Në shërbim të Putinit? Hetime kundër ish-kryeministrit norvegjez Thorbjörn Jagland në lidhje me skandalin Epstein

8 Shkurt 2026, 09:30Bota TEMA
Në shërbim të Putinit? Hetime kundër ish-kryeministrit

Nga Enver Robelli

Sipas një legjende të gjithë norvegjezët janë si moti në vendin e tyre: të ftohtë. Domethënë: racionalë, të logjikshëm, të mirëmenduar. Këtu merr fund legjenda dhe fillon realiteti. Në çdo shoqëri ka njerëz të mirë dhe ka njerëz më pak të mirë. Pastaj ka idiotë. Këtu hyjnë edhe politikanët e korruptuar. Ose të tillë që blihen e shiten lehtë, nëse flasim pak me kujdes.

Thorbjörn Jagland dyshohet të jetë i tillë. Kundër tij kanë filluar hetime nga autoritetet norvegjeze. Thorbjörn Jagland nuk është një filan askushi. Ka qenë kryeministër i Norvegjisë, kryetar i Komitetit të Nobelit, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Europës. Krimineli Jeffrey Epstein dhe Thorbjörn Jagland mbanin një lidhje miqësore. Epstein ishte mbi të gjitha i interesuar që Jagland t’i siguronte atij një takim me Vlladimir Putinin. Sipas mediave norvegjeze, Jagland e luti Epsteinin t’ia gjente ca para për të blerë një banesë. Jagland ishte mysafir në banesat e Epstein në Strassbourg, Paris dhe New York. Më 13 maj 2013 Epstein e porosiste Jaglandin: “Ti mund t’i thuash atij (Putinit) se ke një marrëdhënie të ngushtë me mua dhe se unë e këshilloj (Bill) Gates”.

Jagland ishte për një dekadë sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Europës (2009-2019). Në këtë rol ai u takua apo ishte në kontakt të shpeshtë me Putinin. Gjatë një vizite në Moskë më 2018 politikani norvegjez takoi Putinin dhe ministrin e tij të jashtëm. Për shkak të aneksimit të Krimesë, Këshilli i Europës ia kishte marrë Rusisë të drejtën e votës. Por Jagland ishte i interesuar që Rusia sa më shpejt të kthehet plotësisht në skenën e politikës botërore. “Herët apo vonë duhet të kthehemi në një gjendje më normale”, thoshte ai. Përkthyer në gjuhë të kuptueshme: Rusia duhet të trajtohet si shtet normal, ndonëse sillet si shtet jonormal, sulmon vendet fqinje, pushton territore, kërkon asgjësimin e kombeve të tjera, organizon atentate në kryeqytete europiane.

Sjellja puthadorase e europianëve ndaj Putinit e trimëroi atë për të sulmuar gjithë Ukrainën në vitin 2022.

Se raporti i Jagland me kriminelin Epstein ishte shumë miqësor, tregon një mesazh i norvegjezit nga Tirana më 25 maj 2012: „Kam takuar vajza të jashtëzakonshme në Tiranë”. Më 19 janar 2014, ai i drejtohet kriminelit amerikan kështu: „Duhet të fillojmë të planifikojmë Pashkët. A je ende i gatshëm të na presësh?“ Edhe në Këshillin e Europës, Jagland ka treguar zell prej servili për të përhapur narrativat ruse sidomos kundër Kosovës.

4 Komente

  1. T
    Tung

    Dmth gazeta tema sado u perpoq te lidhte pedofilin dhe kriminelin e femijeve me Rusine dhe Putinin e vertetoje vete se epstaini eshte nje kancer i perendimit dhe nentokes se saj.

    Përgjigjjuni
    1. S
      Studenti

      Tip i zgjuar ky Robelli,por hiqet dhe patriot i madh.Flet per çeshtje qe si takojnë fare ati duke përdorur stilin e Berishës.

      Përgjigjjuni
      1. B
        Bes

        Jagland ka qene armiku me I eger I Kosoves kur ky drejtonte KIE. E quanta Kosoven vend qe prodhon vetem nje gje: krim. E quante Thacin trafikant te heroines. Robt ku ti kete ky pedofil i qelbet.

        Përgjigjjuni
        1. N
          NACIONALISTI

          Mesaxhet I. jepeshin PUTINIT nga Tirana

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje