Si mund ta ndryshojë lufta në Ukrainë tregtinë në Euroazi

19 Korrik 2024, 13:49Bota TEMA

Si mund ta ndryshojë lufta në Ukrainë tregtinë në

Reid Standis, Wojtek Grojec, Ivan Gutterman REL

Korridori i Mesëm – një rrugë tregtare prej 6.500 kilometrash, e cila lidh Kinën me Evropën përmes Azisë Qendrore dhe Kaukazit – është zgjeruar që prej pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Por, a mund të bashkëpunojnë vendet për t’i kapërcyer problemet që prej kohësh e kanë dëmtuar tregtinë ndërmjet Evropës dhe Azisë?

Para luftës, shumica e tregtisë tokësore ndërmjet Kinës dhe Bashkimit Evropian realizohej përmes rrjetit të madh hekurudhor të Rusisë, për të lidhur dy prej tregjeve më të mëdha të botës. Kjo rrugë veriore më e zhvilluar u mundësoi kompanive transportuese një rrjet më të parashikueshëm dhe më të përballueshëm tregtar.

Për rrjedhojë, trenat rusë u bënë mjeti kyç i transportit për tregtinë tokësore Kinë-BE.

Por, kjo ndryshoi nga pushtimi rus, teksa kompanitë transportuese u detyruan të manovronin përballë sanksioneve dhe të gjenin rrugë të reja tregtare që lidhin Evropën dhe Azinë, duke anashkaluar Rusinë.

“Transiti ndërmjet Evropës dhe Azisë po bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar dhe më i shtrenjtë me kalimin e ditëve”, ka thënë Romana Vlahutin, bashkëpunëtore e Fondit Gjerman Marshall dhe ish-ambasadore e BE-së për ndërlidhje, gjatë një bisede me Radion Evropa e Lirë.

Kësisoj, lufta në Ukrainë i solli frymë të re Korridorit të Mesëm, pasi ai ishte shmangur prej vitesh, për shkak të rritjes së kostove, telasheve kufitare dhe një mungese të infrastrukturës cilësore.

“Korridori i Mesëm do të ishte korridori më i shkurtër shumëfunksional, dhe ka interesim të vërtetë në mesin e shteteve të Azisë Qendrore për të pasur lidhje më të forta dhe më të ngushta me BE-në”, ka thënë Vlahutin.

I joshur nga potenciali i megarrugës, transporti i mallrave përmes saj është rritur dukshëm, nga 350.000 tonë më 2020, në 3.2 milionë tonë më 2022. Sipas një studimi të Bankës Botërore, i publikuar në fund të vitit 2023, vëllimi tregtar në Korridorin e Mesëm mund të trefishohet deri më 2030, duke arritur në 11 milionë tonë.

Por, kufizimet që paraqet Korridori i Mesëm – nga mungesa e infrastrukturës deri te pritja e madhe në porte dhe në pika kufitare – janë çështje që duhet të zgjidhen.

“Shumëçka do të varet nga mënyra se si Kina e sheh Korridorin e Mesëm”, ka thënë Emil Avdaliani, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Evropian në Tbilisi, gjatë një prononcimi për Radion Evropa e Lirë. “Pa mallra kineze, do të kishte pak interesim për zgjerimin e rrugës”.

BE-ja është kujdesur, po ashtu, që ta zhvillojë më shumë infrastrukturën në Azinë Qendrore dhe në Kaukaz, ndërsa vendet e tjera e kanë nuhatur mundësinë e investimeve të reja prej miliarda eurosh. Gjeorgjia, Azerbajxhani, Turqia dhe Kazakistani janë marrë vesh për themelimin e një organizmi që do të përshpejtonte zhvillimin, dhe ato tani po bashkëpunojnë për të përmirësuar koordinimin dhe për të hequr barrierat tregtare.

Lini një Përgjigje