Kadyrov i premtoi Putin-it që do të eliminojë Zelensky-n

21 Prill 2022, 18:04Bota TEMA

Kadyrov i premtoi Putin-it që do të eliminojë Zelensky-n

Ndërsa planifikonte pushtimin e Ukrainës, udhëheqësi çeçen Ramzan Kadyrov i premtoi presidentit rus Vladimir Putin se do të eliminonte presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat ukrainase, duke cituar deklaratën e sekretarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, Alexei Danilov në një intervistë për Radio NV.

“Sa i përket eleminimit të lidershipit tonë të lartë. Plani u pranua nga Kadyrov më 3 shkurt gjatë vizitës së Putin-it. Në këtë takim u dakordësua plani për eliminimin e presidentit tonë dhe Kadyrov mori përsipër që grupi i tij ta bënte këtë”, u shpreh Danilov.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes, deklaroi se inteligjenca ukrainase “monitoroi këto procese”.

“Kanë qenë tre grupe që kanë hyrë në vendin tonë në datën 26 shkurt, jo më 24 shkurt, sepse prisnin dy ditë që t’u jepej një korridor i gjelbër në lagjen qendrore të kryeqytetit”, sqaroi ai.

Njëri prej grupeve, shtoi ai, është sot në rajonin e Donetsk-ut, ndërsa grupi tjetër në qytetin e Mariupol-it.

Më herët, Mykhailo Podoliak tha se presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tashmë i kishte mbijetuar më shumë se dhjetë tentativave për ta vrarë.

Sipas inteligjencës ukrainase, më 20 mars, grupe të rregullta militantësh filluan të mbërrinin në Ukrainë.

Detyra kryesore e kriminelëve ishte eleminimi i udhëheqjes më të lartë ushtarake dhe politike të Ukrainës.

Lini një Përgjigje