
Kush është Raisa Gorbaçova? Gruaja që nuk qëndroi pas, por përkrah bashkëshortit të saj dhe njihet si ndikuesja më e madhe e tij në marrjen e vendimeve që ndryshuan rrjedhën e historisë?
Raisa Maksimovna Gorbaçova lindi në Rubcovsk më 5 janar 1932 dhe vdiq në Munster të Gjermanisë, më 20 shtator të vitit 1999. Ajo është një nga gratë më revolucionare në vendin e saj. Ndryshoi totalisht idenë e Zonjës së Parë në botën ruse.
E gjithë bota e njeh si gruan e presidentit të fundit të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, i cili u nda nga jeta dje në moshën 91-vjeçare.
Gorbaçova nuk shihej si një hije pranë presidentit, por vlerësohej si një eksperte e vërtetë e politikës. Të dy bashkë, burrë e grua ndryshuan fatin e historisë sovjetike.
Raisa lindi dhe u rrit në Rubcovsk, në Territorin Altai të Siberisë, dhe ishte më e madhja nga tre fëmijët e Maksim Andreeviç Titarenko, një inxhinier hekurudhor me origjinë ukrainase, dhe gruas së tij Aleksandra Petrovna Porada.
Raisa nuk pati një fëmijëri të lehtë. Babai i saj u internua për vite me radhë në një kamp përqendrimi, sepse kishte shprehur ide të konsideruara të papërshtatshme nga regjimi i ri stalinist dhe familjes iu desh të bënte shumë sakrifica.
Raisa u takua me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Mikhail Gorbaçov, gjatë studimeve për filozofi në Moskë, ku u diplomua edhe nga Instituti Shtetëror Pedagogjik.
Të dy u martuan në vitin 1953 dhe në vitin 1957 sollën në jetë vajzën e tyre të parë dhe të vetme, Irina Michajlovna Virganskaja.
Raisa qëndroi pranë të shoqit gjatë gjithë jetës së saj dhe së bashku me të ndihmuan që Rusia të dilte nga blloku internist që e mbylli atë nga Perëndimi: falë politikës së hapur të të dyve që çoi në relaksimin e marrëdhënieve me SHBA-të dhe fundin e Luftës së Ftohtë, çifti shpejt u bë një mit.
Raisa ishte e besuara kryesore e të shoqit dhe ishte gjithmonë e pranishme në udhëtime jashtë vendit. Ajo qëndronte në krye të politikës së bashku me Gorbaçov dhe u identifikua shpejt si një Zonjë e Parë e vërtetë, një gjë vërtet e rrallë jashtë botës perëndimore dhe aq më tepër në vendet e bllokut komunist. Imazhi i saj, një grua e pavarur me një humor të lehtë dhe një buzëqeshje të herëpashershme, kontribuan në përhapjen e politikës reformiste të Rusisë të promovuar nga i shoqi, në mbarë botën.
Raisa ka marrë gjatë viteve shumë poste nderi si dhe dekorime e mirënjohje nga shoqatat humanitare.
Përpjekja për grusht shteti në vitin 1991 i shkaktoi Zonjës së Parë një goditje në tru dhe si pasojë paralizë. Trazirat politike që kulmuan me rënien e BRSS, i detyruan Gorbaçovët të dorëhiqeshin.
Zonja e Parë ruse vdiq nga leuçemia në moshën 67-vjeçare më 20 shtator 1999.
Varri i saj ndodhet në varrezat Novodevichy në Moskë. Monumenti funeral, i krijuar nga skulptori Friedrich Sogojan, është i përbërë nga pllaka të mëdha mermeri, mbi të cilat është skalitur figura e një gruaje të re të përkulur për të mbledhur lule të egra.(Tiranapost)
Lini një Përgjigje