Kur Fatos Nano deklarohej në gjyq

31 Tetor 2025, 21:00Dossier TEMA
Kur Fatos Nano deklarohej në gjyq

Titulli “Fatos Nano në gjyq deklaron” u shfaq në faqen e parë të gazetës “Koha Jonë” më 31 mars 1994, duke bërë jehonë në mbarë vendin.

Në faqet 2 dhe 3, gazeta publikonte të plotë fjalën e ish-kryeministrit dhe ish-kreut të Partisë Socialiste, Fatos Nano, mbajtur në sallën e gjyqit ndaj tij.

Por historia e Nanos nuk fillon dhe as përfundon aty.

Përkundrazi, ajo sallë gjyqi do të shndërrohej në pikën e kthesës që do ta katapultonte drejt një prej karrierave më të spikatura politike të Shqipërisë së tranzicionit.

Fatos Nano në gjyq deklaron

Zoti Kryetar, Zonja e zotërinj, prokurorë e gjyqtarë, Kjo nuk është fjala ime e fundit.

Derisa të kthjellohen përfundimisht të vërtetat e tranzicionit në Shqipëri, do të duhet të thuhen, të hetohen e të gjykohen shumë gjëra. Ndër to, edhe për këtë proces të montuar, i cili mbetet plagë e hapur, si një nga shprehjet kulmore të krimit politik të regjimit të sotëm ndaj qytetarit, kundër shtetit ligjor.

Siç është bërë tashmë e njohur botërisht, pushteti që ju përfaqësoni, Shërbimi i Kontrollit të Shtetit, Prokuroria dhe Gjykata, nuk më lejuan që unë, Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe deputet i Kuvendit Popullor, ish-Kryeministër i qeverisë së parë të tranzicionit postkomunist në

Shqipëri, të marr pjesë në procesin e kurdisur kundër meje, qysh nga bllokimi dhe manipulimi i dokumenteve të Qeverisë Nano nga Shërbimi Kontrollit të Shtetit dhe Prokuroria në diskutimin parlamentar të çështjes, në burgosjen dhe mbajtjen time larg hetimit dhe ekspertimit të kryer në mënyrë të njëanshme, larg ballafaqimit me dëshmitarët e deri në mohimin si palë legale në gjykimin e zhvilluar prej jush në 13 ditë seanca deri sot.

Prandaj e ritheksoj se, duke mos u bërë për asnjë çast bashkëpunëtor me shkeljet e ligjit, apo me krimin politik të pushtetit tuaj, ndërhyrjet e mia në këtë proces ashtu si sot, kanë pasur dhe kanë karakter kurativ, denoncues dhe parandalues në mënyrë që të implikohen sa më pak njerëz si ju në shpërdorimin e pushtetit dhe të djersës së taksapaguesve përmes veprimesh që synojnë goditjen e opozitës politike nga partia në pushtet, krim në të cilin keni rënë edhe ju, duke pranuar dhunimin e pavarësisë së organeve

të drejtësisë prej saj. Me gjithë përpjekjet e mia dhe sinjalizimet ligjore; zonja e zotërinj prokurorë, e gjyqtarë, ju keni pranuar dhe jeni nënshtruar që ky proces të komandohet politikisht dhe në veprime procedurale, të cilat i kam denoncuar pjesërisht përpara jush.

Pra komandohet nga Sali Berisha, Kolec Topalli, Bashkim Gazidede, Agron Musaraj, Eduard Selami, Blerim Çela etj., në mënyrë të kundërligjshme e me veprime mafioze. Me këtë nuk kam parasysh thjesht dhe vetëm ndërhyrjet e tyre, direkte apo indirekte për dirigjimin e përditshëm të veprimeve tuaja (nga Kolec Topalli për shembull, për zgjedhjen dhe shoqërimin e përkthyesve në zyrat e prokurorisë apo për transmetimin e direktivave për vijën tuaj të sjelljes në vilën nr. 4). Nuk kam parasysh as edhe vetëm shantazhin apo miklimin e ushtruar ndaj jush për mëkate të djeshme (si p.sh. “Karta e Parisit”, vrasja tek shkolla e gjuhëve të huaja, “Çështja Ristani”, “Çështja Çërrava” etj.), pra për mëkate të djeshme, apo për nevoja të sotme (si p.sh., apartamentet që iu dhanë z. Qeleshi, Dervishi e Gjokutaj nga ministria e rendit apo kualifikimet tuaja disajavore apo disamujore në Romë, Paris, etj).

Jo zotërinj! Çështja është shumë më serioze dhe me dimensione më të gjëra. Zotërinjtë që përmenda më lart kanë “arsye të forta” apo arsye shtetërore për ta lidhur karrierën e tyre me burgosjen time. Është fjala për një platformë të krimit politik, të regjimit të sotëm si për likuidimin e gjithë opozitës në Shqipëri ashtu dhe për larje hesapesh brenda radhëve të veta duke gërshetuar goditjet shtetërore me ato kriminale të rrugës, në një veprimtari që në të gjithë botën e ka emrin mafiozë. Dhe për këtë, PSSH ka të dhënat dhe provat e nevojshme. Ka vënë në dijeni organizmat ndërkombëtare dhe do të marrë në mbrojtje cilindo që rrezikohet.

Këtu po ju kujtoj në kalim se u desh ndërhyrja jonë e urtë, që të pezullohej agresioni i programuar nga këto segmente mafioze të pushtetit të sotëm kundër Ridvan Qarrit, agresion do t’iu faturohej më pas “përkrahësve” të z. Nano, siç bëri më pas z. Qeleshi me incidentin e znj. Shkreli.

Unë i garantoj në emër të PSSH të gjithë “punëtorët me mëditje”, që janë pajtuar nga pushteti për çështjen “Nano” qofshin kontrollorë, hetues, ekspertë, apo dëshmitarë, se asnjë e keqe nuk u ka ardhur dhe nuk do t’u vijë nga unë dhe nga PSSH. Përkundrazi do t’i mbrojmë me të gjitha mundësitë tona. Në të njëjtën kohë nuk mund të mos i kujtoj nëpërmjet jush z. Aleksandër Meksi, se fjalët e tij “Si e ka hallin ky Dori, mos do të thyejë ndonjë këmbë?” disa ditë para agresionit mafioz kundër deputetit Teodor Keko, u keqkuptuan: Deputeti Keko u godit në kokë, jo në këmbë!..

Pra, të nderuar gjyqtarë e prokurorë, çështja është shumë më serioze. Ndryshe po të mos qe kështu z. Qeleshi nuk do të takohej me z. Gazideden në orën 01.00 pas mesnate, në sallën e zbrazur të një lokali luksoz të Tiranës, ndryshe nuk do të mblidhej fshehurazi, në ish-vilën e Enver Hoxhës në Malin e Dajtit “byroja politike” e PD-së, ku me gjithë sugjerimet e Azem Hajdarit për t’ia lënë Sali Berishës zgjidhjen faqe bardhë të çështjes “Nano”, Tritan Shehu dhe Agron Musaraj u bënë bllok ndaj “lëshimeve me pasoja” për PD-në në këtë çështje.

Zonja dhe zotërinj! Çështja “Nano” si çështje penale nuk ekziston. Këtë e provuan katërçipërisht mbi 50 dëshmitarët e thirrur në proces, që nga z. Qarri i cili dëshmoi se me ç’ pe të trashë është “qepur” akuza duke manipuluar faktet, e deri të z. Pogaçe, Collaku e Luarasi që konfirmuan kontributin dhe veprimtarinë e ndershme, idealiste e profesionale të Kabinetit “Nano” me gjithë kushtet e jashtëzakonshme të periudhës. Unë i falënderoj nga kjo sallë të gjithë dëshmitarët publikisht për këtë të vërtetë.

Siç argumentoi me kompetencë të lartë z. Sanxhaku, edhe pse vetëm me një njohje disaorëshe, akuza nuk mbështetet me argumente apo prova ligjore dhe ekspertë as nga dosja e paraqitur prej saj. Atëhere çfarë mbetet?

Mbetet mospërputhja serioze konceptuale, ligjore dhe kontabile, midis pretencës dhe realitetit, midis ekspertimit Qorri – Telegrafi – Shkreli me ekspertizën ligjore të profesionistëve italianë, mbetet kontradiksioni flagrant midis akt-kontrollit të Blerim Çelës dhe dokumentit zyrtar të «Corte Dei Conti» për ardhjen e plotë të ndihmës emergjente italiane, prej 20 miliard liretash në Shqipëri.

Këto kontradikta midis akuzës dhe realitetit, zotërinj të trupit gjykues, ju nuk ju lejon lidershipi i sotëm shtetëror t’i zgjidhni, prandaj unë nuk ju kërkoj atë që s’jeni të lirë ta bëni. Këto do të mbeten të hapura, sa kohë që çështja “Nano” mbetet e paragjykuar politikisht dhe element kyç i një skeme politike në dukje antikomuniste, por në thelb me natyrë gjeopolitike, globale që synon ta mbajë Shqipërinë larg ose, jashtë institucioneve evropiane.

Them antikomuniste në dukje, sepse zoti kryetar ky është paradoksi më i madh i këtij procesi. A mund të binde njeri çfarëdo verdikti që mund të jepni ju dhe që buron nga mentaliteti komunist i gjykatësve e nëpunësve ish-komunistë që marrin urdhra nga partiakë të lartë ish komunistë, që nëpërmjet kodeve ende komuniste të dënojnë “grupin armiqësor dhe agjenturor italian si komunist” në Shqipëri.

Pa shpëlarë trutë të gjithë, duke filluar nga shteti nuk rregullohen këto punë dhe në Shqipëri do të vazhdojnë të zbulohen “grupe armiqësore veçanërisht nga opozita”. Por dëmi është shumë më madh se ky deformim skandaloz shtetit ligjor. A nuk përbën gjithë ky proces mënyrë, më primitive e më barbare për të shprehur mirënjohje e partneritet zyrtar ndaj shtetit italian, ndaj këtij fqinji të zhvilluar evropian për mbështetjen dhe ndihmën bujare që i ka dhënë popullit shqiptar?!

Në rast se jo, a nuk shprehin një paranojë politike shtetërore deklaratat e Presidentit Berisha në intervistën dhënë eurodeputetit Jash Gavronski më 24.2.1994, pra 10 ditë para fillimit të këtij procesi, se “në planin ndërshtetëror nuk mund të jemi, (pra Presidenti i Republikës?!) bujar në komplimente… përderisa Kraksi prano teserën e nderit nga armiqtë tanë dhe ambasada italiane në Shqipëri u shndërrua në një seksion të partisë komuniste shqiptare” (?!)

Zotërinj!

Unë e kam denoncuar dhe e denoncoi edhe sot këtë paranojë politike anti-evropiane të pushtetit të sotëm, sepse teserën e PSSH-së zotit Kraksi ia kam dhënë unë, i cilësuar nga zoti Berisha armik (siç e konfirmoi zyrtarisht edhe kryeministri Meksi këto ditë). Por kjo s’ka të bëjë fare as me ndihmat italiane, as me Tangentopolin! Unë e konsideroj deklaratën e Berishës provën më zyrtare të paragjykimit dhe montazhit politik të Çështjes Nano përderisa palë nën akuzë nga z. Çela, Dragoshi, Qeleshi etj, jam unë dhe në lidhje me deklaratën edhe ish-ambasadori italian në Shqipëri, respektivisht kryetar dhe “shef seksioni” i partisë më të madhe opozitare në Shqipëri, të cilësuar “armiq” nga dy figurat kryesore të shtetit të sotëm shqiptar.

Jam i detyruar, zotërinj, t’ju kujtoj se këto deklarata lëshohen nga e njëjta figurë politike e Shqipërisë, dje kryetari i opozitës sot kryetar i shtetit, i cili në nëntor 1991 në mbledhjen e Qeverisë së Stabilitetit të transmetuar direkt në TV me forcat politike dhe me kryesinë e Kuvendit Popullor kërkonte zyrtarisht zëvendësimin e operacionit “Pelikan” me “forcat helmet-kaltër” të OKB-së në Shqipëri, për të vendosur më pas prishjen e kësaj qeverisjeje koalicioni të cilën unë e konsideroj të suksesshme që u pasua nga rrënimi i plotë i vendit.

Këto deformime të rënda politike dhe institucionale të shtetit tonë dhe të marrëdhënieve të tij evropiane, nuk mund të riparohen as me farsa politike si ky proces, as me deklarata përshëndetjeje nga Londra për fqinjin tonë matanë Adriatikut. Duke e kuptuar fare mirë se logjika e “helmet-kaltërve” e adoptuar zyrtarisht nga figurat kryesore të regjimit të sotëm është logjika e luftës civile, ju siguroj, zotërinj të trupit gjykues se unë dhe partia qindra-mijëshe në pikëpamjen elektorale që përfaqësoj do të bëjnë të gjitha përpjekjet për të mos lejuar që konflikti civil dhe krimi politik të gjejnë terren në Shqipëri, pavarësisht nga vendimi që do të shpallni ju kundrejt pretencës.

Ne jemi të përgatitur si opozitë të përballojmë me pjekuri zhvillimet që do të pasojnë duke përfshirë edhe shpalljen zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme pas dënimit tim, edhe manipulimet elektorale (objekt për punën e Prokurorisë në të ardhmen) që ka nisur të bëjë qysh tani PD-ja me fondet ekstra-buxhetore, me privatizimin dhe me vënien nën kontroll të ndihmave humanitare joshtetërore.

Ju faleminderit!

Lini një Përgjigje