"Nëse Rusia nuk do të humbasë në Ukrainë, asnjë vend në Evropë s’do të jetë i sigurt"

13 Qershor 2022, 10:09Bota TemA

"Nëse Rusia nuk do të humbasë në Ukrainë,

Që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, Lituania, vendi i vogël baltik ka qenë një nga mbështetësit më të palëkundur të Kievit. Në maj, ajo u bë vendi i parë që e etiketoi Rusinë një shtet terrorist. Ajo ka kërkuar një zgjidhje për bllokadën detare të Moskës ndaj eksporteve ukrainase të grurit, që rrezikon jetën e miliona njerëzve, sidomos në botën në zhvillim.

Madje qytetarët lituanezë grumbulluan mbi 5 milionë dollarë, për të blerë për ushtrinë ukrainase një dron ushtarak turk. Ndërkohë, Lituania, vend që u pushtua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1940, si pjesë e paktit të Bashkimit Sovjetik me Adolf Hitlerin, dhe që qëndroi nën sundimin sovjetik për më shumë se 40 vjet, ka kërkuar forcimin e pranisë së NATO-s atje, për shkak të frikës se oreksi revanshist i Rusisë mund të mos ndalet me Ukrainën.

Në një intervistë për “Foreign Policy”, Ministri i Jashtëm lituanez, Gabrielius Landsbergis, flet për nevojën e një qartësie më të madhe në lidhje me qëllimet e Perëndimit në Ukrainë, kërcënimet ruse kundër Lituanisë, dhe atë që do të ndodhte nëse nuk mposhtet Rusia në këtë luftë.

Zyrtarët ukrainas thonë se vendi ka mungesë armësh dhe ushtarëve në lindje dhe se po u mbarojnë municionet. A po bëjnë mjaftueshëm Evropa dhe Shtetet e Bashkuara për ta mbështetur Ukrainën në këtë fazë kritike të luftës?


Kjo krizë nuk duhet të jetë e habitshme. Pasi fabrikat e Ukrainës nuk janë në punë. Ato nuk mund të prodhojnë municionin e nevojshëm që u duhen ukrainasve për të luftuar.

Atyre po u mbarojnë municionet dhe tani janë tërësisht të varur nga armët që po dërgon Perëndimi. Së dyti, edhe pse vende si Lituania, Letonia, Estonia, edhe vende më të mëdha si Polonia, po bëjnë gjithçka që kanë mundësi, kryesore është ajo që mund dhe duhet të bëjnë fuqitë e mëdha industriale të botës.

A është bërë mjaftueshëm? Unë mendoj se ka një angazhim shumë të qartë nga fuqitë e mëdha industriale për të mbështesin luftën e Ukrainë, derisa Ukraina të arrijë fitoren dhe Rusia të përballet me një humbje strategjike. Por duhet ende shumë përpjekje politike dhe diplomatike për të arritur këtë synim.

Në shkrimin e tij për “New York Times”, presidenti amerikan Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara po e mbështesin Ukrainën në mënyrë që ajo të jetë në një pozitë më të fortë në tryezën e bisedimeve. Por ju kërkoni municion të vërtetë, dhe jo municion për bisedime…

Po. Sepse nuk është retorike, është shumë specifike. Fakti sesa sisteme lëshimi raketash kanë ukrainasit, do të përcaktojë edhe sasinë e territorit që mund të rimarrin sërish nën kontroll. Sa municione dërgohen çdo ditë, nënkupton që ukrainasit do të jenë në gjendje të paktën t‘i frenojnë në vend forcat ruse ose t`i sprapsin ato.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë, i kanë dërguar Kievit disa armë të kalibrit të madh, por kanë refuzuar t’u japin ukrainasve municione me rreze të gjatë veprimi. Duket se brenda administratës Biden ka ende frikë se mos kjo provokon Rusinë. A duhet të jemi kaq të kujdesshëm me Rusinë, apo duhet t’i japim Ukrainës gjithçka që kemi?

Unë do ta analizoja këtë çështje nga pikëpamja strategjike, dhe jo nga ajo taktike. Pasi për tre muaj e gjysmë shumicën e kohës jemi përfshirë në analiza taktike. Kjo do të thotë që ne po e shohim se çfarë po arrijnë ukrainasit në fushën e betejës, po u japim atyre armë, dhe më pas vendosim se çfarë lloj sistemesh do të jenë ato.

Por nëse vendosim si qëllim që Rusia duhet të mposhtet strategjikisht, pra së pari që të ndalë luftën në Ukrainë, dhe së dyti të mos jetë në gjendje të përsërisë sulme të ngjashme ndaj fqinjëve të saj në të ardhmen, si duhet ta arrijmë këtë? Çfarë lloj sistemesh nevojiten për ta arritur këtë qëllim?

Mendoj se kjo është pyetja që nuk ka marrë ende përgjigje. Duke iu rikthyer analizës taktike, lufta është larg fitores. Të paktën disa nga informacionet që kemi marrë kohët e fundit janë shumë dekurajuese. Rusët janë duke përparuar, ndërsa ukrainasit nuk janë në gjendje të mbajnë të paprekur linjën e kontaktit. Pra, ka ende shumë mundësi që Rusia të mos përballet me humbje.

Është e vërtetë: rusët janë padyshim të dëmtuar nga sanksionet, dhe kanë përjetuar humbje të mëdha në fushën e betejës. Por janë ende në gjendje që ta përballojnë këtë. Dhe nëse do të jenë në gjendje ta përballojnë këtë në një periudhë afatgjatë, atëherë do të ndodhemi në një fazë shumë të rrezikshme të realitetit gjeopolitik.

Parlamenti rus shqyrtoi javën e kaluar tërheqjen e njohjes nga Rusia të pavarësisë së Lituanisë. Cili ishte reagimi juaj për këtë?

Unë do ta quaja një kërcënim të drejtpërdrejtë për Lituaninë. Ne po i marrim seriozisht të gjitha këto kërcënime, edhe pse deputeti që ka bërë propozimin nuk merret shumë seriozisht në qarqet politike ruse. Megjithatë, Rusia mbetet një fqinj shumë i rrezikshëm, dhe për këtë arsye ne po e marrim shumë seriozisht gjithçka që vjen nga Moska.

A mendoni se arkitektura aktuale e sigurisë në Evropë mjafton për të mbrojtur Lituaninë dhe vendet e tjera në kontinent?

Ukraina është si një letër lakmusi. Nëse me ndihmën perëndimore ajo e fiton luftën, nëse ekziston përkushtimi për të cilin fola më lart, dhe ai e lejon Ukrainën të triumfojë dhe Rusinë të humbasë, atëherë mendoj që me siguri Ukraina do të jetë pjesë e sistemit të ri.

Ajo mund të jetë pjesë e NATO-s, ndoshta jo në një periudhë afatshkurtër. Por do të jetë pjesë e sistemit evropian të sigurisë pas luftës. Kjo do t’i jepte shumë besim të gjithëve, se ne kemi një sistem të ri dhe se ai po funksionon. Nëse Rusia nuk arrin të humbasë, atëherë ky do të jetë një skenar shqetësues për të gjithë. Nëse lejojmë që një vend si Ukraina të humbasë territoret e tij, atëherë të gjithë janë në rrezik, dhe asnjë vend nuk do të jetë aq i madh sa të jetë plotësisht i sigurt. /  “Foreign Policy” - Përktheu: abcnews.al

Lini një Përgjigje