Takimi i së premtes me Putin, Donald Trump: Mendoj se ka për të dalë mirë

11 Gusht 2025, 19:19Bota TEMA
Takimi i së premtes me Putin, Donald Trump: Mendoj se ka për të

Presidenti amerikan Donald Trump po shkon me pritshmëri pozitive në takimin e së premtes me homologun e tij rus, Vladimir Putin, për ta bindur që t’i japë fund luftës me Ukrainën.

Gjatë një konference për shtyp, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ishte ftuar nga vetë presidenti Putin për t’u përfshirë në bisedimet e paqes. Ai shtoi se Putin duhet vlerësuar që zgjodhi të mbajë takimin në territorin amerikan, në Alaskë, dhe nuk këmbënguli që Trump të shkonte në Rusi.

Mendoj se ka për të qenë një takim i mirë, por mund të jetë edhe i keq,” u shpreh presidenti Trump, duke thënë se po të shkonte mirë mund të shihej edhe një skenar për normalizimin e raporteve tregtare mes dy vendeve.

Rusia ka një pjesë toke shumë me vlerë. Çfarë s’mund të ndodhte sikur Putin të shihte drejt biznesit në vend të luftës,” deklaroi Trump.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kërkuar që edhe ai të bëhet pjesë e bisedimeve për të ardhmen e luftës dhe të vendit të tij, duke ditur se në tryezë mund të shtrohet çështja e kalimit të disa territoreve ukrainase për Rusinë.

Ditën e mërkurë, rreth orës 15:00, Trump pritet të mbajë një telefonatë virtuale urgjente me liderët europianë dhe Zelensky-n. Samiti i thirrur nga kancelari gjerman Friedrich Merz do i paraprijë samitit të Alaskës dhe ka për synim të qartësojë opsionet kundër Rusisë, çështjen e territoreve ukrainase të pushtuara nga Rusia, dhe garancitë e sigurisë për Kievin, sqaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane.

Liderët europianë kërkojnë që Putin të firmosë më parë armëpushimin dhe pastaj të hyjë në bisedime për paqen apo shkëmbimet territoriale mes Moskës dhe Kievit. 

AP, Politico

Lini një Përgjigje