Cili është ai send me vlerë në shtëpi që do të doje të shpëtoje nga flakët, nëse do të kishe kohë?
“Se di… të gjitha ose asgjë… ndoshta fotografitë e prindërve, të vëllezërve.. se s’kam ku i gjej më… se di,” përgjigjet Neimi, I përlotur. Ai dhe kushëriri i tij, Kujtimi, kanë humbur gjithçka nga zjarri që përfshiu fshatin Skënderbegas në Gramsh pak ditë më parë. Tani ecin mbi rrënoja, aty ku dikur ishin oborret, kasollet dhe shtëpitë e tyre. Shikojnë gjithçka të kthyer në hi, vitet e mundit, djersës dhe sakrificës. Përpiqen të mos e tregojnë dëshpërimin, por duken të dorëzuar.
“Po të kishte ndodhur tri a katër vjet më parë, do ta kisha rindërtuar shtëpinë vetë nga e para, dhe shumë shpejt… tani nuk kam më fuqi,” thotë Kujtimi, i thyer nga lodhja e viteve.
Ai kujton orenditë një nga një, sikur do t’i thërriste përsëri në jetë. Pas 15 vitesh punë të rëndë në Greqi, çdo gjë ishte kthyer në një shtëpi modeste, por të mbushur me kujtime. I biri është ende emigrant atje, pa dokumente, dhe nuk mund të kthehet as për të parë prindërit, as për t’i ndihmuar në këtë ditë të vështira. Kjo dhimbje e dytë e rëndon edhe më shumë.
Sot, Kujtimi dhe bashkëshortja janë akomoduar në Gramsh nga institucionet. Çdo ditë, bashkë me Neimin, kthehen përsëri në Skënderbegas. Ecja mbi gërmadha është si një ritual i dhimbshëm, një mënyrë për të mos harruar se aty kishte jetë, zëra dhe kujtime.
Ndiqni rrëfimin e tyre, në një dokumentar të shkurtër realizuar nga Tema, për dhimbjen që nuk shprehet dot me fjalë, për humbjen që sollën flakët e zjarrit që mbuluan Skënderbegasin pak ditë më parë. /Përgatiti për TemA: Luljeta Progni
Lini një Përgjigje