Liderë të lartë ukrainas, evropianë dhe amerikanë takohen në Paris

17 Prill 2025, 15:55Bota TEMA
Liderë të lartë ukrainas, evropianë dhe amerikanë

Zyrtarë të lartë nga vende të rëndësishme evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina janë mbledhur në Paris të enjten, disa ditë pas bisedimeve të drejtpërdrejta midis Uashingtonit dhe Moskës, të cilat synojnë t’i japin fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.

Lufta në Ukrainë, të cilën Moska e nisi më 2022, është më e madhja në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Kjo është hera e parë që do të zhvillohen takime ballë për ballë midis liderëve të lartë evropianë dhe ukrainas dhe të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, pas takimit të tij më të fundit me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, javën e kaluar.

Moska nuk ka pranuar ta nënshkruajë një marrëveshje të gjerë armëpushimi, e cila u propozua nga presidenti amerikan, Donald Trump. Ukraina e ka pranuar atë tashmë.

Rusia ka thënë se çdo marrëveshje është e kushtëzuar me ndalimin e përpjekjeve për mobilizim nga Kievi, si dhe me ndërprerjen e furnizimit të Ukrainës me armë nga Perëndimi. Këto kërkesa janë hedhur poshtë nga Ukraina.

Megjithatë, Witkoff tha së fundmi për Fox News se beson që një marrëveshje për paqe është “duke ndodhur”.

Ai tha se ka dëgjuar “cilat janë kërkesat e Putinit për një paqe të përhershme këtu”, duke shtuar se bëhej fjalë “për të ashtuquajturat pesë territore”. Kjo i referohet pjesëve të Ukrainës të pushtuara pjesërisht nga Rusia.

Derisa bisedimet filluan, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se teksa Uashingtoni po punon për paqen, “nga evropianët ne shohim një përqendrim në vazhdimin e luftës”.

Ndërkohë, Rusia nuk i ka ndalur sulmet vdekjeprurëse me raketa mbi qytetet ukrainase ditët e fundit. Më 16 prill, një sulm me dronë rusë në qytetin Dnipro vrau të paktën pesë njerëz.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje pjesëmarrësve në bisedimet në Paris që të ushtrojnë trysni ndaj Rusisë për ta pranuar armëpushimin.

“Rusia e përdor çdo ditë dhe çdo natë për të vrarë. Ne duhet të ushtrojmë trysni mbi vrasësit… për ta përfunduar këtë luftë dhe për të garantuar paqe të qëndrueshme”, tha Zelensky në një postim në Telegram.

Përveç Witkoffit, në bisedime do të marrin pjesë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe i dërguari i presidentit ukrainas, Andriy Yermak.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Britanisë, Jonathan Powell, dhe Jens Ploetner, këshilltar i lartë i kancelarit gjerman Olaf Scholz, mbajtën takim paraprakisht me Witkoffin në Pallatin Elize.

Para bisedimeve në Paris, analisti politik Anton Penkovsky tha për Current Time të Radios Evropa e Lirë se nuk priste vendime të mëdha.

“Mendoj se mund të presim disa çështje teknike, disa vendime lidhur me armëpushimet 30-ditor, që janë shpallur tashmë dhe që lidhen me Detin e Zi dhe infrastrukturën energjetike, të cilat nuk janë respektuar. Mendoj se mund të kemi lajme për zgjatjen e tyre”, tha ai.

Në prag të mbërritjes së Rubios të enjten, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se qëllimi i bisedimeve ishte “ta çojnë përpara synimin e presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë dhe për të ndalur gjakderdhjen”.

Yermak shkroi, pasi mbërriti në Paris: “po punojmë për çështje të rëndësishme për sigurinë e Ukrainës dhe të gjithë Evropës”.

Ndërsa Uashingtoni është përpjekur t’i shtyjë përpara bisedimet për armëpushim midis Kievit dhe Moskës, vendet evropiane janë fokusuar në mbështetjen e Ukrainës dhe në planifikimin e një misioni të mundshëm ushtarak për ta forcuar çfarëdo marrëveshje armëpushimi./ REL

4 Komente

  1. a
    anti25642654censurë

    prapë ky vëllai xhuxh i trapit,më trap se ai??

    Përgjigjjuni
    1. M
      Muc Xhepa, diplomat karriere, prozator.

      Shpresojme tek Witkoff qe eshte i derguari i Trump, europianet po perpiqen qe te minojne perpjekjet e Zeusit per paqe ose me sakte te bejne propozime qe nuk perputhen me qendrimin e Rusise dhe qe jane te deshtuara qe te pranohen, propozimi i ndarjes se Ukraines ne tre pjese nuk pranohet nga Ruset sepse ruset kane nje histori shume te hidhur mashtrimi nga perendimi, e para ishte marreveshja qe nato te mos zgjerohet, ndodhi e kunderta, marreveshja ne ukraine ne mars te 2014, ndodhi e kunderta, puc shteti, marreveshjet e minskut, ndodhi e kunderta bile Hollande dhe Merkel deklaruan zyrtarisht qe ne i mashtruam ruset sepse deshim kohe qe te armatosej ukraina prandaj i vetmi njeri qe mund te bisedoje me ruset eshte zeusi dhe vetem zeusi mund te arrije nje marreveshje me ruset per perfundimin e luftes. Europianet jane te ndergjegjeshem qe ato nuk mund te behen pale biseduese ne konfliktin ukraine - rusi

      Përgjigjjuni
      1. H
        Hajro Ciniu, ekonomist dhe biznesmen ne Kanada

        Nje koment shume i sakte Muc, gjithmone me befason me urtesine tende dhe me analizat e situatave politike, je nje aset i pazevendesueshem per diplomacine shqiptare.

        Përgjigjjuni
      2. E
        Eifeli

        Shkuan ne Paris per te bere palle. Darke me shampanje dhe escargot dhe gjasme punuan.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje