Golda Meir: Izraeli im (6) Udhëtimi përtej Atlantikut ishte ankth i vërtetë

16 Tetor 2023, 16:32Dossier TEMA

 

Golda Meir: Izraeli im (6) Udhëtimi përtej Atlantikut ishte ankth i

Makinat i dëmtuan aq shumë sa që anija u lakua në një anë dhe, për më tepër, aty-këtu duhej të ndalej. Nga Nju-Jorku e deri në Boston na u desh një javë e tërë. Pastaj u desh të prisnim nëntë ditë të tjera për të mundur të vazhdojmë rrugën më tej. Në Boston erdhi në guvertë delegacioni i punëtorëve-sionistë, na sollën pije të freskëta, na mbajtën fjalime dhe na dhanë kurajo, duke na cilësuar si shokë të tyre trima. Tre veta nga bashkësia jonë (në fillim ishim 22 veta) nuk u treguan të guximshëm për shkaqe objektive. Një çift i vjetër bashkëshortor dhe një nuse e re zbritën nga anija në Boston. Shejna mori një telegram prekës nga Shamaji, i cili e luste të zbarkonte, por ajo e refuzoi këtë.

 

Kur ikëm nga Azuret, në rrugë ishim tash e një muaj ditë

 

Më në fund, vazhduam më tej. Udhëtimi përtej Atlantikut ishte ankth i vërtetë. Rebelimi vazhdonte ende. Çdo ditë lajmërohej për prishje të re makinash. Uji i pijes kishte shije të njelmët, ushqimi ishte jashtëzakonisht i lig. Në Porto Delgato të Azureve u pa se “Pacahontas” është në gjendje aq të keqe sa që është e nevojshme një javë ditë për riparime. Katër anëtarë të ekuipazhit u desh ta lëshonin anijen ngase ishin kërcënuar se do ta fundosnin atë para se të arrinte në Napoli. Kur kapiteni mori vesh këtë, ua vuri prangat. Gjatë asaj jave u përpoqëm të pushojmë, por kjo nuk ishte punë e lehtë. Vizituam qytetin e bukur lima dhe u kënaqëm me klimën e butë dhe me rrethinën e mrekullueshme. Gjatë qëndrimit tonë të dhunshëm aty, zbuluam një bashkësi të vogël sefarde (gjithsej tridhjetë veta). Rabini kishte vdekur para disa vitesh, prandaj bashkësia (sikur gjyshi im), duke u frikësuar se do t’i lëndojë rregullat hebraike të ushqimit, kishte vendosur që fare të mos hante mish. Kur ikëm nga Azuret, në rrugë ishim tash e një muaj ditë.

Por, gjatë udhëtimit do të na paraqiten edhe tmerre të tjera. Në pjesën tonë të fundit të udhëtimit, u prish aparatura e anijes për ftohje. Tri herë në ditë hanim oriz dhe pinim çaj të njelmët. Një sërë ngjarjesh të pakëndshme nuk na lenin të mërziteshim. Së pari vdiq një udhëtar. Meqë frigoriferi i “Pocahontas”-it nuk funksiononte, kufoma thjesht u hodh në det. Pastaj u çmend i vëllai i kapitenit, i cili gjithashtu ndodhej në anije. Aq shumë bërtiste, sa që u desh ta lidhnin dhe ta mbyllnin në kabinë. Në gjendje të depresionit të kuptueshëm, kapiteni bëri vetëvrasje para se të arrinim në Napoli.

Ndër miqtë tanë në Nju-Jork dhe në Boston ishin përhapur lajmet se ne ishim fundosur të gjithë, bashkë me anijen. Por, nga Napoli arritëm t’u shkruajmë se, pak a shumë, jemi mirë.

 

Takimi me sionistët lituanezë

 

Në Napoli qëndruam pesë ditë. Rregulluam letrat tona, blemë llampa vajguri dhe gjëra ushqimore si dhe kërkuam valixhet tona të humbura. Pastaj hipëm në tren për Brindizi. Aty takuam një grup punëtorësh-sionistë nga Lituania, të cilët dy herë kishin arritur të shkonin deri në Palestinë, por ishin kthyer prapa. Tash edhe një herë provonin që të vendoseshin në Palestinë. Ende nuk kishim takuar pionierë “të vërtetë” të kohës sonë, prandaj ata lanë përshtypje të madhe te ne. Më gjasonin në Ben Cvinë dhe në Ben Gurionin, vetëm se ishin shumë më të rinj. Për dallim nga ne, ata silleshin si njerëz me shumë përvojë, me shumë guxim dhe me një vetëbesim të madh. Punonin në Evropë nëpër farmat që i kishin themeluar sionistët. Jo pa arsye, tregoheshin më superiorë se ne. Neve na shikonin si “të butë”, si emigrantë të përkëdhelur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pjesëtarë të borgjezisë, të cilët sigurisht do të iknim nga Palestina pas disa javësh. Por, ne kishim cak të njëjtë me ta dhe do të udhëtonim bashkë, me të njëjtën anije. Dëshiroja të na pranonin si shokë, por ata ishin të paarritshëm.

Kur u nisëm drejt anijes, e cila duhej të na dërgonte për në Aleksandri, i propozova bashkëudhëtarëve të mi që t’i lëmë kabinat tona luskoze dhe t’u bashkangjitemi lituanezëve të rinj në guvertë. Askujt nuk i pëlqeu kjo ide, sidomos nga fakti se njerëzit e vendosur në guvertë nuk kishin të drejtë të merrnin racione të ngrohta, ndërsa ne të gjithë i gëzoheshim ushqimit të mirë. Dhe, nuk lëshova pe. U thashë se detyrë jona, si pionierë të ardhshëm, është që t’i ndajmë të mirat e të këqijat me shokët sionistë dhe që, me qëndrimin tonë qysh në anije, të tregojmë seriozitetin dhe aftësinë tonë për të duruar të keqen. – Ta organizojmë kuzhinën tonë në guvertë – propozova dhe shtova se fëmijët e bashkësisë sonë nuk duhet të flejnë pakufishëm nën qiellin e hapur. Pak – ngapak arrita t’i bind bashkëudhëtarët e mi. Lituanezët u zbutën pakëz. Me pak dollarë e bindëm një shef të kamarierëve që t’i lejojë fëmijët tanë të hanë në trapezeri, kur të gjithë të tjerët të përfundojnë ngrënien. Arritëm t’ua sigurojmë fëmijëve edhe kabinat boshe, me qëllim që të flenin natën në to. E binda stjuardin kryesor që vajzën e Shejnës ta lërë të flejë në kanape në sallon, nga i cili ajo duhej të largohej në orën 5 të mëngjesit. Në guvertë ranë të gjitha pengesat mes nesh e lituanezëve. Ne u flisnim atyre për jetën në Amerikë, ndërsa ata na tregonin për atë se çfare ishte jeta në Evropën Lindore. Nën dritën e yjeve, bashkë këndonim këngë në judishte dhe në hebraishte si dhe vallëzonim horën.

 

A do të arrijmë ndonjëherë në Tel-Aviv?

 

Por, edhe më tej na përcillte rrëshira. Në Aleksandri hyri në anije policia egjiptiane të kërkojë një çift bashkëshortor me mbiemrin Rapaport – “komunistët e fëlliqur”, siç i quanin ata. Në bashkësinë tonë vërtet ishte një çift me mbiemrin Rapaport, por këta nuk ishin ata që kërkonte policia egjiptiane. Përkundër kësaj, i morën me veti dhe i inspektuan me orë të tëra. Kjo na dëshpëroi shumë. Kur më në fund u kthye çifti Rapaport, vendosëm që udhëtimin e mëtejmë ta vazhdojmë me tren. U përshëndetëm me miqtë lituanezë dhe u nisëm në drejtim të stacionit hekurudhor me qëllim që të shkonim me tren për në Kantar. Udhës për në Kantar filluam, për herë të parë, t’i kuptojmë anët më të këqija të Lindjes së Afërme. Na mbuluan grumbuj lypsarësh, meshkuj, femra dhe fëmijë me rroba të papastra, të mbuluar me miza. Më ngjanin në lypsarët e Pinskit, të cilët ma kishin futur frikën deri në palcë. Kur më prekte ndonjëri prej tyre, bërtisja sa mundja – pavarësisht se a isha pioniere a jo! Depërtuam nëpër ta duke u shtyrë dhe arritëm të hipim në tren. Ishim mësuar me gjëra të këqija, kështu që nuk na erdhi kurrëfarë befasie kur pamë se në tren ishte papastërti e papërshkrueshme. Vapa – e padurueshme. Ujë s’kishte askund. Më në fund, treni u largua nga Aleksandria.

Në Kantarin e mbuluar nga pluhuri, natën kaluam nga njëri tren në trenin tjetër. Procedura zgjati me orë të tëra. Kur i gjetëm zyrtarët për emigracion, ata nuk nguteshin fare t’i kryenin formalitetet e domosdoshme. Me gjasë, nuk e dinin pse ishim aq të dëshpëruar. Ende më kujtohet momenti kur po rrija atje në një peron të errët dhe kur i bërtita njërit prej tyre aq sa munda, por kjo nuk më ndihmoi asgjë. Para se të ngrysej, hymë të lodhur në trenin tonë të fundit, i cili, duke na shkundur e dërrmuar, do të na dërgojë në Palestinë, nëpër shtrëngatat me pluhur e zall mbi siujdhesën e Sinajit. Rrija ulur në një ulëse të fortë e të papastër dhe mbaja në dorë një nga fëmijët e Shejnës. Për herë të parë ç‘prej se ishim larguar nga Milvoki, e pyesja vetveten se a do të arrijmë ndonjëherë në Tel-Aviv.

 

Tel-Avivi, një katund i madh

 

Edhe pse në atë mëngjes përcëllues korriku, kur për herë të parë e pashë nga dritaret e trenit nga Kantari, Tel-Avivi m’u duk si një fshat i madh dhe jo fort tërheqës, në të vërtetë ai tashmë ishte në rrugë e sipër të bëhej metropola më e re e botës dhe krenaria e hebrenjve. Nuk e di se çka prisja të shihja, por e di se nuk isha e përgatitur për atë që pashë.

E gjithë që dija unë (por edhe të gjithë ne) mbi Tel-Aviviv ishte se atë, më 1909, e kishin themeluar gjashtëdhjetë familje optimiste hebraike. Disa nga ata nuk kishim guxim të parashikonin se kopshti i tyre (i ngritur në skaj të Jafës arabe) do të ketë 25 mijë banorë. Por, askush nuk ka parë as ëndërr se Tel-Avivi, pesëdhjetë vjet më vonë, do të shndërrohet në qytet të madh me mbi 400 mijë banorë dhe të cilëve do t’u mungojë hapësira e banimit. Askush as që ka mundur ta marrë me mend se, më 1948, Tel-Avivi do të shpallet kryeqyteti i parë i përkohshëm i shtetit hebraik.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, turqit e dëbuan tërë popullatën e Tel-Avivit, mirëpo tash, kur ne hymë në qytet, në të jetonin sërishmi mbi 15 mijë banorë. Mbretëronte një vërshimë ndërtimore. Disa pjesë të qytetit, siç do të zbuloj më vonë, ishin vërtet shumë të mira: vargje shtëpishë të vogla e të bukura, secila me kopsht të vetin, por pjesët e tjera të qytetit ishin të ndërtuara pa plan dhe ishin të parregulluara.

Trazirat e majit të vitit 1921 bënë që Tel-Avivi të vërshohet nga refugjatët hebraikë që erdhën nga Jafa. Disa javë më vonë, pasi arritëm ne, qindra e qindra refugjatë të tillë jetonin ende në shtëpizat e rrënuara dhe në tenda.

Banorët e Tel-Avivit, më 1921, ishin pjesërisht hebrenjtë që erdhën aty me valën e tretë të emigrantëve sionistë në Palestinë (kryesisht nga Lituania, Polonia dhe Rusia), e pjesërisht ishin “oldtimerë”, të cilët ishin aty që nga fillimi. Disa nga emigrantët e rinj ishin “kapitalistë” (siç e quanin veten): tregtarë dhe stërshitës, të cilët kishin fabrika të vogla dhe punëtori. Pjesa dërrmuese e tyre ishin punëtorë.

 

Ëndrra jonë u bë realitet

 

Një vjet para kësaj, ishte themeluar Sindikata e përgjithshme punëtore hebraike – Histadrut, e cila në krye të motmotit kishte 4 mijë anëtarë.

Tel-Avivi sapo kishte mbushur 12 vjet, por shumë shpejt u bë me qeverisje të veten. Pushteti mandator i mundësonte të mblidhte taksat vetanake nga ndërtesat dhe nga punëtoritë, por edhe të aplikojë furnizimin vetanak me ujë. Qyteti nuk kishte burg dhe nuk do ta ketë për shumë vite, por kishte policinë hebraike që përbëhej nga 25 policë, të cilët ishin shumë krenarë. Në një skaj të rrugës kryesore (të quajtur sipas Theodor Herzlit) ndodhej “Herzlia High School”, godina më e rëndësishme dhe më impresive në qytet. Ekzistonin edhe disa rrugë të tjera, një kuart tregtar dhe pyrgu i ujësjellësit, i cili u shërbente të rinjve si vendtakim. Autobusët e vegjël dhe qerret me kuaj shërbenin si mjete publike të transportit. Prefekti i Tel-Avivit, Meir Dizengoff, vazhdimisht shëtiste nëpër qytet i hipur në kalë të bardhë të mrekullueshëm.

Më 1921, në Tel-Aviv, lulëzoi jeta kulturore. Aty u vendosën shumë shkrimtarë, ndër ta edhe filozofi e shkrimtari hebraik Ahad Ha-Am dhe poeti Hajim Nahman Bialik. Ekzistonte grupi teatror i punëtorëve i quajtur Ohel (Tenda) dhe ekzistonin edhe disa kafene në të cilat, për çdo pasdite dhe mbrëmje, mbaheshin debate të gjalla mbi problemet politike dhe kulturore. Por, kur ne hymë në stacionin e vogël hekurudhor të qytetit, asgjë nga kjo nuk shihej. Më kot pritëm në stacionin hekurudhor shokët tanë, të cilëve ua patëm paralajmëruar ardhjen tonë. Më vonë morëm vesh se ata, mu atë ditë, kishin shkuar në Jerusalem për të bërë përgatitjet e fundit për largim nga vendi, fakt ky që edhe më shumë shtoi hutimin dhe pasigurinë tonë.

Mirëpo, ne – pas atij udhëtimi të tmerrshëm – përfundimisht ndodheshim në Tel-Aviv. Ëndrra jonë u bë realitet.

 

2 Komente

  1. Z
    Zefi

    Te gjitha problemet i kemi te zgjidhura perveç ketij artikulli te nje sionisteje, o z. Mero, bravo, je i madh

    Përgjigjjuni
    1. U
      Unë

      I kam lexuar te gjitha pjeset dhe pres te rradhes. E pa imagjinueshme se si nje shtet i themeluar zyrtarisht vetem 75 vjet me pare ka arritur standarde kaq te larta. Gjithsesi, kjo nuk justifikon zenien / pushtimin e tokave te Palestines.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje