
Ukraina ka një perspektivë shumë të qartë europiane, por rruga drejt anëtarësimit në BE do të marrë kohë. Kështu u shpreh presidentja e KE Ursula Von der Leyen në një video-lidhje me asamblenë ukrainase.
“Ukraina është një vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, diçka që dukej pothuajse e paimagjinueshme vetëm pesë muaj më parë. Kështu që sot është para së gjithash një moment historik, një fitore e vendosmërisë dhe një fitore për të gjithë lëvizjen që filloi tetë vjet më parë në Maidan”.
Megjithatë, presidentja e Komisionit Europian u kërkoi zyrtarëve ukrainas të ecin përpara me reformat kundër korrupsionit. Ajo nënvizoi se Brukseli dhe shtetet anëtare të BE-së mbështesin Ukrainën në luftën e saj ndaj agresionit rus dhe në përpjekjet për “t’u ribashkuar me familjen evropiane.”
Ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky teksa ju drejtua anëtarëve të parlamentit, tha se Ukraina duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur një vend anëtar i BE-së.
“Rruga jonë drejt anëtarësimit nuk duhet të marrë dekada. Ne duhet ta kalojmë këtë rrugë sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Ukraina aplikoi për anëtarësim në BE, vetëm pesë ditë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në 24 Shkurt, ndërsa 27 vendet anëtare pranuan t’i jepej statusi i kandidatit më 23 Qershor, në një sinjal të fortë mbështetjeje ndaj vendit.
Lini një Përgjigje