Dëshmia për ngjarjen tragjike në Fier, në '75-n: Kur u futëm në shtëpinë e Piro Gushos konstatuam se, pasi kishte marrë pistoletën, ai kishte dalë para pasqyrës dhe…

18 Prill 2023, 12:14Dossier TEMA

Dëshmia për ngjarjen tragjike në Fier, në '75-n: Kur u

Një mister i lënë në heshtje që prej 1975-ës. Vetëvrasja e  Pirro Gushos, varrimi i tij, pa familjarët dhe gjetja e trupit dekada më pas, pas një dëshmie rastësore. Piro Gusho, ishte anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë për rrethin e Fierit, gjatë viteve 1973 -1975. Është gjendur i vetëvrarë më 8 prill të vitit 1975. I ndjeri Piro, është vetëvrarë në moshën 51-vjeçare, në shtëpinë e tij, në lagjen “15 Tetori” të qytetit të Fierit. Ai banonte në katin e dytë të një pallati pesëkatësh, në qendër të qytetit, mbi kompleksin e farmacive, të njohura në Fier si “Farmacia Nr. 1”. Fierakët e mbajnë mend mirë Pirron, kur ai kalonte në këmbë, në rrugë, pasi makinën rrallëherë e përdorte.

Nga Kristaq Thanasi

I vrazhdë në fytyrë dhe tepër autoritar, bënte kritika dhe ndërhyrje tek të rinjtë, teksa kalonte në këmbë për në Komitetin e Partisë, për manifestime, të quajtura atëherë si shfaqje të huaja në veshje, si pantallona të ngushta, rripa të trashë në brezin e pantallonave, etj.

Në kujtesën e ish-punonjësve të aparatit të Komitetit të Partisë së rrethit, akoma edhe sot, hyrja e Pirros në institucion, është histori tryezash. Të gjithë fshiheshin nëpër zyra, për të mos i dalë përpara. Ish-komshiu i tij, (I.D.), atëherë fëmijë, tregon se; Pirroja në fytyrë dukej i rreptë dhe sa herë që kalonte dhe ngjitej në apartamentin e tij, fëmijët e pallatit, fshiheshin. Prindërit na thoshin se, ai ishte njeri i mirë, prandaj mos keni frikë, megjithatë, kur ai zbriste nga makina, ne i rrinim larg.

Pirroja banonte në katin e dytë të një pallati, afër Komitetit të Partisë. Ishin dy hyrje, të cilat ishin kthyer në një hyrje të vetme, ku ai banonte me babanë dhe fëmijët, si dhe me gruan e tij, e cila ishte mësuese në shkollën 7-vjeçare, “Andon Xoxa” të Fierit.

“Më kujtohet ajo ditë Prilli, kur Pirro vrau veten”, – vazhdon më tej bisedën I.D. Ora ishte…. nuk jam shumë i sigurt, rreth 13.30, kur ai ka zbritur nga makina e punës, shumë i mërzitur. Në gojë mbante një cigare, hera e parë që e shikonim me cigare në gojë, pasi ai zakonisht e mbante atë me cigarishte. Posa është futur në hyrje të pallatit, ka hedhur cigaren, të cilën pothuajse nuk e kishte pirë.

Kjo më kujtohet mirë, pasi dikush nga shokët e mi, e ka marrë atë me qëllim për ta pirë. Pak më vonë, kemi parë djalin e Pirros, Kastriotin, i cili ka dalë me vrap nga shtëpia dhe ka shkuar drejt godinës së Komitetit të Partisë, rreth 50 metra larg, nga vendbanimi i familjes Gusho. Si gjithë fëmijët kureshtarë, i afrohemi derës kryesore, e cila ishte gjysmë e hapur, kemi parë njolla gjaku në bravën e derës dhe jemi larguar me vrap”.

Çfarë ndodhi atë ditë kur Pirro vendosi që t’i jepte fund jetës? Në vitin 1974, Gusho mori pjesë në Konferencën e XX-të të Partisë së rrethit, ku u zgjodh edhe anëtari i Plenumit, si dhe Sekretar i Parë i Komitetit Partisë, Fier.

Kanë qenë muajt e parë të vitit 1974, kur regjimi komunist i atëhershëm, filloj luftën ndaj “armiqve të naftës” në Patos, si dhe në ato zona ku punohej për nxjerrjen e arit të zi. Midis tyre, është kritikuar ashpër edhe Sekretari i Parë të Komitetit të Partisë së Rrethit të Fierit, Pirro Gusho.

Ka qenë dita e diel e 8 Prillit, të vitit 1975, kur në Komitetin e Partisë të Fierit, ishin mbledhur anëtarët e Byrosë së Partisë të këtij rrethi, për të diskutuar edhe për personat e pare, të cilësuar nga regjimi i asaj kohe, si “Sabotatorët e Naftës”. I deleguar nga Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSh-së, ishte anëtari i saj, Haki Toska.

Nga të gjithë anëtarët e byrosë të Komitetit të Partisë Fier, janë bërë pyetje dhe kritika të ashpra drejt Sekretarit të Parë të Komitetit, Pirro Gusho, lidhur me situatën në naftë.
Rreth orës 12.30, pas shumë pyetjesh që i janë bërë Gushos, lidhur me situatën në naftë dhe “armiqtë” e saj, është kërkuar pushim.

Pasdite, ishte lënë që Pirro Gusho, të fliste dhe më pas konkluzionet, do t’i bënte i deleguari i Byrosë Politike, Haki Toska. Pirro nuk ka shkuar në zyrën e tij si zakonisht, por, është drejtuar për në apartamentin ku ai banonte, në lagjen “15 Tetori”. Kishte vendosur t’i jepte fund jetës. Mjeku ligjor i asaj kohe, doktor Bani, i cili i ka bërë ekspertizën trupore, mbas vetëvrasjes, tregon:

“Atë ditë, rreth orës 13.00, ndoshta nuk jam i saktë për orën, unë sapo kisha lënë punën, kur një makinë e policisë, ka ndaluar te këmbët e mia dhe pasi më thanë se do vija me ta për një ngjarje, kam hipur lart. Kemi qëndruar te një pallat dhe jemi ngjitur me shpejtësi në katin e dytë të këtij pallati, në lagjen “15 Tetori”, dhe jemi futur në një apartament, i cili i përkiste Sekretarit të Parë, Pirro Gusho.

Aty më thanë se çfarë kishte ndodhur dhe kam nisur të bëja detyrën time ligjore. Kemi përshkruar një korridor të madh, ku në mes të tij, ndodhej një tavolinë. Para vetëvrasjes, ai kishte konsumuar shumë cigare. Të binte në sy mbi këtë tavolinë, një tavëll duhani, e mbushur plot. Kur hyra në dhomë, pashë Pirro Gushon të rënë në dysheme, i mbytur në një pellg gjaku, midis një pasqyre, të një dollapi rrobash.

Aty gjetëm një gëzhojë dhe pas një kontrolli të imët, u gjend edhe predha e një pistolete në dollapin e rrobave. Pas ekspertizës që kam kryer në trupin e tij, kam konstatuar një vrimë të vogël në kokë. Kjo tregonte se, vdekja e tij kishte ardhur, si rezultat i një plumbi të vetëm, në tëmthin e djathtë…”!

I ndjeri Pirro, në momentin e vrasjes ka qenë para pasqyrës dhe pasi ka vendosur pistoletën te koka, e ka shkrepur atë, ndërsa plumbi, ka dalë nga ana e majtë e kokës, duke hyrë brenda në dollap. Kunati i Pirro Gushos, Thoma Gërzhalli, e kujton kështu momentin e vetëvrasjes:

“Ishte kohë dreke dhe Pirro vjen në shtëpi i rrënuar krejt. Lexohej lehtë ankthi në fytyrë. Sapo futet në shtëpi, takon fëmijët dhe të vjehrrin, që atë ditë ndodhej në Fier dhe ka dalë nga kuzhina. Qëndroi vetëm pak minuta dhe i la thuajse të shtangur, të gjithë pjesëtarët e familjes. Shkoi në dhomë, nga ku më pas u dëgjua krisma. I pari që ka ardhur në apartament pas vrasjes, (me një automatik në dorë), ishte Kryetari i Degës së Brendshme të Fierit të asaj kohe.

Bllokoi derën e jashtme të hyrjes së Pirro Gushos, duke qëndruar vetë në rolin e rojës. Pas pak, vjen grupi hetimor dhe më pas marrin kufomën për ekspertizë. Drejtuesit e asaj kohe, kontaktuan me familjen, duke u thënë se Pirro Gusho, ishte vetëvrarë si armik dhe ju nuk duhet të merrni pjesë në varrimin e tij. Të detyruar nga një presion shumë i madh, familja, nuk u lejua që të merrte pjesë dhe në këto kushte, askush nuk e mori vesh, ku ndodhej varri i Pirros.

Pas dy ditësh, vjen internimi në një fshat të thellë të Roskovecit dhe ndodh edhe vrasja misterioze e djalit të madh të Pirro Gushos, në një fabrikë tullash, gjatë përgatitjes së dheut, me një minë që përdorej si lëndë e parë për tulla.

Pas viteve ’90-të, familja e Pirros, nuk rreshti kërkimet për të zbuluar varrin e tij. Falë dashamirësisë së një qytetari, i cili tregoi se, Pirro ishte varrosur në varrezat e rrugës që shkon për në Patos. Ishte e vështirë gjetja, pasi vendi ku ishte varrosur, ishte sheshuar dhe nuk dukej asnjë shenjë varri.

Më së fundi, pas shumë përpjekjesh, është gjetur vendi ku ishte varrosur në një arkivol primitiv, të bërë me ristela të holla druri dhe ishte vendosur aty lakuriq, vetëm me çorape. Ishte një skenë vërtet makabre. Më pas, familja i mori dhe eshtrat, duke kryer rivarrimin në Pogradec. Pas vetëvrasjes, asnjë gazetë e asaj kohe, nuk ka shkruajtur asgjë të nesërmen. Ajo ngjarje kaloi në heshtje. Për propagandën zyrtare të kohës, Pirro Gusho, u rendit së bashku me “armiqtë” dhe “sabotatorët e industrisë së naftës”.

Memorie.al

9 Komente

  1. P
    Perball Farmacise kishim Kopeshtin !

    Ishte nji Vile dy kateshe ( ne mos gaboj e Fisit Magjistari ) por qe si treginin Prinderit tane ja kishte mare Pushteti Popullor e shndruar ne Kopesht . Isha femij por ajo dit mu fiksua kur Gjyshja e alarmuar ,qe na merrte prej kopeshtit ,na mori per dore dhe dolem nha pjesa e pasme e Pallatit te Farmacise nr 1 _ nga ishin dhe hyrjet e Pallatit . E pam kur e trasportuan poshte ne Makine .Carcafi i bardhe qe e mbulonte ishte me gjak . _ Prindrit edhe me vone diskutonin ne shtepi ,se ishte vrare si rezultat e presionit te akuzave qe i benin Komunistet . Tregonin edhe se si Cift ishin mjaft simpatike Burre e Grua . Te gjate ,mjaft te pashem , qytetare mo , si Hollivudiane ,medje dhe shume inteligjent . Mipro te tille Burra ne Shqiperi ,nuk shikoheshin me sy te mire ,nga Xhuxhat e Fshatit qe ishin ber Komunista e kishin ardhur ne qytete . Fshataret shpirtMut si ndodh edhe sot ne Shqiperi luftoni tinzare ,shpifnin si kurva e cfar nuk benin me i heq qafe ata qe nuk i ngjanin atyre bajgaxhinjve xhuxha .Dhe ja punuan . Njerzit ,qytetaret e vertete Shqiptare ishin njerez me shume seder dhe nuk e duronin dot ate llapaqeneri te shpifur katundesh ,sepse ishin lindur Qytetare e Dinjiteti i tyre ishte shume fragil para injorances dhe tinzarit .

    1. i
      inxhinjeri

      Une nuk e di te plote ngjarjen, por duhet thene se ai u be kurban i Enver Hoxhes, sebashku me nje grup inxhinjeresh te talentuar qe u pushkatuan si sabotatore, kur ne fak, sabotimin e kishte bere vete krye maskarai Enver Hoxha, qe si "specialist" per gjithshka qe hiqej, kerkoi qe te shpohej aty ku asnje specialist nuk do kerkonte qe te kerkonte per te gjetur nafte. Per te mbulur kete fakt, u pushkatuan shume njerez te pafajshem, qe e dinin fatin e tyre qe kur u vendos qe te shpohej ne nje toke shterpe. Problemi ishte se kush do guxonte qe ti kundershtonte Enverit? Do e rrasnin ne burg dhe do e degdisnin ne boten tjeter si armik. Shkurt, ata te mjeret u bene viktima te profesioneve te tyre. Pirro Gusho e dinte se cfare e priste, prandaj beri vetevrasje.

    2. S
      Shefqet Çela

      Pa shumë komente, se nuk i di hollësitë, them se ka qënë njeri shumë i rrespektuar përsa kohë ishte në Pogradec pas çlirimit. QOFTË I PA HARRUAR!

      1. A
        Andi

        E kam detyre te them qe Pirro Gusho isnte nje njeri i kultivuar, i drejte, dhe trim. Fisi Magjistari mund te kete patur nje vile dy kateshe ne Fier, por Petraq Magjistari ka qene Sekretari i Pare i Rrethit Fier, dhe me pas ka ardhur Pirro Gusho, te pakten ne vitin 1966, sepse me ka dhene ne Janar te I967, flete e lavderimit si nxenesi me i mire i rrethit per klasen e pare. Pirroja ka qene i gjate, nje figure impozante, qe te impononte respekt. Per aq sa e kam njohur ka qene njeri i drejte, dhe njerezor. Pirroja ka qene sekretar i Enver Hoxhes, dhe dihet qe diktatori nuk pelqente ti bente hije njeri per sa i perket edhe anes fotozhenike. Mendoj se edhe per kete aresye, pervec anes tjeter te njohjes se dobesive te diktatorit , diktatori e menjanoi si sekretarin e tij, dhe mbajti ate nga Dibra i cili do te kete qene ndonje malum persa i perket formes njerezore duke i pare produktin qe ka nxjerre. Duke qene i njohur me metodat e diktatorit, e vleresoi qe nuk kishte shpetim, dhe vendosi qe mos t'i jepte kenaqesine diktatorit qe ta torturonte dhe poshteronte sic beri me te tjeret, por i dha fund vete jetes. Kjo kerkon trimeri. Diktatorit i mbeti dopjo gjashta ne dore dhe nga inati qe nuk kishte sec bente tjeter e varrosi pa njeri. Por ja qe ka njerez te mire dhe varri nuk i humbi. Proceset e montuara nuk vlejne per te provuar asgje pervecse shkerdhatllekun dhe poshtersine e nje diktatori funderrine nga cdo pikpamje njerezore, te cilin dhe babai i vete e njihte per zuzar.

        1. P
          Pilo Lala

          Te dhenat jane te sakta, ka vetem nje pasaktesi, ku thuhet qe shtepia e Piro Gushos ishte 50 metra nga Zyra. Distanca reale eshte rreth 800 metra.

          1. C
            Cen

            Kjo duket si historia e Mehmet Shehut, "vetevrasje" . Edhe djali I "vetvrare". Mbase I ka dhene nje dore ai kryetari I deges si Kadriu Mehmetit.

            1. L
              Loni

              O Cen, Mos mbill pabesi, Kadriu s'ka gisht fare në vrasjen e Mehmetit, më e pakta për karakterin e tij qe s'vriste prapa shpine, aq më shumë Mehmetin që ishin rreth miqesor, këto fjalë janë përhapur nga vrasesi i vërtetë që dihet kush është. Nejse, s'keni gabim Cen, shpifja ze vend tek të paditurit pa karakter

              1. Z
                Zalli

                Duhet të ketë qenë payriot, Nana Parti falte gjithcka vetem ketë jo. Momenti i permbysjes ne Europen Lindore duhet ta gjente Shqiperine coftine sikunder e gjeti

                1. M
                  Muhameti

                  Nuk e ka gabim o Pilo Lala se Komiteti i Partise te rrethit te Fieirit ne ate kohe ishte tek ndertesa qe me vone u be rezidenca ( shtepia ) ku rrinte Pali Miska.

                  Lini një Përgjigje