Kryeministri i Kroacisë: BE-ja duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje mungesës së stabilitetit në Ballkan

20 Mars 2025, 14:12Bota TEMA
Kryeministri i Kroacisë: BE-ja duhet t’i kushtojë më

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, ka deklaruar se liderët e Bashkimit Evropian duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje mungesës së stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.

“Duhet ta vëzhgojmë gjendjen në Evropën juglindore, posaçërisht stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës dhe situatën në Serbi.

Ka kaq shumë ngjarje globale për momentin, është koha që një pjesë e asaj vëmendjeje të fokusohet edhe në një rajon që është treguar shumë i ndezshëm gjatë 35 vjetëve të fundit”, deklaroi Andrej Pllenkoviq para samitit të BE-së në Bruksel.

Ai po i referohej krizës më të rëndë politike në Bosnje që nga përfundimi i luftës së saj 1992-95, e shkaktuar nga lëvizjet separatiste të Republikës Sërpska, pasi lideri i saj, Millorad Dodik, u dënua me një vit burg për shpërfilljen e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar.

Kryeministri i Kroacisë gjithashtu iu referua edhe protestave disamujore kundër Qeverisë në Serbi, pas vdekjes së 15 njerëzve nga shembja e një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad në nëntor.

Sipas mediave kroate, kryeministri deklaroi në Bruksel se e kupton që në Serbi po përpiqen të kërkojnë probleme diku tjetër, por se ato nuk gjenden në memorandumin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, e nënshkruar rishtazi mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë.

Lini një Përgjigje