Kristin Cabot pas skandalit në koncertin e Coldplay: Ende kam probleme, por do t’ia dal

9 Korrik 2026, 16:59Lifestyle TEMA
Kristin Cabot pas skandalit në koncertin e Coldplay: Ende kam probleme, por

Kristin Cabot, e cila vitin e kaluar u bë kryefjalë në media pasi u filmua në një moment intim me ish-shefin e saj gjatë një koncerti të Coldplay, ka folur për herë të parë gjerësisht mbi jetën e saj pas skandalit që mori vëmendje ndërkombëtare.

Ish-drejtoresha e burimeve njerëzore në kompaninë teknologjike “Astronomer” tha se po përpiqet të nisë një kapitull të ri, duke u angazhuar kundër ngacmimit në internet dhe pasojave që ai mund të ketë në jetën e një personi.

“Ende kam probleme, por jam më mirë. Ndihem e mbyllur në vetvete dhe kjo nuk më pëlqen. Kjo nuk jam unë, por do t’ia dal”, u shpreh Cabot.

Ajo zbuloi se vazhdon të jetë në kërkim të një pune dhe se ende nuk ka mundur të rikthehet në profesionin e saj në fushën e burimeve njerëzore, megjithëse pret përgjigje për dy aplikime.

Cabot u bë virale pasi u shfaq në “kiss cam” gjatë një koncerti të Coldplay, ku u filmua në një moment intim me drejtorin ekzekutiv të “Astronomer”, Andy Byron. Sipas saj, në atë periudhë ishte në proces divorci dhe besonte se edhe Byron ndodhej në një situatë të ngjashme.

Ajo tha se pas publikimit të videos, jeta e saj ndryshoi rrënjësisht dhe u përball me sulme të shumta në internet, përfshirë edhe kërcënime me vdekje.

“E pranoj vendimin e gabuar që mora në atë moment dhe kam paguar një çmim të paimagjinueshëm për të. Ishte një gjykim i gabuar. Nuk e mohoj dhe nuk përpiqem ta justifikoj, por mendoj se askush nuk duhet të kërcënohet me vdekje për këtë”, deklaroi ajo.

Cabot bëri të ditur gjithashtu se nuk është më në kontakt me Andy Byron dhe se shpreson që në të ardhmen të gjejë sërish lumturinë edhe në jetën sentimentale. Ajo theksoi se, pavarësisht vështirësive, mbetet optimiste se do ta rindërtojë jetën dhe karrierën e saj.

Lini një Përgjigje