhe ndërprerjen e luftës në Liban, Irak dhe Jemen.

Kjo divergjencë krijon hapësirë për një kalkulim më selektiv nga ana e administratës amerikane. Për Trump, disa kërkesa iraniane që lidhen me kontrollin apo militarizimin e Ngushticës së Hormuzit, kërkesat për kompensime ekonomike, apo reduktimin e pranisë ushtarake amerikane në Gjirin Persik janë të papranueshme. Në këtë kontekst, çështje të tjera, si dinamika e konfliktit në Liban, mund të trajtohen si më pak kritike dhe potencialisht të negociueshme. Kjo sugjeron se Washingtoni mund të tolerojë një devijim të pjesshëm nga preferencat izraelite, në funksion të arritjes së një marrëveshjeje më të gjerë me Teheranin.

Në fund, armëpushimi nuk është as prelud i sigurt i një marrëveshjeje, as një iluzion i pastër diplomatik. Ai përfaqëson një ndërprerje të përkohshme që pasqyron si lodhjen nga konflikti, ashtu edhe nevojën për rikalibrim strategjik. Nëse kjo dritare do të çojë drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme apo do të mbyllet nën peshën e mosbesimit të ndërsjellë, do të varet nga aftësia e palëve për të përkthyer apo transformuar interesat në një kornizë të qëndrueshme bashkëjetese.

1 Komente

  1. P
    Paranē sofrēs i pangrēnē, pranē dijes i panxēnē, l

    Kostot e luftēs nē lindjen e mesme i paguan popullsia botērore me çmimin e naftēs dhe rritjen e çmimeve nē energji dhe gaz, pa harruar ushqimet e shportēs.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje