Nga Feti ZENELI

Policia, si një nga institucionet më të vjetra dhe më të domosdoshme të shtetit modern, ka qenë gjithmonë objekt debatesh, gjykimesh dhe perceptimesh shpeshherë kontradiktore. Në diskursin publik, ajo shpesh shfaqet e rrethuar nga një hije mosbesimi, e ushqyer jo vetëm nga përvojat individuale të qytetarëve, por edhe nga reflektime të mendjeve të ndritura të letërsisë dhe mendimit kritik. Nuk është e rastësishme që shkrimtari i madh francez, Honore de Balzak, shprehej me skepticizëm se “policia më shumë sajon se zbulon”, një pohim që, pavarësisht kohës kur është bërë, vijon të gjejë jehonë edhe në ditët tona.
Ky perceptim, i përforcuar edhe nga opinioni i zakonshëm qytetar, shpesh e vendos policinë në një pozicion të padrejtë, duke e reduktuar rolin e saj kompleks në disa stereotipe të thjeshtwzuara. Në të vërtetë, si çdo institucion tjetër shtetëror, policia nuk është një trup homogjen, por një organizëm i gjallë, i përbërë nga individë me formime, karaktere dhe nivele të ndryshme përkushtimi. Brenda saj bashkëjetojnë dobësitë njerëzore me virtytet më të larta të shërbimit publik.
Në thelb, misioni i policisë mbetet një nga më fisnikët dhe më të vështirët: mbrojtja e rendit juridik, parandalimi dhe zbulimi i krimit, garantimi i sigurisë së qytetarëve dhe ruajtja e rendit publik. Këto nuk janë thjesht detyra të shkruara në ligj, por përgjegjësi që kërkojnë përkushtim të përditshëm, guxim dhe, shpeshherë, sakrifica që kalojnë përtej detyrës. Pikërisht në këtë realitet të ndërlikuar, ku sfidat janë të shumta dhe presionet të vazhdueshme, spikasin edhe figura të veçanta - drejtues dhe profesionistë të lartë të policisë - të cilët, me integritetin dhe vizionin e tyre, arrijnë të tejkalojnë paragjykimet dhe të ndërtojnë besim.
Në panoramën e gjerë të kandidatëve që synojnë të marrin drejtimin më të lartë të Policisë së Shtetit, spikat edhe figura e Rebani Jaupit, një emër që mbart mbi vete peshën e një përvoje të gjatë dhe të qëndrueshme prej plot 35 vitesh në shërbim të këtij institucioni. I lindur në Tepelenë dhe i formuar profesionalisht në një periudhë nga më të ndërlikuarat e historisë moderne shqiptare, rrugëtimi i tij në polici nuk është thjesht një karrierë lineare, por një histori rezistence, përkushtimi dhe përballjeje me sfidat e një tranzicioni të tejzgjatur.
Fillimet e tij në gusht të vitit 1990 përkojnë me një moment kthese për vendin, kur sistemi i vjetër po lëkundej dhe një rend i ri po përpiqej të merrte formë. Në këtë kuptim, rruga profesionale e Rebani Jaupit është, në një farë mënyre, një pasqyrë e vetë zhvillimeve të demokracisë shqiptare - e brishtë, e trazuar, shpeshherë e padrejtë, por gjithsesi në kërkim të konsolidimit. Në një realitet ku ndryshimet politike shpesh shoqëroheshin me lëkundje të forta në administratë dhe ku përkatësitë ideologjike mund të shndërroheshin lehtësisht në pengesë karriere, ai zgjodhi të mbështetej te një parim i thjeshtë, por thelbësor: përmbushja me korrektësi e detyrës dhe respektimi i ligjit.
Kjo zgjedhje nuk ishte aspak e lehtë, sidomos në vitet e para të pluralizmit, kur klima politike e viteve 1992-1997 karakterizohej nga tensione të forta dhe, jo rrallë, nga praktika përjashtuese ndaj individëve që perceptoheshin si “të lidhur” me krahun e kundërt politik. Duke qenë se vinte nga një familje me prirje të majta dhe nga një krahinë si ajo e Buzit në Tepelenë, ai mund të ishte lehtësisht subjekt i këtij lloj seleksionimi arbitrar. Megjithatë, duket se ajo që e mbrojti ishte pikërisht mungesa e çdo preteksti profesional për ta penalizuar: korrektësia në detyrë, integriteti personal dhe një sjellje e matur njerëzore që nuk linte vend për interpretime dashakeqe.
Në vitet e para të karrierës së tij në Tiranë, në rolin e inspektorit të Policisë Kriminale, mund të dukej se pozicioni nuk reflektonte plotësisht potencialin e tij. Por, në një analizë më të thellë, kjo periudhë rezulton vendimtare: ajo i dha mundësinë të ndërtojë themele të forta profesionale, të përballet drejtpërdrejt me realitetin e krimit urban dhe të konsolidojë një profil pune që do ta shoqëronte gjatë gjithë karrierës. Në një kohë kur shumë karriera ndërpriteshin ose devijoheshin për arsye jashtëprofesionale, fakti që ai mbeti në sistem dhe vijoi të rritej gradualisht, përbën në vetvete një arritje të rëndësishme.
Ngjarjet dramatike të viteve 1997-1998, që tronditën themelet e shtetit shqiptar, përbëjnë një tjetër provë të fortë në këtë rrugëtim. Në një ambient ku rendi publik ishte i brishtë dhe ku dhuna shpesh merrte trajta të pakontrolluara, sfida për strukturat e policisë nuk ishte vetëm përballja me fenomenin kriminal, por edhe me një mentalitet që shpërfillte ligjin dhe autoritetin. Në këto rrethana, roli i një oficeri të Policisë Kriminale, si Rebani Jaupi, merrte një dimension të veçantë: kërkonte jo vetëm aftësi profesionale, por edhe qëndrueshmëri morale dhe guxim qytetar. Pikërisht mbështetja te vlerat dhe virtytet - dhe jo te koniunkturat apo kompromiset - duket se ishte çelësi që i mundësoi të kalonte me sukses këtë periudhë të vështirë.
Emërimi i tij si shef i Policisë Kriminale në Komisariatin Nr. 3 në Tiranë, në prag të vjeshtës së trazuar të vitit 1998, shënon një kthesë të rëndësishme në karrierë. Që nga ai moment, rruga e tij profesionale do të marrë një trajektore në ngritje të vazhdueshme. Detyrat dhe përgjegjësitë shtohen vit pas viti, duke kulmuar me pozicione të larta drejtuese, deri në nivelin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Ky progres nuk është rezultat i rastësisë, por i një kombinimi të përvojës së akumuluar, rezultateve konkrete në punë dhe një formimi të vazhdueshëm profesional, të dëshmuar përmes trajnimeve dhe specializimeve të shumta, si dhe marrjes së gradës së lartë “Drejtues i Parë”.
Mbi tridhjetë emërime dhe riemërime në funksione të ndryshme, të shoqëruara me vlerësime pozitive, përbëjnë një dëshmi të qartë të besimit institucional që ai ka gëzuar ndër vite. Megjithatë, në një sistem ku shpeshherë avancimi ndikohet edhe nga faktorë jashtë meritës, nuk mungojnë edhe interpretimet se ai mund të kishte arritur më tej, nëse do të kishte ndjekur rrugë më oportuniste. Në këtë kuptim, ajo që mund të jetë parë si “mangësi” - depolitizimi real dhe refuzimi për t’u bërë pjesë e praktikave të diskutueshme, si zbatimi i urdhrave verbalë - në fakt përbën një nga pikat më të forta të profilit të tij.
Kjo e bën karrierën e Rebani Jaupit të veçantë, sidomos në kontekstin e një administrate publike shpesh të kritikuar për korrupsion, paaftësi apo militantizëm politik. Në një sektor si policia, ku këto problematika perceptohen edhe më të theksuara, është e vështirë të ndërtosh dhe të ruash një imazh të pastër profesional. Megjithatë, në rastin e tij, etiketime të tilla duket se nuk gjejnë terren. Përkundrazi, cilësitë e tij njerëzore - maturia, fisnikëria në sjellje, korrektësia dhe kompetenca profesionale - krijojnë një profil që edhe kritikët më të ashpër e kanë të vështirë ta vënë në dyshim pa fakte konkrete.
Në këtë prizëm, figura e tij mund të shihet si një rast relativisht i rrallë në realitetin shqiptar, duke sjellë ndër mend shprehjen e Juvenalit për “mjellmën e zezë”. Por kjo rrallësi nuk duhet të shërbejë si justifikim për heshtje apo për indiferencë. Përkundrazi, ajo duhet të shërbejë si një thirrje për reflektim mbi standardet që kërkohen nga drejtuesit e institucioneve kyçe. Në një kohë kur hapësira publike dominohet shpesh nga lajme negative dhe kur vlerat e punës së ndershme e të përkushtuar shpesh konsiderohen të tejkaluara, promovimi i modeleve të tilla merr një rëndësi të veçantë.
Tek Rebani Jaupi, aftësitë profesionale nuk shfaqen si një produkt i izoluar i përvojës individuale, por si një vazhdimësi e natyrshme e një formimi më të thellë njerëzor, i ushqyer ndër breza. Karakteri i tij - i përmbajtur, i drejtë dhe i përkushtuar - duket sikur mbart në vetvete një kujtesë të trashëguar, një lloj “gjenetike morale” që e lidh fort me rrënjët familjare. Nuk është rastësi që ai është djali i vogël, “djali i pleqërisë”, i Kaso Hetem Jaupit, i njohur ndryshe si Kaso Temja, një figurë që në trevën e Buzit gëzonte respekt jo thjesht për rolin, por për peshën e fjalës dhe drejtësinë e veprimit.
Kjo trashëgimi nuk fillon me të atin. Ajo shtrihet më tej në kohë, tek gjyshi Hetem dhe stërgjyshi Elmaz, një njeri i arsimuar në Turqi, që për kohën përfaqësonte një horizont të rrallë kulturor dhe qytetar. Ishin pikërisht këta burra që mbollën te pasardhësit ndjenjën e dashurisë për punën, për njeriun dhe për tokën - një trekëndësh vlerash që në shoqëritë tradicionale përbënte themelin e dinjitetit. Tapitë e pronave në zonën Rabije-Izvor, të vulosura nga dora e Elmazit, nuk janë vetëm dokumente juridike; ato janë dëshmi konkrete të një vijimësie, të një lidhjeje organike mes brezave, që i mbijetoi sistemeve politike dhe ndryshimeve historike. Siç do të shprehej filozofi anglez Edmund Burke, “shoqëria është një partneritet jo vetëm i të gjallëve, por edhe i të vdekurve dhe i atyre që do të lindin”, dhe pikërisht kjo frymë duket se përshkon historinë e kësaj familjeje.
Figura e të atit, Kasos, e thellon më tej këtë profil vlerash. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, ai rreshtohet krah figurave të njohura të rezistencës si Spiro Moisiu dhe pesë heronjtë e Vigut - Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha dhe Ndoc Deda - duke dëshmuar jo vetëm guxim, por edhe një ndjenjë të fortë përgjegjësie ndaj fatit të vendit. Pas çlirimit, komuniteti i tij nuk ngurroi t’i besonte drejtimin e kooperativës bujqësore në Rabije, një detyrë që në atë kohë kërkonte jo vetëm aftësi organizative, por edhe drejtësi në raport me njerëzit dhe burimet. Edhe më vonë, si përgjegjës sektori dhe në funksione të tjera shoqërore e shtetërore, ai mbeti një figurë e lidhur ngushtë me komunitetin, duke e parë pushtetin jo si privilegj, por si shërbim.
Këto cilësi - ndershmëria, përkushtimi, ndjenja e detyrës - nuk mbetën thjesht në biografinë e tij personale. Ato u trashëguan te tetë fëmijët, e veçanërisht te më i vogli, Rebaniu, i cili duket se i përthithi me një intensitet të veçantë. Në këtë kuptim, ai nuk është vetëm një individ që ka ndërtuar një karrierë, por edhe një vazhdues i një etike familjare, ku puna dhe dinjiteti nuk negociohen. Siç thoshte Aristoteli, “ne jemi ajo që bëjmë vazhdimisht; prandaj, përsosmëria nuk është një akt, por një zakon” - dhe në rastin e kësaj familjeje, ky “zakon” është kultivuar ndër breza.
Një tjetër figurë që ndriçon këtë trashëgimi është edhe vëllai i tij, Samiu, një nga intelektualët dhe drejtuesit më të spikatur të Tepelenës në periudhën para viteve ’90. Në funksionin e kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të rrethit, ai përfaqësonte një tip drejtuesi që nuk i shmangej përgjegjësisë, por përkundrazi e kërkonte atë si provë të karakterit. Samiu mishëronte modelin e njeriut të guximshëm, jo vetëm në kuptimin fizik, por mbi të gjitha në atë moral: guximin për të marrë vendime, për të qëndruar në to dhe për të mbajtur përgjegjësi për pasojat.
E shkuara e tij është e mbushur me shembuj që dëshmojnë një qëndrueshmëri të rrallë përballë sfidave. Edhe pas ndryshimeve të thella politike të viteve ’90, kur shumë individë u gjendën të çorientuar apo zgjodhën të shkëputeshin nga e kaluara e tyre, Samiu nuk e braktisi identitetin e vet. Ai ndryshoi mënyrën e të punuarit, ashtu siç e kërkonte koha, por jo sistemin e vlerave mbi të cilat kishte ndërtuar jetën. Në këtë qëndrim gjen jehonë mendimi i Niçes, sipas të cilit “ai që ka një ‘pse’ për të jetuar, mund të përballojë pothuaj çdo ‘si’”. Për Samiun, kjo “pse” ishte pikërisht integriteti personal dhe besnikëria ndaj parimeve.
Natyrisht, një rrugë e tillë nuk ka qenë e lehtë. Kalimi nga një sistem në tjetrin, me gjithë pasiguritë dhe pasojat e tij, kërkonte jo vetëm aftësi përshtatëse, por edhe një bosht të fortë moral që të mos lejonte shpërbërjen e personalitetit. Samiu ia doli ta ruajë këtë ekuilibër, duke e mbajtur të hapur vazhdimësinë e jetës dhe të punës me dinjitet, në një kohë kur shumëkush zgjodhi të “mbyllë” kapituj të së shkuarës.
Por, si çdo histori njerëzore me peshë, edhe kjo nuk mund të kuptohet plotësisht pa dimensionin e saj të brendshëm: kujtimet familjare, përvojat e përditshme, gjurmët konkrete të punës së lënë pas. Sepse, në fund të fundit, janë pikërisht këto rrëfime të vogla, shpesh të pathëna, ato që ndërtojnë portretin e vërtetë të një njeriu dhe të një familjeje. Siç do të thoshte shkrimtari rus Tolstoi, “të gjitha familjet e lumtura i ngjajnë njëra-tjetrës, por secila familje është e veçantë në mënyrën e vet” - dhe veçantia e kësaj familjeje qëndron pikërisht në vazhdimësinë e vlerave që nuk u shuan nga koha, por u forcuan prej saj.
Duke e zgjeruar këndvështrimin mbi figurën e Rebani Jaupit, përtej kufijve të një biografie thjesht profesionale dhe duke e vendosur atë në kontekstin e trashëgimisë familjare që e ka formësuar, bëhet më e qartë se kemi të bëjmë jo vetëm me një zyrtar me përvojë, por me një personalitet të ndërtuar mbi themele të qëndrueshme vlerash. Ky zgjerim nuk është një shmangie nga thelbi, por një përpjekje për ta kuptuar më mirë atë thelb: lidhjen organike midis njeriut, karakterit dhe mënyrës se si ai e ushtron detyrën publike. Në këtë shembull, merr kuptim të veçantë edhe pohimi i filozofit skocez të shekullit XVIII, David Hume, sipas të cilit “njeriu me të vërtetë i virtytshëm e kryen detyrën e tij pa mundim”. Kjo nuk nënkupton mungesë përpjekjeje, por përkundrazi një përputhje të brendshme midis bindjes morale dhe veprimit konkret, një harmoni që e bën detyrën pjesë të natyrës së njeriut.
Në rastin e Rebani Jaupit, kjo harmoni duket se është arritur përmes një procesi të gjatë formimi, ku edukata familjare, përvoja jetësore dhe përballjet profesionale kanë vepruar si elementë plotësues të njëri-tjetrit. Ai është një nga ata individë që nuk e konceptojnë funksionin publik si një mjet për përfitim personal, por si një përgjegjësi që kërkon përmbajtje, disiplinë dhe, mbi të gjitha, vetëpërmbajtje. Në një kohë kur shpesh vëmendja përqendrohet te ajo që një individ merr nga posti që mban, figura të tilla na kujtojnë rëndësinë e asaj që ai jep: kohën, energjinë, integritetin dhe shpeshherë edhe sakrificat e padukshme që nuk hyjnë në bilancet zyrtare.
Një nga tiparet më dalluese të këtij profili është pikërisht aftësia për të mbajtur në hije nevojat personale përballë kërkesave të detyrës. Kjo nuk është një formë mohimi, por një zgjedhje e ndërgjegjshme për të vendosur interesin publik mbi atë vetjak. Siç do të shprehej Emanuel Kant, “vepro në mënyrë të tillë që maksima e veprimit tënd të mund të bëhet ligj i përgjithshëm”; dhe pikërisht ky universalizëm i sjelljes - kjo përpjekje për të qenë i drejtë jo vetëm për veten, por për të gjithë - duket se përshkon mënyrën se si Rebani Jaupi e ka ushtruar funksionin e tij ndër vite.
Në këtë kuadër, një ndër aftësitë më të rëndësishme që i atribuohet një drejtuesi të vërtetë është ajo për të mos u sunduar nga askush tjetër përveç ligjit, ndërgjegjes dhe së drejtës. Kjo është një ide që gjen jehonë në mendimin klasik filozofik, nga stoikët e deri te mendimtarët modernë: liria e brendshme si kusht për ushtrimin e drejtë të autoritetit. Një drejtues që i nënshtrohet presioneve të jashtme, interesave të ngushta apo influencave të momentit, e humbet automatikisht aftësinë për të qenë i drejtë. Ndërsa ai që mbështetet te ligji dhe te një kod i brendshëm moral, krijon jo vetëm autoritet formal, por edhe besim - një kapital shumë më i çmuar dhe më i qëndrueshëm.
Në një realitet si ai shqiptar, ku institucionet shpesh kanë vuajtur nga luhatjet e besimit publik, nevoja për figura të tilla bëhet edhe më e dukshme. Nuk mjafton më thjesht përvoja apo grada; kërkohet një profil që të ndërthurë kompetencën me integritetin, vendosmërinë me drejtësinë dhe autoritetin me përgjegjshmërinë. Në këtë kuptim, përzgjedhja e drejtuesit të Policisë së Shtetit nuk është një akt rutinë administrativ, por një moment që reflekton drejtimin që synon të marrë vetë institucioni.
Prandaj, pyetja thelbësore nuk është vetëm “kush” do të zgjidhet, por “çfarë” përfaqëson ai person. A do të jetë ai një vazhdimësi e praktikave të vjetra, ku ndikimet politike, kompromiset dhe interesat afatshkurtra kanë shpesh peshën kryesore? Apo do të jetë përfaqësues i një fryme të re, ku meritokracia, profesionalizmi dhe integriteti vendosen në qendër të vendimmarrjes institucionale? Kjo është dilema reale që qëndron përpara, dhe përgjigjja e saj ka pasoja që shkojnë përtej një emërimi individual.
Në këtë kontekst, profili i Rebani Jaupit merr një dimension që tejkalon historinë e tij personale. Ai shfaqet si një model i mundshëm i asaj që mund dhe duhet të jetë një drejtues i lartë i policisë në një shoqëri demokratike: një profesionist i formuar në terren, një administrator i matur në vendimmarrje dhe një qytetar i ndershëm në raport me ligjin dhe komunitetin. Nuk bëhet fjalë për idealizim, por për një lexim realist të një rruge të ndërtuar me përpjekje të vazhdueshme dhe pa devijime të mëdha nga parimet.
Sigurisht, çdo kohë ka sfidat e veta dhe çdo drejtues përballet me rrethana që shpesh tejkalojnë individin. Por pikërisht në këto momente, pesha e karakterit bëhet vendimtare. Siç shprehej Winston Churchill, “çmimi i madhështisë është përgjegjësia”, dhe ky çmim nuk paguhet me fjalë, por me vendime të drejta, shpesh të vështira. Një drejtues që ka ndërtuar veten mbi një sistem të qëndrueshëm vlerash ka më shumë gjasa ta përballojë këtë barrë pa u lëkundur.
Përfunimisht, mund të thuhet se portreti i Rebani Jaupit përfaqëson një ndërthurje të rrallë të përvojës, formimit dhe integritetit moral. Ai nuk është thjesht produkt i një karriere të gjatë, por i një procesi të vazhdueshëm ndërtimi personal dhe profesional, i mbështetur në vlera që i kanë rezistuar kohës. Në një moment kur Policia e Shtetit ka nevojë për besim, stabilitet dhe vizion, figura të tilla ofrojnë jo vetëm një alternativë konkrete, por edhe një standard me të cilin mund të maten zgjidhjet e së ardhmes.
ha ha ha ,na mbushet mendjen
Kete duhet te zgjedhe Rama e te mos merret me kalamaj delirante e me kambale ushtrie! Zoti Baze keni bere nje shkrim shume te mire! Shpresoj qe Rama te mos vazhdoje me eksperimente!