E quante Epstein “vëllain që kam dashur gjithmonë”, mbyllet fondacioni i Sarah Ferguson

3 Shkurt 2026, 10:40Bota TEMA
E quante Epstein “vëllain që kam dashur gjithmonë”,

Organizata bamirëse e drejtuar nga Sarah Ferguson, ish-Dukesha e Jorkut, ka njoftuar se do të mbyllë aktivitetin e saj, pas publikimit të dokumenteve të reja që hedhin dritë mbi lidhjet e saj me Jeffrey Epstein, financuesin amerikan të dënuar për krime seksuale.

Fondacioni, i njohur si “Sarah’s Trust”, e konfirmoi vendimin përmes një zëdhënësi, duke sqaruar se mbyllja vjen pas një periudhe të gjatë diskutimesh të brendshme, por është përshpejtuar nga reagimet e forta publike pas publikimit të dosjeve të Epstein.

Në mesin e mbi tre milionë dokumenteve të publikuara së fundmi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, përfshihen edhe email-e dhe korrespondenca që tregojnë komunikime të shpeshta mes Ferguson dhe Epstein, përfshirë mesazhe ku ajo e përshkruan atë si “vëllain që kam dashur gjithmonë” dhe i kërkon këshilla për projekte biznesi dhe iniciativa personale.

Mediat ndërkombëtare theksojnë se përmendja e emrit të Ferguson në dosje nuk nënkupton shkelje ligjore, megjithatë lidhja e saj me Epstein ka shkaktuar dëme serioze reputacionale. Kjo nuk është hera e parë që ajo përballet me pasoja publike: në vitet e fundit, disa organizata bamirëse i kanë ndërprerë bashkëpunimin, duke e larguar nga role përfaqësuese apo patronazhi.

Sarah’s Trust, e themeluar në vitin 2020, kishte si mision mbështetjen e komuniteteve në nevojë, luftën kundër varfërisë ekstreme dhe projekte humanitare në disa vende të botës. Fondacioni nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi afatin apo mënyrën e mbylljes së tij.

Zhvillimet e fundit tregojnë se dosjet Epstein vazhdojnë të kenë ndikim të fortë në jetën publike të figurave të njohura, duke rihapur debate të vjetra dhe duke sjellë pasoja konkrete institucionale./E.K
Burmi:The Guardian

Lini një Përgjigje