Miqësi, biznese dhe marrëdhënie të fshehta, raporti i Howard Lutnick dhe Jeffrey Epstein

8 Shkurt 2026, 21:11Bota TEMA
Miqësi, biznese dhe marrëdhënie të fshehta, raporti i Howard

Dokumentet e publikuara së fundmi zbulojnë se Howard Lutnick, sekretari amerikan i Tregtisë dhe arkitekti i tarifave doganore të administratës Trump, ka pasur një raport më të ngushtë dhe më të vazhdueshëm me Jeffrey Epstein sesa kishte deklaruar publikisht. Lutnick kishte thënë në tetor për New York Post se ai dhe gruaja e tij, Allison, kishin ndërprerë çdo kontakt me Epstein që në vitin 2005, pas një vizite në shtëpinë e tij në Manhattan, duke e quajtur atë “person të neveritshëm”. Por dokumentet tregojnë të kundërtën.

Në vitin 2011, Lutnick dhe Epstein shkëmbyen email-e për të takuar njëri-tjetrin për një takim. Një vit më vonë, Lutnick u ftua të hante drekë më Epstein në ishullin Little St. James, vendi ku Epstein kryente abuzimet me viktimat e tij. Pas darkës, asistenti i Epstein i dërgoi Lutnickut një email duke i thënë se “ishte kënaqësi të të shihja”. Vetëm katër ditë më pas, ata nënshkruan kontrata për të investuar së bashku në kompaninë Adfin, që merrej me teknologji për reklamat online.


Lidhja vazhdoi edhe në vitin 2012, kur Epstein i dërgoi Lutnick-ut dokumente mbi ligjet që rregullonin kasinotë në Ishujt Virgin, dhe duket se korrespondenca mes tyre zgjati deri në vitin 2014, thuajse dhjetë vjet pas deklaratës publike të Lutnick se nuk do të kishte më kontakt me Epstein. Në 2017, Epstein dhuroi 50,000 dollarë për një darkë në nder të Lutnick. Madje, ata ishin edhe fqinjë, pasi Lutnick kishte blerë një pronë që më parë i përkiste Epstein, pranë townhouse-it ku kryheshin abuzimet. Në vitin 2018, Lutnick i shkroi Epstein për të penguar zgjerimin e muzeut Frick Collection, që sipas tij do t’i merrte dritën dhe pamjen.

Ndërkohë, lidhje të ngjashme me Epstein kishin edhe figura të tjera të administratës Trump, si John Phelan, sekretari i Marinës, që kishte udhëtuar me Epstein disa here. Analistët thonë se këto dokumente shpjegojnë edhe shqetësimin e republikanëve për kërkesën e Bill dhe Hillary Clinton që dëshmitë e tyre për lidhjet me Epstein të publikohen dhe transmetohen drejtpërdrejt, për të parandaluar keqinterpretimin ose përdorimin politik të tyre. Trump dhe aleatët e tij kanë frikë se dëshmitë mund të zbulojnë informacione të rrezikshme për ta.

Dokumentet nuk tregojnë veprime kriminale nga Lutnick, por provojnë se deklaratat publike të tij për ndërprerjen e kontakteve me Epstein ishin të pasakta dhe se marrëdhënia mes tyre vazhdoi për vite, duke përfshirë miqësi, investime dhe kontakte të rregullta. Ky rast rikthen vëmendjen mbi lidhjet e ngushta që Epstein kishte me figura të larta publike dhe mbi ndikimin që mund të kenë këto lidhje në politikën amerikane dhe reputacionin e individëve të përfshirë.

1 Komente

  1. B
    Bilioneret pedofile jane sekt i felliqur ne demokr

    Lutnick eshte minitri me i dobet qe ka patur ndonjehere Usa.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje