Presidenti amerikan Donald Trump ka emëruar Sekretarin e Ushtrisë, Daniel Patrick Driscoll, si të dërguar special për projektin e ri të administratës, të cilësuar nga Shtëpia e Bardhë si “plani i paqes”.
Driscoll, i emëruar Sekretar i Ushtrisë më 25 shkurt 2025, është një veteran i Luftës në Irak, ku ka shërbyer si komandant toge gjatë Operacionit “Iraqi Freedom”.
Brenda administratës, ai njihet gjithashtu për marrëdhënien e afërt me zëvendëspresidentin J.D. Vance, me të cilin ka qenë shok klase.
Sipas The Guardian, një delegacion gjeneralësh amerikanë pritet të udhëtojë në Moskë në fund të javës së ardhshme për të diskutuar paraprakisht mbi projektin e paqes, që mbetet ende i pazbuluar në detaje.
Vizita shihet si një hap i pazakontë diplomatik, duke sinjalizuar se Shtëpia e Bardhë po kërkon të testojë kanale të reja komunikimi me Kremlinin.
Ende nuk ka informacion zyrtar mbi mandatin e saktë të Driscoll, apo objektivat e procesit, ndërsa burime në Washington thonë se administrata synon të prezantojë një kornizë të re negociuese “brenda disa javësh”.
Teksa e gjitha vjen në një çast kur plani i ri i paqes për Ukrainën, me 28 pikat e famshme, ka gjetur kundërshti të gjera nga Ukraina dhe aleatët. SHBA-të dhe Rusia duken të vetmet të kënaqurat me planin deri tani.
Plani përfshin garantime për sovranitetin e Ukrainës, kufizime mbi forcat e armatosura, mosanëtarësim në NATO, rindërtimin ekonomik të Ukrainës, integrimin e Rusisë në ekonominë globale, statusin e territoreve të diskutueshme si Krimea, Donbasi dhe Zaporizhzhia, si dhe krijimin e një komiteti humanitar dhe një Këshilli Paqeje për mbikëqyrjen e implementimit.
Dokumenti parashikon gjithashtu amnisti për të gjitha palët, mbrojtje nga konflikti i ardhshëm dhe masa të qarta për ndëshkimin e shkeljeve të marrëveshjes.
Sa emisare e te derguar speciale ka derguar Trump deri tani per Ukrainen? A flasin ata me te njejten gjuhe? E mjera Ukraine cfare po perjeton!