
Nga Feti ZENELI
Miqësia me Luigj Gurakuqin dhe protagonistët e tjerë të shpalljes së pavarësisë, udhëtimi për në Çikago, aktivizimi në shoqërinë “Vatra”, pjesëmarrja në Luftën e Parë Botërore si ushtar amerikan në Francë, dhe invaliditeti nga kjo luftë. Përgjigjia që i dha një provokatori grek në Filadelfia. Kthimi në vendlindje dhe pjesmarrja në Revolucionit Demokratik të qershorit 1924.
Në historinë e çdo vendi, ka emra që nuk mbeten thjesht si shenja identifikimi gjeografik, por shndërrohen në bartës kujtese, identiteti dhe vlere të trashëguara brez pas brezi. Në këtë kuptim, lartësitë e Gllavës, të njohura si Tri Çukat apo tri Avgat, nuk janë thjesht një reliev malor në kufijtë e Tepelenës, Beratit dhe Mallakastrës; ato janë një tribunë e heshtur e historisë shqiptare, ku shekujt kanë lënë gjurmë të thella dhe ku emrat e njerëzve janë shndërruar në simbole që tejkalojnë kohën.
Një ndër këta emra është edhe ai i Haxhi Malasit, i cili lidhet pazgjidhshmërisht me një hapësirë që nuk ishte vetëm vendbanim, por një nyje e rëndësishme lidhëse, komunikimi dhe zhvillimi për gjithë zonën përreth. Siç shprehet edhe filozofi francez Michel de Certeau, “emrat e vendeve janë histori të ngrira në kohë”, dhe pikërisht për këtë arsye, Malasi mbart në vetvete një histori të gjallë, të ndërthurur me lëvizje njerëzish, ide dhe fatkeqësisht edhe me largime të dhimbshme.
Kjo trevë e thellë malore, e përqafuar nga natyra dhe e mbrojtur nga lartësitë mbi 800 metra mbi nivelin e detit, ka qenë gjithmonë një pikë referimi strategjike dhe historike. Që nga përmendja e hershme në dokumentet e kryepeshkopit të Ohrit në vitet 1019-1020, e deri te periudhat e mëvonshme kur figura të mëdha si Skënderbeu apo Tafil Buzi ngritën garnizone në këto anë, Tri Çukat kanë qenë dëshmitare të një historie të dendur dhe të trazuar. Edhe fuqitë e huaja, nga austro-hungarezët te italianët e Benito Musolinit, e kanë njohur rëndësinë e kësaj zone, duke e shfrytëzuar për qëllime ushtarake dhe strategjike. Kjo tregon se natyra e këtyre lartësive ka qenë gjithmonë e lidhur me forcën, qëndresën dhe mbijetesën.
Por përtej historisë së betejave dhe strategjive, këto male mbartin edhe një histori tjetër, më të thellë dhe më të qëndrueshme: historinë e njerëzve që kanë lënë gjurmë me jetën dhe veprën e tyre. Sepse, siç shprehet filozofi francez Volteri, “njerëzit e mëdhenj janë ata që u japin kuptim vendeve ku jetojnë”. Në këtë prizëm, vendet nuk janë më thjesht hapësira fizike, por bëhen bartëse të vlerave dhe kujtimeve që njerëzit u kanë falur.
Toponimi “Malas”, që përfaqëson një nga lagjet e fshatit Gllavë dhe njëkohësisht një nga pikat më të larta të kësaj zone, është një shembull i gjallë i këtij bashkimi mes njeriut dhe vendit. Ai nuk është vetëm një emër gjeografik, por një dëshmi e gjallë e një historie njerëzore që ka lënë gjurmë në ndërgjegjen kolektive. Pikërisht në këtë kontekst lind dhe merr kuptim figura e Haxhi Malasit - një emër që nuk qëndron i ndarë nga vendi, por është pjesë e tij, duke e lartësuar dhe duke u lartësuar prej tij.
Mes për mes territorit të lagjes Malas kalonte një nga rrugët më të hershme të karvaneve të Shqipërisë jugore, që lidhte këtë zonë me Beratin e më tej. Më vonë, kjo rrugë do të merrte një rëndësi të re si një nga akset më të vjetra automobilistike në vend, ai Këlcyrë-Berat. Ky pozicion strategjik do të sillte ngritjen e “Hanit të Sulçes”, në pronësi të familjes Malasi, një pikë e rëndësishme ndalese për karvane dhe udhëtarë të ndryshëm. Por ky han nuk ishte vetëm një strehë për pushim; ai ishte një qendër e vërtetë komunikimi, një vend ku shpërndaheshin lajmet, ku përplaseshin mendimet dhe ku ndërtohej një vetëdije më e gjerë për zhvillimet politike dhe shoqërore të kohës. Për këtë arsye, banorët e Malasit do të shquheshin si ndër më të informuarit në gjithë zonën. Nuk është rastësi që pikërisht në këtë truall, në vitin 2016, do të hapej shkolla e parë shqipe për gjithë zonën e Buzit, si një vazhdimësi simbolike e traditës së dijes dhe komunikimit.
Megjithatë, këto lartësi nuk do të mbeteshin vetëm dëshmitare të lëvizjeve të përkohshme të udhëtarëve, por edhe të një tjetër lëvizjeje më të thellë dhe më të dhimbshme: largimit të vetë banorëve të tyre. Në fillim të shekullit të 20-të, shumë prej tyre do të niseshin në kërkim të një jete më të mirë, duke lënë pas vendlindjen që dalëngadalë do të zbrazej. I pari ndër ta ishte Kasëm Malasi, babai i ish-politikanit të njohur Tomorr Malasi, i cili, si shok shkolle dhe në një rrugëtim të përbashkët formimi kulturor me Eqerem Çabejin, do të nisej drejt universiteteve të Vjenës. Më pas, këtë rrugë largimi do ta ndiqte edhe kushëriri i tij, Haxhi Malasi, i cili do të shkonte edhe më tej, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e shtrirë kështu emrin e Malasit përtej kufijve të vendit.
Në këtë mënyrë, emri i Haxhi Malasit nuk lidhet vetëm me një individ apo një familje, por me një histori të tërë lëvizjeje, komunikimi dhe transformimi. Ai është dëshmi e një kohe kur një vend i vogël mund të bëhej qendër e madhe ndikimi dhe kur nga një hapësirë e kufizuar lindnin rrugë që të çonin drejt botës. Pikërisht këto “lartësi” të emrit dhe të historisë së tij janë ato që kërkojnë të rikthehen në kujtesë dhe të vlerësohen sot, si pjesë e një trashëgimie që nuk duhet harruar.
Haxhi Malasi lindi më 13 maj 1890 dhe që në moshë të re u dallua për një karakter të fortë, të qëndrueshëm dhe për një kureshtje të veçantë ndaj botës që e rrethonte. Rinia e tij u formësua në një periudhë të trazuar për Shqipërinë, kur vendi po përjetonte ndryshime të thella politike e shoqërore, duke e vendosur individin përballë zgjedhjeve të mëdha. Siç shprehej Aristoteli, “rrënjët e dijes janë të hidhura, por frytet e saj janë të ëmbla”, dhe pikërisht në këtë terren të vështirë nisi të formohej vetëdija e tij.
Një rol të pazëvendësueshëm në këtë formim luajti “Hani i Sulçes”, ku ndaleshin shpesh karvane dhe udhëtarë të shumtë. Flamuri kombëtar i ngritur gjithmonë dhe portreti i Skënderbeut e kthenin atë në një simbol të gjallë patriotizmi, një shkollë të heshtur ku mësohej dashuria për atdheun.
Pikërisht në këtë mjedis, Haxhiu mori një nga lajmet më të rëndësishme të jetës së tij: se në Vlorë do të ngrihej flamuri shqiptar dhe do të shpallej pavarësia. Ky lajm e mbushi me gëzim dhe entuziazëm të thellë. Sipas zakonit të kohës për të shpërndarë lajme të mira, ai e priti këtë ngjarje me të shtëna pushke, si një shpërthim i natyrshëm i gëzimit dhe krenarisë. Pa humbur kohë, rreth datave 24-25 nëntor, ai mori armën dhe u nis drejt Vlorës, i shtyrë nga një ndjenjë e fortë detyrimi dhe dashurie për atdheun, pa e ditur saktësisht datën e shpalljes. Se siç do të thoshte Viktor Hygo, “asgjë nuk është më e fuqishme se një ide, koha e së cilës ka ardhur”.
Më 28 Nëntor 1912, kur flamuri shqiptar u ngrit në Vlorë dhe u shpall pavarësia, Haxhi Malasi e përjetoi këtë si ditën më të rëndësishme të jetës së tij. Ai e ndjeu veten pjesë të kësaj ngjarjeje historike dhe të përpjekjeve për lirinë e vendit. Pas shpalljes së pavarësisë, qëndroi për një kohë në Vlorë, me dëshirën për t’u bashkuar me forcat që mbronin qeverinë e sapoformuar shqiptare. Gjatë kësaj periudhe pati mundësinë të takohej me figura të rëndësishme të kohës, ndër ta edhe Luigj Gurakuqi, duke u ushqyer më tej me frymën e lëvizjes kombëtare.
Megjithatë, vitet që pasuan nuk sollën qetësi. Shqipëria u përball me kërcënime të vazhdueshme nga jashtë, ndërsa brenda saj sundonin pasiguria dhe vështirësitë ekonomike. Në këto rrethana, Haxhiu u detyrua të marrë një vendim të rëndësishëm: emigrimin. Në dhjetor të vitit 1913 ai u nis drejt Italisë dhe më pas drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky ishte një hap i dhimbshëm, sepse, siç shprehej Lamartini, “njeriu ka vetëm një atdhe, siç ka vetëm një zemër”.
Udhëtimi i gjatë dhe i vështirë, i mbushur me pasiguri, e çoi pas tre ose katër muajsh në Çikago. Ai mbërriti në një tokë të re, por me mendjen dhe zemrën të lidhura fort me Shqipërinë. Malli për vendlindjen u bë një ndjenjë e përhershme që e shoqëroi gjatë gjithë jetës. Në këtë gjendje shpirtërore, ai shkroi edhe një vjershë prekëse, ku shprehte dhimbjen e largimit: “Bashkë me mallin mora rrugë,/Larg e larg nga Shqipëria,/Amerikës mbetem unë,/Për nga shqipja mendt’ e mia.” Këto vargje dëshmojnë jo vetëm ndjeshmërinë e tij artistike, por edhe lidhjen e thellë shpirtërore me atdheun.
Pasi u pajis me dokumentet e nevojshme, Haxhiu filloi punë në një kombinat tekstilesh në Detroit, ku punoi për disa vite. Aty u njoh me shumë shqiptarë të tjerë emigrantë, të cilët, si ai, kishin lënë vendin për një jetë më të mirë, por nuk e kishin harruar kurrë atë. Nga bisedat me ta mësoi se Bostoni ishte kthyer në një qendër të rëndësishme të atdhetarisë shqiptare në Amerikë, çka e shtyu të afrohej drejt këtij komuniteti.
Qëndrimi patriotik i Haxhi Malasit u shfaq me një forcë të jashtëzakonshme gjatë viteve të tij në Boston, ku ai iu bashkua shoqërisë “Vatra” dhe iu përkushtua pa rezerva idealit të lirisë dhe bashkimit kombëtar. Ishte një njeri i angazhuar, i palodhur dhe plot energji, i cili jo vetëm mbështeste me zjarr Fan Nolin, por merrte pjesë me pasion në çdo aktivitet që synonte forcimin e vetëdijes kombëtare dhe ruajtjen e identitetit shqiptar. Me aftësitë e tij të spikatura në komunikim dhe një oratori të gjallë, Haxhiu udhëtonte nëpër qytete të Amerikës, duke përçuar mesazhe bashkimi dhe dashurie për atdheun. Për të, Shqipëria nuk ishte vetëm toka ku lind, por një ideal i shenjtë që duhej mbrojtur, ushqyer dhe përçuar brez pas brezi.
Një nga episodet më të spikatura që dëshmon guximin dhe vendosmërinë e tij ishte përballja me një grek provokator në Filadelfia. Gjatë një bisede me bashkatdhetarët, provokatori tentoi të mohonte përkatësinë shqiptare të disa trevave jugore, por Haxhiu reagoi me qetësi dhe guxim, duke i kthyer fjalët me të njëjtën forcë të mendjes dhe të shpirtit:
“-Nga jeni ju, zoti Haxhi? - pyeti greku me një ton provokativ.
-Nga një fshat afër Tepelenës, -iu përgjigj Haxhiu me qetësi dhe dinjitet.
-Po pse nuk thuaj që je grek, se Korçë e Gjirokastër janë Greqi, -shtoi provokatori me cinizëm.
Pa u shqetësuar, Haxhiu e pyeti me të njëjtin qetësi:
-Nga jeni ju, zoti Dhimitër?
-Nga një fshat afër Konicës, -iu përgjigj ai.
-Po pse s’thuaj që je shqiptar me emër grek, se Çamëria është Shqipëri, -përfundoi Haxhiu, duke riafirmuar me vendosmëri të vërtetën historike dhe identitetin kombëtar.
Ky moment nuk ishte thjesht një dialog i thjeshtë; ai pasqyronte thelbin e mendësisë së Haxhiut: guximin për të mbrojtur identitetin dhe historinë e kombit, qetësinë e mendjes përballë provokimeve dhe aftësinë për të kthyer çdo sfidë në një mësim të gjallë patriotik.
Në tërësi, Haxhi Malasi u shndërrua në një figurë simbolike të patriotizmit të ndërgjegjshëm: një njeri që e shihte atdheun si një përgjegjësi të shenjtë, dhe që e mbrojti këtë përgjegjësi me pasion, me mend dhe me zemër, pavarësisht largësisë gjeografike apo sfidave që i vinin përpara.
Pas një periudhe intensive në këtë veprimtari, jeta e tij mori një kthesë tjetër me pjesëmarrjen në Luftën e Parë Botërore si ushtar i ushtrisë amerikane. Për afro një vit e gjysmë ai përjetoi drejtpërdrejt ashpërsinë e luftës në frontet e Francës. Kjo përvojë i solli jo vetëm sakrifica fizike, por edhe një pjekuri të re shpirtërore. Në një shënim të asaj kohe, ai shkruante: “Është një luftë shumë e egër e që, me sa duket, do të përfundojë për të mirën e njerëzimit, por dhëntë Zoti e nuk vazhdon gjatë, se është një luftë me shumë gjak e me shumë llahtar…”, duke reflektuar mbi absurditetin e saj, në një frymë që kujton mendimin e Albert Kamys për vuajtjen njerëzore dhe kuptimin e saj.
Gjatë luftimeve ai u plagos rëndë në sy, një plagë që do ta shoqëronte gjithë jetën. Pas trajtimit në Francë, u kthye në Amerikë si invalid, por me një përvojë të thellë jetësore. Megjithatë, kjo nuk e ndali. I liruar nga puna e rëndë fizike, ai iu rikthye me më shumë përkushtim çështjes kombëtare në radhët e “Vatrës”.
Megjithëse kishte krijuar njëfarë stabiliteti në Amerikë, dashuria për atdheun e shtyu të marrë një vendim tjetër të madh: kthimin në Shqipëri në vitin 1923. Ky akt përfaqësonte një sakrificë të vetëdijshme, një zgjedhje ideale mbi interesin personal, duke dëshmuar një karakter të fortë dhe një ndjenjë të lartë përgjegjësie kombëtare.
Pas kthimit, ai u përfshi menjëherë në zhvillimet politike, duke mbështetur Revolucionin e Qershorit 1924 dhe qeverinë e Fan Nolit. Ai mori pjesë aktive në përpjekjet për një Shqipëri më të drejtë, duke qëndruar pranë këtij ideali deri në momentet e fundit të tij. Dështimi i këtij revolucioni la gjurmë të thella në jetën e tij, duke e goditur jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht.
Pas kësaj periudhe, Haxhi Malasi u tërhoq në vendlindje, duke iu përkushtuar jetës familjare, por pa u shkëputur nga vëmendja ndaj zhvillimeve shoqërore. Jeta e tij mori një dimension tjetër në përkushtimin ndaj familjes. Ai u bë jo vetëm prind i përkushtuar, por edhe kujdestar i një numri të madh fëmijësh jetimë nga familja e gjerë, duke e kthyer shtëpinë e tij në një vatër solidariteti dhe dashurie. Në këtë aspekt, ai mishëronte atë që Lev Tolstoi e konsideronte si “forca e vërtetë e njeriut”, që qëndron në përkushtimin ndaj të tjerëve.
Kthimi i tij në Shqipëri ishte një çast i mbushur me emocione të përziera për familjen. Pas një mungese të gjatë, koha kishte lënë gjurmë të dukshme mbi të, aq sa të afërmit mezi e njohën. Ndërkohë, vitet e mërgimit kishin qenë të rënda për familjen: babai i tij, Osmani, ishte ndarë nga jeta, ndërsa motra e vetme, Bukuria, pasi kishte krijuar familjen e saj, ishte shuar duke lënë pas tre fëmijë të mitur, të cilët tashmë kërkonin mbrojtje dhe përkujdesje.
Nëna e tij, Fatimeja, e brengosur nga frika se mos djali do të largohej sërish në kurbet, në vitin 1926 vendosi ta lidhte atë me martesë me Salushen, një vajzë me prejardhje nga Selcka e Madhe dhe me rrënjë nga Droboniku i Beratit. Edhe rrugëtimi familjar i Salushes mbante plagë të vjetra: Pas humbjes së njerkut të Salushes dhe më pas të nënës së vet, Zymbyles në vitin 1930, dy vëllezërit e saj, Jaupi dhe Hatja, mbetën jetimë. Në këto rrethana, Haxhiu, në këshillim me nënën e tij Fatimen dhe vëllain Rizain, vendosi - sipas normave të kohës dhe frymës së kanunit - të merrte mbi supe barrën e kujdesit për ta. Pikërisht për këtë arsye, familja e Haxhiut u vendos në Selckë, me synimin për të rritur dhe mbështetur dy jetimët. Duke shtuar dhe tre fëmijët e motrës së ndjerë: Galimen, Tefikun dhe Hysni Krecin, numri i fëmijëve jetim qi ai do të rriste krahas 8 fëmijëve të tij shkonte në 5, gjithësesj 13 fëmijë. Ai nuk i pa kurrë këta fëmijë si barrë, por si një amanet të shenjtë, që duhej mbajtur me dinjitet dhe dashuri. Shtëpia e tij u kthye në një vatër ku sundonin solidariteti, përkushtimi dhe një dashuri e heshtur, por e pathyeshme.
Ky hap i tij dëshmonte edhe një herë ndjenjën e thellë të detyrës dhe solidaritetit që e karakterizonte. Ai nuk ishte thjesht një luftëtar apo patriot, por një njeri që e jetonte përditë përgjegjësinë morale ndaj të vetëve.
Jeta e tij në Selckë përbën një shembull të rrallë të përkushtimit ndaj familjes së zgjeruar, një traditë e thellë shqiptare që në rastin e tij mori përmasa të jashtëzakonshme. Ai arriti të ndërtojë një familje të madhe e të bashkuar, pavarësisht sfidave të kohës. Nuk ishte thjesht një zhvendosje gjeografike, por një akt i ndërgjegjshëm për të përmbushur një detyrim të lashtë moral: kujdesin ndaj jetimëve, një cilësi e lartë morale që, siç do të shprehej Aristoteli, “e bën njeriun të plotë në virtytin e tij”.
Një element i veçantë në jetën e kësaj familjeje ishte fakti që fëmijët e tij kishin edhe shtetësi amerikane, si rrjedhojë e viteve që Haxhiu kishte kaluar në Shtetet e Bashkuara. Ai kishte ruajtur lidhje të gjalla me atë vend, duke udhëtuar disa herë drejt tij, duke ndërtuar kështu një urë jo vetëm fizike, por edhe kulturore e shpirtërore mes dy botëve që kishin formësuar jetën e tij.
Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, Haxhi Malasi mbajti një qëndrim të qartë në mbështetje të luftës kundër pushtuesve. Edhe pse shëndeti nuk i lejonte të merrte pjesë drejtpërdrejt në luftime, ai e përkrahu këtë përpjekje si një domosdoshmëri historike për lirinë e vendit, duke mbetur besnik ndaj idealeve patriotike që e kishin shoqëruar gjatë gjithë jetës.
Shtëpia e tij, e cila dikur kishte marrë trajtën e një baze të heshtur lufte, pas çlirimit u shndërrua në një vatër të gjallë mikpritjeje, ku dyert qëndronin të hapura për të njohur e të panjohur. Ajo u bë një strehë bujare për njerëz të çdo shtrese, përfshirë edhe figura politike të kohës, si në nivel lokal ashtu edhe kombëtar. Në këtë hapësirë, që tashmë rrezatonte paqe dhe mirësi, u zhvilluan takime të rëndësishme dhe u hodhën themelet e organizimeve të reja shoqërore. Ajo u kthye në një pikë referimi për drejtues e personalitete të njohura, ndër ta edhe Hysni Kapo, të cilët qëndronin aty për ditë me radhë, duke punuar për ndërtimin e strukturave të reja, siç ishte edhe krijimi i kooperativës bujqësore të Selckës - një dëshmi e gjallë se, siç shprehej Monteskie: “forca e një shoqërie qëndron në bashkëveprimin e njerëzve të saj”.
Figura e Haxhi Malasit përfaqëson një model të rrallë të shqiptarit të përkushtuar ndaj atdheut në çdo kthesë të historisë. Ai ishte një patriot i palodhur, që nga ditët e Pavarësisë e deri në kohërat më të trazuara të shtetformimit dhe përplasjeve të mëdha, duke vënë mbi gjithçka idealin kombëtar dhe duke sakrifikuar qetësinë e jetës personale. Megjithatë, në thelbin e tij ai mbeti një njeri me bindje të qarta properëndimore, duke besuar në vlerat demokratike dhe në rrugën e zhvillimit përmes bashkëpunimit me botën perëndimore. Kjo prirje e tij nuk kalonte pa u vënë re: udhëheqësit e kohës së monizmit, sa herë që e vizitonin, e pyesnin shpesh për Amerikën, të shtyrë nga një kureshtje e përzier me dyshim mbi bindjet e tij. Por ai, i matur dhe i urtë, ruante një qëndrim të kujdesshëm, duke mos e lëshuar veten në deklarata të pamenduara, edhe kur i ofrohej besim dhe konfidencialitet.
Jeta e tij mbetet një dëshmi e gjallë e një njeriu me ndjenja të thella atdhedashurie, të ushqyera nga përvoja e gjerë jetësore dhe nga një angazhim i pandërprerë në rrjedhat politike e shoqërore të kohës. Ai përfaqësonte atë tip njeriu që, siç do të thoshte Albert Camus, “e gjen kuptimin e jetës jo në atë që merr, por në atë që jep”, duke lënë pas një gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e komunitetit dhe në historinë e vendit.
Përtej angazhimeve patriotike, ai mbetet një figurë që mishëron vlerat më të mira njerëzore, duke lënë pas një trashëgimi të gjallë që vazhdon të frymëzojë brezat, ashtu siç e përcaktonte Hugoi: “Njeriu nuk jeton vetëm për veten, por për dritën që lë pas.”
Lini një Përgjigje