Emigrantët dhe ata që punojnë përkohësisht jashtë dërguan 2.1 miliardë euro në Shqipëri

15 Dhjetor 2025, 17:56Ekonomia TEMA
Emigrantët dhe ata që punojnë përkohësisht jashtë

Rreth 2.1 miliardë euro janë dërguar në Shqipëri gjatë vitit 2024 nga transfertat personale dhe kompensimi i punonjësve, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.

Nga kjo shumë, rreth 1.4 miliardë euro kanë ardhur nga vendet e Bashkimit Europian, ndërsa afërsisht 670 milionë euro nga vende jashtë BE-së.

Në krahasim me 2023-n, shuma totale e dërguar në Shqipëri është rritur ndjeshëm me 12%, ose 224 milionë euro më shumë, ndërsa në raport me 2022-n janë rreth 430 milionë euro më shumë.

Sipas Eurostat, këto flukse përfshijnë kryesisht dërgesat e emigrantëve drejt familjeve të tyre, (Transfertat personale janë kryesisht paratë që emigrantët dërgojnë te familjet e tyre, zakonisht pa kundërshpërblim) si dhe të ardhurat e punonjësve shqiptarë që punojnë përkohësisht jashtë vendit (Kompensimi i punonjësve përfshin paga dhe të ardhura që rezidentë të një vendi fitojnë duke punuar përkohësisht jashtë shtetit, p.sh. punë sezonale, përpara se të zbriten taksat dhe kontributet).

Në raport me madhësinë e ekonomisë, Shqipëria renditet e treta në Europë për peshën e këtyre transfertave ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, me rreth 5.1% të PBB-së, pas Bosnjë-Hercegovinës me 7.6% dhe Serbisë me 5.4%.

Të dhënat tregojnë se rritja e transfertave lidhet me valën e re të emigracionit të viteve të fundit. Sipas statistikave të Bashkimit Europian, vetëm gjatë viteve 2023–2024, shtetet e BE-së kanë dhënë rreth 150 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë, ose mbi 70 mijë në vit, duke reflektuar një rritje të numrit të emigrantëve aktivë në tregun europian të punës dhe, rrjedhimisht, të dërgesave financiare drejt Shqipërisë. Vetëm për punë, gjatë 2022-2024 janë dhënë rreth 20 mijë leje qëndrimi në vit, nga vetëm 3-4 mijë lejë që jepeshin një dekadë më parë.

OECD llogarit që mbi 40% e popullsisë shqiptare tashmë jeton jashtë vendit, duke qenë një burim i madh të ardhurash për të afërmit e tyre në Shqipëri. (Monitor)

1 Komente

  1. b
    black jack

    e ku osht fukaralliku kto i skipetare????????

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje