Si krijohen në të vërtetë trilionerët

24 Qershor 2026, 15:00Bota TEMA
Si krijohen në të vërtetë trilionerët

Nga Nabil Ahmed, Project Syndicate

Me publikimin fillestar të aksioneve të SpaceX gjatë këtij muaji, pasuria e Elon Musk tejkalon shifrën e 1 trilionë dollarëve. Rëndësia e trilionerit të parë në botë nuk mund të nënvlerësohet. Pasuria e Musk, që është rritur me më mbi 1 milionë dollarë në minutë gjatë vitit të shkuar, tanimë tejkalon afërsisht atë të katër miliardë njerëzve të marrë së bashku, apo 46% të popullsisë botërore.

Në 2017-ën, ekipi im në Oxfam parashikonte se bota do të kishte trilionerin e saj të parë brenda 25 vitesh. Në 2024-ën, ne e rishikuam parashikimin dhe arritëm në përfundimin se ai do të vinte në më pak se një dekadë, duke nxitur tituj lajmesh mjaft kritike atëhere. Por shpejtësia e përqëndrimit të pasurisë na ka befasuar të gjithëve, duke ngritur dyshime nëse demokracia mund të mbijetojë mes një pabarazie kaq të madhe.

Disa mund të thonë se ekzistenca e trilionerit të parë në botë është një histori triumfi teknologjik dhe një sukses i kapitalizmit amerikan. Që të jemi të sinqertë, raketat e fuqishme hapësinore që mund të rikthehen në tokë janë vërtet histori mahnitësi dhe firmat e Musk-ut kanë patur kontribute gjigande në teknologjinë e internetit satelitor dhe makinave elektrike. Megjithatë, fabula që investitorët e SpaceX s’po bëjnë tjetër veçse po shpërblejnë talentin inxhinierik është një fiksion. Tregjet nuk kanë vënë baste mbi risitë teknologjike dhe as mbi faktin se është një kompani shumë e madhe për të dështuar, por mbi idenë e një megamonopolisti, pasuria dhe influence e të cilit janë kaq të mëdha, sa që qeveria amerikane nuk do ta lejojë të dështojë.

Të kuptuarit e asaj se si statusi i Musk lidhet pazgjidhshmërisht me mbështetjet qeveritare është thelbësore për të kuptuar më qartë pabarazinë ekonomike dhe jo vetëm në SHBA. Ajo është, deri diku, nënprodukt i agjendës ekonomike të një presidenti miliarder. Paketa “One Big Beautiful Bill” e Donald Trump më 2025-ën, shenjoi transfertën më të madhe të pasurisë nga klasa punëtore tek super të pasurit. Mburojat kundër abuzimeve nga korporatat, siç është edhe Zyra për Mbrojtjen Financiare të Konsumatorit, janë duke dhënë shpirt.

Në postin e tij të mëparshëm si drejtor i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë nën administratën Trump, Musk shkriu një sërë agjensish qeveritare si edhe anuloi ndihma për më të varfërit e botës. Kjo mund të çojë në 700.000 vdekje në vit deri në 2030-ën. Ndërkaq, administrata e ka përforcuar pozicionin e Musk, duke i dhënë kontrata të reja kompanive të tij, duke ndërprerë hetimet ndaj tyre, si edhe duke lehtësuar rregullat që i kufizonin ato.

Rezultat i gjithë kësaj është një ngatërrim i rrezikshëm i publikes me privaten, me shtetin që funksionon me pajisje dhe të dhëna të ofruara nga kompanitë e Musk. Konsideroni për shembull sa i rëndësishëm është bërë Starlink për lidhjen e qeverisë amerikane me komunikimet në orbitën e ulët të Tokës. Varësia e ushtrisë amerikane dhe kompleksit hapësinor nga perandoria e Musk, tregon edhe epërsinë që ai ka ndaj shtetit.

Por një varësi e tillë nuk u ndërtua brenda natës. Pushteti i Musk mund të ketë arritur kulmin nën presidencën Trump, por ai është kultivuar përgjatë disa dekadash. Një trilioner është krijim bipartizan i të dy partive politike. Musk ka qenë në gjendje të merrte subvencione publike për të siguruar dominimin e tij në treg, me disa prej kompanive të tij që kanë përfituar deri në 38 miliardë dollarë nga disa administrata presidenciale. Presidenti Barack Obama, për shembull, ndihmoi që Musk të krijonte monopolin e tij të dukshëm në teknologjinë hapësinore. Fillesat dhe ekzistenca e vazhduar e Teslas dhe SpaceX kanë qenë të varura nga mbështetja federale dhe e shteteve. Por, ndërsa taksapaguesit amerikanë merrnin përsipër riskun, ata nuk përfituan ekonomikisht, as në aksione, apo në ndonjë garanci për përballueshmërinë e jetesës.

Krijimi i një trilioneri kërkon që të kuptojmë pabarazinë ekstreme. Çdo shtet duhet të mësojë nga mënyra se si sistemi politik amerikan e ka mundësuar fuqizimin e Musk. Kjo përfshin kodin e taksave pro-miliarderëve, nën të cilin Tesla dhe Musk nuk kanë paguar thuajse asgjë në taksa federale për vite me radhë; një regjim antimonopoly që ka lejuar që Musk të kontrollojë dy të tretat e satelitëve aktivë në orbitën e Tokës; dhe ligje për financimin e fushatave zgjedhore, të cilat krijuan kushtet që Musk të shpenzonte thuajse 300 milionë dollarë duke mbështetur Trump dhe kandidatë të tjerë Republikanë në zgjedhjet e 2024-ës.

Vetëm një reformë strukturore e mbështetur nga qeveria mund ta përmbysë valën aktuale. Ndërsa pushteti i Musk kërkon padyshim vëmendje kolektive, veçanërisht duke patur parasysh fiksimin e tij me racën dhe nxitjen e figurave të ekstremit të djathtë, problemi i oligarkisë është më i madh se ai vetë. Ne jetojmë sot në një epokë distopike të përqëndrimit të pasurisë dhe pushtetit, ku një grusht kompanish kontrollojnë pararojën e teknologjive si inteligjenca artifciale, gjigandët e industrisë kontrollojnë naftën dhe gazin, mbrojtjen dhe sektorët fianciarë shënojnë fitime rekord nga një luftë që duket e pafundme.

SHBA-të mund të mësojnë nga historia e tyre e gjatë e përballjes me pabarazinë ekstreme dhe mbrojtjen e demokracisë.  Epoka e Praruar e fundshekullit të 19-të çoi në implementimin e taksës mbi të ardhurat. Programi i Sigurisë Sociale, paga minimale dhe taksa 94% për pagat e larta u vendosën në fillim të Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore. Në dekadat më pas, qeveria mëkoi klasën e mesme dhe frenoi monopolet.

Por do të ishte gabim të përqëndroheshim vetëm tek reformat në Amerikë. Pabarazia ekonomike mund të adresohet kudo. Në 2026-ën, disa qeveri po tregojnë se është e mundur të veprohet, nga implementimi i taksave të pasurisë tek ndjekja e shërbimit shëndetësor universal, ulja e çmimeve dhe fuqizimi i të drejtave të punëtorëve. Është një shembull që të tjerët duhet ta ndjekin.

Me krijimin e trilionerit të parë në botë të mbështetur nga një qeveri, nuk mund të nënvlerësojmë rimendimin e rendit tonë ndërkombëtar pro-oligarkik. Ndërsa debatet botërore shpesh përqëndrohen në konfliktet e fuqive të mëdha, një problem shumë herë më i madh është fakti se rregullat multilaterale që qeverisin bashkëpunimin ndërkombëtar – në lidhje me tregtinë, pronën intelektuale, taksat dhe boxhin – në dekadat e fundit kanë shërbyer për të pasurit dhe në dëm të shtresës punëtore nëpër botë. Roli i administratës Trump në shkatërrimin e sistemit multilateral të ndërtuar nga SHBA, duhet t’i motivojë shtetet e tjera që të gjejnë forma të reja bashkëpunimi.

Gati një shekull më parë, anëtari i Gjykatës Supreme amerikane, Louis D. Brandeis paralajmëronte se Amerika duhet të zgjedhë mes përqëndrimit ekstrem të pasurisë dhe demokracisë. Paralajmërimi i tij merr një rëndësi të re dhe më akute sot për këdo. Musk është prova e kësaj.

1 Komente

  1. S
    Shqip

    Nuk e di ku e keni kopjuar por Duket sikur e ka shkru dikush nga lgbt,

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje