Nga trauma te vendimi final: 25-vjeçarja spanjolle zgjedh eutanazinë pas përdhunimit dhe paralizës, rrëfimi i fundit dhe dhimbja familjare

26 Mars 2026, 10:10Bota TEMA
Nga trauma te vendimi final: 25-vjeçarja spanjolle zgjedh eutanazinë

Një histori e rëndë dhe tronditëse vjen nga Spanja, ku 25-vjeçarja Noelia Castillo ka vendosur t’i nënshtrohet eutanazisë këtë të enjte, duke i dhënë fund jetës së saj me një injeksion vdekjeprurës në qendrën e rehabilitimit ku jeton.

E reja mbeti paraplegjike pas një tentative vetëvrasjeje në vitin 2022, e cila erdhi si pasojë e një përdhunimi në grup që kishte përjetuar po atë vit. Pas ngjarjes, ajo u hodh nga kati i pestë i ndërtesës ku qëndronte, duke pësuar dëmtime të rënda që e lanë të paralizuar.

Noelia vjen nga një familje jofunksionale dhe pjesën më të madhe të fëmijërisë e kaloi në familje kujdestare, pasi prindërit e saj kishin probleme me varësitë. Në vitin 2022, ndërsa jetonte në një qendër shtetërore për gra vulnerabël, ajo u bë viktimë e përdhunimit në grup. Më 4 tetor të po atij viti, pas përdorimit të kokainës, ajo ndërmori aktin ekstrem që ndryshoi përgjithmonë jetën e saj.

Që nga ajo kohë, 25-vjeçarja ka jetuar me dhimbje të vazhdueshme dhe për këtë arsye kërkoi të ushtrojë të drejtën për eutanazi, e cila është e ligjshme në Spanjë që nga viti 2021. Në korrik 2024, një komitet ekspertësh në Katalonjë miratoi kërkesën e saj dhe caktoi procedurën për 2 gusht, por vendimi u pezullua pas apelimit nga babai i saj.

Megjithatë, Noelia iu drejtua më pas Gjykata Kushtetuese Spanjolle dhe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Në mars 2025 ajo deklaroi para gjykatës: “Dua t’i jap fund jetës sime me dinjitet”. Vendimi i dhënë në shkurt 2026 nga Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë, duke theksuar se nuk kishte shkelje të të drejtave të saj themelore dhe se ajo mund të vazhdonte me vetëvrasjen e asistuar.

Vetëm 24 orë para procedurës, Noelia dha një intervistë për emisionin Ahora Sonsoles në Antena 3, ku foli hapur për vendimin e saj.

“Dua të vdes e bukur. Do të vesh fustanin tim më të bukur dhe do të rregulloj flokët. Do të jetë diçka e thjeshtë”, u shpreh ajo, duke shtuar se dëshironte të ishte vetëm në momentin e fundit, edhe pse kishte ftuar familjarët për t’i dhënë lamtumirën.

Ajo përshkroi dhimbjet fizike dhe emocionale që ka përjetuar prej vitesh: “Dua të iki tani dhe të ndaloj së vuajturi. Nuk kam dëshirë të bëj asgjë… gjumi është shumë i vështirë dhe kam dhimbje të forta në shpinë dhe këmbë”.

Në rrëfimin e saj, Noelia foli edhe për marrëdhëniet e vështira me familjen, veçanërisht me të atin, duke theksuar se ai nuk e ka respektuar vendimin e saj dhe se komunikimi mes tyre është thuajse i ndërprerë.

Ndërkohë, edhe pse nëna e saj kishte kërkuar të ishte pranë në momentin e fundit, 25-vjeçarja e refuzoi këtë kërkesë, duke preferuar që të ndahej nga jeta në vetmi dhe në mënyrën që ajo e kishte zgjedhur vetë.

6 Komente

  1. S
    Shkodrani

    E tmerrshme! Cfare fati i keq per kete vajze te re!

    Përgjigjjuni
    1. T
      Tironsi

      Njeri me karakter te forte! Respekte!

      Përgjigjjuni
      1. Tragjike kto janë pasojat që lenë pas perversat seksual atyre nuk ju intereson fare shkatërrimin shpirtëror që lenë tek viktimat e tyre,një vendim tepër i vështirë por dhe kurajoz i vajzës në fjalë,e përdhunuar,e paralizuar, ç'kuptim do të kishte jeta për të.

        Përgjigjjuni
        1. L
          LORA

          Jete me trauma ekstreme,fat i zi i kesaj vajze te bukur.Te paret fajtore me te jane vete ata qe e sollen ne jete. Vendimi i saj eshte plotesisht i justifikuar.

          Përgjigjjuni
          1. H
            Hamleti

            TË NDRISTË SHPIRTI - FATZEZA TI! JETËN NUK E LË SE NUK E DOJA, AJO MA KTHEU SHPINËN. EPITAF.

            Përgjigjjuni
            1. D
              Doktori

              Keqardhje. Kur njeriu me mendje te kthjellet,arrine ne nje vendim te tille extrem,do te thote se ka arsye ,qe askush nuk mund ti konceptoj dhe dhembje qe askush nuk i ka perjetuar! I ndrit shpirti fatkeqes! As Zoti nuk e deshi as nerzia dhe as fati!

              Përgjigjjuni

              Lini një Përgjigje