Operacioni i fshehtë i SHBA-së për bartjen e uraniumit sovjetik jashtë Kazakistanit

14 Qershor 2026, 16:40Bota TEMA
Operacioni i fshehtë i SHBA-së për bartjen e uraniumit sovjetik

Nëse Teherani e pranon ofertën e fundit të Kazakistanit për ta ruajtur rezervën e uraniumit të Iranit në Uzinën Metalurgjike Ulba, si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me Shtetet e Bashkuara, kjo nuk do të ishte hera e parë që kjo fabrikë e epokës sovjetike do të merrej me bartjen e ndjeshme të materialit bërthamor.

Në vitin 1993, Andy Weber, një diplomat i ri amerikan që sapo kishte filluar detyrën e tij në Kazakistanin e sapopavarësuar, u kontaktua nga Vitaly Mette, drejtori i uzinës metalurgjike në qytetin verilindor Ust-Kamenogorsk, i njohur sot si Oskemen.

Mette ofroi të shiste atë që ai pretendonte se ishin 600 kilogramë uranium shumë i pasuruar (HEU) - sasi e mjaftueshme për prodhimin e dhjetëra kokave bërthamore.

Sipas industrialistit, uraniumi kishte qëndruar i harruar në fabrikën e tij qëkurse një projekt sovjetik për nëndetëse bërthamore u ndërpre në vitin 1981. Moska, me sa duket, e kishte harruar këtë uranium - i prodhuar për të furnizuar me karburant nëndetëset sulmuese - dhe Kremlini nuk kishte më juridiksion mbi uzinën pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Duke qenë se në atë kohë agjentët iranianë ndodheshin “kudo në Azinë Qendrore” në kërkim të materialeve bërthamore të prodhuara nga sovjetikët, Weber raportoi menjëherë ofertën e Mettes në Uashington.

Kur zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë ia ngritën çështjen presidentit kazak, Nursultan Nazarbaev, ai nuk kundërshtoi mundësinë që Shtetet e Bashkuara të largonin materialin që kishte ndotur pjesë të mëdha të vendit të tij gjatë testimeve të armëve bërthamore nga sovjetikët.

Weber dhe një ekspert bërthamor i dërguar nga SHBA-ja udhëtuan në Ust-Kamenogorsk, ku u shoqëruan në një ndërtesë brenda Uzinës Metalurgjike Ulba, e siguruar me një dry të vjetër. Aty ruheshin kontejnerë të mbushur me shufra metali.

Më vonë, Weber përshkroi se si një punëtor i fabrikës fërkoi një limë metalike mbi një nga shufrat, e cila shkëlqeu si fishekzjarr. “Sytë e mi u ndriçuan, sepse kisha këtë copë metali në dorë”, kujtonte më vonë Weber. “E dija se ishte material për bombë”. Uraniumi shumë i pasuruar i ngjan çelikut në pamje, por është jashtëzakonisht i rëndë. Një copë materiali bërthamor me madhësinë e një sapuni mund të peshojë rreth 3 kilogramë.

Pasi analizat konfirmuan se materiali përbëhej 90 për qind nga uranium-235, lajmi goditi Uashingtonin “si një ton tullash”.

Në fillim të tetorit 1994, një ekip prej 31 teknikësh dhe ekspertësh amerikanë mbërriti në Ust-Kamenogorsk për një operacion sekret që synonte paketimin dhe largimin e uraniumit. Operacioni, i quajtur "Projekti Sapphire", kishte filluar.

Për gati një muaj, ndërsa moti bëhej gjithnjë e më i ashpër, ekipi punoi në fshehtësi të plotë për të paketuar 581 kilogramë uranium në 448 fuçi metalike të mbushura me shkumë mbrojtëse, për largimin e tij jashtë Kazakistanit përmes aeroplanit.

Frika se Irani mund të kishte siguruar këtë uranium u përforcua nga zbulimi në fabrikën kazake i disa arkave transporti me berilium, të adresuara për në Teheran, por që nuk ishin dërguar kurrë. Ky metal mund të përdoret si komponent në prodhimin e kokave bërthamore.

Më 18 nëntor, operacioni përfundoi dhe tre avionë transporti amerikanë u ngritën në ajër me ngarkesën e materialit bërthamor dhe ekipin që e kishte paketuar atë.

Një raport i klasifikuar vlerësoi se “Project Sapphire” u zhvillua relativisht pa probleme, megjithëse pati disa incidente që krijuan pakënaqësi nga të dyja palët. Një punëtor i fabrikës u përshkrua si “veçanërisht armiqësor” ndaj amerikanëve.

Ndërkohë, një anëtar i ekipit amerikan, që kishte probleme shëndetësore paraprake, konsumoi aq shumë alkool sa ndoti dhomën e tij duke “vjellë, urinuar dhe kryer nevojat personale”. Ai e la rrëmujën “që ta pastronin shërbyeset”.

Pas mbërritjes në SHBA, materiali u transferua në një objekt në shtetin e Tenesi për “ruajtje dhe trajtim përfundimtar”.

Besohet se Kazakistani mori dhjetëra miliona dollarë për uraniumin, por shuma e saktë nuk është bërë kurrë publike.

Mette, drejtori i fabrikës që kishte iniciuar shitjen, u emërua zëvendëskryeministër i Kazakistanit në tetor të vitit 1994. /REL

Lini një Përgjigje