Inxhinier Mërgimi Korça dhe doktoreshë Mimoza Selfo

5 Mars 2026, 16:06Dossier Fatbardh Amursi ( Rustemi)

Inxhinier Mërgimi Korça dhe doktoreshë Mimoza Selfo

Përkundër atyre, që nderohen duke u dhënë tituj nderi me emrin e qytetit përkatës, ka dhe të anasjelltë, që mbajnë për mbiemër emrin e qytetit, sikurse Xhevat Korça dhe i biri i tij Mërgim Korça dhe, a i bëjnë ata nder qytetit të tyre? Nuk mund të mos bëj përshtypje, që, me urdhër të Enver Hoxhës: inxhinier Mërgimit i jepet një titull i lartë shkencor. Pati dhe të tjerë, që kontribuan, pse tek Mërgimi diktatori u tregua dorëlëshuar? (Madje në librin me kujtime, vrasjen e babait të doktoreshë Mimozës, bashkëshortes së Mëgimit, ia ngarkon Koçi Xoxes.) Edhe kryeministri Shehu nuk i kurseu vlerësimet për inxhinierin e talentuar. Ata, që regjimi i kishte vrarë, mos po i quante të vetët?
Në romanin “Ne të gjallët” të shkrimtares ruso-amerikane Ayn Rand, zhvillohet ky dialog, në një familje të deklasuarish:
“-Ti, s’i ke honepsur kurrë komunistët dhe tani vete e zgjedh tamam, profesionin, që, ata kanë për zemër: inxhinierin?!
-Do të ndërtosh për shtetin e kuq?-pyeti Viktori.
-Dua të ndërtoj, se kam qejf të ndërtoj. Është i vetmi profesion, që s’do të më detyroj të mësoj gënjeshtra. Çeliku është çelik.” (Një nga librat më të bujshëm të realizmit socialist ishte ai i Nikolla Ostrovskit me titull “Si u kalit çeliku”, sikurse dhe drama “Orët e Kremlit”, ku inxhinier Zabelini mbahej nën kontrollin e punëtorit Ribakov.)
Interesant është fakti se të dy vëllezërit: Mërgimi në Shqipëri dhe Genci i arratisur në Amerikë ushtrojnë të njëjtin profesion: inxhinierin. I pari u bë i njohur me projekte në vlerën e shpikjeve, si: makineri për rrallimin e pambukut, agregate për drenazhimin e tokës, pajisje për hapje të mekanizuar tunelesh, makineri për hapjen e vijave kulluese, ndërkohë që i vëllai punonte në kompaninë e famëshme “General Motors Detroit MI”. Njëri në shërbim të socializmit dhe tjetri të kapitalizmit.
Mërgimi dhe Genci janë djemtë e Xhevat Korçës, i cili, në moshë të re, u dënua nga autoritet turke dhe greke, ngaqë iu bashkua çetës së Themistokli Gërmenjit dhe Spiro Ballkamenit. Një nga autorët e letrës dërguar presidentit amerikan Uillson, në emër të djelmurisë shqiptare, ku i kërkonin të mbronte trojet shqiptare. Ahmet Zogu dërgoi dy herë njerëz për t`i bërë atentat, si fanolist. Kthehet në atdhe, kur miku i tij Mustafa Kruja i emëruar kryeministër pas rënies së Vërlacit e thërret të bëhet ministër i arsimit. Arrestohet në vitin 1945 dhe dënohet me vdekje nga Bedri Spahiu dhe Koçi Xoxe, të cilët e patën fundin më të zi nga i tij. I jep fund jetës më grevë urie në burg. (Sa greva urie u bënë në kohën e demokracisë, ku grevistët i kalonin si të ishin në muajin e agjërimit?!)
Xhevat Korça është përkthyes i librit të Xhon Rid “10 ditë që tronditën botën”, kushtuar Revolucionit të Tetorit. Gjatë një vizite të kryeministrit Shehu në qelitë e të burgosurëve, gjendet përballë Xhevat Korçës, të cilit i thotë:
“-Duke e njohur kaq mirë teorinë e marksizmit, si u gabove dhe nuk u bëre me ne?
-Pikërisht, pse e njoh kaq mirë, si teorinë dhe zbatimin në Rusi, u bëra antikomunist i vendosur.”-i përgjigjet, duke qenë i një mendje me të dhe presidenti amerikan Regan, i cili thoshte: “Komunisti është ai që lexon Marksin dhe Leninin, ndërsa antikomunisti është ai që lexon Marksin dhe Leninin duke i kuptuar ata.” Antikomunistët e vërtetë dalin nga të dytët, ndërsa ata që “ndërrojnë xhaketat” nga të parët.
Ndryshe nga inxhinier Mërgimi, që e shihnim rrallë në qytet, me doktoreshë Mimozën përshëndeteshim vazhdimisht. Binte në sy dhe shoqërohej me admirim. Ajo i pëlqente shumë trandafilat në oborrin e shtëpisë sonë. Ngaqë rruga për në spital dhe për në shtëpi i qëllonte nga lagjia jona, do kthente shpesh dhe do i mbushte duart me trandafila. (Le të marret dhe kjo ese, si ajo tufë trandafilash nga oborri i shtëpisë sonë.) Por, plagët e doktoreshës, do i mësoja më vonë. Si doktoresha dhe inxhinieri duke rrezatuar mirësi, përshëndetjen e shoqëronin me buzëqeshje, duke mos lënë shkas t`u dukej brenga. Sikurse e thamë në hyrje të esesë, Enver Hoxha vrasjen e shokut të ngushtë, njëherësh babai i doktoreshë Mozës, ia ngarkoi Koçi Xoxes. Një instruktor partie u kërkon, që t`i dërgonin udhëheqësit një letër falenderimi. Pas shumë hezitimesh, letrën merr përsipër ta shkruajë inxhinieri, i cili, në një rrëfim të tij shpjegohet, pa e fshehur ironinë: “E kuptoj shoku Enver se në ç`trysni psikologjike jeni ndodhur ju nga Koçi Xoxe, që ju vinte në dijeni si Surejai qe arrestuar si bashkëpunëtor me anglo-amerikanët. E kur e pyesnit ju se mos e kishin torturuar Surejain, ai ju thoshte se me vendim Byroje Politike tortura ishte hequr nga praktikat e hetuesisë.” Letrës po t`i hiqej mbulesa e sheqerosur ajo ishte një akt-akuzë, sepse, e shoqja e dinte nga nëna e ndjerë, se në palën e llastikut të të mbathurave i ati kishte futur një fletë cigareje, ku me dorë të dridhur kishte shkruar “Po shkoj viktimë e Enverit”. Në kanotierë ishte ngjitur dhe lëkura e kurrizit. Torturuesi ishte Josif Pashko, babai i Gramos Pashkos, të cilët banonin në vilën e viktimës. Nusja e djalit tjetër, aktorja e njohur, udhëhiqte turmën në rrëzimin e shtatores së diktatorit. Seit Selfo, kushëri i doktoreshë Mimozës, duke rrëfyer përpjekjet për të rimarr banesën e shtetëzuar, shkruan: “Ndërkaq, me interesimin dhe presionin e madh të kushëririt tim Hysen Selfo, Pashkot u detyruan të na lironin pjesën e poshtme të bodrumeve... Qëllimisht i kishin dëmtuar, kur mësuan se unë do të vija aty për të banuar. Portat e dhomave ishin shkulur. Një vazo v.c-je thyer, një lavapiatë e kishin bllokuar që të mos shkarkonte ujërat e bardha.” Seit Selfo e shkoi jetën në Lushnje duke shkruar parrulla në dekorin e qytetit për regjimin, të cilin e urrente. Ai ka botuar dhe një libër me kujtime me titull: “Si e kam njohur Enver Hoxhën”.
Është rasti këtu të kujtoj një episodë të treguar nga Edip Hajdari, sekretar partie në ofiçinën ku punonte dhe inxhinieri. Dikur zyrtarët mbanin në tavolinë një kalendar kujtese, ku shënoheshin ditët historike. Në faqen ku ishte ditëlindja e Stalinit, pa dashur, inxhinieri kishte zhgarravitur diçka në anën e pasme të fletës. Dikush, fshehurazi e merr atë, ndoshta pastruesja dhe e denncon tek sekretari i partisë, i cili e lajmëron Mërgimin duke e vënë në dijen për rastin. Për ta qetësuar i jep fletën e tij të kalendarit, që ta zëvendësonte. Mërgim Korça ka shkruar dhe libra, si: “Histori të pashkruara”, “Hedhje dritë rreth shtrëmbërimeve historike”, “Çështja e kolaboracionizmit e të tjerë, t`i gjykojmë”. Duke shfletuar gjithçka të shkruar rreth tij më bëri përshtyje takimi me projektuesin e vinçit urë të tipit “cjap”, që përdorej në stacionet e hekurudhës, të cilin e uron. Tjetri i habitur i thotë: “Je nga të vetmit koleg, që po më uron”. Nuk di a është qytetar nderi i Lushnjes, por ajo që di: tituj nga halli të jepte dhe Enver Hoxha, por, ata që marrin dashurinë e njerëve janë të një lloj tjetër...

1 Komente

  1. b
    bajram bala -vlora laberia

    Mimoza Selfon e kam patur ne kurs 5vjet ne fakultet ishte studente e jashtme jo konviktore .Menyra se sillej me ne me shokete shoqet e saja te impononin respekt dhe tregonte se nga cfamilje vinte NE ,ishim te varfer por te respektueshem dhe mesonim si pellazger Uroj te jete mire dhe te gezoj femijet e saj Jeta duket e gjate por eshte e shkurter ,kryesorja te kesh rojtur me nder

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje