
Shtetet anëtare të NATO-s kanë rënë dakord për ta furnizuar Ukrainën me lloje të reja të armatimit të avancuar, thanë përfaqësuesit e aleancës, ndërsa Kievi përgatitet për një ofensivë nga Rusia në lindje të vendit.
Premtimi erdhi pas një kërkese nga ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, që vendet perëndimore të lëvizin më shpejt me furnizimet, ose të rrezikojnë të shohin “shumë njerëz të vdesin sepse kjo ndihmë erdhi shumë vonë”.
Gjashtë javë qëkur Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi pushtimin e Ukrainës, trupat e Moskës janë tërhequr nga territori në veri të Kievit, të cilin nuk arritën ta merrnin.
Megjithatë, sipas zyrtarëve perëndimorë, në përpjekje për të avancuar në rajonin lindor ukrainas të Donbas-it, ata po rigrupohen dhe riarmatosen.
Kjo ka nxitur kërkesat nga Kievi që vendet perëndimore të furnizojnë më shumë armë të rënda, forca të blinduara dhe sisteme më të avancuara.
Kuleba tha se ai do të përdorte një takim të NATO-s në Bruksel për të kërkuar avionë, raketa, automjete të blinduara dhe sisteme të rënda të mbrojtjes ajrore, ndër të tjera.
Liz Truss, sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, u tha gazetarëve pas takimit se vendet anëtare kishin mbështetur dhënien e më shumë armëve.
Sakaq, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Washington-i po shikonte dërgimin e “sistemeve të reja” në Ukrainë.
Premtimi për më shumë ndihmë ushtarake erdhi pasi Dmitry Peskov, zëdhënësi i Putin-it, pranoi se Rusia kishte pësuar “humbje të konsiderueshme të trupave” gjatë pushtimit të saj në Ukrainë, të cilin e përshkroi si “një tragjedi të madhe për ne”.
Peskov tha se Rusia ishte tërhequr nga Kievi dhe Chernihiv në Ukrainën Qendrore javën e kaluar, si një “veprim i vullnetit të mirë për të hequr tensionin nga ato rajone dhe për të treguar se Rusia është vërtet e gatshme të krijojë kushte komode për të vazhduar negociatat”.
Por luftimet do të vazhdojnë në Donbas, shtoi ai.
Pas vrasjes së qindra civilëve në Bucha dhe periferitë e tjera të Kievit, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se diku tjetër në vend Rusia do të kërkonte të portretizonte njerëzit e vrarë nga forcat e saj si viktima të trupave ukrainase.
Vendet anëtare të NATO-s e kanë furnizuar Ukrainën me raketa antitank, dronë dhe armë të tjera mbrojtëse para dhe gjatë luftës.
Megjithatë, ata kanë refuzuar të furnizojnë klasa të tjera të armëve, ose të vendosin një zonë ndalim-fluturimi, siç ka kërkuar Kievi, mbi rrezikun e përfshirjes së Rusisë në një luftë më të gjerë.
Ukraina ka paralajmëruar se Rusia po përgatiste një ofensivë të përtërirë në Donbas që synon të pushtojë territorin në dy rajonet administrative të Luhansk-ut dhe Donetsk-ut, të cilat separatistët i kanë pushtuar pjesërisht që nga një kryengritje e mbështetur nga Moska në vitin 2014.
Autoritetet ushtarake të Ukrainës të mërkurën u bënë thirrje banorëve që jetojnë në rajone të largohen “përderisa ata ende kishin mundësi”.
Jens Stoltenberg, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, tha se aleatët kishin rënë dakord të “forconin më tej” mbështetjen për Ukrainën menjëherë dhe në “kohë afatmesme dhe afatgjatë”.
Ndërkohë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi të enjten për të pezulluar Rusinë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut me bazë në Gjenevë – një qortim ndërkombëtar për Moskën për pushtimin e Ukrainës dhe mizoritë e supozuara.
93 anëtarë të OKB-së miratuan pezullimin e Rusisë – i pari i vendosur ndaj çdo anëtari të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Megjithatë, 24 anëtarë të OKB-së, përfshirë Kinën, Iranin, Bolivinë dhe Kazakistanin, votuan kundër pezullimit të Rusisë.
58 vende të tjera abstenuan, duke përfshirë Indinë, Indonezinë dhe Egjiptin, duke treguar se një gamë e gjerë kombesh kanë mbajtur anën e Moskës ose kanë kërkuar të mbeten neutrale në konflikt.
Lini një Përgjigje