Golda Meir: Izraeli im. Kujtimet e kryeministres se hekurt të Izrealit

11 Tetor 2023, 16:14Dossier TEMA

Golda Meir: Izraeli im. Kujtimet e kryeministres se hekurt të Izrealit

Gazeta Tema fillon sot botimin e një sër shkrimesh nxjerr nga libri i kryeministres së hekurt të Izraelit Golda Meir, “Izraeli im”.  
Libri është një shpejgim i historisë se Izraelit dhe konfliktit historik me Palestinën, shkruar nga një prej aktoreve më të rëndësishme të kësaj bashkëjetese shpeshe herë të përgjakshme. 

 

Nuk më kujtohet shumë ajo fëmijëria ime e hershme në Rusi, ato tetë vjetët e mia të para, por mendoj se edhe ato pak vjet janë të rëndësishme për atë që sot quhen vite të formësimit në jetën e një njeriu. Prandaj, është tragjike që kam shumë pak kujtime të mira a të lumtura nga ajo kohë.

Çka është sionizmi?

Shumë është shkruar deri më sot për lëvizjen sioniste, ndërsa në të ardhmen sigurisht se do të shkruhet edhe më shumë. Ndërkohë, shumica e njerëzve së paku mund ta paramendojnë se çka është sionizmi. Ata e dinë se këtu është fjala për kthimin e popullit hebraik në vendin e paraardhësve të tyre – në shtetin e Izraelit, siç quhet ai në hebraishte. Por, edhe sot, gjithkush nuk e ka të qartë faktin se kjo lëvizje e rëndësishme lindi spontanisht dhe, pak apo shumë, njëkohësisht në pjesë të ndryshme të Evropës nga fundi i shekullit XIX. Kjo i gjasonte dramës që njëkohësisht shfaqej në teatro të ndryshme në gjuhë të ndryshme. Tema e saj: i ashtuquajturi problem i hebrenjve, i cili është në fakt problem i të krishterëve, ishte pasojë e humbjes së atdheut nga hebrenjtë. Problemi nuk mund të zgjidhej aq gjatë, derisa hebrenjtë të mos fitonin sërishmi atdheun e tyre. Natyrisht se ai vend mund të ishte vetëm Sioni (në hebraishte Zijjon, kështjellë në Jerusalemin e vjetër), vend ky nga i cili qenë dëbuar hebrenjtë gati para dy mijë vjetësh. Sioni ishte gjithmonë seli shpirtërore e hebraizmit. Derisa isha vajzë në Pinsk, deri në përfundimin e Luftës së Parë Botërore, Sioni ishte sall një krahinë e shkretë dhe e prapambetur e Mbretërisë otomane, e quajtur Palestinë.

Hebrenjtë e parë që u kthyen në Sion, arritën atje tek më 1878. Ata formuan fshatin pionier, të cilin e quajtën Petah Tikvah (Dyert e shpresës). Deri më 1882, në Sion arritën disa bashkësi të vogla sionistësh nga Rusia, të cilët u quajtën Hovevei Zion (Miqtë e Sionit). Ata ishin të vendosur të gjenin tokë për veti, ta popullonin dhe ta mbronin atë. Theodor Herzl, më vonë themelues i organizatës botërore sioniste dhe baba i vërtetë i shtetit të quajtur Izrael, më 1882 ende nuk dinte gjë për fatin e hebrenjve në Evropën Lindore dhe për ekzistimin e bashkësisë Hovevei Zion. Një korrespondent shumë i suksesshëm dhe shumë i arsimuar nga Parisi për “Neuen Freien Presse” të Vjenës, Herzli filloi të interesohet për problemet e hebrenjve tek më 1894, kur iu dha detyrë të raportojë nga procesi gjyqësor kundër kapitenit Dreyfus. Herzli u tmerrua nga padrejtësia që iu bë këtij oficeri hebre, por u tmerrua edhe nga antisemitizmi i ushtrisë franceze. Ai fitoi bindjen se ekziston vetëm një zgjidhje e përhershme e problemit të hebrenjve. Sukseset dhe mossukseset e tij – e tërë historia e çuditshme e përpjekjeve të tij për të themeluar shtetin hebraik – përbëjnë gjithë atë që të gjithë fëmijët izraelitë mësojnë në shkollë. Dhe, gjithkush që dëshiron të kuptojë se çka është sionizmi, duhet ta mësojë atë histori.

Në jetë asgjë nuk vjen vetvetiu

Ithtarët e Poalei-Cion (Punëtorët-sionistë), siç ishte Shejna (motra ime), e shikonin ndryshe këtë problem. Mendonin se i ashtuquajturi problem i hebrenjve ka burime të tjera, prandaj mendonin se ai duhet të zgjidhet në mënyrë më radikale se sa eliminimi i padrejtësive ekonomike dhe i pabarazive shoqërore. Ata ishin ithtarë të ideve të përbashkëta sociale, por në krye të tyre vendosnin idealin nacional. Luftuan për bashkimin e popullit hebraik dhe për pavarësinë hebraike. Për dallim nga këta, anëtarët e Bunda (mendonin se me ndryshimin e strukturës ekonomike dhe shoqërore do të zhduket tërësisht antisemitizmi) u treguan kundërshtarët më të mëdhenj të sionizmit. Të dy këto lëvizje ishin të fshehta dhe ilegale. Bisedat që bënte Shejna dhe miqtë e tij, sa herë që takoheshin në shtëpinë tonë, kryesisht kishin të bënin me konfliktet mes këtyre dy bashkësive hebraike.

Në ulësen time afër stufës kam mësuar bile një leksion shumë të rëndësishëm jopolitik: në jetë asgjë nuk vjen vetvetiu. Nuk mjafton vetëm të besosh në diçka; duhet të kesh forcë t’i tejkalosh pengesat dhe të luftosh.

Kur mbusha gjashtë ose shtatë vjet, fillova ta kuptoj filozofinë mbi të cilën bazohej gjithë puna e Shejnës. Është vetëm një udhë nëse dëshiron të bësh diç - udha e drejtë. Shejna, me pesëmbëdhjetë vjetët e veta, ishte personalitet i pjekur plotësisht – një vajzë që jeton në harmoni me parimet më të larta. Për të arritur këtë, për të nuk kishte çmim. Ishte e ashpër ndaj vetvetes, por edhe ndaj të tjerëve. Për më tepër, kur ne të dyja jetuam një kohë të gjatë në Palestinë, gjegjësisht në Izrael, dhe kur mund t’i lejonte vetvetes disa gjëra që jetën e bëjnë më të mirë, ajo hiqte dorë nga to. Konsideronte se ato paraqesin standard jetësor, i cili ishte tepër i lartë për vendin. Por, edhe në vitet e gjashtëdhjeta të jetës, kur ishte vjetëruar dhe ishte e sëmurë, i vetmi luks i saj ishte frigoriferi, asgjë më shumë. Nuk kishte as shporet elektrik; gjithë jetën gatoi në shporetin me gas natyror.

Frika e nënës për Shejnën, për Zipkën dhe për mua u bë e padurueshme. I shkruante letra pikëlluese babait tim lidhur me atë se është e pamundshme të rrimë më gjatë në Pinsk dhe se duhej të shkonim tek ai, në Amerikë.

Rruga për në Amerikë ishte e ngjashme me rrugën për në Hënë
 

Ngjashëm me shumë gjëra të tjera në jetë, kjo ishte më lehtë të thuhej se sa të bëhej. Babai im, duke u transferuar ndërkohë nga Nju-Jorku në Milvoki, fitonte aq vetëm sa të mbijetonte. Na pat shkruar se do të punësohet në hekurudhë dhe se atje do të fitojë mjaft para për biletat tona të udhëtimit.

Rruga për në Amerikë, asokohe, ishte e ngjashme me rrugën për në Hënë.

Nuk më kujtohen shumë detaje nga udhëtimi ynë për në Milvoki, më 1906. Pjesa dërrmuese e asaj që më kujtohet ka të bëjë me ato që m’i patën rrëfyer nëna dhe Shejna.

Kufirin drejt Galicias na u desh ta kalonim fshetazi, ngase babai im tri vjet para kësaj e kishte ndihmuar një mik të vetin për të kaluar në Amerikë, me ç‘rast gruan dhe fëmijët e atij njeriu i kishte bartur në dokumentet e veta të udhëtimit, si anëtarë të familjes së vet. Prandaj, në duhej të paraqiteshim si përsona të tjerë.

Udhëtimi katërmbëdhjetë ditësh me vapor nuk ishte fort i këndshëm. Bashkë edhe me katër vetë të tjerë, të futur në një kabinë të errët dhe të ngushtë, kalonim netët në shtretërit e fortë. Gjysmë dite prisnim në radhë për ushqim, të cilin na e gjuanin si kafshëve. Nëna, Shejna dhe Zipka frikësoheshin gjatë tërë kohës nga të zënët e detit, sëmundje kjo nga udhëtimi i gjatë me vapor, ndërsa unë e ndjeja veten mirë. Ende më kujtohet se si e shikoja detin me orë të tëra dhe e pyesja veten: a thua, si do të jetë në Milvoki? Vapori ishte plot me emigrantë nga Rusia, të cilët, sikur edhe ne, dukeshin gjithashtu të verdhë, të rraskapitur nga lodhja dhe të frikësuar. Nganjëherë luaja me ndonjë fëmijë, të cilët gjithashtu udhëtonin në atë mesguvertë të anijes. I flisnim njëra-tjetrës për pasuritë e paanshme që na presin në “tokën e artë”. Por, sipas të gjitha gjasëve, edhe fëmijët e tjerë e kishin të qartë se po udhëtonim për në vendin për të cilin nuk dinim gjë prej gjëje dhe për në vendin i cili është krejtësisht i huaji për ne.

Golda Meir: Izraeli im. Kujtimet e kryeministres se hekurt të Izrealit

Në Amerikë u ndala në rrugë dhe e pyeta veten: kush jam dhe ku jam?

Babai na priti në Milvoki. Dukej krejt tjetërfare: pa mjekër, me pamje të amerikanit, i huaj. Ende nuk kishte arritur të gjente banesë për ne. U vendosëm përkohësisht – jo fort të lumtur – në dhomën e tij të vetme, në shtëpinë e një familjeje të sapoardhur të hebrenjve polakë. Më la përshtypje shumë të madhe vetëm ajo pjesë e vogël e Milvokit, të cilën e pashë ditët e para: ushqime të pazakonshme, zëra të panjohur për mua të gjuhëve të huaja dhe babai im gati se i harruar, ai që tash kishte ndryshuar – e gjithë kjo brenda meje shkaktoi aq ndjenjë të madhe të jorealitetit, sa që u ndala në rrugë dhe e pyeta veten: kush jam dhe ku jam?

Po supozoj se as babai im nuk e kishte aq lehtë që, pas aq kohësh, të ishte sërishmi bashkë me familjen e vet.

Nisa të shkoj në shkollë në Fourth Street. Më vinte keq se gati çdo ditë vonohesha në mësim. Shpesh qaja gjatë tërë rrugës deri në shkollë.

Pas më shumë se pesëdhjetë vjetësh – isha 71 vjeçe dhe isha kryeministreshë e Izraelit – vizitova, për disa orë, shkollën time të vjetër. Nuk kishte ndryshuar shumë për një kohë aq të gjatë. I vetmi ndryshim ishte ai se shumicën dërrmuese të nxënësve tash e përbënin zezakët, e jo hebrenjtë sikur më 1906. Të gjithë më dëshiruan mirëseardhje, sikur të isha mbretëreshë. Secila klasë ishte e stolisur me pllakate izraelite dhe me transparente ku shkruante “Shalom” (disa fëmijë mendonin se ky është emri im).

Kur isha në klasën e katërt, ndodhi diç e rëndësishme (për mua). Për herë të parë u bëra “publikisht aktive”. Shkollimi në Milvoki ishte pa pagesë, por kërkohej një shumë e vogël për librat që s’mund t’i blenin nxënësit e tjerë të klasës sime. Secili nga ne duhej të ndërmerrte diçka për zgjidhjen e këtij problemi, kështu që unë vendosa ta themeloj një fond. Kjo është përvoja ime e parë në këtë aspekt, dhe nuk do të jetë e fundmja.

Për një manifestim të mbajtur në shkollë, nëna më luti “ta shkruaj” fjalimin tim. Ndërsa unë mendoja se është më mirë të thoja atë që më flente në zemër. Kur njeriu mendon se ai ishte fjalimi im i parë publik, mendoj se ai ishte i mirë. Duke përjashtuar deklaratat e mëdha politike para Kombeve të Bashkuara ose para Knessetit (emërtimi zyrtar hebraik për parlamentin izraelit), kurrë nuk kam lexuar ndonjë fjalim të shkruar. (vijon nesër)

 

Lini një Përgjigje