Po afrohet një dimër i vështirë, por NATO duhet të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën

9 Shtator 2022, 13:18Bota Nga Jens Stoltenberg “Financial Times”

Po afrohet një dimër i vështirë, por NATO duhet të

Lufta në Ukrainë po hyn në një fazë kritike. Dimri po vjen dhe sitata do të jetë shumë më e vështirë. Pra do ketë më shumë vështirësi për popullin ukrainas por edhe forcat e armatosura që po luftojnë për lirinë e vendit të tyre. Po ashtu, vështirësi do të ketë edhe për ne që i mbështesim ata.

Uniteti dhe solidariteti ynë do të testohen seriozisht, teksa familjet dhe bizneset në vendet tona po e ndjejnë krizën e rritjes së çmimeve të energjisë dhe kostove të jetesës të shkaktuara nga pushtimi brutal i Rusisë. Ne do të përballemi me 6 muaj shumë të vështirë, me kërcënimin e ndërprerjeve të energjisë, dhe ndoshta edhe të trazirave civile.

E megjithatë ne duhet të qëndrojmë në rrugën e duhur, dhe t’i rezistojmë tiranisë. Për hir të Ukrainës dhe për hir të vetes tonë. Ne po paguajmë një çmim të lartë për mbështetjen që po i japim Ukrainës. Por çmimi që po paguajmë llogaritet në dollarë, euro dhe paund, ndërsa ukrainasit po e paguajnë me jetë njerëzish.

Dhe të gjithë ne do të paguajmë një çmim shumë më të lartë, nëse Rusia dhe regjimet e tjera autoritare, besojnë se mund të pushtojnë fqinjët e tyre dhe të shkelin ligjin ndërkombëtar pa u ndëshkuar. Nëse Rusia pushon së luftuari, do të ketë paqe. Por nëse pushon së luftuari Ukraina, ajo do të pushojë së ekzistuari si një komb i pavarur.


Ne kemi përgjegjësinë morale për ta mbështetur këtë demokraci të pavarur në zemër të Evropës. Çmimi që po paguajmë për të mbështetur Ukrainën, na sjell përfitime edhe për sigurinë tonë. Pasi Vladimir Putin e ka bërë të qartë se dëshiron ta fshijë këtë vend nga harta, por edhe të ndryshojë rendin e sigurisë evropiane.

Rusia po mban përkohësisht të pushtuar rreth 20 për qind të Ukrainës. Një sipërfaqe 4 herë më e madhe se Belgjika, ose sa gjysmën e Britanisë së Madhe. E inkurajuar nga çdo lloj suksesi që mund të ketë në këtë luftë, Rusia mund të rrezikojë një agresion të mëtejshëm kundër fqinjëve të tjerë, madje edhe një sulm ndaj aleatëve të NATO-s.

Prandaj ne duhet të bëjmë një zgjedhje mbi botën në të cilën duam të jetojmë. Aleatët e NATO-s janë të përkushtuar ndaj së drejtës së secilit komb për të zgjedhur vetë fatin e tij. Kjo është arsyeja pse ne po ofrojmë një ndihmë të paprecedentë financiare, humanitare dhe ushtarake për ta ndihmuar Ukrainën të ftojë në këtë luftë dhe të vazhdojë të ekzistojë si një komb sovran i pavarur.

Që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia në vitin 2014, vendet aleate kanë ofruar miliarda dollarë mbështetje për sektorin dhe institucionet e sigurisë të Ukrainës, dhe kanë trajnuar dhjetëra mijëra trupa, përfshirë forcat speciale. Kjo i ndihmoi forcat e armatosura të Ukrainës për t`u bërë më të forta dhe më të përgatitura për pushtimin e ri të Rusisë.

Që nga muaji shkurt, aleatët janë rreshtuar në anën e Ukrainës, duke i dhënë një mbështetje të paprecedentë ushtarake, humanitare dhe financiare. Në qershor, udhëheqësit e NATO-s ranë dakord mbi një paketë shtesë ndihme, me karburant, ushqim, furnizime mjekësore, pajisje ushtarake, komunikime të sigurta dhe pajisje për t’u përballur me dronët rusë.

Ne po përgatisim më shumë se një duzinë projektesh të reja për ta ndihmuar Ukrainën që të përballet me dimrin. Dhe ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë këtë vend që të forcojë sektorin e tij të mbrojtjes dhe sigurisë për një afat më të gjatë, dhe për kalimin nga armët e epokës sovjetike në aftësitë e standardeve të NATO-s.

NATO është pjesë e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, të udhëhequr nga SHBA, të cilit do t’i bashkohem sërish këtë javë, me synimin dërgimin e një mesazh të qartë se ne duhet të vazhdojmë të rrisim ndihmën që i nevojitet Ukrainës. Ne shohim çdo ditë ndryshimin vendimtar që po sjell mbështetja jonë në fushën e betejës.

Ushtria ukrainase ka dëshmuar aftësinë e saj për t’i rezistuar agresionit rus, për të sulmuar thellë prapa linjave të armikut, dhe për t’i imponuar kosto të mëdha forcave pushtuese. Sanksionet e mëdha të vendosura nga aleatët e NATO-s, së bashku me BE-në, po ndikojnë gjithashtu tek ekonomia ruse.

Ata do ta dëmtojnë atë më fort me kalimin e kohës, duke pasur parasysh largimin nga vendit të më të arsimuarve dhe kapitalit, ndalimin e udhëtimeve dhe ngrirjen e aseteve për elitat e Rusisë. Kremlini e ka shkëputur veten nga tregjet e tij më të afërta dhe më fitimprurëse të naftës dhe gazit në Evropë.

Mbi të gjitha, sanksionet në fushat teknologjike po e kufizojnë shumë qasjen e Rusisë tek gjysmëpërçuesit dhe çipat e avancuar, që i nevojiten për të fuqizuar industrinë e saj të makinave, avionët si dhe fushatën ushtarake në Ukrainë. Vendet tona po e shfrytëzojnë

këtë mundësi për të diversifikuar ekonomitë tona dhe furnizimet me energji, për të forcuar qëndrueshmërinë tonë, si dhe për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë nga shantazhi energjetik i Rusisë.

Njëherazi, ne po realizojmë ndryshimin më thelbësor në parandalimin dhe mbrojtjen e NATO-s që nga Lufta e Ftohtë, duke e rritur ndjeshëm praninë tonë në krahun lindor të aleancës, duke vendosur qindra mijëra trupa në gatishmërinë më të lartë, dhe duke vazhduar të investojmë tek aftësitë më të avancuara.

Garancitë e sigurisë së NATO-s, nuk lënë aspak vend për llogaritje të gabuara në Moskë, në lidhje me aftësinë tonë për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të aleancës. Në të njëjtën kohë, ato u japin mundësi aleatëve të mbështesin të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje.

Përpara na presin kohë të vështira, por ne kemi kaluar së bashku edhe më parë kohë të vështira. Kostoja e mos-mbrojtjes së vlerave tona është gjithmonë më e madhe. Për të ardhmen e Ukrainës dhe për tonën gjithashtu, ne duhet të përgatitemi për luftën e dimrit dhe të vazhdojmë të qëndrojmë në rrugën e duhur./ Përktheu:abcnews.al

1 Komente

  1. B
    Bardha

    Po qendrojme si heronje duke paguare provokimet e kota e nuk e dine ky heroj i qendreses se cdo familje ne euvrope do paguaj 10000 euro gaz e elektricitet,por ky dhe stervinat e politikes ne euvrope se kane problem se rrogat e tyre vajrojne nga 120000 euro deri ne 200000 euro e nuk pagujne taksa sepse shkulin gozhda me bythe

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje