Emisarët amerikanë të presidentit Donald Trump kanë ushtruar presion ndaj delegacionit ukrainas gjatë negociatave në Berlin që Kievi të heqë dorë nga kontrolli mbi pjesë të rajonit të Donbasit, raporton AFP, duke cituar një burim të njohur me ecurinë e bisedimeve.
Sipas burimit, përfaqësuesit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, kanë kërkuar që Ukraina të tërheqë trupat nga rajonet e Donbasit që aktualisht janë nën kontrollin e saj, si kusht për vijimin e bisedimeve të paqes me Rusinë.
Pas një takimi të zhvilluar të dielën në Berlin, Witkoff deklaroi se ishte arritur “përparim i rëndësishëm”, megjithatë pala ukrainase shpresonte të bindte Shtetet e Bashkuara se një armëpushim duhet të arrihet pa lëshime territoriale paraprake ndaj Rusisë.
“Putini kërkon territor”, tha burimi për AFP, duke shtuar se kërkesa amerikane për tërheqjen e Ukrainës nga këto rajone është refuzuar nga Kievi. “Ukraina nuk pranon këtë kërkesë”, theksoi ai.
Burimi e cilësoi qëndrimin amerikan si të pazakontë, duke deklaruar se “është pak e çuditshme që amerikanët po mbajnë qëndrimin e rusëve për këtë çështje”.
Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz, i cili po zhvillon diplomaci intensive krize në Berlin, pritet të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Më vonë gjatë mbrëmjes, atyre do t’u bashkohen edhe liderë evropianë, si dhe përfaqësues të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, për të shprehur mbështetje për Ukrainën.
Negociatat mes delegacioneve të Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara për të ashtuquajturin “plan paqeje” kanë përfunduar tashmë, ndërsa takimet e Zelensky-it me liderët evropianë janë planifikuar të zhvillohen gjatë mbrëmjes.
oh kot e kanë se nuk ka ndërmënd kush tua lëshojë tokën e vet!!ukrainasit do marrin dhe ato që i janë pushtuar dhe jo më të japin!!