Qeveria italiane e drejtuar nga kryeministrja Giorgia Meloni ka pësuar një humbje të rëndësishme në parlament, pasi një amendament kyç i reformës zgjedhore u rrëzua me vetëm një votë diferencë. Në votimin e fshehtë në Dhomën e Deputetëve, propozimi mori 187 vota, ndërsa 188 deputetë votuan kundër, mes tyre edhe disa përfaqësues të shumicës qeverisëse.
Menjëherë pas rezultatit, Meloni e cilësoi këtë si një mundësi të humbur për italianët dhe akuzoi opozitën se po festonte sikur të kishte fituar Kupën e Botës. Sipas saj, kundërshtarët politikë po u mohojnë qytetarëve të drejtën për të zgjedhur drejtpërdrejt përfaqësuesit e tyre në parlament. Pavarësisht thirrjeve të opozitës për dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme, kryeministrja nuk ka dhënë asnjë sinjal se do të ndryshojë kurs.
Reforma synon të ndryshojë sistemin zgjedhor dhe, sipas qeverisë, do të sillte më shumë stabilitet politik dhe koalicione më të qëndrueshme. Megjithatë, opozita e konsideron projektin si një përpjekje për të forcuar pushtetin e shumicës dhe e ka cilësuar atë me prirje autoritare. Humbja e amendamentit vjen në një moment kur tensionet brenda koalicionit qeverisës janë shtuar dhe rezervat e partnerëve janë bërë gjithnjë e më të dukshme.
Në të njëjtën kohë, forcat e majta po punojnë për të krijuar një front të përbashkët kundër Melonit për zgjedhjet e ardhshme. Edhe pse amendamenti u rrëzua, qeveria italiane pritet të vijojë përpjekjet për të çuar përpara pjesën tjetër të reformës zgjedhore.
Meloni largohet brenda vitit.
47 ditē revolt pa pushim nē Shqipēri, ka ftohur marrdhēniet miqēsore Rama