
Nga Vitjon Nina
Gjashtë muaj kanë kaluar që prej agresionit të Rusisë në Ukrainë, me fillim në 24 shkurt 2022 dhe me pasoja shkatërruese jo vetëm për dy vendet, por për gjithë kontinentin evropian e më gjerë.
Askush nuk do ta kishte menduar në fillimvitin 2022 se Ukrainën, dita e saj e pavarësisë, më 24 gusht, do ta gjente pjesërisht të pushtuar dhe tërësisht të agresuar.
Por, sot, qytetarët e saj, me më shumë krenari se kurrë, e festojnë shpirtin e tyre të lirë dhe ndjenjën e përkatësisë në një tokë, dheu i të cilës është shkelur thuajse pabesisht.
Një paradë me tanket e ndryshkura ruse, të shkatërruara në këtë periudhë nga Forcat e Ukrainës, u bë edhe simbol e pritjes së ditës së pavarësisë. Është një fitore pa diskutim për Kievin, fakti që ka arritur të qëndrojë në këmbë dhe vullneti të mos i thyhet.
Por njëkohësisht, është edhe një dhimbje e pamasë, të shohë qytetarët e saj të ikin, për shkak të kësaj lufte.
Rreth 10 milionë qytetarë nga 44 milionë që vendi numëron gjithsej, mendohet se janë larguar drejt pjesës perëndimore të kontinentit.
Numrin më të madh të refugjatëve e kanë mirëpritur Polonia, Hungaria, Rumania, Sllovakia, me pjesën tjetër të Evropës, që ka dhënë ndihmën e saj duke lehtësuar procedurat e pritjes.
Rreth 3 mijë ukrainas kanë ardhur edhe në Shqipëri, për të mbijetuar nga një luftë e pakuptimtë që po zhvillohet.
Sot, gjashtë muaj në luftë, flamuri verdhë e kaltër valëvitet i lirë në pjesën më të madhe të territorit ukrainas.
Megjithatë, rajoni i Donbass-it apo pjesa jugore e Ukrainës, është e pushtuar dhe në luftë të vazhdueshme me uzurpatorët.
Shenja të një armëpushimi nuk ka. Aq më pak të një marrëveshjeje paqeje.
Se sa do të vazhdojë, askush nuk e di në realitet…
E prapë, Ukraina është aty, e palëkundur në britmën për të jetuar!
Lini një Përgjigje