Gjermania ofron mbrojtje për dy figura kryesore të opozitës bjelloruse

15 Dhjetor 2025, 08:00Bota TEMA
Gjermania ofron mbrojtje për dy figura kryesore të opozitës

Gjermania ka ofruar mbrojtje për Maria Kolesnikovën dhe Viktor Babarikon, dy përfaqësues të njohur të opozitës bjelloruse, të cilët përfshihen në listën e 121 të burgosurve të liruar një ditë më parë nga regjimi i Aleksandër Lukashenkos, pas një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara.

Sipas ministrit federal të Brendshëm, Alexander Dobrindt, Gjermania do të marrë përsipër mbrojtjen e “dy prej figurave më të spikatura” të lëvizjes demokratike në Bjellorusi.

“Qeveria gjermane ka një interes të fortë që të sigurojë vazhdimësinë e mbështetjes ndërkombëtare për lëvizjen demokratike në Bjellorusi”, deklaroi Dobrindt për televizionin publik gjerman ARD.

Maria Kolesnikova ishte krah për krah me lideren e opozitës në mërgim, Svetlana Tikhanovskaya, e cila udhëhoqi protestat masive kundër Aleksandër Lukashenkos në vitin 2020. Kolesnikova zgjodhi të mos largohej jashtë vendit, u arrestua në vitin 2020 dhe më pas u dënua me 11 vite burg.

Nga ana tjetër, ish-bankieri Viktor Babariko kandidoi në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe konsiderohej si kundërshtari kryesor i presidentit Lukashenko.

Ai u arrestua dy muaj para zgjedhjeve dhe në korrik të vitit 2021 u dënua me 14 vite burg me akuza për korrupsion, ryshfet në shkallë të gjerë dhe pastrim parash.

Lini një Përgjigje