Maduro, ecja me shpejtësi drejt fatit të Noriegës

6 Shtator 2025, 10:20Bota TEMA

Nga Elton Metaj

Manuel Noriega, lider ushtarak dhe drejtues i shërbimeve sekrete të Panamasë, u dorëzua në duart e marinsave amerikanë më 3 janar 1990, pasi qëndroi për 10 ditë i strukur në ambasadën e Vatikanit. Prej asaj dite e derisa ndërroi jetë, sunduesi i vendit të Karaibeve që lidh Oqeanin Paqësor me atë Atlantik, shëtiti në burgjet amerikane, franceze e panameze.

Maduro, ecja me shpejtësi drejt fatit të Noriegës

Ndonëse dikur bashkëpunëtor i amerikanëve dhe shërbimeve të tyre inteligjente, #Noriega u ngjit në një avion të DEA-as (agjencisë kundër narkotikëve) dhe u dënua me 40 vjet për trafik droge, shantazh dhe pastrim parash, për t'u ekstraduar në Francë dhe së fundi në vendin e tij, ku qëndroi në burg për vrasjen e kundërshtarëve politikë.
Në një trajektore të ngjashme duket se po ecën tashmë Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro, për kokën e të cilit, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të paguajnë 50 milionë dollarë. #Maduro akuzohet nga SHBA për korrupsion dhe ndihmë të karteleve të drogës, duke u cilësuar si lideri i organizatës së përcaktuar si narko-terroriste ‘Cartel de Los Soles’ dhe përgjegjës për trafikimin e drogës në Shtetet e Bashkuara dhe Europë. Departamenti amerikan i Drejtësisë e akuzon Maduron dhe disa zyrtarë e ish-zyrtarë të Venezuelës për narko-terrorizëm, korrupsion, trafik droge dhe akuza të tjera kriminale.
Sipas administratës amerikane, për vite me radhë Maduro dhe njerëzit e tij kanë manipuluar sistemin elektoral të Venezuelës për të mbajtur grupin e tyre të paligjshëm në pushtet. Me qasjen e re të Presidentit #Trump për të cilësuar si terroriste organizatat ndërkombëtare të trafikut të drogës, Shtetet e Bashkuara u angazhuan për të punuar me partnerët për të bërë përgjegjës regjimin e korruptuar, të paligjshëm dhe kriminal të Venezuelës.
Departamenti i Thesarit e ka sanksionuar “Cartel de los Soles”, i njohur si Karteli i Diejve, si “organizatë terroriste botërore”. Sipas SHBA, ky kartel drejtohet nga Maduro dhe individë të tjerë në nivele të larta të regjimit, “të cilët kanë korruptuar institucionet e qeverisë së Venezuelës, përfshirë pjesë të ushtrisë, aparatit të inteligjencës, legjislativit dhe gjyqësorit për të ndihmuar përpjekjet e kartelit të trafikojë drogë në Shtetet e Bashkuara”.
Në këtë kuadër, SHBA kanë dislokuar rreth 4 mijë marinsa dhe ushtarë në ujërat rreth Amerikës Latine dhe zonës së Karaibeve për të goditur kartelet e drogës. Dy ditë më parë, me urdhër të Presidentit Trump, forcat amerikane vranë 11 narkoterroristë, të cilët transportonin drogë drejt Floridës.
Megjithatë çmenduria e Maduros nuk u ndal. Dy avionë F-16 fluturuan ultazi mbrëmjen e fundit mbi një destrojer amerikan, të pajisur me raketa, në një akt të cilësuar nga Uashingtoni si provokim i madh. Pentagoni e paralajmëroi prerë Maduron të mos bënte më përpjekje për të penguar apo ndërhyrë në operacionet antidrogë apo antiterror.
Një përshkallëzim i fortë, që duket të ketë lidhje edhe me zhvillime të tjera gjeopolitike. Maduro u shfaq pak ditë më parë në publik, duke u mburrur për miqësinë e tij me liderin kinez Xi Jiping. Në të njëjtën kohë, Trump akuzonte Xi Jiping, Vladimir Putin e Kim Jong Un për komplot kundër SHBA-së, ndërsa Pekini mblidhte fuqitë antiamerikane dhe shtete të tjera për të dëshmuar forcën ushtarake.
Një fuqi, ajo e shfaqur në sheshin "Tienanmen", që mund të shërbejë për të tmerruar Tajvanin e vogël, por që nuk mund t'i vijë në ndihmë pasuesit të Hugo Çavezit. Goditja e karteleve ndërkombëtare të narkotikëve dhe largimi i Maduros nga pushteti mund të jetë sinjali i parë për të konfirmuar se rendi botëror nuk ka ndryshuar. Ai ka një udhëheqës në Uashington.

4 Komente

  1. J
    Juli

    Po pse jeni kaq injorant dhe botoni nje shkrim qe nuk i duhet askujt? Po ç'pune ka SHBA me Venezuelen? C'pune ka SHBA me lindjen e mesme,?Ç'pune ka SHBA me Taivani? Ç'pune ka SHBA me boten ku ka instaluar mbi 360 baza ushtarake? Po nuk u shperbe SHBA vetem gjak do te rrjedhin ne te gjithe boten! Zoti Mero, je i lutur mos na boto shkrime per ShBA, sot vendin me te urryer ne te gjithe universin!

    Përgjigjjuni
    1. g
      ganiu

      Ça ke shkrujt mor debil?

      Përgjigjjuni
    2. E
      Eri

      Trump sikur nuk do niste me konflikte te armatosura? Do ndalonte te gjitha luftrat ne bote dhe do merrte cmimin Nobel per paqe! Apo nuk quhet ne rastin e Venezueles sepse aty ka nafte me shumice. Te kuptohemi nuk jam kunder nderhyrjes sepse aty populli po vuan nen nje narkoregjim por te unifikohet qendrimi dhe boll me propaganden Trumpiste

      Përgjigjjuni
      1. g
        ganiu

        Deri tani ka shuar 7 luftëra, Deri në fund të vitit I duhet një e shuar dhe dy të filluara. Kështu ja bën botës 8 me 2.

        Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje