
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) synojnë të ushtrojnë presion mbi Pekinin, në mënyrë që të tregohet neutral me qëndrimin e saj, lidhur me pushtimin e fundit të Rusisë në Ukrainë.
Sipas burimeve, mes Brukselit dhe Pekinit u zhvillua një takim on line të premten e 25 marsit.
Zyrtarët perëndimorë janë të shqetësuar në lidhje me rolin që mund të luajë Kina në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës.
Autoritetet kineze deri më tani kanë refuzuar të denoncojnë plotësisht pushtimin e paprovokuar të Rusisë ndaj fqinjit të saj, duke abstenuar gjatë një votimi për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënon Moskën.
Kina ka mbështetur gjithashtu ankesat e Moskës për zgjerimin e NATO-s dhe zyrtarët amerikanë kanë thënë gjithashtu se Rusia i ka kërkuar Kinës mbështetje ushtarake dhe ekonomike, diçka që është mohuar si nga Kremlini, edhe nga Pekini.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, patën një komunikim si me kryeministrin e Kinës, Li Keqiang, në orën 10 të mëngjesit me kohën e Brukselit dhe, më pas, me presidentin kinez Xi Jinping në orën 14:00.
Qëllimi i samitit është sigurimi, “në njëfarë mënyre, neutraliteti i Kinës, në mënyrë që ata të mos ndihmojnë Rusinë”, tha për “CNBC” të martën një zyrtar i BE-së, i cili nuk donte të emërohej për shkak të ndjeshmërisë së diskutimeve.
I njëjti zyrtar u shpreh se lidhjet ekonomike BE-Kinë dhe mosmarrëveshjet e fundit tregtare mund të ngrihen gjatë bisedave, por “fokusi është pa dyshim te Rusia”.
Një zyrtar i dytë i BE-së, po ashtu në dijeni të bisedimeve, tha se samiti është një “moment përcaktues për marrëdhëniet BE-Kinë”.
“Nëse Kina bashkohet me Rusinë, pa dyshim që do të ketë një ndikim shumë negativ në marrëdhëniet me BE-në”.
Një zyrtar i tretë i BE-së, i cili gjithashtu preferoi të mbetet anonim, tha se samiti fillimisht kishte për qëllim të shpallte “iniciativa të vogla”.
“Por gjërat kanë ndryshuar”, tha i njëjti zyrtar, duke shtuar se “mesazhi kryesor duhet të jetë se do të ketë pasoja nëse Kina i anashkalon sanksionet perëndimore”.
Në fillim të këtij muaji, Ministrja e Jashtme e Estonisë, Eva-Maria Liimets tha se nëse Kina do të ndihmonte Rusinë në pushtimin e Ukrainës, atëherë Perëndimi duhet të diskutojë edhe sanksionet kundër Pekinit.
Për më tepër, krerë të ndryshëm shtetesh në BE i kërkuan Kinës javën e kaluar që të përdorë ndikimin e saj për të ndaluar luftën në Ukrainë.
Duke folur për CNBC javën e kaluar, Kryeministri i Italisë Mario Draghi tha se “Kina është vendi më i rëndësishëm, ato mund të jenë vendimtare në procesin e paqes, ata kanë shumë leva dhe kështu ne të gjithë jemi duke pritur”.
Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio tha të martën se “ne kemi kërkuar shpesh të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë dhe madje edhe ata aktorë me të cilët nuk biem dakord për të arritur paqen dhe një zgjidhje diplomatike. Edhe Kina, si Turqia dhe shumë vende të tjera, mund të kontribuojnë në këtë përpjekje”.
Marrëdhëniet e BE-së me Kinën kanë qenë të trazuara vitet e fundit.
Të dy nënshkruan një marrëveshje investimi në fund të vitit 2020, pak para se Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden të mbërrinte në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, BE-ja, vetëm disa muaj më vonë, vendosi të ngrijë marrëveshjen duke përmendur shqetësimet për abuzimet e të drejtave të njeriut në Kinë.
Kohët e fundit, Komisioni Evropian hapi një çështje kundër Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë duke argumentuar praktikat diskriminuese tregtare kundër Lituanisë, një vend i BE-së.
Lini një Përgjigje