“Përveç Kadri Hazbiut, shumica e Byrosë ishin me ‘Partizanin’, madje gjeneral Petrit Dume, në pushim të ndeshjes, zbriste në dhomat e zhveshjes dhe…”/ Dëshmia e rrallë e gazetarit dhe shkrimtarit të njohur

4 Prill 2026, 07:30Dossier TEMA
“Përveç Kadri Hazbiut, shumica e Byrosë ishin me

Historia e futbollit botëror njeh shumë skandale që kanë ndodhur brenda dhe jashtë fushave të futbollit – përleshje të futbollistëve në fushë dhe jashtë saj, ndërhyrje të tifozëve të njërës, a tjetrës skuadër, kërcënime dhe joshje të drejtuesve të klubeve ndaj gjyqtarëve, allishverishe, shfaqje korrupsioni që kanë sjellë si pasojë përjashtime futbollistësh, trajnerësh, drejtuesish, por kurrë përjashtimin e ndonjë skuadre nga vazhdimi i kampionatit. Dhe kjo sepse rregullorja e futbollit nuk parashikon veprime të tilla…! Nuk përfshihen këtu raste kur janë përdorur makinacione për të favorizuar një skuadër a një tjetër, siç ndodhi në sezonin 2005 – 2006 në Itali, ku, si pasojë e procesit  të ashtuquajtur; “Calciopoli”, “Juventusit” iu  hoq titulli kampion dhe u dënua të luante në kategorinë e dytë, dhe “Milani”, “Fiorentina”, “Lacio”, “Rexhina” etj., u detyruan  ta fillonin kampionatin me disa pikë më pak.

Por ajo që ndodhi më 24 qershor të vitit 1967, pas ndeshjes “17-Nëntori” – “Partizani” kur të dyja këto skuadra u përjashtuan nga vazhdimi i këtij kampionati, është një shembull i paparë  dhe unikal! Çfarë kishte ngjarë? Deri në kampionatin e vitit 1965-‘66, kur “Vllaznia” ishte shpallur dy herë radhazi kampione më 1945 dhe 1946, vetëm dy skuadra kishin fituar kampionatet në vazhdim: Këto ishin “Partizani”, i krijuar më 1946,(11 herë) dhe “Dinamo”, i krijuar më 1950, (6 herë).

Dhe ja, në ndeshjen e fundit të kampionatit të vitit 1996-‘66 “17-Nëntori” i Tiranës, duke mundur “Partizanin” 2-0, fitonte për herë të parë në historinë e kampionateve të pas Luftës së Dytë Botërore, titullin kampion. Ishte me të vërtetë një shuplakë shumë e rëndë që i jepej këtyre dy skuadrave të privilegjuara të udhëheqjes komuniste, dy skuadrave, përkatësisht të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme. Thyhej kështu një mit.

Në dukje, këtu nuk kishte asgjë të keqe. Madje,po zgjerohej kështu gjeografia e kampionëve.Por udhëheqjes komuniste i pëlqente që kampionatin ta fitonte çdo skuadër tjetër, por jo “17 Nëntori”, pra, “Tirana”, gjashtë herë kampione që nga 1930 kur ishte zhvilluar kampionati i parë, për t’u ndërprerë më 1939, si pasojë e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.

Përse kjo dëshirë, përse ky mllef?!

Urrejta kundër diktaturës komuniste ka qenë e heshtur, sepse  dhuna e saj nëpërmjet armës së kësaj diktature, Sigurimit të Shtetit, ishte shumë e madhe. Kështu kjo urrejte përpiqej të gjente shprehje në mënyra të tërthorta.Dhe një nga këto mënyra u bë futbolli. Sportdashësit e “17 Nëntorit”, dhe këta nuk ishin vetëm tiranas vendas, por edhe mijëra e mijëra të tjerë në kryeqytet e qytete të tjera të vendit, gëzoheshin pa masë kur skuadra e tyre fitonte ndaj “Dinamos” dhe, veçanërisht, ndaj “Partizanit”.

Këtë gëzim ata e shprehnin hapur me thirrjet; “Forca Tirana, (Tirona)” dhe në ndeshjet e “Partizanin” edhe me thirrjet,  “Bjeruni të kuqve”!, sepse futbollistët e saj luanin me fanella me ngjyrë të kuqe. (Madje në vitet ‘50-të ata mbanin edhe të mbathura të zeza, si të përfaqësueses sonë). Ishte një dukuri e përafërt me thirrjet e sportdashësve tiranas në vitet 1942-‘43, kur “Shprefeja”, skuadër e të rinjve të lagjeve te Tiranës, luante kundër skuadrave fashiste italiane. Kur ushtarakët fashiste thërrisnin: “Forca li axurri”, ata u kundërpërgjigjeshin me thirrjet: “Forca të kuqtë”, sepse fanellat e “Shprefësë” ishin të kuqe dhe të mbathurat e zeza, pra, si ngjyrat e flamurit kombëtar.

Në dukjen e jashtme, thirrja “Bjeruni të kuqve”, vërtet disi e ashpër, ishte thjesht një thirrje e natyrshme në një ndeshje sportive. Pra, “sulmoni dhe mposhtni të kuqtë”, ashtu si edhe tifozët e “Partizanit” mund të thërrisnin:“Bjeruni bardhe bluve”. Mirëpo kjo thirrje nuk u tingëllonte mirë në vesh anëtarëve të Byrosë Politike që ndeshjet midis këtyre dy skuadrave i ndiqnin nga tribuna e udhëheqjes, sepse ajo mund të kuptohej edhe kështu: “Bjerini së kuqes”, që ishte simboli i komunizmit.

Me përjashtim të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe Hysni Kapos,të gjithë byroistët e tjerë do t’i shihje çdo të diel në tribunë. Dhe të tërë, veç Kadri Hazbiut, ishin tifozë fanatikë të “Partizanit”. Bile, gjeneral-leitnant Petrit Dume, kishte raste që në pushime të ndeshjes së “Partizanit” edhe të zbriste në dhomat e zhveshjes dhe të ndërhynte që të hiqej ky, apo ai futbollist që, sipas tij nuk po luante mirë. Madje një herë, siç dëshmon Miço Ndini, ish-futbollisti i njohur i “Partizanit” të viteve ‘60-të, ky gjeneral, pas një humbjeje të “Partizanit” me “Skënderbeun”, të arrinte me makinën e tij autobusin e “Partizanit”, që udhëtonte për më Tiranë, ta ndalte atë e t’i fyente futbollistët!

Po të kthehemi te “17-Nëntori”. Pas një fitoreje të skuadrës së tyre kundër “Besës” në Kavajë, në fillim të dimrit të vitit 1967, tifozët tiranas, me të ardhur në stacionin e trenit, nuk u shpërndanë, por u drejtuan në Klubin e Shtëpisë së Oficerëve, te “Rruga e Kavajës” (më pas Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve), dhe atje vazhduan me thirrjet: “Tirana, Tirana”! Dhe të mos harrojmë se na ato çaste në Klub ndodhej pikërisht gjeneral Petrit Dume, bashkë me jerarkë të tjerë të diktaturës, të cilët, s’do mend, mbetën të habitur.

Qe ky ishte një provokim i hapur, për këtë nuk kishte dyshim! Por, a mund të arrestohej ndokush, kur fare mirë ai mund të përgjigjej: “Nuk bëra asgjë, veçse thirra me shokët e mi: Forca Tirana”. Byroistëve nuk u pëlqente dhe fakti tjetër që sportdashësit tiranas, e quanin skuadrën e tyre me emrin e e vjetër, “Tirana, dhe jo; “17 Nëntori”, siç u quajt ky Klub pas ardhjes se komunisteve në fuqi, për nder të çlirimit të kryeqytetit! Ja, pra, në këtë atmosferë zhvillohej kampionati i vitit 1967. Kasta e kuqe nuk mund të gëlltiste një fitore të dytë të “17-Nëntorit” në këtë kampionat pas fitores së një vitit më parë.

Duke parë që kjo skuadër po shkëputej nga “Partizani” e “Dinamo”, paria e Ministrisë së Mbrojtjes filloi të përdorë  makinacione nga më të çuditshmet. Pikërisht në këtë periudhë, futbollistët e “17-Nëntorit”, Ali Mema dhe Gëzim Kasmi, të dy pedagogë të kulturës fizike, u dërguan, i pari në Shkodër, (gjashtë muaj) dhe i dyti në Skrapar (18 muaj), që të kryenin… zborin ushtarak. (I tërë ky makinacion u krye drejtpërdrejt me urdhër të Petrit Dumes). Kështu skuadra tiranase u detyrua të luante gjatë tërë këtij sezoni, pa këta dy lojtarë titullarë.

E, megjithatë, valanga e “Tiranës”, (kështu po vazhdoj ta quaj tani këtë skuadër), ishte e pandalshme. Dhe, ja, erdhi 24 qershori i vitit 1967. Ditë e shtunë. Pse kjo ndeshje të shtunën e jo të dielën, kur nuk kishte ndeshje tjetër sipas kalendarit?

Edhe këtu kishte një dredhi: të dielën “Vllaznia” priste në Shkodër “Dinamon”. Deri atë javë “Tirana” kryesonte me 33 pikë, “Dinamo” kishte 31 e, “Partizani” 25, jashtë çdo lufte për t’u bërë kampion. Por duhej me doemos që “Tirana” të mos përsëriste suksesin e një viti më parë. Pritej, pra, që “Partizani” të fitonte kundër “Tiranës”. E atëherë të bëhej ç’është e mundur, madje, të ushtrohej në një mënyrë a një tjetër, trysni ndaj “Vllaznisë” edhe ajo pa pretendime për titull, që “Dinamo” të fitonte.

Në këtë mënyrë, si “Tirana”, ashtu edhe “Dinamo”, barazoheshin me pikë e, kësisoj, krijohej mundësia që kampionatin ta fitonte “Dinamo”, me fjalë të tjera, një tjetër skuadër ushtarake, por  këtë radhë, e Ministrisë së Brendshme. E vërteta është se kjo dëshirë e udhëheqjes komuniste, nuk ishte kaq e lehtë të realizohej, sepse në tri ndeshjet e fundit të kampionatit, “Tirana” do të ndeshej me “Tomorin”, “Lokomotivën” dhe “Traktorin”, që ndodheshin në shkallët e fundit të renditjes së kampionatit të sezonit 1966-‘67.

Mirëpo “Tirana” shpartalloi çdo hamendësim të parisë së kupolës së kuqe:;ajo mposhti në sy të tyre “Partizanin” me rezultatin 2-1. Të dyja skuadrat aktivizuan në atë sezon këta futbollistë: “Tirana”: Bujar Tafai, Elini, Fatmir Frashëri, Perikli Dhales, Petrit Gjoni, Luigj Bytyçi, Osman Mema, Niko Xhaçka, Pavllo Bukoviku, Skԯnder Hyka, Xhux Kazanxhi, Bahri Ishka, (trajnerë, Myslym Alla dhe Enver Shehu.)

“Partizani”: Mikel Janku, Jozja, Mihal Gjika, Spiro Gjika, Iliaz Dingu, Ramazan Rragami, Shule, Muharrem Karriqi, Lin Shllaku, Selami Dani, Rudi Panajot Pano, Robert Jashari, Ismet Shaqiri (trajnerë, Refik Resmja e Miço Ndini.)

Nuk po futemi në përbërjen e skuadrave dhe në kronikën e lojës, e cila për turp, as nuk është pasqyruar në faqet e gazetës “Sporti Popullor”. Por nga fundi i pjesës së dytë, pra, dhe të krejt ndeshjes, pati raste të një loje të rëndë, të shkaktuar  nga lojtarë të të dyja palëve. Kjo atmosferë e nderë vazhdoi edhe pas përfundimit të ndeshjes para dhomave të zhveshjes. Por nuk pati skandale, nuk pati përleshje, nuk pati, për më tepër, as ndërhyrje  të shikuesve tifozë të njërës, a tjetrës palë në fushë.

Gjyqtari mund të kishte përjashtuar futbollistë nga të dyja skuadrat, deri aq sa lejon rregullorja. Edhe lojtarët që shkaktuan përleshje, mund të ishim përjashtuar për kaq, ose aq ndeshje. Të gjitha këto mund të kishin ndodhur, përsëri duke u zbatuar rregullorja e futbollit. (Ndërkohë, “Dinamo” nuk mundi të arrinte veçse në barazim në Shkodër dhe kështu mbeti tri pikë larg “Tiranës”, që, duke pasur, siç e thamë dhe më sipër, ndeshje më të lehta, tashmë po çimentonte rrugën për të fituar për të dytën herë radhazi, titullin kampion.)

Si pasojë, pas përfundimit të ndeshjes “Tirana”-”Partizani”, në stadium shpërthyen sërishmi brohoritjet entuziaste; ”Tirana, Tirana”, të cilat, si gjithnjë, u vrisnin veshin udhëheqësve të lartë komuniste. Ndaj ata u larguan të vrenjtur nga stadiumi dhe ua hipën makinave të tyre të zeza, për t’u zhdukur në “Bllokun” e udhëheqësve. Megjithatë, duke menduar diçka të ligë…! Dhe ja ligësia skandaloze: në gazetën “Sporti Popullor”, të datës 27 qershor të vitit 1967, u botua vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, sipas të cilit të dyja skuadrat përjashtoheshin nga kampionat i vitit 1966-‘67 për shfaqje të theksuara antisportive.

Ku vendim absurd, ra si bombë në opinionin sportiv shqiptar. Si ishte e mundur që FSHF-ja të guxonte të merrte një vendim të tillë dhe mbi çfarë faktesh, kur vetëm disa futbollistë u grindën me njeri-tjetrin? Vite më pas, kur jam marrë më këtë ngjarje tmerrësisht dramatike, kam pyetur ish-drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit, madje edhe të Komitetit Shtetëror të Kulturës Fizike dhe Sporteve. Por, për fat të keq, të tërë kanë ngritur supat, duke më shpjeguar se nuk mbanin… mend hollësi të këtij vendimi! Atëherë jam drejtuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe kam hapur dosjet përkatëse të këtij institucioni të lartë shtetëror. Mjerisht, nuk kam gjetur as ndonjë proces-verbal të ndonjë mbledhjeje të FSHF-së për këtë ndeshje, asnjë vendim, asgjë…!

Atëherë lind pyetja: Kush e mori këtë vendim? Kryesia e F.SH.F.-së? Cili nga anëtarët, duke përfshirë këtu edhe kryetarin e saj, a kryetarin a kryesinë e Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve, do të kishte marrë guximin të ndërmerrte një hap të tillë për të përjashtuar dy skuadra nga vazhdimi i kampionatit, aq më tepër kur njëra prej tyre nuk ishte as më shumë e as më pak, por “Partizani” i Ministrisë së Mbrojtjes, skuadër e zgjedhur e “Kupolës së Kuqe”?!

Është e qartë që u ky vendim u diktua nga vetë Byroja Politike. Dhe më mirë se kushdo tjetër, këtë e dinte Ramiz Alia, që ishte shefi i propagandës në Byronë Politike dhe ai që nuk mungonte kurrë, jo vetëm në ndeshjet e “Partizanit”, por edhe të skuadrave të tjera. Motivi është shumë i qartë; duke përjashtuar “Tiranën”, “de jure” kampione, “de facto” e tillë bëhej “Dinamo”, pra, në fund të fundit, një tjetër skuadër e diktaturës. Dhe në opinion krijohej ideja: “Ja, bashkë me ‘Tiranën’, përjashtohej edhe ‘Partizani’, pra dënimi ishte i barabartë për të dyja skuadrat”.

Por harrohej, ose bëhej sikur harrohej, se kështu “Tiranës” iu mohua titulli kampion në një kampionat thuajse të fituar tri javë para mbylljes së kampionatit. Kjo ishte një goditje shumë e fortë që iu dha kësaj skuadre dhe sportdashësve të saj. Ishte një luftë e filluar që në shtator të vitit 1966. Atëherë futbollisti i njohur i Tiranës, Skënder Halili, një nga qendërmbrojtësit më të mëdhenj të futbollit shqiptar të të gjithë kohëve, pas shërbimit ushtarak të kryer në radhët e “Dinamos”, nuk pranoi propozimin e drejtuesve të Ministrisë së Brendshme, që të vazhdonte të luante në radhët e kësaj skuadre, edhe pse iu afruan kushte te mira pune e jetese. Ai u kthye te “Tirana” e tij e shtrenjtë, te shokët e skuadrës, te sportdashësit që e pritën krahëhapur.

Por drejtuesit e Ministrisë së Brendshme ia mbajtën “vath në vesh” këtë refuzim. Dhe ja, u gjet një shkas për ta shkatërruar përfundimisht. Befas u arrestua, para se “Tirana” të nisej për  një ndeshje jashtë shtetit. Urdhri u dha drejtpërdrejt nga vetë ministri, Kadri Hazbiu, sepse atij iu gjetën…60 dollarë amerikanë dhe, si pasojë, u dënua me disa vjet burgim. Kështu në moshën 24-vjeçare, u mbyll jeta sportive e këtij futbollisti që do t’i kishte dhënë aq shumë futbollit shqiptar. Por diktaturës aq i interesonte. Rëndësi kishte që një “armik” të asgjësohej.

Vdekja e tij e parakohshme më 1981-in dhe varrimi i tij, ku, me gjithë kohën e keqe, morën pjesë qindra e qindra sportdashës, ishte një shfaqje e heshtur proteste ndaj diktaturës. Pastaj, kjo luftë, siç e pamë, vazhdoi me… “kryerjen” zborit ushtarak jashtë Tiranës, të Ali Memës dhe Gëzim Kasmit. Sidoqoftë, kjo nuk e mposhti “Tiranën”. Që ishte skuadra më mirë e atyre viteve, ajo e dëshmoi këtë duke fituar kampionatet e viteve 1968, ‘68-‘69 dhe 1969-’70, duke shënuar kështu një nga faqet më të lavdishme jo vetëm të këtij Klubi, por edhe të futbollit shqiptar.

Vite më pas kam pasur rast të bisedoj me Skënder Jarecin, ish-futbollist dhe pastaj edhe trajner i “Dinamos”. Duke rikujtuar përjashtimin e “Tiranës” nga kampionati i sezonit 1966-‘67, ai ma pati thënë: “Kur futbollistët e mi me kupën në duar filluan të bënin të ashtuquajturin rrotullim rreth stadiumit, mua më erdhi shumë rëndë. Ajo kupë dhe ai rrotullim i takonte ‘Tiranës’ dhe vetëm ‘Tiranës’”.

I nxitur nga kjo dramë e madhe sportive, më 1997-ën nisa të shkruaja romanin me titull “Tirana”, dy orë para dënimit”. M’u desh të bisedoja me futbollistë të asaj kohe, portierin Elini, mbrojtësit Frashëri, Osman Mema, vëllai i Ali Memës, me portierin e “Partizanit” Mikel Janku, me Panajot Panon legjendar…! Por edhe me trajnerin e “Partizanit” të atyre viteve, Refik Resmja.

“Përjashtimi i Tiranës,- më tha ai atëherë, – qe një akt i shëmtuar i diktaturës. Unë u indinjova së tepërmi, ndonëse nuk më erdhi mirë që ne e humbëm atë ditë ndeshjen me të. Por ‘Tirana’ e meritoi fitoren, siç do të meritonte dhe fitoren e atij kampionati”.

Shkurt i vitit 1998. Për një muaj nisem së bashku me gruan dhe djalin për në SHBA-ës, ku jetoj prej gati tetë vitesh. Sapo është botuar romani im “Dy orë para dënimit”, kushtuar kësaj ngjarjeje të dhembshme. Në pjesën e para-parme të mbulesës është fotografia e “Tiranës” së atyre viteve, e mjeshtrit të fotografisë, Petrit Kumi, dhe në pjesën e pasme, foto të një kësaj ndeshjeje, të botuara për herë të parë dhe të nxjerra nga arkivi i fotoreporterit të njohur sportiv, Enver Shabani.

Lutfi Nuri, një ndër sponsorizuesit e botimit të romanit dhe aso kohe edhe president i Sport-Klub “Tiranës”, organizon në sallën e madhe të Klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve paraqitjen e librit. Në krye  të sallës, në kolltukë në formë gjysmë rrethi, janë ulur një pjesë e mirë e futbollistëve të të dyja skuadrave që u ndeshën atë ditë qershori të vitit 1967, dhe pranë tyre, Myslym Alla, trajner i “Tiranës” dhe ndihmës-trajneri i “Partizanit”, Miço Ndini.

Promovimi bëhet në formë bashkëbisedimi, i ndërthurur me një koncert nga disa nga aktorët e njohur të Estradës së Shtetit, ku nuk mungojnë Skënder Sallaku, Mariana Kondi dhe këngëtarët Ema Qazmi e Kasem Hallulli, që këndojnë këngë për “Tiranën” e atyre viteve. Janë shumë të ftuar, ndër të cilët ish-shefi i Klubit të “17-Nëntorit”, Lame Konomi, ish-futbollisti dhe intelektuali i njohur, Prof. Dr. Skëndër Begeja, komentatori tashmë popullor i Radio Tiranës, Ismet Bellova që ka komentuar këtë ndeshje, gazetarë sportivë…! Dhe sjellin kujtimet e tyre për këtë ndeshje, shprehin keqardhjen dhe indinjatën për këtë akt të shëmtuar të diktaturës që vrau “Tiranën”, kampione të pa shpallur të sezonit 1966-‘67.

Në fund të këtij takimi, e ndjej veten të rrethuar nga futbollistë e sportdashës që më urojnë për botimin e këtij romani dhe më falenderojnë që pas 31 vjetësh, bëhem nismëtar për të rikujtuar këtë ndeshje dhe për të bashkuar futbollistë të të dyja skuadrave, në një takim të tillë. Kështu marr me vete për në Amerikë një nga kujtimet më të prekshme të jetës sime në mjediset sportive, ku kam kaluar rreth 50 vjet. (Memorie.al)

22 Komente

  1. 2
    2023 ev

    Edhe sot urrejtja nuk Iken. Shprehet tek pronat, ligji 7501,tek zhdukja e shtepive te qytetareve te tiranes, gjoja per pallate, tek zhdukja e varrezave te cilat jane edhe simbol I identitetit fetar te tiranes:MYSLIMAN. Kjo urrejtje, sjelle ne tirane pas vitit 1945 u forcua me shume kur qytetaret e Tiranes, etiketoheshin nga te ardhur it "tosq" si reaksionare, jo patriot sikur pavaresia e mallkuar ateiste kishte ardh ne vitet 1920 nga tosqit a mallakastres, tepelenes, vlores, Korces, permetit, devollit. (Ketu vecoj bregdetasit himaren.) Nuk fol per propagande e shuleve te Korces qe ishin edhe toruruesit e shume qytetareve te tiranes. E keqja me e madhe ishte se pas ketyre sjelljeve monstruoze gjendej :nje Beqir(Ebu Beker), gjendej nje Enver(Anuar), nje Mehmet(emer I nderuar I profetit S. A. S e marre nga osmanishtja), nje Kadri, te kujton naten e zbritjes se Librit te shenjte te Islamit. Pra, te urryer qytetaret e Tiranes, nga I njejti lloj po ta shikosh nga Emrat fetare. Keshtu qe ky artikull te kthen ne kujtimet e sjelljes poshteruese perkundrejt qytetareve te tiranes te klikave Politike pas viteve 1945. Domosdo, keta qytetare u integruan ne shoqerine komuniste, rezultati eshte kjo qe Kemi sot.

    Përgjigjjuni
    1. g
      ganiu

      I fortë ky koment. Po sikur "urrejtja" të shihet në këndvështrimin e zgjedhjes së një fshati dosido të Shqipërisë së Mesme, pa asnjë bazë kulture a merite kombëtare? Po sikur këndvështrimin ta çvendosnim tek "kryengritja" e Haxhi Qamilit që deshe më shumë babën e tij të besimit se babë e nënë që e kishin sjellë në jetë? Sidoqoftë ky tipi ka shkruar romanin e tij dhe Mero Baze na e sjell si fakt të vërtetësisë. VK e radhës klikut që i dhuruam Meros.

      Përgjigjjuni
      1. S
        Shvejku...

        Ju qe mburreni si tironca te vjeter me citjane dihet qe jeni me origjin shumica nga Irani e pranuar ne tv nga vete Dash Shehi prandaj nuk ju donin hahaha.

        Përgjigjjuni
        1. D
          Dibra modhe

          Super koment...Bravo Tirona

          Përgjigjjuni
        2. k
          k

          Manipulime,padrejtësi,fallsifikime,presione, kanosje,vjedhje,përdhunosje,maskaralliqe,uzurpime,qelbsinlliqe,zaptime arbitrare,poshtrime,krime,etj,etj.Kane ndryshuar format por kanë ngelur po ato metoda.Shqiptarë,ergo,kriminelë.

          Përgjigjjuni
          1. M
            Morava

            Me këto gjykime, autori i shkrimit, disa herë,nuk ngrihet dot mbi nivelin e një tifozi të rëndomtë. Nqs kupola e kuqe,siç shkruhet ,do të “ nxihej dhe tërbohej “ nga inati për fitoret e Tiranës e kishin fshirë nga faqja e dheut me gjithsej. E vërteta është që shteti i kohës , si në çdo diktaturë, e përdorte futbollin si një mjet të rëndësishëm për të kontrolluar dhe orientuar atje ku duhej energjitë e turmave . Futbolli nuk i prishte punë përderisa vëmëndja e njerëzve shpërqëndrohej nga çështjet më serioze dhe nuk drejtohej kundër politikës. Në këto kushte qëndrimi i hapur kundër Tiranës, për ta kthyer problemin nga thjesht sportiv në politik, siç pretendohet këtu, do të ishte një budallallëk i pafalshëm për vetë kupolën.Faktet që sillen për të vertetuar çfarë pretendohet,edhe kur kanë doza të ndryshme të vërtetash,prapë nuk e kapërxejnë dot gjykimin e një tifozi, këtu të Tiranës.Shteti vërtet ndërhynte në futboll sidomos në përbërjen e skuadrave të kryeqytetit,me qëllimin që lufta për kampinatin të zhvillohej pikërisht atje ku ishte edhe interesi më i madh i tij, për kontrollin mental të njerësve dhe titulli kampion duhet të rrotullohej sipas rastit brenda tyre , por vetëm kaq . Preferencat e individëve të ndryshëm të fuqishëm dytësorë,sado të dëshironin ,nuk mund të bënin sipas qejfit dhe të dilnin mbi synimin kryesor sepse nuk i lejonte kush.

            Përgjigjjuni
            1. N
              Nacionalisti

              Qe te ftillohesh dhe te shpetosh nga gjykimi i nje tifozi, meqe qenke i ditur shum, shiko pak ne faqen e Uefas nese uefa e njef Dinamon si fituese te kampionstit te vitit ne fjale apo jo. Dhe kur te te rezultoje qe uefa nuk e njef Dinamon si fituese, si i ditur qe qenke kerko ndjese per kete carcaf te gjate qe ke bere, kshu pioneri enverit, ju qifta kina rracen

              Përgjigjjuni
              1. g
                ganiu

                Nëse Morava është pionieri i Enverit, ti je Rota e K.rit. Ec mor copë idioti.

                Përgjigjjuni
            2. P
              Pipi

              Po shkruani emrin e ish gazetarit Skifter Këlliçi që i ka shkruar këto rradhë që ta marrin vesh të rinjtë që nuk i kanë jetuar këto ngjarje...

              Përgjigjjuni
              1. N
                Na mbyten gomeret

                Po ca jane keto traplliqe nuk donin te fitonte dy here rresht. Dhe koqja rendit endrrat me hakmarres dhe tjerrin e tjerrin sa nuk I del koka muhabetit. Po pastaj si e lane ta fitonte 2 here o koqe kandari apo u terhoqen se populli trim tironas do bente namin. Tani kushdo mund te sajoje lloj lloj perrallash sepse deshmitaret apo protagonistet nuk jetojne me dhe vertetesia eshte e dyshimte por rasti ne fjale ka precedente edhe ne bote nejse Partizani I ka ardhur hakut kurse me Dinamon ishte ndryshe po si e linte ky ekipi I sigurimsve qe te humbte skuadra e tyre se sipas ketij koqes pengohej. Debil I lindur vertet ishin skuadra te privilegjuara ne ate kohe sic ndodh rendom ne te gjithe boten ku ka skuadra qe favorizohen me shume sepse konsiderohen simbol te lojes per nga jetegjatesia apo suksesi biles te favorizuara dhe hapur fare dhe askush nuk ka pasur guximin ti kundershtoje. Do emra eshte nje liste e gjate qe fillon me Real,Juventus,Bajern,Psg dhe plot te tjera. Disidente caracet ik o koqe haxhiqamilis.

                Përgjigjjuni
                1. M
                  Me prokurë të posaçme

                  Megjithse kërkova, më ndjeni, por nuk e gjeta dot se cili është ky gazetar dhe shkrimtar i njohur, që ka shkruar këtë memorial dhe njëherazi është autor i librit "Tirana...". Mendja më shkon tek Skifter Këlliçi, por ...?!

                  Përgjigjjuni
                  1. S
                    Shkodrani 1

                    Hajde Skifter hajde. Skuadra te diktatures, a thu se ato djem qe luajten per keto 2 ekipe kishin ardhe prej Rusie apo Serbie. Ishin shqiptare edhe ato o skifter pa krahe qe derdhen djerse e gjak me fushe. E vertet qe u bane pjese me hir e pahir pjese e ketyne e ekipeve por ne pergjithsi ishin ajka e futbollit shqiptar. Hajde loqe loqe po rri ne amerike se mire je, por aman rri andej e mos shkruaj ma se na hape zorret.

                    Përgjigjjuni
                    1. L
                      Luan

                      Mosha bën të vetën edhe për gazetarin Këlliçi Këto shkrime sot janë jashtë kontekstit,sepse Skifteri thotë " si GUXOI Federata të merrte një vendim të tillë"!? Të rinjtë sot kujtojnë se në ato vite Federata merrte parasysh dëshirat e tifozëve apo opinionin sportiv në vend,në një kohë që nuk ishte kështu. Më qesharake është pastaj që Skifteri kërkon proces verbalin e mbledhjes! Ai e di më mirë se unë se në Diktaturë me" një porosi nga shoku X" arrestoheshin dhe pushkatoheshin njerëz, jo më të mos merrej një masë disiplinore për një sherr masiv në një ndeshje sporti.... Tirana ishte vërtetë një skuadër e shkëlqyer futbolli gjatë gjithë periudhës së Komunizmit por asnjëherë nuk kemi parë ti mohohet merita sportive ndonëse "Partizani" dhe " Dinamo" ishin të preferuarat e pushtetit ,madje në vitet 80, megjithë "Partizanin" superfuqi me trajner Bejkush Birçen,apo pak më herët"Dinamon" e Skënder Jarecit ,Tirana ishte skuadra "më e rëndë" në Shqipëri. Shkrime të tilla duhet të kenë sqarime plotësuese,edhe pse përseri më duket e vështirë që lexuesi i sotëm të kuptojë atmosferën e kohës. ASO kohë Shqipëria kishte vërtetë futboll me Vllazninë, Flamurtarin, Lokomotivën,Labinotin,Luftëtarin plus ekipeve të Tiranës bënin tetë ekipe bomba që sot edhe kurrë më nuk do t'i ketë Shqipëria Edhe Skënderbeu,Besëlidhja ,Naftëtari,Tomorri,Traktori apo Apollonia ndonëse ishin më poshtë se niveli i të parave ,kishin megjithatë futboll dhe të hapnin shumë punë për t'i mundur. Nuk ka asnjë lloj lidhje futbolli sot me të kohës të Hoxhës

                      Përgjigjjuni
                      1. T
                        Tirana

                        E turpeshme dhe madje e poshter nese eshte e vertete qe kete shkrim e paska bere "nje gazetar dhe shkrimtar i njohur"! Pyetje: po sot, "te kuqte" e kane katandisur klubin Tirana ne ate fare mizerabiliteti qe ka 36 vjet qe ka mbetur rrugeve, nga tifozeria e se ciles degjohen e shikohen vetem urrejtje e barbarizma, jo sport? Cfare eshte kjo politike e ndyre me petk sportiv?

                        Përgjigjjuni
                        1. L
                          Ladi

                          Artikull nga fillimi ne fund i pasakte, ne ngjarje, data, shifra, perceptime. Keqdashes, interesaxhi, manipulator, legen!!!! Sikur shkrua ngjarje perpara 2 mije vjetesh. Ne fakt shumica jone i ka perjetuar, dhe nuk do ia kurseja nje gelbaze per tere karlleqet e fallcitetet e shkruara.

                          Përgjigjjuni
                          1. V
                            Vjosa

                            Nga ç'farë ka shkruar unë do i drejtohem gazetarit Skifter Këriçi.Jam bashkohës së asaj peridhe dhe e mbaj mirë mënd edhe ngjarjen . Njëherë të sqarojmë diçka ,se në periudhën postë komuniste kishte përkrahje në përgjithësi nga të tëra anët për të tre ekipet e kryeqytetit. Mendoj që ato gjithëmonë kan bërë diferencën me ekipet e rretheve sepse mbështetja ka qënë e pa kursyer.Kjo ngjyrë politike që i jep autori është turp për atë vet dhe tregon se është një njeri me dy fytyra.P.S.Shteti i Diktaturë nuk interesohej fare për titullin .Ai kërkonte të riteshin pa kufi aktivitetet sportive dhe të kishte sa më shumë masivizim.Ky ishte një qëllim i shtetit socialist që; SPORTI ËSHTË MJET EDUKIMI PËR MASAT DHE DUHET TI SHËRBEJ MASAVE. Në a'snjë kohë tjetër nuk është investuar kaq shumë se atëherë.Në Shqipëri zhvilloheshin dhe investoheshin të gjitha llojet e sportev nga shteti.KËRIÇI i di të gjitha aritjet në të gjitha sportet të vëndit tonë në arenën ndërkombëtare.Këriç ,si Turk që je nuk presim më shumë nga ti .Kur komentoje s'ke lënë më elozhe pa thurur për kupolën .ÇFAQET E DHUNËS ISHIN KATEGORIKISHT TË DËNUSHME DHE ATA NUK PYESNIN FARE PËR ASGJË PO TË PRISHEJ REGULLI .TIFOZËT PO PËRJASHTOHEN EDHE TANI ,EKIPET PO NDËSHKOHEN EDHE TANI SE PO DJEGIN STADIUMET ,SEPSE NUK KA MË SHTET KURSE ATËHERE AI SHTET TA BËNTE HUNDËN 3 HERË MË TË MADHE SE AJO E MEMËS .

                            Përgjigjjuni
                            1. d
                              dikur

                              Nuk ka pasur politikë shtetërore anti "Tirona" apo "17 Nëntori" . Jam dakort me një komentues më sipër , nëse fuqia e diktaturës, nëse do të vërsulur kundra "Tiranës" pa diskutim do e kishte zhdukur. Përsa I takon preferencave personale të pushtetarëve kjo është gjë tjetër. Nëse duam të diskutojmë Përse ekipi I Partizanit parapëlqej apo kishte tifozë në të gjithë fshatrat dhe qytetet e Shqipërisë kjo besoj unë vinte për shkak se ai ekip ishte një kombëtare e pa deklaruar. Me anë të sistemit të shërbimit të detyruar ushtarak mblidhte talentet më të mirë të vendit. Tirana ishte një ekip lokal siç Vllaznia , Besa , Teuta, Skënderbeu, etj , etj, për qytetet respektive. Shkrimi më duket tendencioz dhe jo realist. E kishte problem ai shtet t'i ndërpriste finacat dhe ta shkrinte klubin e 17 Nëntorit? Dhe harron autori se financues ishte ajo pra "kupola e kuqe" . Pra ka pasur pëlqime personale por jo "bllok" apo "kupolë" kundra klubit të Tiranës.

                              Përgjigjjuni
                              1. S
                                Shkerdhatokracia malokare 7501

                                Nga Byroja politike e PPSHsë tre veta ishin tifoze futbolli , zv.kryeministri M.Myftiu tifoz ultra dhe tutor i 17 Nentorit , Min.Brençem K.Hazbiu tifoz i Dinamos , B.Balluku min.Mbrojtjes dhe P.Dume shefi shtabit tifoze ultra te Partizanit , te tre keta ndih onin klubet e tyre qe i kishin nenomeklature , ne kohen e kesaj ngjarje qe pershkruhet si hile M.Myftiu ishte pashai i partise per gjithe rrethin e Tiranes . Ajo plejade futbollistash ne gjithe Shqiperine ishin talente dhe djem me shpirt te madh se ishin konkurente ne fushe por jashte saj ishin vellezer , e njejta gje per objektivitetin e tifozeve qe ishim te perzier si tifokundershtar ngjitur me njeri tjetrin pa ndarje horrash e vagabonde si sot per fat te keq . Brezi jone shikonte skandale dhe nderprerje ndeshjesh vetem ne ekranin e jugosllavit dhe asnjehere ke italiani .

                                Përgjigjjuni
                                1. C
                                  Cfurku

                                  Niveli mediokër i artikullshkrusit të befason me nje analizë sipërfaqësore dhe aspak korrekte për atë kohë, per mentalitetin dhe futbollin e asaj kohe.Sajon lidhje të paargumentuara dhe nuk thote të vërtetën. Në themel të atij shteti uniteti jo që prapagandohej,por dhe mbrohej si virtyt i paprekshem jo vetem ne sport, por në gjithe aktivitet ekonomike, politike e ushtarake, por në interes të asaj partie.Kam njohur shumë sportist të asaj kohe nga të tre ekipet e kryeqytetit dhe të befasonte mardhenja e ngrohte shoqerore që egzistonte midis tyre.Në dasmat e tyre ishin të pranishem pjesa dermuse e të tre ekipeve të PartizaninTiranës dhe Dinamos. Kur flet për dënimin e ekipit të Tiranes por dhe të Partizanit që pesoj të njëjtin dënim dhe shkrusi nuk e thot,u cilësua si një ç'faqe antisportive e theksuar dhe nuk u bë llogari që të përfitonte Dinamo. Sa për Kadri Azbiun ja fut kot dhe se ai nuk ndikonte kurrë per perfitime të Dinamos.Edhe ndeshjet kur luante Dinamo i ndiqte në radio dhe kjo më është then nga i biri Agroni. Persa u perket tifozve si në gjithe boten mund te kishte dhe pakenaqësi por jo siç e interpreton shkrusi si luftë klasash. Sot ndoshta është me keq se atëhere tifozria shqiptare. Ne Anglin e atëhershme jo që riheshin por dhe vriteshin tifozet e ekipeve kundershtare. Shkruaj të vërtetën dhe mos abuzo per nevoja meskine.Udhëtimi në kohë po nuk the të vërtetën nuk të bën historian sportiv.

                                  Përgjigjjuni
                                  1. M
                                    Muhameti

                                    Perralla me mbret. Pse nuk thote ky gazetar per favoret qe i beheshin ekipit te basketbollit femra te Tiranes ndaj skuadrave te Flamurtarit, Apollonise, etj, vetem se trajneri Vaso Shaka ishte dhenderi i Haxhi Lleshit ? Po byroisti Abdyl Kellezi me ke ishte tifoz? Gezim Kasmin e kam pasur pedagog ne ILB Kamez dhe ka kryer ushtrine 2 vjet ne Skrapar dhe jo zbor.

                                    Përgjigjjuni
                                    1. T
                                      Tifozi

                                      Partizani ishte skuader e Ushtrise Popullore dhe mbahej me lojtare qe kryenin sherbimin ushtarak. Dua te permend disa emra si Bizi, Ragami, Selami Dani, Karriqi, Bashkim Rudi, Bujar Cani, Mihal Gjika, Sefedin Braho, Mexhit Haxhiu, etj, etj. Kur ushtria u vendos te kryej ne rrethe nuk merrte me ( pas vitit 1996 mos gaboj) dhe Tirana u nda ne rajone per 17 Nentorin, Dinamon dhe Partizanin ku zgjidheshin talentet ne cdo sport. Kjo eshte e verteta.

                                      Përgjigjjuni
                                      1. F
                                        ForcaTirona

                                        Po per sto letrat anonime qe beje,nuk na the gje more shoku Skifter.Qe t'a merrni vesh ju lexuesit e sotem ,shoku Skifter nje propogandist i shquar i vijes se Partise per zhvillimin e sporteve ,u be i pakenaqur kur u demaskua si intrigante ne perberje te nje gruppi te vogel trasmetuesish ne radio e television dhe u perjsshtua nga ky grup.Dergonte letra anonime ne Drejtorine e Radio -Televisionit,ku shkruante se spordashesit nga gjithe Shqiperia preferonin qe te gjitha ndeshjet ose shumicen e tyre e sidomos ato me te rendesishmet ti trasmetonte ai dhe jo Ismet Bellova me te tjeret (Pa i permendur me emra keta,por duke glorifikuar veten si me i miri e me i dashuri)U zbulua shpejt qe autori i ketyre dhjetra letrave ishte Skifter Kellici qe fliste per Skifter Kellicin.Dhe U ndeshkua duke e perjshtuar nga grupi i trasmetuseve.Dhe u be i pakenaqur.Akoma sot nuk i ka dal inati dhe me te njejten paturpesi me te cilen bente letra anonime ne dem te kolegeve,shtremberon fakte e genjen per episode e ngjarje qe nuk kane ndodhur.Nuk bertiste njeri "bini te kuqve"apo "bini bluve".Thirrjet qe degjoheshin ishin Forca Tortona,Forca Partizioni o genjeshtar i semure.

                                        Përgjigjjuni

                                        Lini një Përgjigje