SHBA-ja kërkon hetim të pavarur për vrasjen e gazetares së njohur nga izraelitët

9 Qershor 2022, 20:40Bota TEMA

SHBA-ja kërkon hetim të pavarur për vrasjen e gazetares së

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka premtuar se do të ndjekë përgjegjësinë për vrasjen e gazetares së Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh kudo që të çojnë faktet, duke bërë thirrje për një hetim “të pavarur” për incidentin.

Gazetarja e njohur, një palestinezo-amerikane, sipas dëshmitarëve dhe kolegëve pranë saj u qëllua për vdekje nga forcat izraelite më 11 maj, teksa po mbulonte një sulm të ushtrisë izraelite në kampin Jenin në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Thirrja e Blinken-it për një hetim të pavarur të enjten erdhi pasi administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, këmbënguli se Izraeli duhet të jetë pala që do të udhëheqë hetimin për vrasjen mes thirrjeve që FBI-ja të kryejë rishikimin e vet.

Washington-i ka refuzuar gjithashtu thirrjet palestineze për Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) për të hetuar më gjerësisht krimet e supozuara të luftës izraelite.

Nuk ishte e qartë se çfarë donte të thoshte kryediplomati amerikan më”i pavarur”.

Duke u paraqitur në një forum për gazetarët studentë në periferi të një samiti të Amerikës Latine në Los Anxhelos, Blinken u pyet se pse nuk ka pasur “absolutisht asnjë pasojë” për Izraelin për vrasjen e Ebu Akleh.

“Ne po kërkojmë një hetim të pavarur dhe të besueshëm. Kur të ndodhë ai hetim, ne do të ndjekim faktet, kudo që ato të çojnë”, tha ai.

Blinken theksoi se faktet në këtë rast “ende nuk janë vërtetuar”.

Dëshmitarë të shumtë dhe hetime nga media dhe grupe të të drejtave kanë arritur në përfundimin se Abu Akleh u vra nga forcat izraelite.

Rrjeti mediatik Al Jazeera tha menjëherë pas incidentit muajin e kaluar se gazetarja u “vra me gjakftohtësi” nga forcat izraelite.

Dhjetëra ligjvënës nga Partia Demokratike e Blinken i kanë bërë thirrje FBI-së që të udhëheqë një hetim të paanshëm për vdekjen e saj.

Departamenti Amerikan i Shtetit, megjithatë, ka thënë se do t’i besonte Izraelit për të kryer një hetim.

Izraeli e ka ndryshuar historinë e tij në lidhje me incidentin disa herë, duke filluar nga mohimi i akuzave, fajësimi i luftëtarëve të armatosur palestinezë, tek pranimi se një ushtar izraelit mund të kishte qëlluar gabimisht Abu Akleh.

Më vonë, Policia izraelite sulmoi procesionin e varrimit të Abu Akleh në Jerusalemin Lindor të pushtuar dhe rrahu të pranishmit në ceremoni, në skena që nxitën zemërim të mëtejshëm dhe thirrje për përgjegjësi.

Rrjeti mediatik “Al Jazeera” ka caktuar një ekip ligjor për ta referuar vrasjen në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë.

Lini një Përgjigje