Moti i dhunshëm që goditi Europën këtë verë shkaktoi humbje ekonomike afatshkurtra prej të paktën 43 miliardë eurosh, sipas një vlerësimi të situatës në Bashkimin Europian, me kostot që pritet të ngjiten në 126 miliardë euro deri në vitin 2029.
Goditja e menjëhershme për ekonominë nga një verë e vetme e ashpër me mot të nxehtë, thatësirë dhe përmbytje arriti në 0,26% të prodhimit ekonomik të BE-së në vitin 2024, sipas analizës e cila bazohet mbi marrëdhëniet mes të dhënave të motit dhe atyre ekonomike.
Dëmet më të mëdha u shkaktuan në Qipro, Greqi, Maltë dhe Bullgari, secila prej të cilave pësoi humbje afatshkurtra mbi 1% të “vlerës së shtuar bruto” (GVA) të vitit 2024, një tregues i ngjashëm me PBB-në. Ato u pasuan nga vende të tjera mesdhetare, përfshirë Spanjën, Italinë dhe Portugalinë.
Ekonomistët nga Universiteti i Mannheim dhe Banka Qendrore Europiane e përshkruan rezultatin si “konservator”, pasi nuk llogaritën zjarret rekord që përfshinë Europën jugore muajin e kaluar dhe as efektet e kombinuara të ngjarjeve ekstreme që ndodhin njëkohësisht.
Sehrish Usman, ekonomiste në Universitetin e Mannheim dhe autore kryesore e studimit, tha se këto “vlerësime të shpejta” mund t’i ndihmojnë politikëbërësit të orientojnë mbështetjen në mungesë të të dhënave zyrtare. “Kostot e vërteta të motit ekstrem shfaqen ngadalë, sepse këto ngjarje ndikojnë te jetët dhe mjetet e jetesës nëpërmjet një sërë kanalesh që shkojnë përtej ndikimit fillestar.”
Shkencëtarët janë nxituar të përcaktojnë se në çfarë mase ngrohja globale ka përkeqësuar motin ekstrem këtë verë, me studime që sugjerojnë se kriza klimatike e bëri 40 herë më të mundshëm krijimin e kushteve për zjarre në Spanjë dhe Portugali, dhe 10 herë më të mundshëm në Greqi dhe Turqi. Bilanci i viktimave nga vala shkatërruese e të nxehtit në qershor vlerësohet të jetë trefishuar në 12 qytete të mëdha, për shkak të ndotjes që nxit ngrohjen e planetit.
Ndërsa pjesa më e madhe e kërkimeve për kostot ekonomike të krizës klimatike fokusohet te ndikimet direkte, si shkatërrimi i pasurive ose humbjet e siguruara, autorët e studimit të ri përdorën marrëdhëniet historike mes motit ekstrem dhe prodhimit ekonomik për të llogaritur efektet zinxhir, si kufizimi i orëve të punës për ndërtuesit gjatë valëve të të nxehtit apo vonesat në udhëtim pas dëmtimit të hekurudhave nga përmbytjet.
Stéphane Hallegatte, kryeekonomist për klimën në Bankën Botërore, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, tha se ai konfirmon se ndikimet më të gjera ekonomike të motit ekstrem janë më të mëdha se efektet direkte dhe zgjasin më shumë sesa njerëzit e mendojnë.
“Prej kohësh kam argumentuar që fokusi ynë duhet të kalojë nga dëmet direkte të katastrofave tek matjet më të gjera që kapin ndikimin e plotë ekonomik, ndaj jam shumë i kënaqur që studimi bën pikërisht këtë.”
Por ai paralajmëroi se janë përdorur “tregues të papërsosur” për të identifikuar motin ekstrem, gjë që mund të çojë në nënvlerësimin e kostove reale. GVA nuk pasqyron plotësisht koston e motit ekstrem mbi njerëzit dhe bizneset, shtoi ai, as përfitimet nga ulja e cenueshmërisë.
“Sidomos kur katastrofat prekin komunitete dhe njerëz të varfër, ndikimi mbi GVA mund të duket minimal, sepse këta njerëz janë të varfër,” tha Hallegatte. “Por kjo nuk do të thotë se ata nuk vuajnë.”
Gert Bijnens, ekonomist në Bankën Kombëtare të Belgjikës, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, tha se ndërprerjet në zinxhirin e furnizimit janë një nga “kostot e fshehura” më të rëndësishme, që zakonisht nuk llogariten. Një studim mbi kostot e përmbytjeve shkatërruese në Belgjikë në vitin 2021 zbuloi se shitjet e firmave prodhuese larg zonës së fatkeqësisë pësuan rënie të madhe, nëse kishin furnitorë të qëndrueshëm në zonat e përmbytura.
Nëse nuk merren parasysh këto efekte mund të nënvlerësohen dëmet me deri në 30%, tha Bijnens.
“Sigurisht, vlerësime të tilla shoqërohen me pasiguri, pasi mbështeten në mesatare historike dhe nuk arrijnë ende të kapin plotësisht ngjarjet e kombinuara. Por mesazhi i madh është i qartë: moti ekstrem po lë tashmë një gjurmë të konsiderueshme ekonomike, dhe efektet indirekte mund të jenë po aq dëmtuese sa shkatërrimi direkt.”
The Guardian
Lini një Përgjigje