Nga Aiden Abott, The New Statesman
“Rregullat tona të përfshirjes në luftë janë të guximshme, precise dhe të krijuara për të çliruar fuqinë e Amerikës, jo për ta ndrydhur atë.” Muajt e fundit kanë qenë tepër të ngarkuar për Sekretarin amerikan të Luftës, Pete Hegseth. Aq të ngarkuar, sa që ndoshta e ka patur të pamundur të gjejë kohë t’i shkruaj vetë fjalimet e tij. Dëgjojmë shumë fraza të tipit “Nuk është X – është Y,” shumë “lista nga tre,” apo të tjera veçori retorike që disa vite më parë do të na tingëllonin si të shkruara nga ndonjë guru marketing dhe që sot vijnë që larg era ChatGPT. Aq sa duket sikur t’i ketë kërkuar IA-së: “Shkruaj një dekalratë për shtyp në stilin e trailerit të “Call of Duty: Modern Ëarfare,” dhe ka marrë mbrapsht një tekst të mbushur me citate. Ndërsa iu drejtohej reporterëve më 2 mars, Hegseth e nisi justifikimin e luftës si më poshtë:
“Regjime të çmendura si Irani, të fiksuara pas deluzioneve profetike islamiste nuk mund të lejohen të kenë armë nukleare. Është logjikë e thjeshtë.”
Të nesërmen, në emër të tij dhe të 15 anëtarëve të njësisë, një oficer i panjohur do të raportonte para Fondacionit Ushtarak për Liri Fetare se, gjatë një takimi në lidhje me gatishmërinë për luftë atë mëngjes, iu ishte thënë se “Presidenti Trump është i dërguari i Jezusit për të ndezur në Iran zjarrin që sinjalizues që do të shkaktojë Armagedonin dhe do të shënojë rikthimin e tij në tokë.” Lufta, ishin garantuar ata, “ishte pjesë e planit hyjnor të Perëndisë.” Kjo ndodhi të martën. Të shtunën para saj, 168 iranianë ishin vrarë gjatë bombardimit amerikan të shkollës fillore Shajareh Tayyebeh. Shumica e viktimave ishin vajza të moshës 12-vjeçare.
Kur Bushi e vendosi Luftën në Irak në korniza të ngjashme fetare – edhe pse shumë më modeste – ateizmi liberal i viteve 2000 po përjetonte kulmin e vet në të dy anët e Atlantikut dhe motivoi jo pak opinionistë që ta kritikonin ashpër. Richard Daëkins e akuzoi presidentin se e shihte “botën si një fushëbetejë mes ëngjëjnve të Shën Mikaelit dhe forcave të Luciferit.” Me tonin thumbues që karakterizonte epokën, Daëkins e satirizoi presidentin amerikan duke thënë: “Do t’i djegim Amalekitët, do dërgojmë ushtrinë kundër Midianitëve, t'i shtypim të gjithë dhe të lëmë Zotin të merret me shpirtrat e tyre.” Bill Maher, në monologun përmbullës të dokumentarit të tij "Religious," u tregua edhe më i pamëshirshëm: “Fakti i thjeshtë është se feja duhet të vdesë që njerëzimi të jetojë. Nuk kemi më kohë për të toleruar shteti të drejtohet nga njerëz, ekuivalintja e të cilëve do të ishin fallxhorët.”
Ato ishin ditët e themelimit të Kishës së Përbindëshit Fluturues të Makaronave; të Trey Parker dhe Matt Stone që thumbonin tipat fetarë në serialin South Park duke marrë kërcënime me vdekje dhe kërkesa për censurë pas portretizimeve të Muhamedit dhe Shën Mërisë; Ron Regan, djali i ish-presidentit amerikan, u shfaq në një reklamë televizive për Fondacionin e Lirisë Fetare, duke i thënë audiencës se ai “nuk kishte frikë mos digjej në ferr.”
Nëse ka një artefakt kulturor ku kjo periudhë shfaqet në formën e saj më të përqendruar, ai është "The Four Horsemen": një debat dyorësh mes figurave kryesore të epokës së ateizmit të ri — Richard Dawkins, Christopher Hitchens, Sam Harris dhe Daniel Dennett. Nuk është, për të qenë të sinqertë, ndonjë debat edhe aq i rafinuar. Me përjashtim të Hitchens-it, grupi nuk është aq imponues intelektualisht sa mendon se është dhe, në retrospektivë, si shumë nga ironia ateiste e viteve 2000, pa kontekstin e nivelit të ulët të erudicionit të vendosur nga Bush, shumë prej tyre tingëllojnë padrejtësisht të vetëbindur për rëndësinë e tyre. Megjithatë, justifikimet hapur fetare për dy tmerret e kohës — sulmet e 11 Shtatorit dhe Luftën në Irak — u dhanë ideve të tyre një lloj urgjence morale që mbulonte jo pak mëkate. Mbi këtë “katërshe” qëndron një fantazmë. Dhe emri i saj është Dr. Gregory House.
Gregory House — mjeku gjeni, i varur nga pilulat dhe i shthurur — ishte mishërimi vizual i frymës së kohës. Sulmet e tij ndaj fesë, disi të sforcuara në serialin House, vinin po aq shpesh dhe me të njëjtën lehtësi sa ato të Dawkins apo të emisionit të Jon Stewart. Tek House, virtytet e ateistit liberal të viteve 2000 artikulohen qartë: i vetëdijshëm për zgjuarsinë e vet, i pakursyer, i papërmbajtur; herë pas here racist apo seksist, por vetëm në atë pikë që konsiderohej e falshme dhe në fund të fundit e padëmshme, njësoj siç i lejonin vetes skenaristët e South Park. Krejt e kundërta e stereotipit të ungjillorit të trashë, anti-intelektual dhe moralist, që përbënte armikun tipik të kampit anti-Bush.
Fryma që mishëronte Dr. House nuk lindi vetëm si reagim ndaj fariseizmit folklorik të administratës Bush me kapelet kauboj, përdorimin famëkeq të termit “kryqëzatë” për Luftën kundër Terrorizmit, fotot jo fort spontane të kabinetit gjatë lutjeve, vendimit absurd të John Ashcroft për t’u lyer me vaj perimesh para se të betohej si Prokuror i Përgjithshëm, por edhe si reagim ndaj një krishterimi disi të harrruar, por po aq të dukshëm, të Al Gore dhe John Kerry, që përpiqeshin të fitonin votën e Ungjillorëve tek demokratët.
Në vitin 1999, Gore propozoi që fondet federale të përdoreshin për organizata fetare që merreshin me trajtimin e varësisë, të pastrehët dhe dhunën mes të rinjve. “Ajo që po shohim,” i tha ai gazetarit EJ Dionne Jr., “është fundi i një periudhe 400-vjeçare alergjie ndaj besimit.” Duke zgjedhur me kujdes të shpallte kandidaturën nga shtëpia e tij e fëmijërisë në Tennessee-n rurale, Gore i tha turmës: “Me ndihmën tuaj, do të çoj vlerat e mia të besimit dhe familjes në Presidencë.” Në një debat të dhjetorit 1999, Bush iu përgjigj pyetjes “Cili është filozofi juaj politik i preferuar?” me: “Krishti.” Pa dashur të mbetej pas, Gore u tha votuesve se shpesh e pyeste veten gjatë fushatës: “Çfarë do të bënte Jezusi?”
Ashtu si Gore dhe vetë Bush, edhe Partia Demokratike — e njëjta që në vitin 1992 kishte hequr çdo referencë ndaj Zotit nga platforma e saj — dukej sikur po “rilindtde”. Ndarja e fortë mes kishës dhe shtetit e viteve ’70 dhe ’80, që kishte hequr lutjen në shkolla dhe gjenezë si doktrinë në arsim, dukej sikur po zbehej. Kjo gjendje u përmblodh në mënyrë therëse nga titulli i një artikulli të Jeffrey Rosen: “A nuk mbeti më asgjë sekulare?”
Ajo që i irritonte sekularistët ishte se e gjithë kjo nuk kishte asnjë lidhje me realitetin jashtë politikës. Gara për religjiozitet mes Bush-it dhe kundërshtarëve të tij zhvillohej paralelisht me një rënie të fortë të besimit të popullsisë, që pas vitit 2000 vetëm sa përshpejtohej. Vetë Kisha Luterane Ungjillore në Amerikë raportoi një rënie minimale deri në vitin 2000, por më pas një rënie prej 15% deri në vitin 2008.
Në vitin 1999, Paul Weyrich, bashkëthemelues i Moral Majority, pranoi në një letër se lufta kulturore kishte përfunduar dhe se të krishterët kishin humbur. Si ai, ashtu edhe lexuesit e New York Times, do të binin dakord se religjioziteti i ri në politikën amerikane ishte një fasadë — një fenomen i imponuar nga lart, performativ, pa lidhje me atë që ndodhte në kulturë. Dhe çfarë po ndodhte në kulturë? Hugh Laurie luante rolin e Dr. Gregory House.
Arsyeja pse ky serial meriton vëmendje është se, duke u transmetuar nga 2004 deri në 2012, ai funksionon si një regjistër i ndryshimeve në ndërgjegjen liberale amerikane para dhe pas fundit të epokës Bush. Viti 2008 shfaqet si një vijë ndarëse — si ndryshimi i lehtë mes dy shtresave shkëmbore, që i lejon një gjeologu të kuptojë nivelin maksimal të një oqeani të zhdukur.
Një episod tipik i viteve Bush është “House vs. God” (2006): pacienti është një adoleshent pentekostal, shërues përmes “mrekullive”, që përfundon në spital pas një kolapsi. House e nis trajtimin me komente të tipit: “Besimi — thjesht një fjalë tjetër për injorancën, apo jo?” Në fund zbulohet se “mrekullia” ishte rezultat i një infeksioni seksual që kishte ndikuar mbi tumorin dhe paragjykimi i mjekut konfirmohet plotësisht. Pastër. Thjeshtë. Bukur.
Krahasojeni me “Unfaithful” (2009): një prift katolik hyn në spital pasi ka parë një vizion të Krishtit, që e konsideron halucinacion. I akuzuar padrejtësisht për abuzim, ai ka jetuar një jetë në heshtje dhe turp. Episodi përfundon me falje, me një diagnozë të korrigjuar dhe me një hapje të re ndaj besimit. Në fund, House nuk mbetet aq i sigurt në cinizmin e tij dhe kamera ndalet mbi fytyrën e Hugh Laurie, më reflektuese se zakonisht.
Çfarë ndodhi mes 2006 dhe 2009? Përgjigjja është e qartë: Barack Obama.
Koalicioni Obama–Joe Biden solli një formë religjioziteti demokrat shumë më pak provokuese për liberalët. Një krishterim më i butë, më pak dogmatik, më “i arsyeshëm”. Bush kishte thënë “Krishti”; Obama përmendi Reinhold Niebuhr.
Pesëmbëdhjetë vite më pas, ateizmi i ashpër i viteve 2000 nuk duket askund. Në vend të tij, kemi një spiritualitet të butë, të padëmshëm, që vazhdon të dominojë. Retorika e Joe Biden për “betejën për shpirtin e kombit” tingëllon po aq e konsumuar sa ajo e Bush-it dikur. Gavin Newsom flet për Dhiatën si busull morale dhe askush nuk tronditet më.
Megjithatë, një figurë mbetet jashtë këtij modeli: Donald Trump. Pak kush e beson kur ai thotë se Bibla është libri i tij i preferuar. Marrëdhënia e tij me religjionin duket më shumë si një marrëveshje: “kam bërë shumë për ju, mos e harroni.”
Në fotot ku qëndron mes republikanëve ungjillorë teksa luten, ai duket paksa i sikletosur, si një fëmijë në një funeral ku nuk e njeh të ndjerin. Përpiqet të duket serioz, e humbet qëndrimin, dhe pastaj e rikthen sërish atë seriozitet.
Në episodin final të House (2012), Dr. Gregory House largohet me motor drejt një rruge të panjohur. Dhe bashkë me të, duket sikur largohet edhe epoka që ai përfaqësonte. Ajo nuk është kthyer dhe duket se nuk do të kthehet shpejt.
Teksa i afrohemi mesit të mandatit të dytë të Trump-it, mbetet për t’u parë çfarë do të vijë në 2028. Nga të dyja krahët politikë, po formësohet diçka që ngjan me një rikthim të gjatë dhe të mërzitshëm në normalitet: shumë referenca për “shpirtin e kombit”, shumë thirrje për “vlera”, shumë solemnitet, shumë lutje publike dhe shumë nga gjithçka që Dr. House do ta kishte refuzuar pa hezitim.
Lini një Përgjigje