Ndërsa BE-ja prezanton paketën e saj të 18-të të sanksioneve kundër Rusisë, po shtohen thirrjet për t’i dhënë Ukrainës 300 miliardë dollarët e aseteve shtetërore ruse të ngrira. Sa i realizueshëm dhe sa ndikim do të kishte një hap i tillë?
Nga Nicholas Watson
Pritet një përplasje mes BE-së dhe dy anëtarëve më pro-rusë të bllokut, Hungarisë dhe Sllovakisë, në lidhje me raundin e ri të sanksioneve kundër Kremlinit, gjatë samitit të ardhshëm të liderëve të BE-së në Bruksel, më 26-27 qershor.
E shpallur më 10 qershor nga presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, paketa e propozuar e sanksioneve – e 18-ta që nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 – përfshin propozime për të ulur çmimin tavan global të naftës ruse nga 60 në 45 dollarë për fuçi; ndalim të transaksioneve me gazsjellësit Nord Stream që lidhin Rusinë me Gjermaninë; ndërprerje të qasjes në sistemin ndërkombëtar të pagesave SËIFT për 22 banka të tjera ruse; si dhe vendosjen e një “ndalimi transaksionesh” për “operatorët financiarë në vende të treta që financojnë tregtinë me Rusinë në shkelje të sanksioneve”.
Po ashtu, është në përgatitje një ligj i BE-së që do t’i japë fund të gjitha importeve evropiane të gazit rus – si ai përmes gazsjellësve ashtu edhe ai i lëngshëm – deri në vitin 2028.
Von der Leyen i quajti sanksionet “të forta” dhe “të dhimbshme”, ndërsa Benjamin Schmitt, studiues i lartë në Qendrën Kleinman për Politikën e Energjisë dhe Perry World House në Universitetin e Pensilvanisë, tha se masat do të ndihmonin “për t’i dhënë fund kapjes energjetike të Rusisë mbi interesat politike dhe të sigurisë evropiane”.
Megjithatë, këto sanksione janë vetëm propozime dhe duhet të miratohen njëzëri nga të 27 vendet anëtare gjatë Këshillit të ardhshëm Evropian në fund të këtij muaji. Deri më tani, Hungaria dhe Sllovakia kanë shprehur tashmë kundërshtimet e tyre.
Edhe pse të dy këto vende kanë rënë dakord me 17 raundet e mëparshme të sanksioneve, ata e kanë bërë këtë me përtesë dhe me kërcënime për t’i shtyrë apo bllokuar ato për përfitime politike, deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Sllovakia, për shembull, ka bërë pak për të reduktuar varësinë e saj nga gazi rus përmes gazsjellësve dhe kryeministri i vendit, Robert Fico, paralajmëroi në Facebook se do të bllokojë sanksionet shtesë nëse BE-ja nuk gjen “një zgjidhje reale për krizën me të cilën do të përballej Sllovakia pas ndalimit të plotë të furnizimit me gaz, naftë dhe karburant bërthamor nga Rusia.”
Kryeministri hungarez Viktor Orban gjithashtu është shprehur kundër vendosjes së më shumë sanksioneve ndaj Rusisë dhe në të kaluarën ka përdorur kërcënimin për veto, përveç nëse BE-ja do të lëshonte fondet për Hungarinë, të pezulluara për shkeljet e sundimit të ligjit. Kjo qasje rezultoi e suksesshme në fund të vitit 2023.
Kompromiset e ndërlikuara që nevojiten për të miratuar dhe zgjatur sanksionet – sanksionet sektoriale do të kërkojnë rinovim në fund të korrikut, ndërsa listat e individëve dhe institucioneve do të rishikohen në shtator – dhe pyetjet për efektivitetin e tyre pas 17 raundesh, kanë çuar në shtimin e thirrjeve për konfiskimin e rreth 300 miliardë dollarëve të aseteve shtetërore ruse të ngrira, kryesisht rezerva valutore të akumuluara nga Banka Qendrore e Rusisë, për t’i përdorur si dëmshpërblim për Ukrainën për pushtimin e paligjshëm nga Kremlini. Kjo masë, ndryshe nga sanksionet e BE-së, nuk do të kërkonte miratim unanim nga shtetet anëtare; qeveritë individuale do të zgjidhnin nëse do të konfiskonin ndonjë aset shtetëror rus të mbajtur në vendin e tyre.
“E kemi bërë këtë (vendosjen e sanksioneve) 17 herë tani… dhe po na mbarojnë objektivat. Është kthyer paksa si në lojë – rusët vazhdojnë të gjejnë mënyra për ta anashkaluar”, thotë John Lough, drejtues i politikës së jashtme në Qendrën për Strategji të Reja Euroaziatike, për BIRN. “Jam paksa skeptik ndaj sanksioneve… Sanksionet janë diçka që i vendos kur nuk ka mbetur më asgjë për të bërë.”
Hua për dëmshpërblim
Pjesa më e madhe e aseteve shtetërore ruse të ngrira – me vlerë 212 miliardë euro – ndodhet në Euroclear, e cila i “bllokoi” fondet pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022. Mbretëria e Bashkuar mban 25 miliardë paund; SHBA ka edhe 5 miliardë dollarë të tjera.
Me SHBA-në të pafuqishme për të vazhduar financimin e mbrojtjes së Ukrainës kundër agresionit rus dhe Evropën të paaftë për të mbuluar mungesën, gjë që mund të çojë në mbarimin e fondeve për Ukrainën më vonë këtë vit, përdorimi i këtyre aseteve të ngrira shtetërore si dëmshpërblim për Ukrainën do të ndihmonte në zgjidhjen e këtij ngërçi dhe ndoshta do t’i shtonte presionin Vladimir Putinit për të rënë dakord për një armëpushim dhe marrëveshje paqeje.
“Kjo shumë (300 miliardë dollarë) do të mbulonte nevojat buxhetore të Kievit për afërsisht tre vite të tjera me nivelin aktual të shpenzimeve – pa ndonjë kosto ekonomike për taksapaguesit amerikanë apo evropianë”, theksojnë Hugo Dixon dhe Lee Buchheit, në një raport për American Enterprise Institute të përgatitur më herët këtë vit. “Kërcënimi për t’i përdorur asetet në këtë mënyrë do t’i jepte Ukrainës dhe aleatëve të saj një avantazh në bisedimet me Rusinë. Putin do të kuptonte që Ukraina ka para për ta përballuar një luftë rraskapitëse.”
Kjo qasje “nga ngrirje në konfiskim” e aseteve shtetërore ruse është testuar tashmë në një shkallë të kufizuar nga Perëndimi. Në korrik 2024, pagesa e parë prej 1.5 miliardë eurosh nga interesat e akumuluara mbi asetet ruse të mbajtura nëpërmjet Euroclear-it iu dha Ukrainës. Në raportin vjetor për vitin 2024, Euroclear deklaroi se kishte përfituar rreth 6.9 miliardë euro në interesa nga bilancet në para që rrjedhin nga asetet ruse të sanksionuara.
Ekspertët ligjorë bien gjerësisht dakord se Euroclear – dhe depozitarë të tjerë titujsh – nuk kanë asnjë detyrim dhe as aftësi ligjore për t’ia kthyer këtë interes Rusisë, prandaj ky interes i takon vetë Euroclear-it, të cilin BE-ja e përshkruan si fitim “të jashtëzakonshëm” apo “të papritur”.
Tani BE-ja po shqyrton mundësinë për të transferuar pothuajse 200 miliardë euro nga fondet e ngrira në Euroclear në një “strukturë të posaçme” që do të investonte në asete më të rrezikshme me rendimente më të larta, raportoi Politico të enjten, duke cituar katër zyrtarë të njohur me procedurat.
Një tjetër hap drejt përdorimit të këtyre aseteve të ngrira për të financuar mbrojtjen e Ukrainës u hodh në tetor 2024, kur G7 ra dakord për një hua të jashtëzakonshme prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila do të paguhej përmes interesave që grumbullohen mbi këto asete të ngrira ruse.
Dixon dhe Buchheit argumentojnë se kjo qasje duhet të shkojë edhe më tej. Në raportin e tyre, ata propozojnë një “huadhënie për dëmshpërblim” si mënyrë që një koalicion i vendeve të gatshme të përshpejtojë dhënien e fondeve për Ukrainën, në këmbim të një premtimi nga ana e Kievit për të përdorur si kolateral kërkesat e ardhshme për dëmshpërblim.
Sapo të krijohet komisioni ndërkombëtar i kërkesave, i mandatuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, për të vendosur mbi kërkesat e Ukrainës për kompensim, sipas tyre, Moska do të detyrohet ose të paguajë dëmshpërblimin ose të humbasë asetet e saj. “Ky mekanizëm shmang problemet që lidhen me konfiskimin e drejtpërdrejtë të aseteve”, pretendojnë autorët.
Me koston e rindërtimit të Ukrainës që tashmë ka arritur në 486 miliardë dollarë, sipas një vlerësimi të Bankës Botërore nga shkurti 2024, aleatët e Ukrainës mund të japin një hua për dëmshpërblim në të njëjtën shumë sa vlera e plotë e aseteve shtetërore të ngrira.
Drejt konfiskimit
Megjithatë, një numër në rritje ekspertësh ligjorë dhe analistësh argumentojnë se ka pak çështje ligjore që lidhen me konfiskimin e aseteve; më tepër, bëhet fjalë për mungesë vullneti politik.
“Me ekulibrimin e mendimeve autoritative, por me një prirje drejt legalitetit të sekuestrimit, është e vështirë të shmanget përfundimi se, nëse qeveritë e G7-ës do të shfaqnin vullnet politik për të vepruar, asnjë sfidë e besueshme nuk mund të ngrihej kundër legalitetit ndërkombëtar të një transferimi të mundshëm”, shkroi Anton Moiseienko, pedagog i lartë i së drejtës në Universitetin Kombëtar Australian, në blogun juridik Verfassungsblog.
Estonia është vendi i parë që ka treguar rrugën që duhet ndjekur me ligjin e saj të vitit 2024, i cili lejon konfiskimin e aseteve që i përkasin individëve apo subjekteve që kanë qenë drejtpërdrejt të përfshirë ose kanë ndihmuar në veprimet e paligjshme të Rusisë në Ukrainë. Pasi një kërkesë përmes mekanizmit të aseteve të ngrira të jetë bërë dhe miratuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Estonisë, pronarët e aseteve kanë të drejtë ta kundërshtojnë vendimin në një gjykatë administrative estoneze. Nëse kjo dështon, pas kësaj vjen një ankand publik i asetit të ngrirë dhe fondet i transferohen Ukrainës.
Aaron Gasch Burnett, studiues i lartë dhe drejtues projekti në Institutin për Strategji Demokratike në Berlin, gjithashtu është kundër idesë së “huasë për dëmshpërblim”, duke argumentuar se nuk ekziston ndonjë alternativë tjetër reale përpara një konfiskimi të thjeshtë, të drejtpërdrejtë dhe të plotë të shumës kryesore dhe transferimit të saj në një “Fond Dëmshpërblimi për Ukrainën”.
“Në fund të fundit, këto ‘zgjidhje kreative’ janë thjesht një mënyrë për të shmangur vendime politike të domosdoshme – janë një tymnajë”, thotë ai. “Konfiskimi i drejtpërdrejtë është më i thjeshtë nga ana ligjore, ekonomike dhe strategjike dhe mbart shumë më pak rreziqe, sërish në të gjitha këto fusha. Ata që mbështesin ‘përdorimin’ e aseteve përkundrejt ‘sekuestrimit’ të tyre, po e ndërlikojnë kot një zgjidhje që duhet të ishte e thjeshtë”, tha Gasch Burnett për BIRN.
Ai shpjegon se, sipas parimit ligjor të masave kundërvepruese, një shtet që shkel në mënyrë aq flagrante ligjin ndërkombëtar, nuk mund të kërkojë mbrojtjen e po atij ligji të cilin ai vetë po e shkel në mënyrë kaq të rëndë.
Për më tepër, shtete si Belgjika dhe institucione si Euroclear që kundërshtojnë konfiskimin e aseteve, bazohen në argumentin se Rusia mund të përdorë imunitetin sovran për ta sfiduar sekuestrimin në gjykatë, duke i lënë ata në mëshirë të një rasti të tillë. Por G7 mund të tregojë solidaritet me Belgjikën duke i ofruar asaj një garanci kundër humbjes, pra një premtim kontraktual për ta mbrojtur nga dëmi financiar, duke kolektivizuar kështu rrezikun. Sipas Gasch Burnett, transferimi i aseteve në një “Fond Dëmshpërblimi për Ukrainën” do të ishte mënyra më e mirë për të siguruar një mbrojtje të tillë për Belgjikën.
Gjithsesi, pyet ai, në cilën gjykatë mund ta padisë realisht Rusia Belgjikën apo ndonjë shtet tjetër që konfiskon asetet e saj? “Mendimi se masat kundërvepruese janë ligjore mbështetet nga 11 juristë ndërkombëtarë me mbi një shekull përvojë të kombinuara në gjykimin e rasteve para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, thotë ai.
Argumenti më i fortë për konfiskim është se ai e eliminon rrezikun shumë real që një veto nga Hungaria apo Sllovakia, kur sanksionet e BE-së kërkojnë rinovim çdo gjashtë muaj, mund të çojë në kthimin e këtyre qindra miliarda dollarëve në duart e Rusisë, për t’i përdorur më pas në makinerinë e saj të luftës. “Konfiskimi i plotë është e vetmja zgjidhje që e heq këtë rrezik. Kjo është arsyeja pse unë besoj se këto kompromiset e propozuara janë, të themi të drejtën, të papërgjegjshme”, argumenton ai.
A mundet kërcënimi për konfiskim ta bindë Putinin që të marrë parasysh idenë e paqes? “Dyshimi im është se Putin i ka hequr nga mendja tashmë ato 300 miliardë dollarë”, thotë John Lough nga Qendra për Strategji të Reja Euroaziatike.
Lini një Përgjigje