Një tjetër mik i topullarëve nga Buzi

26 Mars 2024, 18:45Dossier Nga Feti ZENELI

Një tjetër mik i topullarëve nga Buzi

 

Një nga miqësitë më të konsoliduara të njeriut është ajo që lidhet në kohë të vështira, siç kanë qënë, fjala vjen, dhe miqësitë burrërore të periudhës së luftës për liri e pavarësi kombëtare. Sepse ishin miqësi pa pikë interesi personal. Në ato kohë, interesi parësor i gjithësecilit, ishte ai kombëtar. Miqësia dhe lira përbënin dy gjëra të paçmueshme të asaj kohe, ku pushimet dhe armiqësia, më shumë se sa jetën sociale kishin tronditur shpirtin njerëzor. Guximi që lypsej atëherë për të përballuar armiqtë, të duhej dhe për të krijuar e trashëguar miqësi të vërteta.

Historia është e mbushur me plotë raste të tilla, ku spikasin miqësitë midis emrave të njohur të asaj kohe, të cilat mbeten shembuj frymëzues dhe modele sjelljeje në çdo periudhë të jetës. Midis tyre shkëlqejnë ato raste, që “…ua heq dera”, si trimërinë ashtu dhe miqësinë. Bëhet fjalë për “miqësi lufte” që trashëgohen edhe në “brezat e paqes”. Se koha shkon, brezat ndërrojnë. Por miqësia e tyre të mbetet, ashtu si shpirti në hapësirat qiellore të përjetësisë. Zbresim në realitetin konkret…

Në 18 mars të këtij viti u përkujtua 116 vjetori i luftës së Mashkullorës. Një ngjarje historike mjaft e njohur, me protagonist Heroin e Popullit, Çerçiz Topulli. Ai ishte një patriot, atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes sonë Kombëtare; udhëheqës i luftës së armatosur të çetave kundër pushtuesve osmanë.

Qysh prej prillit të 1906-ës  komandonte çetën e armatosur që vepronte në Jug të Shqipërisë. Ishte i pushkës, por edhe i penës. Ndikimi i mjedisit familjar nuk qe më i pakët nga ai i mjedisit shoqëror. Sidomos ndikimi i vëllait të madh, Bajos, ishte përcaktues në formimin e tij social-patriotik, por edhe kulturor. U rrit me bëmat e trimave në ato oda të njohura gjirokastrite. Me një formim të tillë prej atdhetari të flakët, shëtiti kryeqyteteve europiane, në kërkim të mbështetjes ndërkombëtare për çështjen shqiptare. Në janar të vitit 1907, në gazetën “Shpresa e Shqipërisë”, Çerçizi publikon thirrjen drejtuar bashkëatdhetarëve të tij, në të cilën, pasi dënon grabitjet e administratës turke, kërkon që vendi ynë të shkëputet sa më shpejt nga Perandoria Osmane.

Një vit më vonë, pas fitores së revolucionit xhonturk, Çerçiz Topulli punoi për formimin e klubeve shqiptare në mbrojtje të interesave të kombit dhe çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit tonë. Po aq sa respektonte traditën vendase manifestonte sjellje dhe qytetari perëndimore. Redaksia e gazetës “Drita” do të bëhej një shkollë e vërtetë për Çerçizin, ku nëpërmjet faqeve të saj u bënte thirrje shqiptarëve për luftë. Por vëllai i madh i tij, Bajua, “peshonte” pak më shumë në këtë drejtim, se që në fëmijëri kishte marrë rrugët e fromimit kulturor. Qysh në moshën 11 vjeçare niset për në Stamboll, ku brymoset me idetë përparimtare dhe patriotike të vëllezërve Frashëri, por dhe të Jani Vretos, të cilin e vlerëson shumë.

Mjaftoi vetëm një vit punë si pedagog në gjimnazin e Manastirit, dhe duke mbledhur rreth vetes shumë patriotë shqipëtarë, krijon “Komitetin për Lirinë e Shqipërisë”. Qëllimi i ngritjes së këtij komiteti ishte “…të ngjallurit e Shqipërisë, duke mbjellë vëllazërimin, dashurinë, bashkimin, duke përhapur udhën e qytetërimit me anën e librave që do të shtypen, duke dërguar njerëz në të gjithë anët e Shqipërisë të mbjellin këto mendime…”. Hakmerret për gjakun e Papa Kristo Negovanit, takohet me Shahin Kolonjën dhe Mihal Gramenon në Sofje, udhëton nën shoqërinë e Fan Nolit drejt Amerikës, ku kërkon të gjejë mbështetje për çështjen shqiptare, etj. Çerçizi kthehet sërish në krye të çetës së tij me veprimtari të gjerë në të gjithë jugun e vendit deri në vitin 1914, kur aktivitetin e tij patriotik e zhvendos në Shkodër. Ndoshta në viset veriore e thërriste gjakun i të parëve të tij, që ishin të shtërnguar të ndërronin tre fe për “…t’i diftuar, po, botës, se shqiptarët janë njimend burra; se mund të jemi toskë e gegë, muhamedan e kristjan, e njiherit shqiptarë të njimendtë”, siç shprehej Patër Anton Arapi në ceremonine e përcjelljes së eshtrave të Çerçiz Topullit. Këtë lloj “njimendësie” shqiptare do ta gjejmë edhe në fjalimin e Eqerem Çabejt, gjatë ceremonisë së lamtumirës për Bajon: “Në emër të djalërisë vinj t’i them Bajo Topullit lamtumirën e fundit. Jo me lot grarie do ta varrosim, se sot nuk është ditë për zi. Ne do ta varrosim si burra… Edhe ti o shpirt bujar, derdhe tërë gazin e jetës për këtë Shqipëri dhe tani, hero re dhe do flesh në këtë tokë që t’i e deshe gjithë jetën më tepër sesa shpirtin”…

Këto dhe shumë histori të tjera të këtyre dy Topullarëve të shquar, i di i madh e i vogël tek ne, por unë i risolla në vëmendjen e lexuesit për të evidentuar një virtyt tjetër të këtyre familjeve me emër në Shqipëri, siç është krijimi dhe ruajtja e miqësisë ndër breza. Kam shkruar dikur për një miqësi të tillë të Topullarëve me patriotin Bido Shalësi nga zona e Buzit, Tepelenë, duke shpresuar që ky të mos ishte i vetmi rast, për burrat e kësaj krahine fisnike, që nuk e tepërojmë të themi, se janë lindur e rritur edhe si fëmijë të nënës “Miqësi”. Të bëheshe mik me Topullarët nuk ishte një gjë e zakonshme. Mund të merrje pjesë në veprimtaritë patriotiko-luftarake së bashku me ta, mund të ishte krah tyre ndër beteja, aksione apo veprimtari të tjera atdhetare; po për t’u bërë “mik shtëpie”, që të priteshe e të përcilleshe me nderime të larta sipas traditave dhe zakoneve shqiptare në odat e tyre të mëdha, duhej që, së pari, t’ju hyje atyre në zemër si fisnik i vërtetë. Natyrisht ndodhte shumë rrallë një gjë e tillë; sigurisht dhe me ndonjë fatlum. Them “fatlum”, pasi përveç cilësive dhe vlerave njerëzore të shkalle të lartë, duhej të të ndiqte dhe fati i takimit rastësor me ta.

Një prej këtyre fatlumëve ka qënë edhe Komandant Maliq Rabija, po nga zona e Buzit, i njohur për veprimtarinë e tij patriotike dhe atdhetare në dy luftrat botërore që prekën vendin tonë, përfshi dhe Luftën e Vlorës të 1920-ës. Është një fakt, i zbuluar tash së fundi prej meje. Gjithkush me të drejtë mund të pyes: Ku e gjetën Çerçiz e Bajo Topulli, Maliq Zenelin? T’u thashë: -Atje ku e gjeti Selam Musai, Mustafa Matohiti, Mehmet Shehu, Zenel Shehu, etj. etj., dukesh jo bidnës, sikur i dredhon gjësë… Po kështu t’u tregosh momente bashkëpunimi gjatë periudhës kur çeta e Çerçiz Topullit vepronte në jug të vendit, përfshi dhe rastet kur kjo çetë mund të ketë qënë në rrethinat e Rabijes, Gllavës apo Buzit, dhe ku Maliq Zeneli kishte infulencë “komandati” luftarak, gjithësesi ke folur për hapësirën që zë një armik në mendje dhe jo për vendin që ka një mik në zemër. Po dhe sikur të sjellim një dëshmi miqësie nga koha e luftës, përsëri nuk dimë se sa e fortë ka qënë ajo, për të mbetur gjallë edhe pas largimit nga jeta të Çerçizit në vitin 1915 dhe të Bajos, 15 vite më vonë. Pra, a ka qënë kjo miqësi si një amanet i gjallë tek pasardhësit e tyre?  Këtë kurreshtje na e shuan nipi i Maliqit, Eduarti. Ja ç’tregon ai: “Ishte viti 1950 ose 1951. Gjyshi do martonte djalin e tij, Barjamin.

Sipas traditës, së asaj kohe, duheshin gjetur “rrobat e nuses”. Kohë e vështirë, mungesa të mëdha. Niset e shkon në Berat, qyteti më i afërt me vendlindjen tonë, por edhe më i njohur për tregun e vjetër tradicional me mallra të tilla, pavarësisht se administrativisht përfshihemi në rrethin e Tepelenës. Po fatkeqësisht, në dyqanet e këtij qyteti nuk gjen gjë. Atëhere merr rrugën për në Përmet, Këlcyrë. Tregje të njohura dhe këto, por sërish delë bosh. Nga Përmeti, “Satës” dhe drejtë e në Gjirokastër. Duke u sjell vërdallë në Sheshin e Çerçizit përballet me familjarë të fisit të Topullarëve. E njohën “Komandantin”. Përshëndeten përzemërsisht me njeri-tejtrin. “Për hair, Maliq Rabija!”, i thonë. “Martoj Barjamin”, u përgjigjet ai. “Ku s’kam kërkuar për rrobat e nuses, por nuk po gjejë gjëkund”. “Hajde shkojmë njëherë nga shtëpia, se do t’i gjejmë. Është kohë drake…”, e vazhdojnë ata bisedën. Dhe nisen drejtë shtëpisë së Topullarëve. Rrugës e pyesin për gjatësinë e nuses, pasi, me sa duket, kishin diçka ndër mend. Barjamin e njihnin. “Nusja është pak më e gjatë”, i sqaron Maliqi. “Atëhere punë e mbaruar”, i thonë atë. Në shtëpi e presin me gjithë të mirat për drekë. Ndërkohë nxjerrin nga sepetja një kostum nusërie të një familjari të tyre rënë në luftë. Ishte fiks për nusen e Barjamit. Në ditën e dasmës, nusja me atë veshje shkëlqente. I mahniti të gjithë dasmorët me bukurinë dhe stolitë e kësaj veshjeje. Rroba të tilla nusërie s’ishin parë në këto anë…”

…Vetëm pas këtij rrëfimi isha më i qartë, pse Këshilli i Qarkut Gjirokastër kishte zgjedhur ceremoninë përkujtimore të 116 vjetorit të luftës së Mashkullorës për të dekoruar Komandant Maliq Rabijen me titullin: “Nder i Qarkut”.

 

 

 

 

 

 

1 Komente

  1. i
    imam aliu

    ca bente cecua ne muajin e Ramazanit ? luftonte apo agjeronte ?!

    Lini një Përgjigje