Nëse shkoni së bashku me Mary Powell në një vizitë pune në San Jose, Kaliforni, do të mendonit se po shihni të ardhmen e ndritur të energjisë së pastër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
The Economist
Sunrun, kompania e paneleve diellore për banesa që Powell drejton, u ofron konsumatorëve shërbime energjetike në 22 shtete.
Një klient i saj në Kaliforni, inxhinier nga Silicon Valley, tregon me krenari panelet diellore dhe bateritë që ka marrë me qira nga Sunrun. Më shumë se mjedisi, arsyeja që e ka bindur është fakti se pajisjet i sigurojnë energji edhe gjatë ndërprerjeve të furnizimit dhe se kjo rezulton më lirë sesa të marrë energji nga rrjeti i zakonshëm elektrik.
Klientët e Sunrun që përfitojnë nga modeli “energjia diellore si shërbim” marrin energji të lirë në këmbim të vendosjes së paneleve dhe baterive nga kompania në pronat e tyre.
Duke i lidhur këto sisteme së bashku në atë që quhet “termocentrale virtuale”, Sunrun arrin të shesë energji edhe në rrjetet elektrike lokale, sidomos në momentet kur ato kanë më shumë nevojë; kompania thotë se ka ndihmuar për të shmangur ndërprerje të energjisë në vende si Kalifornia, Nju Jorku dhe Porto Riko.
Kompania është shembull i potencialit që ka energjia diellore. Panelet diellore janë bërë shumë të lira, edhe më shumë kur merren parasysh kreditë tatimore të ofruara nga Akti i Reduktimit të Inflacionit (IRA) i vitit 2022, dhe instalohen me shumë lehtësi.
Për këtë arsye, ato përbënin më shumë se tre të pestat e kapaciteteve të reja të instaluara për energji elektrike në SHBA gjatë vitit 2024.
Por ka më shumë sesa kaq. Të kombinuara me bateritë që po bëhen gjithashtu më të lira, ato po nxisin zhvillimin e modeleve të reja të biznesit, që mund të sjellin ndryshime rrënjësore në sistemin energjetik.
Ligji me emrin “One Big Beautiful Bill” (OBBB), i nënshkruar më 4 korrik, është një përpjekje për t’i ndalur të gjitha këto zhvillime. Ai nuk është aq i keq për sektorin diellor sa mund të ishte.
Një taksë specifike për energjinë diellore dhe të erës, e propozuar nga senatorët republikanë nuk u përfshi në versionin final të ligjit, dhe kreditë tatimore të IRA-s për energjinë diellore, atë të erës, për hidrogjenin “e gjelbër” dhe për investimet prodhuese të lidhura me to, nuk hiqen menjëherë por do të shfuqizohen deri në vitet 2027-28.
Efekti më i menjëhershëm i ligjit është heqja e kredive tatimore për blerjen dhe përdorimin e automjeteve elektrike (EV), që do të ndalen në shtator, lajm i keq për kompanitë që kanë përfituar nga kreditë e IRA-s për të investuar në zinxhirin e furnizimit të automjeteve elektrike.
Për më tepër, OBBB ofron favore të reja për kompanitë e karburanteve fosile, duke e bërë më të lehtë dhe më të lirë nxjerrjen e naftës në tokën federale dhe duke zgjeruar sipërfaqet e disponueshme, edhe pse përdorimi i tyre do të varet nga çmimet në tregjet globale të naftës dhe gazit.
Prodhuesit e makinave që më parë blinin kredi nga prodhuesit e EV-ve për të përmirësuar efikasitetin e flotave të tyre, nuk kanë më nevojë ta bëjnë këtë, pasi rregullat përkatëse nuk do të zbatohen më.
Shkarkoni gigavatët
Sipas studiuesve të Universitetit Princeton, në bazë të OBBB-së, emetimet e gazeve serrë në Amerikë në vitin 2035 do të jenë 470 milionë tonë ekuivalent dioksid karboni më shumë sesa do të kishin qenë nën politikat e Presidentit Joe Biden (shih grafikun 1).
Grupi kërkimor Rhodium llogarit se kjo sasi shtesë mund të variojë nga 315 deri në 574 milionë tonë.
Në kufirin më të ulët kjo sasi është pak më shumë se emetimet e Britanisë në vitin 2023; në kufirin më të lartë, pak më pak se ato të Gjermanisë.
Kur studiuesit e Princeton shtojnë edhe efektin e politikave që Trump mund të zbatojë pa ndihmën e Kongresit, si heqja e rregulloreve për gazrat serrë nga EPA, shfuqizimi i standardeve të konsumit të karburantit për makinat dhe rregullave të efikasitetit energjetik për industrinë, emetimet shtesë në 2035 krahasuar me nivelin që mund të pritej nën IRA arrijnë mbi 1 miliard tonë.
Duke pritur goditjen fatale
A nënkupton kjo që OBBB i jep goditjen përfundimtare tranzicionit nga karburantet fosile? Jo. Mbështetësit e energjive të pastra, që shohin përtej erës dhe diellit, gjejnë arsye për optimizëm: energjia bërthamore dhe ajo gjeotermale ruajnë përfitimet që merrnin nga IRA.
Më i kontestuar mbetet fakti se janë të njëjtat përfitime për skemat që synojnë të heqin dioksidin e karbonit nga atmosfera.
Disa forma të tilla të “kapjes direkte nga ajri” janë të domosdoshme në çdo skenar të neutralitetit klimatik; ato ofrojnë emetime negative që kompensojnë emetimet më të vështira për t’u eliminuar.
Në të njëjtën kohë, fakti që këto teknologji janë me interes për industrinë e karburanteve fosile, e cila dëshiron të përdorë dioksidin e karbonit për të nxjerrë më shumë naftë nga puse të vjetra, është tregues i dyshimeve rreth qëllimeve të tyre.
Për më tepër, Amerika ka nevojë për energji elektrike. Kërkesa po rritet shpejt, dhe sasia e jashtëzakonshme e energjisë, që shumë mbështetës të Inteligjencës Artificiale mendojnë se do të jetë e nevojshme për transformimin e botës mund të përshpejtojë këtë rritje.
Kjo sugjeron se investimet në energji të rinovueshme tashmë të lira dhe të konsoliduara, veçanërisht ajo diellore, do të rikthehen. Deri në fund të dekadës, ato mund të rriten me ritme të ngjashme me vitet e fundit, edhe pse nga një bazë më e ulët.
Në mënyrë paradoksale, perspektivat afatshkurtra për erën dhe diellin mund të jenë të mira. Jeh Vevaina nga Brookfield, një gjigant kanadez investimesh me mbi 50 miliardë dollarë të investuara në sektorin e energjisë së pastër në SHBA, thotë se pret një bum të përkohshëm.
Rregullat e reja parashikojnë që zhvilluesit e projekteve të energjisë me erë dhe diell, që nisin punën para korrikut të ardhshëm dhe i përfundojnë shpejt, do të përfitojnë ende kreditë tatimore të IRA-s, kështu që kompanitë me kapacitet financiar po përshpejtojnë investimet.
Kjo është një nga arsyet pse BloombergNEF, një firmë tjetër kërkimore, parashikon më shumë se 50 gigavat instalime të paneleve diellore në vit si për 2026 ashtu edhe për 2027.
Pas kësaj, siç thotë një tjetër zhvillues i madh, “gjithçka merr tatëpjetën” (shih grafikun 2).
Rhodium parashikon që shtesat në prodhimin e energjisë së pastër nga 2025 deri më 2035 do të jenë 57% deri në 62% më pak krahasuar me atë që do të ndodhte nën politikat e IRA-s.
Kevin Smith nga Arevon Energy, zhvillues i projekteve të energjisë së rinovueshme, llogarit se “do të dështojnë” investime të planifikuara në SHBA në energji diellore dhe bateri me vlerë mbi 100 miliardë dollarë.
Studiuesit e Princeton vlerësojnë se 500 miliardë dollarë që mund të ishin investuar në energji të rinovueshme do të shkojnë gjetkë.
Vevaina thekson se në këtë “tronditje” do të vazhdojnë të ndërtohen projekte të mira, por zhvilluesit më të vegjël dhe ata me periudha të gjata ndërtimi mund të mos mbijetojnë.
Abigail Hopper, nga Shoqata e Industrisë së Energjisë Diellore, një grup tregtar, thotë se kompanitë po përshtatin shpejt zinxhirët e furnizimit, strategjitë e investimit dhe modelet e biznesit.
Meqë OBBB mban në fuqi kreditë tatimore të IRA-s për bateritë, ajo mendon se kompanitë diellore do të “riformatojnë produktet e tyre rreth ruajtjes së energjisë”.
Sunrun është një nga këto. Përqendrimi te ruajtja e energjisë dhe alternativat më pak “politike” është një mënyrë për të realizuar atë që Nat Eng nga Apricus Generation, zhvillues i projekteve me diell dhe bateri, e quan mantrën e re të industrisë: “Të mbijetojmë deri në ’29.”
Pas krizës së pritshme, BNEF parashikon që shtesat vjetore në kapacitetet e reja të energjisë diellore dhe erës tokësore do të fillojnë sërish të rriten, duke arritur në 94 gigavat prodhim dhe ruajtje shtesë të energjisë së rinovueshme në vitin 2035, më shumë se në çdo vit deri më tani.
Dhe kjo rimëkëmbje do të jetë më e qëndrueshme, e mbështetur plotësisht në përparësitë e kostos dhe modelet më të mira të biznesit.
Fatkeqësisht, nuk ka asnjë shenjë që industria më e qëndrueshme dhe më efikase është ajo që dëshiron Trump; përkundrazi, ai do të donte që kufizimet të përforcoheshin.
Tri ditë pas nënshkrimit të OBBB-së, ai lëshoi një urdhër ekzekutiv që i kërkon Departamentit të Thesarit të publikojë brenda 45 ditëve udhëzime për zbatimin e OBBB-së, me qëllimin e shpallur për t’i dhënë fund “kostos së madhe të subvencioneve për burimet e pasigurta të energjisë”.
Të nesërmen, ai u shpreh me ton edhe më të ashpër për këtë temë: “Energjia e erës është shumë e shtrenjtë, është shumë e keqe… tjetra është energjia diellore… shumë, shumë joefikase dhe shumë e keqe gjithashtu.”
Ai i kthehet kësaj teme vazhdimisht. Më 25 korrik, pasi pa fermat me energjinë e erës që dukeshin nga fushat e golfit të tij në Skoci, Trump deklaroi se përhapja e tyre ishte, bashkë me emigracionin, problemi më i madh i Europës:
“Po shkatërroni vendet tuaja. E them me gjithë mend. Është shumë e trishtueshme.
Fluturon mbi Europë dhe sheh mullinj me erë kudo, që shkatërrojnë fushat dhe luginat tuaja të bukura dhe vrasin zogjtë. Janë vendosur edhe në det, duke shkatërruar oqeanet tuaja.”
Pavarësisht armiqësisë presidenciale, Jason Grumet nga Shoqata Amerikane e Energjisë së Pastër, një grup interesi për industrinë, thotë se është “optimist që urdhri ekzekutiv do të interpretohet në një mënyrë që nuk krijon tronditje të mëdha në çmime”.
Ndoshta. Por shumë nga aktorët e industrisë janë të shqetësuar në heshtje. Frika e tyre është se udhëzimet e Thesarit do të rezultojnë si “goditja fatale” shumë më e rrezikshme sesa shuarja graduale e kredive nga vetë OBBB.
Mënyrat për të përkeqësuar situatën për projektet me energjinë e erës dhe diellore mund të përfshijnë rritjen e nivelit të investimit kapital, numrin e pjesëve të porositura, apo nivelin e zhvillimit që një projekt duhet të arrijë përpara një date të caktuar, që të kualifikohet për kreditë.
Ideja se kufizimet e reja mund të zbatohen në mënyrë retrospektive e shton edhe më shumë pasigurinë.
Për shkak se pjesë të mëdha të zinxhirit të furnizimit për panele diellore, bateri dhe automjete elektrike ende varen nga Kina, një tjetër rrugë për të ndërlikuar situatën është dispozita “ent i huaj i konsideruar si rrezik” (Foreign Entity of Concern, FEOC) e cila kufizon qasjen e vendeve të konsideruara kundërshtare në këta zinxhirë furnizimi.
Këto çështje janë gjithmonë të ndjeshme. Keith Martin nga firma ligjore Norton Rose Fulbright, thotë se aktualisht “labirinti i FEOC është mjaftueshëm i menaxhueshëm, bazuar në ligjin aktual”.
Pyetja që shtrohet është nëse zyrtarët do të qëndrojnë brenda qëllimit të shprehur të ligjit apo do ta zgjerojnë në mënyrë arbitrare.
Udhëzimi i Thesarit nuk është mënyra e vetme për të shtrënguar lakun. Më 10 korrik, Trump duket se i ka kërkuar Sekretarit të Energjisë të anulojë një garanci federale për hua prej 5 miliardë dollarësh për projektin Grain Belt Express, një linjë transmetimi energjie që do të ndihmonte kryesisht fermat që punojnë me energjine e erës në Midwest.
Më 17 korrik, një memo e jashtëzakonshme njoftoi punonjësit e Departamentit të Brendshëm se gati 70 lloje të ndryshme dokumentesh që më parë trajtoheshin si rutinë për projektet me energjinë e erës dhe diellore, tani do të kërkonin nënshkrimin personal të Sekretarit të Shtetit.
Kjo do të sjellë vonesa të reja për projekte që po përpiqen të përfitojnë përpara se të hyjnë në fuqi ndryshimet.
Zero shpresa të arsyeshme
Nëse viktimat e vetme të këtyre makinacioneve do të ishin investitorët në energji të rinovueshme dhe temperatura globale, një qasje e tillë cinike do të ishte e pritshme.
Por kjo politikë ka pasoja edhe më të prekshme. Analistët bien dakord se OBBB do të rrisë çmimet e energjisë dhe faturat e familjeve amerikane.
Burokracia e qëllimshme që pengon projektet ekzistuese të energjisë së rinovueshme do ta thellojë edhe më shumë këtë efekt dhe do ta sjellë më herët në kohë.
Grumet shpreson se administrata nuk do të dëshirojë të përshkallëzojë çmimet e energjisë edhe më tej; ndoshta kjo është arsyeja më bindëse për të besuar se skenarët më të errët nuk do të realizohen.
Think tank-u Energy Innovation vlerëson se edhe pa shtuar ligje të reja penguese, çmimet me shumicë të energjisë elektrike do të rriten me 25% deri në vitin 2030 dhe me 74% deri në 2035. Kjo ndodh ndërkohë që tregjet e energjisë po përballen me kërkesë në rritje dhe kufizime të furnizimit.
Në gjysmën e parë të këtij viti, kompanitë e shërbimeve kërkuan rritje të çmimeve në vlerën e 29 miliardë dollarëve, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar. Më 22 korrik, një ankand energjie i mbajtur nga PJM Interconnection, një rrjet rajonal në bregun lindor, tregoi se çmimet e energjisë do të rriten edhe më shumë.
Mbështetësit e Trump mund të shpresojnë që llojet më të vjetra të termocentraleve të zëvendësojnë kapacitetet e reja me qindra gigavat energji të rinovueshme që OBBB ka penguar.
Por kjo është një shpresë e kotë. Termocentralet bërthamore ekzistuese duan shumë vite për t’u ndërtuar; dizajnet e termocentraleve të reja më të vogla dhe më të avancuara, përfshirë ato që përdorin fusion (bashkim bërthamor) dhe jo fission (ndarje bërthamore), janë ende në prototipe. Prodhuesit e turbinave që u nevojiten termocentraleve të gazit kanë listë pritjeje mbi katër vjet.
Ekspertët e industrisë raportojnë se qëndrimi armiqësor i Shtëpisë së Bardhë po bën që investitorët e mëdhenj, sidomos ato grupe europiane të fokusuara në klimën, të fillojnë të zhvendosin burimet e tyre në tregje më të gjelbra, si Europa dhe Lindja e Mesme.
Nëse udhëzimi i Thesarit del të jetë i drejtë, disa nga këto investime mund të shpëtohen.
Por OBBB mbetet ende një pengesë për objektivat e shumëpërfolura të presidentit për “bollëk energjie” dhe “dominim në fushën e inteligjencës artificiale”.
Disa gurë ende janë të nxehtë
Në afat të gjatë, ka ende disa rreze shprese. Nëse e shikoni përtej energjisë së erës dhe diellore, “Ligji është i favorshëm”, – thotë Vevaina nga Brookfield, që investon në pothuajse të gjitha teknologjitë e energjisë në të gjithë botën.
Zachary Bogue nga DCVC në Kaliforni, një fond kryesor për teknologji të avancuar, shkon edhe më larg.
Ligji i ri “është fantastik për rilindjen e shumëpritur të energjisë bërthamore dhe për energjinë gjeotermale të avancuar… jemi shumë optimistë për këtë sektor.”
Këto teknologji kanë përparësinë se mund të furnizojnë me energji ditë e natë, dimër e verë, në një mënyrë që energjia e rinovueshme nuk mundet.
Një e ardhme kryesisht me erë dhe diell pa emetime karboni do të ketë nevojë për burime të tilla.
Jigar Shah, sipërmarrës pionier në energjinë diellore i cili drejtoi programin e madh të kredive për energji të administratës Biden, kaloi katër vite duke dhënë mbi 54 miliardë dollarë në projekte që varionin nga hidrogjeni dhe karburantet e qëndrueshme për aviacionin, deri te nxjerrja e karbonit dhe e litiumit.
Ai ka një kënaqësi të veçantë për të sugjeruar që përzgjedhja që bën OBBB për teknologjitë e mbrojtura me emetime të ulëta karboni, mund ta bëjë atë të kujtohet në të ardhmen si “ligji i dytë më i rëndësishëm për klimën në Amerikë”.
Jeremy Harrell nga ClearPath, një grup mbështetës i energjisë së pastër me ndikim te republikanët, shkon më tej.
Pas viteve me politika me ndikim politik dhe të paqëndrueshme, ai beson se OBBB përfaqëson një mbështetje të vlefshme dhe të qëndrueshme. “Tani investitorët mund të kenë besim deri në mesin e viteve 2030.”
Një OBBB që u jep besim investitorëve afatgjatë për tranzicionin energjetik dhe që rrit çmimet në një mënyrë që rikthen interesin për erën dhe diellin, nuk është ajo që kanë dashur përkrahësit e ligjit.
Por kjo duket se është pikërisht ajo që do të marrin.
Kjo, dhe një botë ku dominimi i Kinës në tregjet e automjeteve elektrike dhe në shumë teknologji të tjera të energjisë së rinovueshme bëhet i pakapërcyeshëm.
Dhe, mbi të gjitha, një atmosferë me disa miliardë tonë shtesë dioksid karboni.
Artikull i gjate, me shume teknikalitete. Shumica e lexuesve zor se shkojne deri tek mesi i artikullit. Mendoni pak edhe per ne qe nuk jemi specialiste ose qe kemi halle te tjera me imediate ketu ne Shqiperi