Golda Meir: Izraeli im (5) Lufta nuk kishte përfunduar ende dhe nuk guxonim të niseshim për në Palestinë

15 Tetor 2023, 16:29Dossier TEMA

Golda Meir: Izraeli im (5)  Lufta nuk kishte përfunduar ende dhe nuk

Me këtë ngjarje historike pas vetes, u martuam më 24 dhjetor 1917, në shtëpinë e prindërve të mi. Martesës sonë i parapriu grindja e gjatë dhe e njohur me nënë time. Ne dëshironim martesë moderne, pa mysafirë dhe pa bujë të madhe. Ishim socialistë, zaten tolerantë ndaj traditës, por assesi të lidhur me zakonet. Nuk na duhej dhe nuk dëshironim ceremoni fetare. Por, nëna më tha pa një pa dy se dasma moderne do të ishte vdekje për të. Më tha se menjëherë do të duhej ta braktisja Milvokin për shkak të turpit që do t’i bëja tërë familjes, e të mos flasim për popullin hebraik. Kështu, edhe Morrisi e edhe unë lëshuam pe. I ftuam disa njerëz, ndërkaq nëna përgatiti ushqim. Na kurorëzoi rabini Schonfeld, një nga eruditët e vërtetë hebraikë në Milvoki. Nëna, deri në vdekje, me krenari thoshte se në shtëpinë tonë ka ardhur rabini Schonfeld. Shpesh kam menduar se sa e rëndësishme ishte kjo ditë për nënën time dhe se si kam mundur që për pak t’ia prish këtë ditë ngase dëshiroj të lidh kurorë te ofiqari.

Sërishmi për mua filloi një jetë e re. Pinski, Milvoki dhe Denveri ishin vetëm stacione. Tash isha gati njëzet vjeçe, grua e martuar dhe në rrugë për në vendin e vetëm që për mua kishte vërtet forcë tërheqëse magjike. Por, meqë lufta nuk kishte përfunduar ende, ne nuk guxonim të niseshim për në Palestinë. Në shtëpinë e prindërve të mi nuk kishte vend për ne dhe, meqë nuk dëshironim të banonim te askush tjetër, kaluam në banesën tonë në të cilën qëndruam disa vite. Ato vite kam udhëtuar shumë në të mirë të punëtorëve-sionistë dhe më duket se aq kohë sa kaloja në Milvoki, aq edhe isha jashtë Milvokit. Më kërkonin për shumë arsye: isha e re, flisja mirë anglisht dhe judisht dhe isha e gatshme të shkoja gjithkund dhe të mbaja fjalim pas kurrfarë përgatitjesh.

Për shembull, disa muaj pas martesës sonë, partia vendosi të botojë gazetë nacionale dhe më luti të ndihmoj në shitjen e aksioneve. Babai sa nuk u çmend. – Kush e lë burrin e ri dhe del në rrugë?! – bërtiti, duke kundërshtuar gatishmërinë time të largohem nga Milvoki më gjatë se një a dy ditë. Por, Morrisi kuptoi se për lëvizjen nuk mund të them “jo”, dhe shkova. Jashtë Milvokit qëndrova shumë javë. Fitoja 15 dollarë në javë dhe më mbuloheshin shpenzimet. Askush nga njerëzit e partisë në atë kohë nuk flente në hotel. Gjithmonë kalonim natën te anëtari tjetër i partisë.

 

Kur më zunë në Kanada pa dokumente, menduan se kapën ndonjë agjente bolshevike

 

Arrita deri te kufiri me Kanadanë, por doli se nuk kam pasaportë. Morrisi ende nuk ishte qytetar amerikan, ndërsa gratë e martuara sokohe nuk mund të kërkonin nënshtetësi vetëm për vete. Do të më ndihmonte pasaporta e babait tim, por ai ende ishte i hidhëruar me mua, prandaj refuzoi të ma dëgojë pasaportën e vet. Kështu, pra, provova ta kaloj kufirin me Kanadanë pa dokument udhëtimi. Kur arritëm në Montreal, më nxorën nga treni, më dërguan në zyrën për emigrantë ku më pyetën njerëzishëm, por në mënyrë energjike, se çfarë kam menduar në të vërtetë me këtë akt. Unë po shkoja aty nga qyteti socialist Milvoki dhe, pos kësaj, isha e lindur në Rusi! Autoritetet kanadeze menduan mbase të kenë kapur ndonjë agjente bolshevike. Por, menjëherë më doli në ndihmë një punëtor-sionist i njohur dhe fitova të drejtën të qëndroj në Kanada.

Shita shumë aksione të gazetës që quhej “Koha”. Kur u kthyem në Nju-Jork, në mbrëmje e shisja gazetën në rrugë por, përkundër kësaj, kjo gazete nuk pati jetë të gjatë.

Mungesa ime e shpeshtë në shtëpi, për Morrisin ishte sigurisht e rëndë, por ai u tregua shumë tolerant dhe plot mirëkuptim. Sot e shoh se e kam keqpërdorur tolerancën e tij.

Në dimër të vitit 1918 u mbajt kongresi i parë i American Jewish Congress në Filadelfia. Qëllimi kryesor i këtij tubimi ishte formulimi i programit për mbrojtjen e të drejtave qytetare të hebrenjve në Evropë, program ky të cilin duhej dorëzuar në Konferencën paqësore të Versajës. Ishte befasi e madhe për mua kur më zgjodhën për një nga deputetët nga Milvoki. Kjo ishte përvojë e madhe për mua. Isha e lumtur që më kishin zgjedhur të përfaqësoj bashkësinë time. Si rëndom, isha më e reja në bashkësi. Isha e përkëdhelur nga të gjithë. Por, natyrisht, mora shumë detyra. Kur më pyesin gazetarët se ku ka nisur rrugëtimi im politik, gjithherë më kujtohet ai kongres, salla e një hoteli në Filadelfia ku rrija me orë të tëra dhe ku analizoja në qetësi pikat e caktuara të programit. Debatet ma zgjonin kureshtjen aq sa edhe fakti se kisha të drejtë vote. “Në momente të caktuara kam përjetuar kulminacionin e shqetësimeve sa që kam mundur të vdes nga lumturia” – i pata shkruar me pasion Morrisit.

 

Nxorëm biletat për anijen që çonte në Palestinë

 

Shejna më shkruante letër nga Çikagoja në të cilën ma tërhiqte vërejtjen që të mos lëshohem shumë në politikë dhe që për politikën të mos e lë në harresë jetën time private. Mirëpo, unë isha e bindur se mund t’ia dilja me të gjithat. I premtova Morrisit që, sapo të gjendemi njëherë në Palestinë, më nuk do të jem gjithnjë rrugëve.

Në dimër të vitit 1920 dukej se së shpejti do të niseshim për në rrugë. Morëm një banesë në Morningside Heights në Nju-Jork dhe bëheshim gati për udhë. Regina, një çift kanadez Manson dhe Jossel Kopelov erdhën të banojnë në banesën tonë. Në pranverën e hershme blemë biletat për anijen “Pocahontas”. Gjërat tona të imëta, që na dukeshin të papërshtatshme për jetën tonë të planifikuar pioniere, i falëm ose i shitëm. Përkundër të gjithave që kishim dëgjuar dhe lexuar për Palestinën, paragjykimet tona për jetën e atjeshme ishin paksa primitive; mendonim se do të jetonim në tenda. E vetmja gjë që vendosim të marrim me veti ishte gramafoni dhe pllakat e gramafonit. Gramafoni duhej të kurdisej me dorë, prandaj mund të bënte muzikë edhe në tendë. Pos kësaj, sigurova për ne edhe shumë batanie. Flenim në dysheme, për t’u përgatitur për atë që na priste.

Pastaj ndodhi ndarja e madhe. U nisëm për në Milvoki të përshëndetemi me prindërit dhe me Clarën (motra ime). U ndalëm në Çikago të falemi nga Shejna dhe Shamaji. Ngapak i frikësohesha këtij takimi, ngase e dija se Shejna nuk është pajtuar me shkuarjen tonë në Palestinë. Me ta dhe me fëmijët e tyre, Juditën dhjetëvjeçare dhe Haimin trevjeçar, po rrinim në dhomën e vogël të ditës. I informuam për anijen dhe për përgatitjet tona për udhë. Shejna dëgjonte me aq kujdes derisa Shamaj i tha si në shaka: - Mos po dëshiron të shkosh edhe ti? Për befasinë time, ajo u përgjigj: - Po, dëshiroj! Në fillim menduam se po bën shaka, por ajo e tha këtë shumë seriozisht. Nëse ne mendojmë se është e obligueshme të shkojmë atje, atëherë kjo vlen edhe për të. Nëse Shamaj do të mbetej për të fituar para pa të cilat nuk do të mund të jetonte në Palestinë, atëherë ajo do t’i merrte edhe fëmijët.

 

Si përfundoi kapitulli i jetës sime amerikane?

 

Shejna ishte sioniste nga ditët e hershme të rinisë. Edhe pse në njëfarë mënyre ajo ishte më e kujdesshme se unë, në shpirt ndjente obligim ndaj çështjes së njëjtë, sikur unë. Nuk e di çka e provokoi vendimin e saj. Por, është e sigurt se as Morrisi e as Shejna nuk u nisën me mua për në Palestinë vetëm për të më bërë përcjellje. Që të dy konsideronin se i takojnë Palestinës.

Shamaj nuk u përpoq t’ia thyejë mendjen Shejnës. Vetëm e luti sinqerisht që të presë edhe pak në mënyrë që të nisen të gjithë bashkërisht. I tha se tash nuk është momenti i volitshëm, ngase më 1 maj 1921, pas disa sulmesh mbi vendbanimet hebraike, në veri të vendit kishin ndodhur sulme të mëdha arabe. Ishin vrarë dhe ishin plagosur rëndë mbi dyzet veta, ndër ta shumë emigrantë. Një vit para kësaj, në pjesën e qytetit të vjetër të Jerusalemit, bandat arabe kishin vrarë hebrenj. Njerëzit, zaten, kishin menduar se administrimi civil britanik (i cili kishte zëvendësuar administrimin ushtarak) do të ndërmerrte masa të rrepta kundër personave përgjegjës me qëllim që të rikthente paqen, por sërishmi kishin ndodhur konflikte. Pas disa vitesh, sipas mendimit të Shamajit, në Palestinë sigurisht do të mbizotëronte paqja, ngase nacionalistëve arabë nuk do t’u shkojë ndoresh që fshatarët t’i nxisin në gjakderdhje. Palestina do të shndërrohet në vend realitivisht të sigurt, në të cilin mund të jetohet, thoshte Shamaj. Por, Shejna nuk e kishte ndërmend të hiqte dorë nga vendimi i saj. Nuk u mëdysh as kur mori vesh lajmin se në sulme është vrarë edhe një hebre nga Milvoki. Ajo edhe më tej bënte gati valixhet dhe përgatitej për rrugë.

Në Milvoki u përshëndetëm me prindërit dhe me Clarën. Kjo nuk ishte punë e lehtë. Ç‘është e vërteta, llogarisnim në atë se edhe ata do të vijnë më vonë, kur Clara t’i mbarojë studimet në universitetin e Uiskonsinit. Përkundër kësaj, m’u dhimbsën prindërit, sidomos babai, kur në stacionin e trenit u thamë lamtumirë dhe i puthëm. Babai, një njeri i fortë, i mësuar me dhimbje, atë mëngjes nuk arriti t’i fsheh lotët. Nëna, e cila sigurisht mendonte në rrugëtimin e saj të gjatë përtej oqeanit, më dukej e vogël dhe e ngratë.

Kapitulli i jetës sime amerikane këtu mori fund.

Për udhëtimin tonë me anijen “Pocahontas” mund të shkruhej një libër. Qysh në nisje, udhëtimi ishte i kobshëm. Na shpëtoi vetëm çudia e zotit! Meqë anija ishte e papërshtatshme për udhëtim nëpër det, ekuipazhi kishte bërë grevë qysh para lundrimit. Ditën tjetër, më 23 maj 1921, u shkëputëm nga bregu, por nuk shkuam larg, jo. Sapo u nisëm, pas riparimeve, ekuipazhi u rebelua dhe tërë mllefin e vet e zbrazi mbi udhëtarët e varfër. Marinarët përzien ujët e detit me ujin tonë për pije dhe na e kriposën ushqimin.

4 Komente

  1. T
    Teo

    Kjomkish passport Palestines Der NE krijimin e shtetit zionist. Zionismi eshte rryme politike vrastate e krijuar NGA britani e amerika. Dhe vet cifutet i urrejne zionistet. Pastaj izraeli I njohir si shtet esht vec 10 perqind I asaj cka asht sot. Pjesa tjeter eshte grabit Palestines me dhune,vrasje e perdhunime. Prandaj se kuptoj kete idiotizem te ca shqiptareve qe flasim pro izraelit. Hipokrizia e amerikes e Europes ska fund,dhe kete hipokrizi e.perdorin dhe.kundrejt nesh. Bejne sikur na duan po keta qe na kane copetuar qe NGA 1871.

    Përgjigjjuni
    1. I
      Illo

      Palestinezet duan krijimin e shtetit te tyre, por shtetin e Kosoves, gjuhen e te cilit ti flet, e quajne pjelle te ShBA. Kjo eshte arsyeja, qe ne jemi me Izraelin, sa kohe qe ata jane popull i vuajtur si ne, qe nuk na duan fqinjet, more vesh ti me emer grek Theo, por me mentalitet mesjetar arab. Ty te ka coptuar jo Europa, por vetja, Europa ka gjet shesh e ka bere pershesh.

      Përgjigjjuni
      1. M
        Moni

        Hebrenjte kane qene autokton te atyre tokave derisa 80% e popullsise u shperngul me force nga romaket. Jeruzalmi praktikisht u shkaterrua dhe mbeti vetem Muri i Loteve, qe sot vazhdon te jete molle sherri. Keshtu ndodhi si u boshatis Izraeli dhe u perhapen hebrenjt neper Europe. Pjesa tjeter eshte histori. Nuk e gjen dot kush ka te drejte. Por dallimi mes emancipimit hebre dhe prapambetjes arabe ne pergjithesi nuk do krahasim. Ti mbeshtet cilen pale te duash, por kur nje vend qe vuan per buken e gojes vendos te sulmoje tjetrin e fuqishem, te pergatitet per pasojat. Tr pakten ata kamikazet te kishin pasur kellqe dhe te luftonin me ushtare. Trimeri e madhe te vrasesh foshnje dhe pleq! Cfare mbjell, do korresh.

        Përgjigjjuni
      2. A
        ABC

        Golda Meir, Margaret Thatcher,Indira Ghandi. Gra te forta qe i dhane forme shekullit XX.

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje