Nga Fatmira Nikolli
– Tepelenë, letër fëmijëve që nuk u rritën kurrë –
Memorie.al / Shpresoj të mos kesh ulëritur kurrë ‘përse kam lindur?’ Shpresoj se ke arritur në përfundimin, se ia vlente: me koston e vuajtjes, me koston e vdekjes. Jam kaq shumë krenare që të nxora nga asgjëja, me koston e vuajtjes, me koston e vdekjes”. Më vjen ndërmend Oriana Fallaci dhe fjalët me të cilat iu drejtua fëmijës që nuk lindi kurrë, ndërsa jam në mes pesë kazermave të ish-kampit të Tepelenës. Kam përreth, të mbijetuar, tanimë gjyshër, siç do të kishin qenë fëmijët që nuk u rritën kurrë, sepse nuk dolën kurrë të gjallë nga kampi. Fëmijën e Fallacit, me fëmijët që nuk u rritën kurrë, nuk i bashkon aq titulli, sa prerja në mes e jetës.
Edhe pse fund-gusht, era që fryn në kampin e vdekjes, pothuaj të merr frymën. “Dimri do ketë qenë tepër i ashpër”, – i them Simon Mirakajt.
“Ka qenë tepër. Kishte ngrica. Ne nënat na lanin jashtë, në atë kazermën atje. Në mbrëmje, binim për të fjetur, por në mëngjes jo të gjithë fëmijët zgjoheshin. Kishin ngrirë në gjumë”. Mirakaj ka jetuar disa vite në këtë kamp.
Mendonte, se kjo ishte jeta, një fushë e madhe me kapanone, rrethuar me tela me gjemba, me policë që bënin apel, me tasa ‘supe’ që zor se kish gjë veç ujit.
Stivonin mina e predha, shkonin deri te çezma. Nuk mund të luaje në kamp, nuk kishte as top, madje nuk kishte as këpucë. Natën, dëgjoheshin të qara të vegjlish që kërkonin bukë. Nuk kishte asnjë kothere. Kujton stallën e kuajve, gratë që ndiznin zjarrin për të larë rroba në kazanë. Ndodhte që të shpërthente ndonjë minë e mbetur nga lufta.
Kishte të vdekur, në sytë e fëmijëve. Trupat varroseshin përtej rrethimit. Jeta në kampe endej mes vajeve të përditshme, dhunës së përditshme dhe urisë së përditshme. Një sfond gri, një Aushvic, hapa ushtarakë, armë, uri, dhunë, por edhe torturë.
Gentiana Mara Sula, drejtore e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, në Ditën e të Zhdukurve (30 gusht), thekson në fjalën e saj se historia e tyre është e pa treguar; “ka boshllëk informacioni, por fatmirësisht ka që jetojnë akoma dhe rrëfejnë”.
“Po ju jap vetëm një shembull. Vetëm në një natë kanë vdekur 33 fëmijë të vegjël. Shpëtoi vetëm 1. Nisën ta thërrisnin ‘Beba’, dhe sot ka akoma këtë emër”, – thotë Lek Pervizi, një piktor 90-e sa vjeçar, që kujton çdo gjë që ka jetuar në Tepelenë.
Si dëshmitar, ai ka vizituar që në vitet 1950, skicat se si ishte kampi, 600 veta në një kazermë, 4500 në gjithë kampin. Krevate marinarësh prej dërrase mbushnin kazermat që funksiononin si salla pa ndarje. E ndante hapësirën, vetëm kush kishte çarçafë, por çarçafët qenë luks.
E pyes Mirakajn pse vdisnin fëmijët?! “Ka qenë një kamp shfarosjeje këtu, kanë vdekur 300 fëmijë. Vdekja kishte disa shkaqe, kryesisht mungesa e ushqimit dhe e higjienës. Të dyja këto, sillnin sëmundjet që, duke mos pasur mundësi t’i kuronim, çonin në vdekje. Të vegjëlve iu pre jeta padrejtësisht”.
Të mbijetuarit thonë se fëmijët e pleqtë që vdisnin varroseshin jashtë kampit. Vendvarrimi ka ndërruar tri herë. Nga matanë kampit, u çua te ura e Bënçës buzë lumit. Dimrit, lumi që vërshonte i merrte me vete.
A gjenden më eshtrat e tyre? 300 fëmijët e vdekur nuk kanë varr, por ende sot nuk kanë as emra. Nëse do iu shkruhej një letër, kujt do t’i drejtohej ajo? Kush ishin ata? Ku janë ata, të paemër e të pa varr? Prindërit e tyre kanë ndërruar jetë, nuk i kërkon më askush. U është mohuar jeta, vdekja, eshtrat dhe emri, edhe 27 vite pas rënies së regjimit komunist.
Në Shqipëri kinematografia nuk ia ka dalë të realizojë filma si “The son of Saul” apo, “The boy in striped pyjamas”, që do të ‘fotografonin’ historinë që nuk pamë e për të cilën fjalët nuk mjaftojnë e as që na janë thënë mjaftueshëm përveçse si shifra statistikash.
Megjithëkëtë, mundem ta imagjinoj “Saulin” që kërkon (eshtrat) të birin në të katra anët e kampit të Tepelenës, mundem të imagjinoj çmendurinë e “Saulit” shqiptar që endet dëshpërimisht me copëza rrëfimesh të marra me 100 falënderime nga persekutorë që hiqen të persekutuar, mundem ta imagjinoj “Saulin”, por nuk mundem të imagjinoj të birin, as eshtrat e tij në një arkë-mort të bardhë, të vogël në duart e t’et.
“The boy with in stripped Pyjamas” (lexo bijtë e udhëheqjes që patën fatin e atyre që dënuan), mbase paguan mëkatet e prindërve, por ata e kanë një emër. 300 bijtë e Saulit jo. Amik Kasoruho e Robert Shvarc do të thoshin, se askush nuk i kthen më vitet e kaushëve, por sekush ka të drejtë të pyesë sot, kush ua rrëmbeu fëmijërinë?
Në 30 e sa vite kemi përmendur viktima, të vdekur, të vrarë, të internuar, të persekutuar, të pushkatuar, por rrallë e tek, përkrah emrave të tyre janë gjendur emrat e vrasësve, persekutorëve, hetuesve.
“Në këtë muze, do të doja që krahas viktimave të ishin edhe persekutorët, siç janë në muzetë e huaj, me foto e me emra. Nuk mundemi të vazhdojmë më të flasim vetëm për viktima. Autorët e kanë një emër”, – do t’i drejtohej të mërkurën Gentiana Marës një studiuese e re, kur diskutohej projekti për qendër muzeale në Kampin e Tepelenës.
Të vërtetën kërkoi edhe Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së Robert Wilton, kur tha se zbulimi i saj “është çelës për familjet e të zhdukurve, për shoqërinë që të lëvizë përpara. Familjet kanë nevojë për të vërtetën, kanë nevojë me mbajt zi e me i kujtu të afërmit në paqe”.
Gjon Radovani ka ideuar një projekt ku 300 qiparisa të kujtojnë 300 fëmijët pa varr në një memorial në kamp. Ata qiparisa janë letra e pashkruar për fëmijët, janë ndjesa e munguar.
Fallaci i shkruan fëmijës së vet: “Ndjej ftohtë e them se jeta ekziston, fle dhe e ndjej jetën. Shiko, shoh një dritë. Dikush vrapon, qan, dëshpërohet. Por diku tjetër lindin mijëra e qindra fëmijë, dhe nëna të fëmijëve të së ardhmes: jeta nuk ka nevojë as për ty, as për mua. Ti je i vdekur. Ndoshta do të vdes edhe unë gjithashtu. Por kjo nuk ka rëndësi. Sepse jeta nuk vdes”.
Çdo krahasim çalon, por këto fraza më kujtohen kur shoh fëmijët e kahershëm, që i mbijetuan Tepelenës: e kanë tejkaluar tmerrin, kanë ri gjetur paqen, kanë ndërtuar jetën pa vrer e pa urrejtje, kanë gjetur forcë të qeshin, të rikthehen në kamp si burra e gra në moshë, të rrëfejnë, të tregojnë në emrin e tyre dhe në emrin e fëmijëve që nuk u rritën kurrë, se në Tepelenë kishte një kamp vdekjeje ku shokët e tyre të fëmijërisë u zhdukën.
Është pothuaj natë kur lëmë Tepelenën. Në krah të majtë të rrugës, ish-kampi zhduket në errësirë. Më ngjan se po të mbyll sytë do të dëgjoj të qara të vegjëlish që kërkojnë bukë në një natë të ftohtë dimri, ku ngrica ka përpirë gjithçka. Pas çastesh heshtjeje, japin frymën e fundit./ Memorie.al
I paharrueshem perkujtimi i foshnjave, femijve dhe te rriturve qe vdiqen ne kampet e interrnimit. I paharrueshem perkujtimi i te vdekurve ne burgjet politike te diktatures. Ne çdo vend duhet te vendosen emrat e tyre. Ne anen tjeter duhet te vendosen emrat e inkuzitoreve avantgard komunist. Jam menduar gjate si rregullohet dhe rikthehet ekuilibri si ilaç sherues per kombin e plagosur shqipetare. Grindemi ende, ishin 28000 'deshmore', me shume apo me pake. Pellumb Xhufi qe ndodhet ne nje pozicin ku munde te ndikohet(!) dhe nga Bahri Omari, por jo, ai i qendrone afer Enverit dhe ne mbrojtje te krimeve te tij, ose t'i shpetoje çmund t'i shpetoje. Ndaj veç vendosjes se emrave, duhet te vendoset ligji per te kthyer tere parat qe ka perfituar gjyshi si 'partizan'. t'ju vihen si borxhe nder breza, pinjolleve komunist te tere perfitimet per tu ngjitur padrejtesisht ne shoqeri qe kane ardhur si vlere e te qenit te gjyshit partizane apo komunist sipas shkalles hierarkike, duke i shumzuar me 1, 2, 3, 4, 5, 6, e 7 per Enver Hoxhen, Byrone e Komitetin Qendrore si dhe te aparatit te represionit. Keshtu do te dale dhe shifra e vertet sa 'deshmor' e partizane na sollen 'lirine' qe vazhdojme ta vuajme ende.
Ti urren dhe lufton komunistët, por nga pozitat e fashistit! Nuk e kuptoj se ku është ndryshimi! Sa për partizanët dhe dëshmorët ata janë faqja më e ndritur e popullit shqiptar. Nderime dhe respekt pa fund ndaj tyre. Ndaj Margarita Tutulanit, Vojo Kushit, Qemal Stafës etj etj. Dhe përbuzje pa fund ndaj Enver Hoxhës që ngriti një diktaturë të pashpirt.
Ne Shqiperi nuk ka patur shqiptare fashist, as ne periudhen 1939-1944 e jo me tani. Nacionalizmi shqiptare ju diktoi Italianeve e gjermaneve qe te mos ndiqeshin izraelitet ne token shqiptare. Pasi sigurauan kete, liruan tokat shqiptare e mbetura matane kufijve dhe hapen shkollat shqipe ne tokat e lirueme, duke ndihmuar shqiptaret atje qe ndanin te njejtin fat me izraelitet ne histori. Ne kohen kur Qemal Stafa mori pjese ne formimin e partise komuniste sebashku me Enverin e Miladinin, heronjte e vertete te shqiperise(moshataret e Qemalit) ishin matane(Kosove Maqedoni e Cameri) ne mbrojte te shqiptareve dhe funksinimit te shkollave shqipe. Mirpo Qemali ju nxori probleme se ishte i 'semure' mendore, bertiste Rrofte komunizmi. Miladini u ngrite dhe e keshilloi: ketu jemi ne ilegalitet dhe nuk duhet te sillesh keshtu. Shoket e Qemalit u ngriten me krenari dhe i thane Miladinit; ky asht denuar dy, tre here per komunist ne kohen e Zogut dhe as nuk do me ja dite per italianet. Kur te gjithe u larguan, ne fund Miladini e Enveri shkuan ne bazen sekret. Aty Miladini i thote Enverit qe kete (syzen) duhet ta vrasesh, jo se mund me te konkuru porse asht DEKONSPIRU. Si ky vjene ne mbledhje te tjera me ne, kuestura na gjene kollaj, si e leme n'mbledhje pa ftuar, ngatrrohemi me Shkodren e na mbyllet shtegu i komunikimit me Serbi e Mal te Zi. Pastaj hero apo tradhtar marrim vendim ne raport se si do te shkoi vrasja. Ne rast se nuk diktohemi e shpallim hero dhe akuzojme ballist e zogist apo italian. Ne rast se diktohemi e shpallim tradhtare. Nga çdo shteg t'i futesh studimit te luftes gjoja partizane, ajo del nje bande e verber qe solli ne pushtet gjakatarin Hoxha dhe anologun e shpirtit te tij te zi, komunizmin. Partizanet e Enverit jane si shoket e Stalinit qe ishte nje hajdut bankash dhe e ndihmuan Stalinin te ngjitej ne pushtet. Partizanet kane qene te mirinformuar per gabimin e tyre qe gjate luftes nga Mithat Frasheri e te tjere e tani po vjene koha e te paguajne perfitimet. Nga Rroga qe kane marre ne detyren ku kane qene duhet te ju zbriten vetem 50 Leke te vjetra sa kur ishte rroga e nje koperativisti ne Mirdite e te tjerat tu faturohen ne breza trazhgimtareve per tere vitet e punes. Ky asht neni i pare kur te fitoi DEMOKRACIA. Koperativat deshen dhe jemi te detyruar, te ju a detyrojme te ju ja japim ate qe deshten.
Hiq dorë nga droga dhe alkoli, pasi përbëjnë një koktej të rrezikshëm për trurin. Fillojnë pastaj haluçinacionet dhe folja me vete.
Kur e mendon se bijte e niperit e jetyre perbindshave hane sot ne pushtet