-Zhgënjimi i parë në jetë; kërkoi të shkonte në Liceun Artistik, e dërgojnë për murator.
-Si udhëtoi i vetëm në moshën 15-vjeçare nga Burreli në Rabie të Tepelenës për të kontribuar në aksionin kombëtar të eleminimit të pasojave të tërmetit të 3 prillit 1969?
-17 vjetë në Ndërmarrjen Gjeologjike të Kalimashit duke bërë vajtja-ardhje 50 kilometra çdo ditë.
-Iniciativa dhe përpjekjet për t’i shpërngulur ilegalisht dy vëllezërit nga Lusëna në vitin 1986 dhe për t’i sistemuar në Dias të Petrelës. Problemet dhe vështirësitë me të cilat u ndeshë.
-Historitë traumatizuese të emigrantëve që ktheheshin nga Greqia, me të cilat u përballë kur punonte në autobuzin e linjës Tiranë-Korçë dhe rolin që ato patën në vendimmarrjen për të nisur biznesin familjar, që të mos i lejoj fëmijtë dhe niprit e tij (djemtë e vëllezërve) të merrnin rrugët e botës.

Nga Feti ZENELI
Rastësia e solli që të njihem këto ditë me Safet Kolgjinin nga Lusëna e Ujmishtit, që shtrihet në skajin lindor të krahinës së Lumës. Sapo më përmendi vendlindjen, menjëherë më erdhën në kujtesë emrat e dy personaliteve të njohura të kombit tonë nga ky fshat; Tahir Kolgjinit dhe Baba Reshat Bardhit (Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit për vitet 1993-2011). E pyes për Tahirin e më përgjigjet se me të, janë “degë të të njëjtit trung stërgjyshor”, i mbjellë aty qysh herët, ndërkohë që rreth e qark nuk kishte këmbë njeriu. Këtë e dëshmon dhe historia, ku fisi Kolgjini (Gjeta Kola) qëndron në zanafillë të krjimit të fshatit. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për fisin Peposhi (Pepa). Të dy këto fise kanë ardhur nga Lura e Dibrës; u shtuan mes vetes, por dhe me të tjerë, duke arritur që në fund të viteve ’80-të, fshati të numëronte mbi 350 shtëpi. Sidoqoftë fisi Kolgjini ka qenë jo vetëm i pari, por dhe më vitali ndër ta, pasi nga shtimi e gjaku i tij morën jetë disa fise të reja, si: “Lleshi”, “Lika”, “Biba”, etj. Kjo do të thotë se ata që mbajnë sot mbiemrin “Kolgjini”, përveçse identiteti i hershëm i Lusënës, janë dhe palca kurrizore e fisit; kushërinjtë më të afërt, pavarësisht breznive që kanë shkuar qysh nga dita e parë e bujtjes së tyre në këto troje veriore, të barazlarguara me afro 17 km në vijë ajrore, midis Kukësit dhe Fushë-Lurës. Nga ana tjetër, Kolgjinët, nëpërmjet traditave dhe zakoneve të mira, përveçse shembull, kanë qenë dhe udhërrëfyesit e rrugëtimit të jetës komunitare për të gjithë banorët e fshatit. Fillimisht qe “këmbëngulja” e natyrës, me resurset e bukuritë e saj, që e mbajti në këto troje Kolgjinët dhe fiset e tjerë të Lusënës. Pastaj, siç ndodh zakonisht në të tilla raste, natyra u mund nga puna dhe marrëdhëniet shoqërore; pastaj vlerat dhe virtytet njerëzore. U mund, por nuk u gjynjëzua. Përgjithësisht u bë aleate e njerëzve, megjithë kapriçot e shfaqura herë pas here. Banorët e këtushëm s’u penduan kurrë, që me ndërmjetësinë e natyrës, u lidhen nëpërmjet traditash e zakonesh të forta mes tyre.
Ndryshimi i sistemit politiko-shoqëror në fillim të viteve ’90 e tronditi seriozisht ngrehinën zakonore të shqiptarëve, por atje ku themelet ishin të forta si në Lusën, dëmtimet qenë të lehta. Kjo falë banorëve mendjehapur të fshatit. “Zakonet na formojnë të gjithëve, -thotë poeti dhe dramaturgu anglez, Ajron Hill. -Mendimet tona, morali ynë, bindjet tona më të thella, janë pasojë e vendit ku kemi lindur”.
“E drejta zakonore…” e Tahir Kolgjinit
Në historiografinë shqiptare, Tahir Kolgjini renditet midis figurave e personaliteteve të tilla, si Mehdi Frashëri, Ernest Koliqi, Mustafa Kruja e kështu me radhë, që dikur cilësoheshin si “… bashkëpunëtorë të fashizmit e nazizmit”. Mësimet e para i mori në vendlindje, Lusën, prej Hoxhë Mulla Ademit nga rrethinat e Shkupit. Ishte një fëmijë tepër inteligjent. Kur’anin e mësoi përmendësh qysh i vogël. Me nisjen e luftrave ballkanike largohet familjarisht në Stamboll, ku pas 6 muajësh mbeti atje vetëm më të atin që merrej me tregti, pasi pjesa tjetër e familjes kthehet në vendlindje. Aty kreu Medresenë e Lartë dhe merrë titullin “Hafiz”. I pajisur me kulturë e dije të thella fetare, por dhe politiko-juridike, kthehet në Shqipëri, që t’ju shërbej bashkëkombasve të vet, duke nisur me bashkëfshatarët e tij. Për tre vite nga 1925 deri në 1928 punon si mësues në Bicaj e Lusën. Nga fundi i vitit 1928 deri 1932 kryen detyrën e sekretarit të gjykatës së paqes në Himarë e Kukës. Po këtë vit hedh kandidaturën për deputet, por listat manipulohen, kështu që angazhohet në krjimin e një partie politike ilegale, gjë për të cilën internohet nga autoritetet e kohës në Porto Palermo, ku qëndron një vit. Pasi hapi një shkronjtore dhe punoi për disa kohë si shkrues publik, nga 1939 deri në 1944-ën kryen detyra të tilla si kryetar bashkie në Kukës e Prizren; prefekt në Gjirokastër, Prishtinë e Shkodër dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë në kohën që ministër i brendshëm ishte Xhafer Deva. 4-5 ditë para çlirimit të vendit, shkon në Jugosllavi, më pas në Vjenë e më andej në Romë e Milano, ku qëndron rreth 4 vite. Në 1948-ën vendoset në Stamboll, derisa ndërroi jetë më 12 dhjetor 1988. Ndonëse për katër dekada qe një atdhetar i mërguar, mendjen dhe zemrën i kishte në atdhe, në vendlindje; tek gjuha shqipe dhe mbrojtja e vlerave, traditave e zakoneve shqiptare. Ishte një intelektual mjaft i angazhuar për çështjen kombëtare. Ka shkruar dhjetra artikuj e studime me përmbajtje letrare, politike, kulturore e shkencore, të cilat janë botuar nëpër gazeta e revista të ndryshme në botë, ku si kriter kryesor ka patur të vërtetën dhe ndershmërinë profesionale. Megjithatë ndikimi i tyre në mjedisin politik shqiptar ishte “zero” për shkak të izolimit komunist që përjetonte Shqipëria deri dy vite pas ndarjes së tij nga jeta. Nga ana tjetër, në vend që të çmohej, etiketohej “armik e tradhëtar”, ndonëse moto të qëndrimit të tij kishte postulatin e vendosur në krye të librit për Esad Pashën: “Në kët botë s’ka gja ma t’idhët se me të vumë të pa bamen”…
Siç dihet, vjeshta e vitit 1912 e gjeti Ballkanin në flakë. Shkaktar i këtij zjarri kanë qenë Serbia dhe Mali Zi, të cilat së bashku me Greqinë e Bullgarinë kishin hartuar një plan për pushtimin e tokave shqiptare pas largimit të osmanëve. Periudha e luftrave ballkanike ngjan si një tragjedi greke në tokat shqiptare. Serbët kërkonin dalje në detin Adriatik, duke tentuar të zënë portin e Durrësit përpara se të mbërrinte aty Ismail Qemali në 21 nëntor 1912. Grekët luftonin në pjesën jugore. Në mbështetjen tonë ishin vetëm Austro-Hungarezët dhe Italianët, të cilin qysh në vitin 1880 kishin një projekt për krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Kësisoj fati i vendit tonë ishte në presë të briskut. Po të mos ishte ndalur ushtria serbe në Lumën e Kolgjinëve, ajo do të zinte Durrësin përpara ardhjes aty të Babait të Pavarësisë. Luftohej më armë por dhe me penë e diplomaci, sigurisht duke i kombinuar mes tyre këto forma të angazhimit atdhetar. Në këto momente bie në sy edhe aktiviteti patriotik në veri të vendit i Esad Pashë Toptanit. Duke iu referuar gjuhës së Tahir Kolgjinit, “e bamja” ishte traktati i paqes që Esadi nënshkroi me Mbretin Nikolla, duke e shkëputur Shkodrën nga thonjtë sllavë, për ta kthyer atë në Principatën Shqiptare, ndërsa “e pa bamja” ishte cilësimi i tij si “tradhëtar” nga autoritetet komuniste në vitet e pasçlirimit(!?).

Me standarde të tilla transparence ndaj vetes e të tjerëve shkroi Tahiri dhe apologjinë “Të vërteta shqiptaro - greke”, ku denoncon përpjekjet shoviniste për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Ndërkohë fëmijtë dhe farefisi i tij persekutoheshin për “…të pa bamen” nga regjimi politik i kohës në kampin e përqendrimit Tepelenë dhe burgjet famkeqe të Spaçit e Burrelit, duke filluar me bashkëshorten e Tahirit, bijë e fisit të famshëm Lala nga Buzëmadhja, djalin e tyre të vetëm Ahmetin, nipër e mbesa, motra e vëllezër; në radhë të parë kushdo që mbante mbiemrin Kolgjini. Por shpirti i trashëgimtarëve të gjakut, sado i largët të ishte, nuk mund të burgosej, sikundër tek individë të tillë me integritet të lartë moral, s’mund të shpëlahej aq lehtë, as ndjenja e atdhetarizmit. Për këtë kategori patriotësh, dashuria ndaj atdheut nis me respektimin e kontributit të çdo qytetari të tij, pa dyshime dhe pa ndarje mbi baza politike. “Na nuk kemi të drejtë me i gjykue njerëzit që kanë ba Shqipninë”, thotë At Zef Pllumi. Parë në këtë këndvështrim, mendoj se nuk kemi të drejtë të gjykojmë dhe mënyrën se si ata kanë kontribuar. Për më tepër lidhja e patriotizmit vetëm me luftën është një arsye e paarsyeshme. Lufta është një gjë e keqe, por jo me e keqe se sa tentativa politike për të demoralizuar tjetrin, që të humbas moralin dhe ndjenjat patriotike, nga që nuk zgjedh të mbajë në dorë armë “prej vërteti”. “Mospajtimi i mendimeve”, që Xheferson e cilëson si “formën më fisnike të patriotizmit”, nuk mund të bëhet shkak i marrjes së pozicionit armiqësor kundër atyre që s’kanë pushtet politik. Sepse, kur triumfon urrejtja për njerëzit që janë ndryshe nga mbështetësit e tu, nuk diskutohet që kemi të bëjmë me nacionalizëm dhe jo me patriotizëm. Kësisoj për pushtetin komunist, patriotizmi ishte një maskë antinjerëzore, për sa kohë vriteshin e persekutoheshin familje të tëra, vetëm pse në përbërje të tyre kishin individë që nuk mendonin në përputhje me vijën politike të partisë. Ndërkohë, shumica e këtyre familjeve reflektonin veç fisnikëri apo vlera e virtyte, të cilat i kishin dhënë jetë shqiptarizmës edhe në kohët më të errëta të vendit tonë. Historia ka dëshmuar me shëmbuj pafund, se nuk ka asnjë parcelë familjesh të fisme ku të mos rritet fara e patriotizmit, sikundër janë dhe ato të fisit Kolgjini. Veçojmë këtu Neritan Kolgjin, djalin e Ahmetit dhe nipin e Tahirit, teksa shpreh zhgënjim edhe ndaj pushtetit të sotëm, i cili sipas tij, “… është një vazhdim i sundimit komunist me forma të tjera… Ne nuk kemi pasur shumë ego dhe shumica kanë ikur jashtë shtetit. Ka qenë strategji e regjimit që të rinjtë që kishin energji për t’u angazhuar politikisht të ikin jashtë vendit dhe shumë kanë ikur…”. Në një farë mënyre, Neritan Kolgjini perifrazon thënien e shkrimtarit të njohur amerikan të shekullit të kaluar, Eduard Abei, sipas të cilit: “Një patriot duhet të jetë gjithmonë i gatshëm për të mbrojtur atdheun nga qeveria e tij”. Mbase ka parasysh dhe shprehjen filozofike të gjyshit të vet, Tahirit, i cili në Kongresin Mysliman Shqiptar të Prizrenit, mbajtur në vitin 1941, i drejtohet Mustafa Krujës: “As qeveria të mos lidhet mbas fesë dhe as feja mbas qeverisë”.
Vërtetë Tahir Kolgjini u formua si intelektual në mërgim, por rrallëkush si ai i është përmbajtur të drejtës zakonore shqiptare në të gjithë aktivitetin e tij social-patriotik e kulturor, duke vepruar gjithmonë ashtu siç shkruante e ligjëronte; pa e ndarë fjalën nga vepra dhe Shqipërinë nga zemra. Në këtë kuptim është domethënës fillimi te “Jetëshimi i em shkurtimisht…”, ku midis të tjerash shkruan: “Jam i biri i Ali, Osman, Hasan, Sulë, Idris, Bajram, Shahin Kolgjinit. Nana e eme, asht Qamile Kolgjini, e bija e Sadik Totës nga katundi Vilë po i Lumës… Pata pyetun babën. Më pat thanun se unë, kishem lemë në vjetën e Shemsi Pashës, qi paska pasë ardhun në Lumë e në Shqipni për me pajtue gjaqet në 1910, qi kjo datë allaturka i gjegjet vjetit 1903. E pata pyetun nanën mbi stinën, qi kam lemë. Më pat thanun se, unë, paskam lemë rrumbullak 12 ditë para Shëngjergjit. Pra, në 24 prill 1903…”. Kësisoj fisi Kolgjini, Lusëna dhe Shqipëria përbëjnë një unison të pazgjidhshëm me qënien njerëzore të Tahirit, duke dhënë mesazhe të shumta për kohën e sotme. Gjatë këtyre 35 viteve të fundit, shoqëria shqiptare ka marrë plasaritje të mëdha, ku një nga plagët që rrjedh vazhdimisht është shpopullimi i krahinave të tëra dhe sidomos braktisja e atdheut pa e kthyer kokën pas. Po masivizohet fenomeni i të mosndjerit mirë në vendin tënd, duke u endur “… si çifutët në shkretëtirë”, ndërkohë që nuk mungojnë shëmbujt e tjerë, të cilët tregojnë, se mënyra më e mirë për të shtuar dashurinë ndaj atdheut është qëndrimi i përkohshëm në një vend të huaj…
Gjurmët e Safetit në udhëtimin e fisit Kolgjini
Safet Xhemal Kolgjini mund të jetë “kushëri i shtatë” me Tahirin, por nga mënyra se si i qaset jetës, vendlindjes, atdheut, parimeve morale dhe normave shoqërore, s’ka pse të mos quhet: “vëllai më i vogël” i tij. Edhe Safeti e fillon “jetëshkrimin e tij” me kapilarin e rrënjëve stërgjyshore, njëlloj si Tahiri. “Sipas rrëfimeve të babait, -thotë ai, -jemi në Lusën këtu e shtatë breza të shkuar, duke filluar me gjysh Safetin, stërgjysh Hafizin e kështu me radhë: Sadikun, Veselin, Dullën dhe Shahin Kolgjinin…”. Ndërhyn Besniku, vëllai më i vogël: “Madje një sipërfaqe e konsiderueshme toke atje në Lurë quhet Livadhi i Kolgjinëve”. Ndërsa vëllai më i madh Seda shton: “Me sa di unë, rrënjët e hershme mund t’i kemi nga Shkodra, prej andej kemi ardhur në Lurë”.
Siç konstatohet nga jetëshkrimi i të dyve, Tahirit dhe Safetit, emrin “Shahin” e kanë të përbashkët. “Megjithatë ne i kemi trajtuar si më të afërt, -na thotë Safeti. -Xhaxhai i Tahirit, Osmani, ishte njeri i vetmuar, pa fëmijë. Unë e Besniku ju bëmë si fëmijë në momentet e fundit dhe kur ndërroi jetë, ndonëse regjimi e trajtonte si të deklasuar dhe të tjerët i qëndronin larg. Bile Besniku ka qëndruar plotë një javë në shtëpinë e tij për të shërbyer”. Siç do shohim dhe më vijim, dallimet mes kushërinjëve Tahir e Safet janë thjeshtë rrethanore, dhe aspak moralo-shpirtërore. Nga ç’na rrëfejnë vëllezërit Seda, Safet dhe Besnik, por dhe nga ç’kemi lexuar më parë për Kolgjinët, në përgjithësi; këmbënguljen, përpjekjet, zellin e vizionin i kanë të njëjtë edhe pse u përkasin kohëve të ndryshme. Kësisoj, vetitë e tyre i përshkojnë vlerat e virtytet njerëzore. Bëhen skllav të gjërave që dashurojnë e trashëgojnë, dhe për t’ua kaluar të tjerëve; bashëkohësve apo paraardhësve, së pari përpiqen t’ja kalojnë vetes. Ndaj dhe gjykimin mbi të arritshem dhe të paarritshem e bazojnë gjithnjë tek mundësitë, që janë pasojë e largpamësisë, orvajtjeve dhe përpjekjeve të tyre të vazhdueshme.
Gjithçka e kupton nga rrëfimi i shtruar Safetit, i cili ndonëse i mesmi i vëllezërve është bërë për ta një krah i fortë mbështetës. Ishte 19 vjeç, kur babai i tyre u invalidizua, për shkak se i prenë njerën këmbë të gangrenizuar nga të ftohtit. I përballur qysh në fëmijëri dhe me ashpërsitë e fatit politik, që si për të gjithë, e diktonte të jetuarit në një sistem ekonomiko-shoqëror plotë vështirësi e mungesa, u burrërua para kohe… Ka lindur në 13 mars të vitit 1954. Nuk mundi ta njihte gjyshin, pasi ai edhe Xhemalin, babain e Safetit, e la të vogël, vetëm 6 vjeç. E la fëmijë, por dhe pa krah vëllezërie, aq të domosdoshme për kohë të vështira, pasi gjatë vitit 1917 dy djemtë e tij më të mëdhenjë u ndanë para kohe nga jeta. Ky fat i keq ju kompensua nga përkujdesja mëmësore e një gruaje fisnike si Rabie Tusha (Rabe), që jetoi plotë 105 vite, si dhe e motra, Life Kolgjini, 10 vjeçe më e madhe. Gjithësesi nga gjysh Safeti, trashëgoi emrin; një emër i nderuar nga puna plotë përkushtim e sakrifica. Nga babai trashëgoi vitalitetin përballë sprovave të Zotit. Po flasim për burra që në çfarëdolloj përballjeje kanë qëndruar në këmbë (edhe me një këmbë si Xhemali), si “genin përgjegjës” i fisit që krijoi fshatin. Ndaj në këto raste barra e trashëgimisë kërkon shpatulla të forta morale për ta mbajtur. Janë barrë që të kërrusin, këto, po qe se nuk e mban trupin drejtë. Kështu që, në një farë mënyre, trashëgimi i emrit shndërrohej për Safetin në një borxh, i cili duhej shlyer me punë e përpjekje nderuese. Po kur bashkë me emrin trashëgon dhe mbiemrin, atëhere barra e përgjegjësisë bëhet akoma më e madhe, momenti midis vëzhgimit dhe veprimit ka kaluar në favor të këtij të fundit. Nga ana tjetër, koha dhe sistemi i ri politiko-shoqëror, që ishte instaluar pas çlirimit të vendit, ishin në disfavor të objektivave dhe e synimeve që mund t’i vendosje vetes, sado burrë i rrallë të ishe. Në këto kushte, pavarësisht gjithçkaje që mund të trashëgoje nga paraardhësit e tu, mbetej thjeshtë puna, ajo që mund të shfrytëzoje për të arritur objektivat e përcaktuara. Bëhej fjalë për një lloj pune, e cila përveç forcës fizike, të vetmen filozofi inkurajuese ku mund të mbështeteshe ishte gjithçka buronte nga vargjet e Naimit: “Punë, punë natë e ditë,/ Që të shohim pakëz dritë”. Në atë periudhë një shprehje e tillë përdorej rëndom, si këshillë e kërkesë për çdo aspekt të jetës e veprimtarisë shoqërore, përfshi dhe shkollën. Ndërkohë, rruga e vetme për t’i dhënë emër virtytit, kalonte nga përballja me vështirësi të shumta, ku më e vështirë se të dije ishte të fusje në punë atë ç’ka dije, pasi të diktonin atë ç’ka dinin e dëshironin të tjerët. Nuk kishe mundësi zgjedhjeje, dhe më e vështirë se të shfaqje pavarësinë, ishte të ruaje dinjitetin tënd, përballë kulisave për denatyrimin e shpirtit njerëzor të atyre që rridhnin nga familje tradicionale e fise me emër të madh.
“Ishte shtator i vitit 1961, kur fillova klasën e parë fillore -tregon Safeti. -Sapo kishte ndodhur prishja e marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik. Situata politiko-shoqërore, por kryesisht ajo ekonomike shfaqnin problematika të shumta. Gjithë këtë impakt negativ e merrja nga sjellja e më të rriturve, pavarësisht se nuk kuptoja shumë. Sidoqoftë, gjithçka qartësohej, teksa, fjala vjen, edhe shkronjat e Abetares i shkruaja (jo vetëm unë por gjithë klasa) me një penë primitive, ku si bisht i saj përdorej druri i shtogut dhe si bojë rrushi i qenit. Si mbarova klasën e parë, gjatë verës mblidhja qershikla (boronica) dhe bimë medicinale; i shisja për të blerë libra e veshje. Kjo histori vit pas viti, derisa mbarova tetëvjeçaren, po në fshat”.
Pavarësisht vështirësive e mungesave të shumta, Safeti ia doli të arrij rezultate shumë të mira në mësime. Aplikoi për shkollën e mesme. Duke patur parasysh që qysh nga viti i parë deri në të tetën, në mjaft shfaqje e konkurse artistike ishte aktivizuar si kërcimtar e recitues, kërkoi që të shkonte në Liceun Artistik. Po, meqë rregulli formal ishte që duheshin zgjedhur tre degë shton Politeknikumin “7 Nëntori” dhe Mjekësinë. “Qava tre ditë rresht, -thotë Safeti, -kur pashë që më kishin dërguar për murator, një kurs dy-vjeçar në të ashtuquajturën “Shkollë e Rezervave të Punës” në Shkodër. Përjetova një zhgënjim të madh, kur vura re që në degë të zgjedhura kishin vajtur fëmijë të atyre me mbështetje politike. Megjithatë shkova, përfundova vetëm simestrin e parë dhe u ktheva. Kaq zgjati i gjithë shkollimi im, 15 vjeç fillova punë, për të mos u shkëputur më prej saj. Po edhe për punë duhej të iknim larg, për të fshehur disi trashëgimin farefisnore, që ishte një dizavantazh për kohën, ku vlerësoheshin e përkraheshin njerëz nga shtresat e ulëta. Mesa kujtoj ka qenë 22 mars 1969, Dita e Sulltan Novruzit, kur u nisa nga shtëpia në drejtim të Burrelit, ku kisha vëllain e madh, Sedin, që punonte në Ndërmarrjen Rruga-Ura…”.
Qëndroi aty për pak kohë. Filloi punë me orar të reduktuar. Punonte dhe paguhej për 6 orë, kaq ja lejonte mosha. Ndodhi tërmeti i 3 prillit 1969 në fshatrat Izvor e Rabie të Tepelenës. Gjithë Shqipëria u ngrit në këmbë, siç thuhej në propagandën e asaj kohe. Mes tyre dhe brigada e vëllait të Safetit. Sedi takohet më të dhe i thotë të kthehet në vendlindje. “Mirë”, i përgjigjet të vëllait, ndërsa në mendje kishte diçka tjetër. Niset pas tij me makina të rastit. Nga Burreli në Laç udhëton me një “Skodë”, në karroceri. Pastaj merrë trenin deri në Fier. Mbërrin aty në orët e vona të mbrëmjes dhe sistemohet në hotelin e qytetit. Ndjehet keq teksa shikon rreth e qark njerëz të veshur më mirë se sa ai. Më shumë se çdo gjë tjetër stononin opingat. Me vehte kishte vetëm 450 lekë. Të nesërmen në mëngjes shkon në Pazar e blen një palë atlete 390 lekë. Mbetet me 10 lekë në xhep. Destinacioni i fundit ishte Izvori dhe Rabija e Tepelenës. Del tek kryqëzimi i rrugëve të Fierit për në Jug. Qëndroi për gati 7-8 orë në pritje, sa vjen një makinë nga ato të qymyrit dhe polici rrugor e ndihmon, duke i thënë shoferit se ku duhej ta çonte. Mbërrin rreth orës 10 të natës në Izvor, prej andej duke pyetur udhëton në këmbë e soset në Rabije pas dy orësh. Punon atje rreth dy muaj e gjysëm. Ishte periudhë vere, u çonte ujë aksionistëve. Fitoi gati 12 mijë lekë të vjetra. Kthehet në vendlindje, gjysmat e këtyre lekëve ja dorëzon babait. Me pjesën e mbetur të tyre niset në kërkim të punës së re. Për rreth 3 vite, deri sa shkoi ushtar, punoi në 3 ndërmarrje të ndryshme; në Rruga-Ura e NSHN Kukës dhe HEC-in e Vaut të Dejës.
Pas 3 vitesh ushtri në Tropojë, fillon punë në ndërmarrjen Gjeologjike të Kalimashit, rreth 50 km larg fshatit të tij, ku qëndroi plotë 17 vite deri në fillim të viteve ’90. Sakrifica më e madhe ishte se këtë rrugë vajtja-ardhje e bënte çdo ditë. Ngrihej në orën 3 e gjysëm të natës për të mbërritur në Kalimash në 7 të mëngjesit. Një pjesë të rrugës e bënte me këmbë, pjesën tjetër me autobuz. E njëjta gjë dhe në kthim. Megjithatë u shqua në punë, arriti rezultate të larta, ndaj dhe u dekorua me “Urdhër pune Klasi 3” dhe “Urdhër pune Klasi 2”.
Ishin sakrifica që bëheshin për ndërgjegjien dhe nderin e familjes e të fisit. Sidoqoftë, kur mendonte që dy vëllezërit e tij vuanin pasojat e kooperativizimit malor, nuk e kishte ndërgjegjien të qetë; i delte shpesh ai pak gjumë i natës, që bënte. Dikur kishte njohur rastësisht kryetarin e Këshillit të fshatit Pezë-Helmës. Gjen mundësinë e flet me të për vëllezërit, t’i transferonte afër kryeqytetit. Bien dakord. Ishte verë e vitin 1986. Në një nga këto ditë sajon një rrugë furrnizimi për në Tiranë me makinën e ndërmarrjes. “Një rrugë e dy punë”, siç i thonë në gjuhën popullore. Ngarkojnë ato pak orendi dhe niset bashkë me vëllezërit rreth orës 12 të natës. Për të mos rënë në sy të njerëzve udhëtojnë në një rrugë rurale, Grykës së Fanit, në gjurmët e sotme të Rrugës së Kombit. Kryetari i Këshillit të Pezë-Helmësit i pret mirë dhe i sistemon në shtëpinë e tij. Nisen letrat e para nga fshati. U bë problem i madh dhe kryetari u dorëzua, pasi e kërcënuan me masa disiplinore nga organet përkatëse të partisë e pushtetit. Kështu që Safeti me të vëllezërit, pasi qëndruan për afro 4-5 ditë në Hotel Internacional, gjejnë një mundësi të re sistemimi në Dias të Petrelës. Blejnë një shtëpi aty, kuptohet të vjetëruar e të amortizuar, për 150 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë fillojnë dhe punë; Sedi në minierën e Kërrabës, kurse Besniku në kooperativë. Pas kësaj zgjidhjeje për vëllezërit, Safeti ndjehej më i qetë dhe vazhdon punë në ndërmarrjen gjeologjike të Kalimashit. U bashkohet vëllezërve në fillim të viteve ’90. Në ’93-shin punon si menaxher autobuzi në linjën Tiranë-Korçë, ku përballet me problematikën traumatizuese të emigrantëve që ktheshin nga Greqia ato vitet e para. Ndërmend i vijnë fjalët e një poeti anglez të shekullit të 17-të, që ja kishte perifrazuar një mësues nga zonat veriore, të cilin e kishte njohur si pasagjer në autobus, teksa kthehej dhe ai i zgjenjyer nga Greqia: “Ata që jetojnë në atdhe dhe mësojnë të njohin Zotin dhe veteveten, nuk kanë nevojë të shkojnë me tej”. Ndaj nuk vonon shumë dhe së bashku me vëllain e vogël, Besnikun, hapin një servis makinash. Tani në këtë lloj biznesi, përfshi dhe tregtinë për pjesë këmbi janë të punësuar të tre djemtë e Safetit (Ylli, Dashi dhe Agroni). Po kështu djali i Sedës, Nazmiu dhe djali i Besnikut, Eltoni, që kuptohet, kanë bizneset e tyre të veçanta. Të gjithë janë rregulluar si jo më mirë, por Safetit edhe sot i rrjedhin lotë nga sytë për një djalë, që i trashëgoi emrin e të atit, Xhemalit, i cili do të ishte përkrah tre vëllezëve të tjerë, dhe që fatkeqsisht u nda nga jeta në moshën 21 vjeçare, për shkaqe natyrore. Ndaj i delë në mënyrë të natyrshme thënia: “Kur ka dëshirë e vullnet, njeriu bën çdo gjë, veç atyre që i ka Zoti në dorë”.
Po kështu një peng tjetër, si pinjoll i fisit që krijoi fshatin, është dhe shpopullimi i vendit nga rinia. “Shumica e tyre kanë emigruar në Angli e vende të tjera perëndimore, dhe as kanë ndërmend të kthehen, -thotë ai. -Por dashuria për vendin fillon nga dashuria për familjen, fisin e fshatin…”. Roli i Safetit por dhe i dy vëllezërve të tij në edukimin familjar të fëmijëve të tyre me punën dhe dashurinë për njeri - tjetrin sintetizohet tek fjalët që na tha Agroni (djali i Safetit): “Mundin e babës e kena borxh, që as jeta s’na del me e la”. Këto fjalë të vlerësimit prindëror, që një historian romak i quan “…ligji i parë i natyrës”, përveçe dashuri, përcjellin mirënjohje, angazhim e betim trashëgimtarësh të denjë të fisit Kolgjini për të mos humbur identitetin kombëtar.
Lini një Përgjigje