
Kur unë e Morrisi filluam të njihemi më mirë, nisëm të shkojmë shpesh bashkë në koncerte publike në park. Morrisi m’i mësoi gjërat më të rëndësishme të muzikës klasike. Ma lexonte me zë Byronin, Shelleyn, Keatsin dhe “Rubairat” e Omar Hajjamit dhe më merrte me veti në ligjërata të letërsisë, të historisë dhe të filozofisë. Disa vepra të caktuara muzikore edhe sot më lidhin me ajrin e pastër e të thatë malor të Denverit dhe me parkun e mrekullueshëm nëpër të cilin shëtisnim unë e Morrisi çdo të diele, në pranverë të vitit 1913.
Morrisit ia kisha lakminë më shumë se çdo njeriu, pos Shejnës, jo vetëm për shkak të njohurive të tij të gjera por edhe për shkak të butësisë së tij, për shkak të inteligjencës së tij dhe për shkak të humorit të tij të çuditshëm. Ai ishte më i vjetër se unë vetëm pesë a gjashtë vjet, por më bëhej se është shumë i pjekur, më i qetë dhe më stabil. U dashurova në të, në fillim pa e ditur këtë fakt. Nuk munda të mos vërej se edhe ai më do mua, ndonëse shumë kohë as që kemi folur për ndjenjat tona.
Shtëpia jonë u bë njëlloj institucioni i bashkësisë hebraike në Milvoki
Edhe Shejnës i pëlqente shumë Morrisi. Ajo qe pajtuar me faktin që të takohemi aq shpesh.
Me gjashtëmbëdhjetë vjet njeriu mund t’ia dalë në fund gati pa asgjë, bile edhe gjumi është i panevojshëm. Isha e kënaqur me rrethanat e mia jetësore dhe për më tepër, të jem e sinqertë, isha e kënaqur me vetveten. Vetëm se ende nuk kisha gjetur vend ku do të mund të jetoja. Gjithashtu, vetë konkludova se High School duhet të presë. Për mua ishte më e rëndësishme të mësoj, të përgatitem vetë për jetë, se sa të kryeja shkollën për të cilën aq shumë vuaja.
Gjatë gjithë kohës e kam ndier veten të rritur. Ashtu edhe dukesha.
Gjatë Luftës së Parë Botërore, nëna e kishte shndërruar shtëpinë tonë në strehimore ndihmëse për djelmoshat që ishin lajmëruar vullnetarisht në Legjionin hebraik dhe të cilët, nën flamurin hebraik, në kuadër të armatës britanike, luftonin që Palestina të çlirohej nga turqit.
Edhe babai im, gjithashtu, interesohej shumë për jetën e hebrenjve në qytet. Shumica e njerëzve që ato vite kalonin natën në shtëpinë tonë ishin sionistë (i quanin “Punëtorët-sionistë”) nga Evropa Lindore, pastaj shkrimtarë hebraikë që ndodheshin nëpër turne të ndryshme ose anëtarë të jashtëm të B’ndi B’rith, vëllazërisë hebraike të cilës i takonte edhe babai im.
Prindërit iu përshtatën plotësisht mjedisit amerikan. Shtëpia e tyre u bë njëlloj institucioni i bashkësisë hebraike në Milvoki, por edhe e vizitorëve të kësaj bashkësie. Shumë njerëz që njoha asokohe, ose që i dëgjova duke folur publikisht, ndikuan shumë në jetën time, por edhe më shumë në lëvizjen sioniste, para së gjithash në Punëtorët-sionistë. Disa nga ata u bënë, më vonë, themelues të shtetit hebraik.
Syrkini dhe Shmarja
Nga njerëzit që më lanë më së shumti përshtypje në Milvoki, ishin hebrenjtë si Nahman Syrkin, njëri nga ideologët më të zjarrtë të “Punëtorëve-sionistë”. Syrkini, një hebre rus, i cili studioi filozofinë dhe psikologjinë në Berlin, u kthye në Rusi pas revolucionit të vitit 1905, e pastaj emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u bë udhëheqës i Poalei-Cion. Besonte se e vetmja shpresë e proletariatit hebraik (të cilin e quante “robërit e robërve” ose “proletariati i proletariatit”) ishte vendosja masovike në Palestinë. Lidhur me këtë temë ai shkroi dhe foli në mënyrë brilante në Evropë dhe në SHBA.
Motra e Syrkinit, Marie, ishte mike e madhe imja dhe, më vonë, biografe imja. Ende më kujtohet një bisedë mes Syrkinit dhe dr. Haim Shitlowskit, mbrojtësit të njohur të hebraishtes me të cilën shërbeheshin hebrenjtë në disa vende (jüdisch, e që paraqiste një kombinim të elementeve gjuhësore të gjermanishtes së vjetër, të sllavishtes dhe të hebraishtes), si gjuhë nacionale hebraike, i cili në radhë të parë interesohej për aspektin civil të problemit hebraik. Për dallim nga ai, Syrkini ishte sionist i flaktë dhe ithtar i ripërtëritjes së hebraishtes. Gjatë bisedës, Syrkini i tha Shatlowskit: - Hajde të merremi vesh e t’i ndajmë të gjitha: ju merrni të gjitha ato që ekzistojnë, unë po i marr të gjitha ato që nuk ekzistojnë ende! Për shembull: shteti i Izraelit, si shtet i hebrenjve, nuk ekziston ende, pra më takon mua; diaspora ekziston, pra të takon ty; gjuha e vjetër hebraike (jüdisch) ekziston, pra të takon ty; hebraishtja ende nuk përdoret në jetën e përditshme, pra më takon mua. Çka ekziston realisht dhe objektivisht – të takon ty, ndërsa të gjitha ato që ti i quan ëndrra të kota – më takojnë mua!
I dyti ndër ata njerëz ishte Shmarja (emri i tij i plotë ishte Shmarjahu) Levini. Pa dyshim, ai ishte një nga oratorët më të mëdhenj sionistë në atë kohë. Shakatë dhe sharmi i tij i bënë për vete mijëra hebrenj anekënd botës. Njësoj si Syrkini, ai sot radhitet në personalitetet e panjohura të sionizmit. Shumica e të rinjve izraelitë e njohin vetëm në bazë të asaj se qoftë edhe në qytetin më të vogël të Izraelit një rrugë mban emrin e tij. Ndërkaq, për brezin tim ai ishte një nga kolosët e lëvizjes. Nëse unë dhe miqtë e mi adhuronim dikë, atëherë ai ishte pedanti, fjalamani dhe intelektuali i madh Shmarja. Humorin e kishte tipik në judishte, prandaj edhe ishte vështirë të përkthehej në gjuhë të tjera. Për shembull, e kishte zakon si në shaka të thoshte për hebrenjtë: Sigurisht, ne jemi popull i vogël, por jemi popull me të cilën është vështirë t’i qërosh hesapet. Gjithashtu, me shaka, e përshkruante Izraelin si vend të mrekullueshëm, ngase dimri mund të kalohet në Egjipt (ku rrallë bie shi), ndërsa vera në kodra të Libanit.
Desha të shkoj vullnetarisht në Legjionin hebraik
Gjatë mbajtjes së Kongresit të sionistëve në Zvicër, me një rast, m’u ofrua dhe më tha: - Golda, kam një moral të mrekullueshëm për tregim. E gjithë ajo që më duhet është vetë tregimi.
Më 1924, Shmarja u vendos në Palestinë. Udhët shpesh na kryqëzoheshin. Më 1929, duhej të flisja për herë të parë në një tubim të madh në Çikago. Shih befasinë, në rendin e parë a të dytë ishte ulur Shmarja. Allahile, mendova, si t’ia nis nëse Shmarja është këtu? Por, e kreva fjalimin dhe isha shumë e lumtur kur, pas kësaj, më tha se kisha folur mirë.
Palestinezët e parë që njoha ishin Jichak Ben Cvi, i cili më vonë do të bëhet kryetari i dytë i Izraelit, Ja’kov Serubavel, sionist socialist dhe letrar i njohur, si dhe David Ben Gurion. Ben Cvi dhe Ben Gurion erdhën në Milvoki, më 1916, të gjejnë ushtarë për Legjionin hebraik. Pak para kësaj, truqit i kishin dëbuar nga Palestina me urdhër që atje të mos kthenin kurrë më. Serubaveli kishte arritur të ikte nga burgu, por turqit e kishin dënuar në mungesë me pesëmbëdhjetë vjet burg.
Kurrë nuk kam takuar deri më sot njerëz të tillë, çfarë ishin këta dy palestinezë. Ishin të reja rrëfimet që m’i tregonin për Jishuvin, një bashkësi e vogël hebraike në Palestinë, numri i banorëve i të cilës bashkësi ishte zvogëluar nga 85.000 në 56.000, që është dëshmi për ato që hoqën tmerrësisht hebrenjtë nën regjimin tiranik turk. Jeta normale në vend praktikisht kishte pushuar së ekzistuari. Tmerrësisht kishin frikë për fatin e hebrenjve të Palestinës. Ata ishin të bindur se kërkesa e hebrenjve për shtetin e Izraelit do të mund të shtrohej pas luftës vetëm nëse hebrenjtë do të luanin rol të dukshëm dhe të rëndësishëm në luftë. Nën ndikimin e tyre, desha të lajmërohem vullnetarisht në Legjionin hebraik. Dhe, isha shumë e prekur kur kuptova se femrat nuk i pranojnë aty.
Më e rëndësishmja ishte shpresa mbi fitoren aleate kundër turqve
Njohuritë e mia për Palestinën, në atë kohë, ishin vetëm teorike. Por, këta palestinezë na njoftuan, jo me vizionet a me teoritë e sionizmit, por me realitetin e tyre. Na treguan për mbi pesëdhjetë vendbanime bujqësore hebraike, të cilat tashmë ishin themeluar. Flisnin me burrje për Deganinë e Gordonit. Në atë vend nuk kishin banuar trimat dhe trimëreshat nga legjendat, por aty banonin njerëzit nga mishi e gjaku. Na treguan edhe për Tel-Avivin, i cili ishte themeluar kohë më parë në një kodrinë rëre jashtë Jafas. Na folën edhe për Hashomerin, një organizatë vetëmbrojtëse hebraike, në të cilën vepronin Ben Cvi dhe Ben Gurion. Mirëpo, më e rëndësishmja ishte shpresa mbi fitoren aleate kundër turqve.
Në Palestinë të gjithë bashkëpunonin ngusht mes veti. Ben Cvi shpesh përmendte anëtarin e katërt të grupit të tyre, Rachel Janait, e cila më vonë do të bëhet gruaja e tij.
Isha e fascinuar me ato që tregonin këta palestinezë. Por, kaluan muaj të tërë derisa mora guximin t’u afrohem. Me Ben Cviun dhe me Serubavelin ishte më lehtë të bisedosh se sa me Ben Gurionin; më dukeshin më pak dogmatikë dhe më të shoqërueshëm. Ben Cvi shumë herë erdhi në Milvoki – edhe në shtëpinë e prindërve të mi. Këndonte bashkë me ne këngë popullore hebraike dhe pa përtesë përgjigjej në të gjitha pyetjet tona për Palestinën. Ndërsa, kur u njoha me Ben Gurionin, edhe një kohë të gjatë kisha frikë kur ndodhesha para tij. Ishte një nga njerëzit më të paarritshëm që kam takuar ndonjëherë.
Sionizmi dalngadalë po dominonte në jetën time. Isha shumë e bindur se unë, si hebraike, e kam vendin në Palestinë. Si sioniste socialiste do të mund të jepja kontributin tim në Jishuv që të arrihej qëllimi i barazisë shoqërore e ekonomike. Por, ende nuk kishte ardhur koha të jetoja atje. Ndonëse, nuk dëshiroja që në asnjë mënyrë të jem sioniste sallonesh, e cila vetëm bind të tjerët se duhet të shkojnë e të vendosen në Palestinë. Prandaj, pata refuzuar të bëhem anëtare e Partisë së Punëtorëve-sionistë, para se të merrja vendimin përfundimtar.
Ndërkohë, jetën time e plotësonin shkolla dhe Morrisi. Letërkëmbenim rregullisht derisa ende ishte në Denver.
Lini një Përgjigje