Zbulohen diskutimet sekrete të Enver Hoxhës në 1982: Ramiz, ka filluar të flasë Feçori për Mehmetin apo Kadriun, sepse ai mund të jetë …

27 Maj 2022, 09:30Dossier Dashnor Kaloçi

Zbulohen diskutimet sekrete të Enver Hoxhës në 1982: Ramiz, ka

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), të cilat i përkasin muajt tetor të vitit 1982, ku në mes të tjerash ndodhet një raport-informacion i hartuar nga grupi i instruktorëve për organet e Punëve të Brendshme pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, me temë: “Mbi disa probleme që dolën nga analizat për ngjarjen e 25-26 shtatorit në Lushnje”, e cila bën fjalë mbi ngjarjen e të ashtuquajturës “Banda Xhevdet Mustafa”, si dhe proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, i mbajtur më datën 22 tetor të atij viti, e kryesuar nga Sekretari i Parë i Komitetit Qendror, Enver Hoxha, ku u muarr në analizë e gjithë ngjarja e “zbarkimit të grupit diversionist” në bregdetin e Divjakës, si dhe “masat që duheshin marrë, për mbrojtjen e pikave të mundshme të zbarkimit në bregdetin tonë” Dokumentet e plota me raport-informacionin e grupit të instruktorëve për organet e Punëve të Brendshme të aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku pas analizës së bërë mbi ngjarjen e zbarkimit të “Bandës Xhevdet Mustafa”, u morrën masat përkatëse ndaj disa prej drejtuesëve kryesorë të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Lushnjes, duke filluar nga kryetari Kapllan Shehu, zv/kryetari, Mihal Loli, shefi i Policisë, Fane Xhuveli, si dhe Ismail Leskaj,  që u morr nën përgjegjësi penale.

Si dhe proces-verbali i takimit ditor të sekretarëve të Komitetit Qendror të PPSh-së, të mbajtur më datën 22 tetor të atij viti nën kryesinë e Enver Hoxhës, ku merrnin pjesë edhe Ramiz Alia, Hekuran Isai, Simon Stefani dhe Rita Marko, të cilët pasi diskutuan deri me detaje dhe morrën në analizë ngjarjen me zbarkimin e “Bandës Xhevdet Mustafa”, diskutuan dhe shtruan detyrat konkrete për të bërë të mundur mbrojtjen e kufirit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë nga ndonjë desantim i mundshëm nga jashtë, ku si përfundim, u vendos që një kontigjent me rreth 600 efektivë nga organet e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, do të kalonin në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me shërbim për ruajtjen e kufirit toksor dhe detar, si dhe aprovimi i një shume financiare prej afro 100 milion dollarësh nga fondi rezervë i shtetit, për shpenzimet që duheshin për pasijen e postave të kufirit me logjistikën e nevojshme, si radarë, etj.


Fondi: KOMITETI QENDROR I PARTISË PUNËS SHQIPËRISË

(Takimet ditore të sekretarëve të K.Q. të PPSH-së)

-TAKIMI DITOR I SEKRETARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË DATËN 22 TETOR 1982


-PËR MASAT QË DUHEN MARRË PËR MBROJTJEN E PIKAVE TË MUNDËSHME TË ZBARKIMIT NË     BREGDETIN TONË (PYETJE DHE DISKUTIM NGA SHOKU ENVER HOXHA) (Fq.1)

-PËR MJETET E INFORMACIONIT (DISKUTIM I SHOKUT ENVER HOXHA) (Fq.4)

-PËR DEPONIMET E ARMIKUT FECOR SHEHU NË ADRESË TË KADRI HAZBIUT

(INFORMIM NGA SHOKU RAMIZ ALIA, SEKRETAR I K.Q. TË PPSH (Fq. 3) PËR KËTË KA NDËRHYRË DHE KA BËRË PYETJE GJATË BISEDËS, SHOKU ENVER HOXHA) (Fq.3)

22.10.1982

SEKRET

Dokumenti sekret me proces-verbalin e mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, i kryesuar nga sekretari i parë, Enver Hoxha

TAKIM DITOR I SHOKËVE SEKRETARË TË KOMITETIT QENDROR TË PARTISË 

22 TETOR 1982

Në këtë takim u bisedua për masat që duhen marrë për mbrojtjen e pikave të mundshme të zbarkimit në bregdetin tonë.

SHOKU ENVER HOXHA: Njerëzit i shkruajnë gjërat ashtu si i mendojnë. Ata, bëjnë detyrën e tyre. E bëra unë letrën, thotë ai, i’a kam dërguar Kadri Hazbiut. I kam bërë letër dhe Komitetit Qendror. Po ku është kjo letër atëherë?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Posi?!

SHOKU ENVER HOXHA: Se kur mua më vjen një letër, në të unë shkruaj diçka, jap një mendim, një porosi.

SHOKU RAMIZ ALIA: Prandaj ajo letër, duhet të gjendet.

SHOKU ENVER HOXHA: Ta marrë Hekurani këtë punë, dhe ta gjejë. Po dhe ai, ku do ta gjejë?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Nëse ai ka dërguar letër, kjo duhet të jetë në arkiv.

SHOKU ENVER HOXHA: Do të jetë në arkiv në qoftë se arkivi, është në rregull, nëse ai ka sistem ruajtjeje ndryshe, mund të jetë por edhe mund të mos jetë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Se mund edhe të jetë djegur.

SHOKU ENVER HOXHA: Posi, letra mund edhe të jetë djegur.

SHOKU SIMON STEFANI: Mundet, se kanë kaluar kaq vjet që nga ajo kohë.

SHOKU ENVER HOXHA: Sigurisht që disa materiale të rëndësishme, edhe mund të digjen pas një farë periudhe.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po diku shënimi që ato kanë ardhur, ose diçka tjetër duhet të jetë.

SHOKU ENVER HOXHA: Patjetër që duhet të ketë një të dhënë, ose një shënim se çfarë është bërë me të. Pra një shënim duhet të ekzistojë diku që t’i referohesh në rast nevoje.

SHOKU RAMIZ ALIA: Kështu është.

SHOKU ENVER HOXHA: Këto gjëra ne, jemi të detyruar që t’i bëjmë me dorë se gjetkë ato, i bëjnë me kompjuter.

SHOKU RAMIZ ALIA: Posi të dhënat gjetkë, i kanë të regjistruara në kompjuter.

SHOKU ENVER HOXHA: Të dhëna për miliona njerëz, janë futur në këto kompjuterë. Kam kënduar njëherë në një libër, sesi gjendeshin të dhënat për një person, vrasës, me anë të kompjuterit. Në libër dilte se të dhënat që regjistrojnë kompjuterët, për një kohë i mbanin në memorien e tyre. Pastaj ato, ja kalonin qendrës së tyre, e cila është aq e madhe, saqë mban të dhënat e të gjitha kompjuterave. Në libër, tregohet sesi një qendre të tillë kompjuterash, i’u kërkua emri i një personi, për të cilin ishin dhënë dhe karakteristikat. Qendra, i’u kishte dhënë menjëherë tre emra të cilët, kishin karakteristika të përafërta, prandaj kërkonte ndonjë karakteristikë tjetër. Pi shumë, i thanë qendrës dhe trak, menjëherë ajo dha emrin e personit që kërkohej.

SHOKU RAMIZ ALIA: Shiko, shiko, i paskan edhe me detaje gjërat?!

SHOKU ENVER HOXHA: Në detaje i kanë, posi. Më thoni karakteristikën e veçantë të personit që kërkoni, dhe nga qendra e kompjuterit kemi tre emra këtu. Pi shumë, i thanë. Erdhi menjëherë përgjigja.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu është, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Natyrisht këtu tek ne, këto gjëra nuk bëhen akoma. Ohuuu jemi akoma larg. Por të paktën, të ketë rregull në arkivat që kemi. Mirë, ç’bëjnë këta që kemi futur brenda, flasin?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Po shoku Enver, edhe Feçori ka filluar të flasi një çikë.

SHOKU ENVER HOXHA: Po do fillojë patjetër dhe ai.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, po, ka filluar të flasë në adresë të………

SHOKU ENVER HOXHA: Mehmetit…?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, të Kadriut. Ka filluar, si të thuash që të shfryjë për të.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, Kadriu mund të jetë kryetari i Feçorit.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po, mundet posi. Ka filluar të thotë ca gjëra lidhur me çështjen e platformës. Mbi bazën e platformës së Byrosë Politike. Kadriu paska bërë shtesa, ka dhënë udhëzime të veçanta.

SHOKU ENVER HOXHA: Ka bërë, një platformë të re ai…?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Ka bërë interpretime si të thuash, duke shkruar “shënimi numër një”, ose “shënimi numër dy”, etj.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, po.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ja nxjerr Feçori tani atij, dhe thotë se Kadriu paska bërë shtrembërime.

SHOKU ENVER HOXHA: Ka shtrembëruar platformën…?!

SHOKU RAMIZ ALIA: D.m.th., të tilla gjëra, ka filluar të thotë tani Feçori…?!

SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, flet, flet ai.

SHOKU RAMIZ ALIA: Atëherë, është gjë e mirë që po flet.

SHOKU ENVER HOXHA: Gjë e mirë, d.m.th., filloi dhe ky.

SHOKU RAMIZ ALIA: Filloi posi…. (ndërpritet incizimi).

SHOKU ENVER HOXHA: ……. të bëhet me pika, se armiqtë nuk mund të zbresin në Karaburun.

SHOKU RAMIZ ALIA: Ashtu është, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Ata, nuk mund të zbresin as në Llogara. Kështu në të gjithë këto vargmale, që shtrihen me kilometra të tëra, nuk është e nevojshme që të radhiten me qindra njerëz roje. Në këtë rajon, do të vendosim posta vrojtimi, që natyrisht kushtojnë. Prandaj edhe çështjen e kostos së tyre, duhet ta shikojmë, se mund të krijojmë një situatë inflacioni, që të na shkaktojë vështirësi, e të na çojë në uljen e nivelit të jetesës së masave punonjëse.

SHOKU RAMIZ ALIA: Shpenzimet për këto masa janë mbi planin.

SHOKU ENVER HOXHA: Prandaj të marrim njëherë nga ushtria ata 600 vetët që kemi thënë. Por nuk është vetëm çështja e kontingjenteve. Ka biseduar Prokopi, me shokët e tij për këtë gjë?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Ka biseduar.

SHOKU ENVER HOXHA: SSe Prokopi, është i ri në detyrën që ju besua dhe do ca kohë derisa t’i futet punës mirë. Ndërsa ata të tjerët, i dinë këto punë.

SHOKU RAMIZ ALIA: E di shoku Enver. Ka biseduar Prokopi me shokët, dhe kanë krijuar një grup me specialistë.

SHOKU ENVER HOXHA: Unë çështjen, e kam këtu shokë: kufiri duhet të ketë pika vëzhgimi, por jo i tërë kufiri dhe asnjë pikë në dhjetë kilometra. Jo, nuk mund të veprohet kështu. Pika kufiri, duhet të ketë në ato vende, ku ka mundësi zbarkimi. Atje, duhet të ketë një postë që dhe ajo, të ketë pikën e vet të zbulimit e të vëzhgimit. Prandaj duhet të njihen e të caktohen këto vende, ku ka mundësi e kushte të favorshme të zbarkimit në tokë të diversantëve. Të tilla vende p.sh., mund të jenë plazhet e Kakomesë, të Vunoit, të Borshit, një çikë më lart akoma, etj. Atëherë pikërisht në këto rajone, duhet të kemi një qendër, pikë, ose postë vëzhgimi. Kalojmë nga Kakomeja dhe vijmë në Sarandë. Këtu diversanti, nuk mund të zbresë dhe të futet në tokën tonë. Pra bregdeti, është një zonë që duhet studiuar me kujdes, për çështjen e vendosjes së postave kufitare. Pastaj duhet parë Vlora, d.m.th., rajoni i Sazanit, dhe më tej. Po për këtë punë, duhet parë për deri në Velipojë, e për jo më në veri?!

SHOKU RAMIZ ALIA: Po shoku Enver, për deri në Velipojë, bëhet fjalë.

SHOKU ENVER HOXHA: Kjo pra duhet studiuar. Se ai, thotë që do futen në Durrës, por në Durrës, nuk futet dot njeri.

SHOKËT: Në Durrës, nuk futet dot njeri.

SHOKU ENVER HOXHA: Ata, nuk futen dot as në Durrës, as në Vlorë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Andej nuk futen dot. Fjala është nga Bishti i Pallës e tutje.

SHOKU SIMON STEFANI: Jo, as andej nuk futen dot, se i ruan ushtria.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ato i ruan ushtria. Po nëse ne shokë, na zë gjumi ata, na futen në çdo anë. Edhe Karaburunit mund t’i ngjiten ata.

SHOKU RAMIZ ALIA: Posi jo.

SHOKU ENVER HOXHA: Ja për shembull ata kater vetët, gjermanë a ç’ishin, që lundronin me varkë, mos erdhën për të parë kufirin?! Jo, ata erdhën për t’u ngjitur e për t’u futur brenda, dhe atje i kapën ushtarët tanë.

SHOKU SIMON STEFANI: Po, atje i kapën ushtarët tanë.

SHOKU ENVER HOXHA: Kështu pra këtë punë, duhet t’a shohim në një mënyrë pak racionale. Bashkë me këto forca të cilat, nuk duhet të jenë të mëdha, duhet të vihen në lëvizje edhe Forcat Vullnetare që kemi përgjatë gjithë bregdetit. Është një detyrë e re ushtarake që një ose dy prej tyre, të bashkohen çdo natë me rojet e patrullave të rojeve të rregullta të kufirit dhe të zënë pozicion luftarak.

Kështu në vend që të gjitha pikat ose Postat e Kufirit, të përbëhen vetëm me ushtarë, t’i kemi dhe me vullnetarë, d.m.th., dhe me Forca Vullnetare të Vetëmbrojtjes Popullore. Në këtë mënyrë dhe këta, stërviten si mbrojtës të Kufirit, gjithashtu dhe shteti nuk harxhon shumë. Pasi, njëri është ushtar i reparteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa tjetri është ushtar i shërbimit të rregullt. Pra në këtë aspekt, duhet bërë një kombinim e forcave njerëzore.

Ç’humbet fshati i Dhërmiut, që dy-tre djem apo burra, bashkë me ushtarët, të kenë nën vrojtim natën një kilometër të territorit pranë fshatit të tyre. Prandaj mendoj se gjithë kjo çështje, duhet shikuar me këtë sy. Se është fjala për shpenzime jo të vogla, dhe të mos shikohet thjesht si çështje e mbrojtjes dhe vigjilencës. Të dyja çështjet, të shikohen me kujdes, dhe kufiri të garantohet, dhe shpenzimet të shikohen që të jenë sa më të kufizuara.

SHOKU RAMIZ ALIA: Siç u tha, është fjala për 60 milionë lekë.

SHOKU ENVER HOXHA: Dhe nja 70 a 80 milionë të tjera, do t’i duhen ushtrisë në qoftë se do ta aktivizojmë edhe atë për këtë punë. Atëherë, bëhen 100 e ca milionë lekë.

SHOKU RAMIZ ALIA: 100 e ca milionë lekë bëhen.

SHOKU ENVER HOXHA: Sa është rezerva e qeverisë, aq është ajo rreth 100 milionë lekë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Aq është shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Nga del kjo?! Kjo del jo vetëm nga prodhimi por edhe nga qarkullimi. Le të mos harrohet se ushtria, është një nga sektorët që i ka futur në borxhe të gjitha vendet e tjera kudo në botë. Unë, e kuptoj se këtu është çështja që të mbrohemi nga armiqtë. Dakord, që ne duhet të mbrojmë atdheun dhe për këtë, nuk duhet të kursejmë asgjë. Por duhet të dimë dhe të manovrojmë. Në këtë punë, çështja shtrohet se ne duhet të nxjerrim para të tjera në qarkullim. Veçse kjo, mund të na çojë në inflacion dhe të na ulë nivelin e jetesës, ose të na lërë pa përfunduar disa vepra të planit, që arrijnë shumën 65 milionë dollarë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Po prapë, atje del.

SHOKU ENVER HOXHA: Atje del prapë, sepse as veprat nuk i ke, dhe as prodhimet jo.

SHOKU SIMON STEFANI: Vende pune s’ka.

SHOKU ENVER HOXHA: Prandaj këto çështje, duhen parë të shkëputura. Ja p.sh., ne shkurtuam energjinë elektrike, dhe për këtë fituam ca. Po duhet menduar dhe duhet folur me Adilin se, çfarë do bëjmë me punëtorët e turnit të tretë?! Do t’ju themi atyre që të shkojnë në shtëpi dhe të rijnë një ose dy muaj pa rrogë?! Jo, këtë nuk mund ta bëjmë.

SHOKU SIMON STEFANI: T’i shkrijmë në turnin e parë dhe në të dytin.

SHOKU ENVER HOXHA: Është fjalë goje kjo. Kështu kemi thënë dhe për studentët e Universitetit që do t’i shkrijmë në fabrika, por çdo ndërmarrje, ka një numër të caktuar tornosh të cilat, i ka të zëna me punëtorët e saj, dhe nuk fut njeri tjetër në to. Prandaj s’ka sesi të shkrihen kaq lehtë turnet e treta.

SHOKU RAMIZ ALIA: Jo vetëm kjo shoku Enver, por ka disa fabrika që, po e ndalojnë fare prodhimin, për mungesën e energjisë elektrike. Memorie.al

Lini një Përgjigje